July 21, 2014

Sami Repishti: Regjimi i Hoxhës, mosbesues ndaj çamëve

Nga: SAMI REPISHTI*

Në historinë moderne të Çamërisë kemi tri faza: E para, fillon që nga Lidhja e Prizrenit (Kongresi i Berlinit) 1878, dhe deri në pavarësinë e shtetit shqiptar, më 28 nëntor 1912; e dyta, që nga viti 1912 dhe deri me sulmin italian kundër Greqisë, më 28 tetor 1940 dhe e treta, që nga tetori 1940 deri në vitin 1945.

Problemi i Çamërisë u ngrit për të parën herë në tryezat e diplomacisë europiane, si problem i Epirit, më 29 qershor 1878, në Kongresin e Berlinit, nga Ministri i Jashtëm i Greqisë, T.Deliyannis, i cili kërkoi që ishulli i Kretës, Thesalia dhe Epiri t'i jepeshin Greqisë nga Perandoria Osmane.


Ndërkaq, jo vetëm Vjena, por edhe Berlini rishikuan disa pika të qëndrimit të tyre ndaj kësaj çështjeje (kërkesave greke). Të dyja palët ishin të mendimit se nga tokat që do t'i kalonin Greqisë, duheshin përjashtuar viset shqiptare, d.m.th. Çamëria, duke përfshirë edhe Prevezën. Kancelari gjerman, Bismarck, deklaroi se: "...e ardhmja e Greqisë do të ishte e kërcënuar po të përfshinte ajo (Greqia) një pjesë të konsiderueshme të kësaj race luftarake të panënshtruar të shqiptarëve, që ajo as do t'i nënshtronte, as do t'i asimilonte".

Më 18 mars 1879 Turqia i ofroi Greqisë një rrip toke paralel me kufirin ekzistues, dhe jo më shumë, me sqarimin se çdo koncesion do të krijonte shqetësim të madh te shqiptarët. Grekët refuzuan ofertën, filluan aktivitetin e tyre ilegal me grupe terroriste, duke sulmuar edhe Himarën, por pa sukses. Ndërkohë, Abdyl Frashëri e Mehmet Vrioni u nisën për në Europë për të mbrojtur tezën shqiptare. Argumenti i tyre ishte se Epiri është i një rëndësie jetësore për të ardhmen e Shqipërisë së Jugut, për arsye të porteve të Prevezës, Artës, Gumenicës dhe Pargës, si dhe për kullotat. Ata përfundonin duke thënë se "...Shqiptarët ishin të betuar të vdesin para se t'i dorëzonin Greqisë territoret e Prevezës, Artës, Janinës dhe distriktet e tjera të Shqipërisë".

Më 15 qershor 1880, Konferenca e Ambasadorëve në Berlin i dha Greqisë gjysmën e Çamërisë, duke përfshirë edhe Janinën. Grekët e pranuan menjëherë. Turqia e refuzoi. Në atë kohë Ministër i Punëve të Jashtme të Turqisë, ishte Abedin pashë Dino.

Zerva 
Nuk është një koincidencë e rastit, por një atmosferë politike e përshtatshme për forcat reaksionare greke, që në qershor 1944, "bashibozukët" e Gjeneralit Zervas, të ndihmuara nga forcat ushtarake të kolaboracionistit Kolonel Dertilis, komandant i "Batalioneve të Sigurimit", një pro-nazist i deklaruar dhe mik për njëzet vjet i Gjeneralit, filluan sulmet kundër fshatrave shqiptare të Çamërisë, me një pikësynim final: "të spastrojë" zonën e Epirit nga e gjithë "popullsia jogreke", d.m.th. shqiptarët çamë. Akuzat se çamët kanë qenë "bashkëpunëtorë" me italianët e gjermanët janë "akuza" të shtruara sidomos, nga forcat greke më të komprometuara nga "bashkëpunimi" me okupatorin në Greqinë e okupuar, nga elementë si Gjenerali Zervas, Koloneli Dertilis, "Batalionet e Sigurimit", Gjindarmëria dhe Policia (të stërvitura nga nazistët) etj. Në një mesazh që P.E.E.A. (Këshilli Popullor i Grupit ELAS) dërguar Presidentit amerikan, F.D.Roosevelt, më 15 maj 1944, thuhet se armiqtë që kanë sulmuar Greqinë janë: "...agresorët italianë, gjermanë, bullgarë". Shqiptarët nuk janë pjesë e këtij grupi negativ. 118

Ka arsye të dyshohet se oficerët e ML (Ndërlidhjes Ushtarake) britanike nuk kanë "dekurajuar" masakrat e Gjeneralit Zervas dhe kolonelit nazist, Dertilis. Është shkruar se disa nga këta oficerë britanikë edhe e kanë pranuar, meqenëse "...nuk kanë dashur të përbuzin një akt të dobishëm sot në luftën kundër ELAS-it, një armik i mundshëm nesër". Ndërkaq, observatorët amerikanë e shikonin këtë politikë britanike (në Greqi) në lidhje me "Batalionet e Sigurimit" si të "paqartë" dhe të "hutuar".

