April 10, 2014

Boston: Përkujtimore për 217 viktimat e Hormovës


Fuat Memelli

Javën e kaluar , në kishën shqiptare Shën Trinia në Boston, krahas meshës së zakonëshme, u mbajtën edhe tre përkujtimore, ose përshpirtje , siç quhen në gjuhën fetare. Dy nga ato i përkisnin familjeve shqiptare që jëtojnë këtu e që kishin humbur të afërmit e tyre. Këto përkujtimore janë të zakonëshme por këtë javë, At Kostandin Tuda që shërben në këtë kishë, bëri edhe një përkujtimore disi të veçantë. Ajo i përkiste 217 viktimave të të fshatit Hormovë, në rrethin e Tepelenës, të cilët u masakruan 100 vjet më parë nga andartët grekë.


Nismëtarë të kësaj përkujtimoreje , ishin përfaqësuesit e Shoqatës Atdhetare “Rilindasit” me qendër në Boston si dhe ata të Shoqatës “Kombi”me qendër në Uster. Ata ja sugjeruan mendimin e tyre priftit Kostandin Tuda dhe ai e pranoi këtë ide. –Unë jam shqiptar dhe do ta bëj këtë veprim thjesht në aspektin fetar, pasi kisha nuk meret me politikë. Krahas besimtarëve të zakonshëm që vijnë në këtë kishë, këtë rradhë kishin ardhur nga Usteri edhe përfaqësuesit e Shoqatës “Kombi”Artur Vrekaj e Ilir Maçi , nga Bostoni ishin përfaqësuesit e Shoqërisë Atdhetare”Rilindasit”, Guri Stefani e Petrit Alibeaj. Si në shumë veprimtari të tjera të shqiptarëve në Boston, edhe kësaj here nuk mungonin bashkëshortët kosovarë, veprimtarët Rita e Adem Saliu, etj. Ishte vërtet një çast emocionues, kur u përmënd kjo përshpirtje me 217 viktima. Në fund të meshës , përfaqësuesit e dy shoqatave falenderuan At Kostandinin për këtë gjest njerëzor dhe bënë së bashku fotografi.

Por, masakra e Hormovës, është vetëm një nga masakrat greke të bëra në Shqipërinë e Jugut në vitin 1914. Më e madhe se kjo është masakra e Panaritit në rrethin e Korçës, ku u vranë 340 burra , gra e fëmijë. Masakra të tjera janë bërë edhe në rrethin e Gjirokastrës, Delvinës, Përmetit, Kolonjës, Devollit, etj. Ato duhen përkujtuar këtë vit në mënyrë të organizuar, me veprimtari të ndryshme, me vendosje kurorash me lule në vendin ku kanë ndodhur, vendosje pllakash përkujtimore, ngritje memorialesh, etj. Qëllimi është për t’i bërë një homazh viktimave, për t’i kujtuar këto ngjarje që të mos harroen dhe jo për të mbjellë urrejtje. Popujt tanë fqinjë, duhet të shohin nga e ardhmja dhe të mbjellin fara miqësie mes tyre.