Në komunizëm 
Largimi i refugjatëve çamë nga zonat kufitare të Konispolit, dhe mosvendosja e tyre në kampe refugjatësh në afërsi të kufirit me Greqinë, e kanë zbutur shumë efektin e madh që pamje të këtilla bëjnë zakonisht në vrejtësit e huaj, dhe si rrjedhim e ka bërë "problemin çam" një "problem refugjatësh" që kërkojnë ndihmë materiale, të nevojshme për mbijetesë dhe sistemim në "shtetin mikpritës" siç është shembulli i UNRRA-s dhe ndihma ekonomike prej 1.2 milionë dollarësh, e dhënë në 1946. Një qëndrim i këtillë i qeverisë komuniste të Shqipërisë më 1944 dhe 1945 shpjegohet kryesisht me aspektin ideologjik të asaj qeverie që zinte vendin e parë mbi interesat kombëtare shqiptare, si dhe me këmbënguljen e saj të mos lejohej asnjë veprim i pavarur nga asnjë grup politik - duke përfshirë edhe çamët - dhe nënshtrimin e plotë të popullsisë, autoritetit zyrtar e diktatorial në Tiranë. Ka arsye të besojmë se, çamët, me përkrahjen e qeverisë komuniste të Tiranës do ta kishin shtruar "problemin e Çamërisë" si një problem politik duke kërkuar kthimin e menjëhershëm në trojet e tyre, dhe sigurimin e një jete të re në rrethana më demokratike të krijuara nga atmosfera e pasluftës në Europë. Një trajtim i këtillë i çamëve në Shqipërinë e Enver Hoxhës dha mundësinë për interpretime greke antishqiptare, dhe lehtësoi aktet greke antishqiptare. Kështu, "...Gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë" shkruan një autor grek, "problemi i çamëve u la në harresë. Këtu duhet të thuhet se regjimi i Enver Hoxhës i priti me mosbesim të madh të gjithë ata çamë që u arratisën nga Greqia në Shqipëri në vitin 1944. Edhe këtu, ata u panë si bashkëpunëtorë të fashistëve italianë dhe u transferuan në veri të vendit... Në vitin 1947, u morën të gjitha masat e nevojshme për t'u hequr çamëve nënshtetësinë greke (Pro.49343 E/2/10.1947, Ministria e Brendshme), duke u bazuar në akuzat për bashkëpunim dhe veprime kundër interesave të popullit grek. Gjatë popullzimit të zonave kufitare, pasuria e tyre iu nda fshatarëve pa prona dhe vlera u pagua në bankën agrare. Më 1953, refugjatët çamë në Shqipëri u detyruan të marrin nënshtetësinë shqiptare, një akt që vështirësoi shumë problemin e kthimit të tyre në Çamëri. Me gjykimin e "elitës komuniste çame" (grupi i Admiralit Teme Sejko, 1960) prania çame në jetën publike shqiptare mori një karakter margjinal, që u shpejtua, edhe me procesin e asimilimit të tyre në shoqërinë shqiptare.

Perspektivat
Si rrjedhim i qëndrimit antikombëtar të qeverisë komuniste shqiptare (1944-1991), zhvillimet e "problemit çam" mbas vitit 1945, kanë të bëjnë me dëshirën për ruajtjen e identitetit çam në Shqipëri, dhe më pak me përpjekjet për të drejtën e tyre të kthimit dhe të riposedimit të pasurive të tyre të grabitura. "Problemi i pronave (çame) në Greqi është paraqitur para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) nga qeveria shqiptare, me qëllim që të sigurohet një lloj kompensimi për ish-pronarët çamë, por pa ndonjë rezultat. "Në një intervistë me gazetarët në Tiranë, kryeministri grek, Mitsotakis, deklaroi se "çamët mund t'i shpërblejmë për pronat e tyre, por ata i kemi përzënë si bashkëpunëtorë të gjermanëve, e në bazë të dokumenteve ndërkombëtare...ata janë kriminelë lufte..." Ndërsa Zonja Tsuderos, zv.ministre e Punëve të Jashtme të Greqisë shtoi, "Për pasuritë e çamëve do të veprohet sipas ligjeve greke, me përjashtim të atyre   që bashkëpunuan me armikun...Çamët ikën vetë, nuk i dëboi njeri..." tha ajo, duke kundërshtuar kryeministrin e saj.

Sot 
"Çamëria", mars 1991, dhe me programin e saj krijohet mundësia që të punohet për "mbrojtjen dhe njohjen e të drejtave të çamëve...Qëllimi i kësaj iniciative është njohja e çamëve si minoritet nga ana e qeverisë greke, dhe krijimi i të gjithë kushteve që garantojnë shfaqjen e lirë të identitetit etnik, kulturor, gjuhësor, dhe fetar nga ana e çamëve që aktualisht jetojnë në Greqi". Kjo iniciativë është një hap i dukshëm cilësor.
Sot, "problemi çam" shikohet si një rast flagrant i shkeljes masive të të drejtave të njeriut, të kësaj popullsie të shpërngulur me dhunë nga ana e qeverisë greke. Ky rast flagrant, fiton cilësi të një natyre tragjike kur mendohet se shumica e grekëve sot nuk vuan nga ndjenja e fajit, që duhet të rrjedhë si rezultat i "pastrimit etnik" të shqiptarëve çamë në Greqi mbas Luftës së Parë Botërore, dhe sidomos mbas Luftës së Dytë Botërore. Kjo mungesë pendese për fajin e kryer ka shkuar aq larg, si efekt i propagandës antishqiptare, sidomos mbas vitit 1945, saqë greket sot as që duan të flasin për një qëndrim të këtillë. Ata e ndiejnë veten jo të qetë kur ballafaqohen me këtë pyetje dhe përgjigjen thjeshtësisht: "Nuk ka asnjë shqiptar në Greqi!" Ata nuk pranojnë asnjë argument për dëbimin me dhunë të shqiptarëve, duke "harruar" të kaluarën, dhe akoma më keq duke u përpjekur që këtë problem të rëndë ta kalojnë me një ofensivë kundër shqiptarëve në lidhje me "pakicën greke" në Shqipëri.

Shpresohet se shembulli i Bosnje-Hercegovinës, i konfirmuar në Konferencën e Dayton-it (USA) më 1995, marrëveshja gjermano - çeke mbi Sudentenland (1996) dhe bisedimet e tanishme Izrael-Palestinë për të drejtën e kthimit në trojet e tyre të refugjatëve të dëbuar me dhunë, do të konsolidohet me akte legale, dhe të bëhet pjesë e legjislacionit ndërkombëtar. Në një rast të këtillë, prania e Greqisë në gjirin e familjes së Bashkimit Europian, dhe demokratizimi i mëtejshëm i Shqipërisë, janë tregues që premtojnë ditë më të mira për viktimat e masakrave greke në Çamëri, dhe për pasardhësit e tyre.

*Pjesë nga libri Epiri i Jugut, Çamëria.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

July 15, 2014

Hajredin Isufi dhe disa studime te tij

Nga Xhevahir Gradica /

Studiuesi Hajredin Isufi u lind në Çamëri më 1935

Ka kryer studimet universitare në Fakultetin Histori-Gjuhë në Tiranë më 1962
Gjatë periudhës 1964-2013 është marrë me studime për historinë e Çamërisë

Ka botuar “Kryengritja e Kurbinit dhe Dom Nikollë Kaçorri” tek “Studime Historike”

“Politika e shtetit grek për dëbimin e popullësisë çame në vitet 1914-1928 dhe qëndresa  shqiptare” tek “Studimet Historike”.

 “Aneksimi i dhunshëm i Çamërisë nga Greqia dhe lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e saj” (Me bashautor Prof. Dr. Pëllumb Xhufi) tek “Studimet Historike”.

Studiuesi i ka dhënë lexuesve shqiptar, studiuesve vendës e të huaj,gjuhëtarëve, studentëve dy libra shumë të vlefshëm “Dom Nikoll Kaçorri, Feja dhe Flamuri” dhe “Çamëria nëpërmjet kronikave të kohës 1902-1940”.

Në periudhën 1965-1990 bashkëpunëtor me të gjitha organet e shtypit shqiptar duke botuar qindra artikuj për ngjarje historike dhe figura të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare si “Një këngë të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, “
Çamëria, fakte të vërteta dhe të stisura”(replikë me historianin grek, Llambros Baliciotis), “Përgjigje greko-amerikanit (Geixh)”, “Musa Demi dhe qëndresa çame 1800-1947”, “Çamëria, studime historike-sociologjike”, “Roli i Nikollë Kaçorrit dhe klerit katolik në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, “Çështja çame dhe integrimi evropian” (bashkautor).

Në këto 20-25 vite të pasrënies së sistemit komunist në Shqipëri çdokush i interesuar ka pasur mundësi të lexojë e të mësojë shumë të dhëna nga historia mes tjerash edhe për figurën e Dom Nikollë Kaçorrit apo edhe për Çamërinë. Kanë folur historianë e studiues, apo edhe personazhe që e kanë jetuar fillimin e shekullit 20. Kanë folur konsuj e klerikë, politikanë e diplomatë. Ndokush e shumëkush ka hyrë në objektet e ndaluara të kultit, në arkivat e klerit, në arkivat e shtetit shqiptar dhe në ato të huaja. Kemi ndenjur me çam e kemi dëgjuar histori të shumta për: figurave të mëdha të patriotizmës shqiptare, ngjarje të vërteta të mbijetesës çame; data historike; krime nga qarqet shoviniste greke; dëbimet e dhunshme masive; histori të dasmave e vajeve, martesave dhe edukimeve; histori luftrash dhe miqësish; këngë, balada, gojëdhëna. Shumë në këto 25 vite. Ndoshta aq shumë sa për një moment kemi besuar se dimë çdo gjë. E vërtetë është gjithçka nëse këtij informacioni i janë bashkëngjitur materialet, studimet, shkrimet, intervistat, replikat, hulumtimet e gazetarit dhe të studiuesit Hajredin Isufi. Plot 50 vite studim për Çamërinë dhe Rilindasin e madh Kaçorri. Aq sa ka bërë vend në bibliotekat e studiuesve dhe akademikëve më në zë shqiptarë, grek, italianë, anglezë, amerikanë. Pedagogë e lektorë shkencorë, historianë dhe akademikë brenda e jashtë Shqipërisë e kanë përfshirë në enciklopeditë e tyre.
Gazetari
Hulumtimet në arkivat e shtetit shqiptar dhe në ato të huaja për të gjetur të dhëna lidhur me jetën dhe aktivitetin e figuarave patriotike të fillimit të shekullit 20 e shtynë Hajredin Isufin drejt një rruge pa kthim. Materialet në hapat e para do i shërbenin për botime në gazetën “Adriatiku” me të cilën bashkëpunoi që nga viti 1965 dhe deri në 1990, kohë e ardhjes së demokracisë në Shëqipëri. Por jo vetëm për kaq pasi Isufi shkon edhe më tej, duke menduar të merrej me studime të mirëfillta sidomos për figurën e Dom Nikollë Kaçorrit dhe Çamërinë. Gazeta asokohe kishte pak gazetarë, rreth 3-4 të tillë, ndërsa bashkëpunimi me studiues, historianë, intelektualë si Skënder Lila, Moikom Zeqo, Sofo Afezolli e të tjerë i bënte mjaft produktive dhe cilësore faqet e saj. Isufi kujton se për një periudhë të gjatë kohe, në disa vite madje, mbulonte faqen 4 të gazetës e cili i kushtohej tërësisht rubrikës patriotike. Durrësi në lëvizjen kombëtare dhe figurat patriotike e intelektuale të kohëve të ndryshme ishin objekt i gazetarit Hajredin Isufi. Kryeredaktori Hamdi Sallaku, për të cilin gazetari e studiuesi Isufi ruan konsideratë shumë të veçantë, i kishte caktuar të kërkonte figuara të lëvizjes kombëtare deri në vitet 1920; S. Afezolli rrokte të njëjtën tematikë për periudhën 1920 e në vijim duke futur edhe epokën e Luftës dhe M. Zeqo mbulonte në gazetë përgjithësisht arkeologjinë dhe herë pas here Lëvizjen Kombëtare. Shkrimet e Isufit ngjallën interesim gjithandej ndaj iu kërkua bashkëpunim nga gazeta e revista si “Studime Historike”, “Monumentet e kulturës”, “Bashkimi”, “Zëri Popullit”, “Oshëtima maleve”, gazeta Krujës, Vlorës… gjithnjë duke shkruar vetëm për figurat e lëvizjes kombëtare. Më shumë se 250 shkrime i janë kushtuar pikërisht këtyre figurave duke i bërë një shërbim shumë të mirë kohës dhe vlerësimit të periudhës së lëvizjes kombëtare në Durrës. Hajredin Isufi pati fatin e veçantë pasi jo vetëm u njoh, por edhe shkëmbente informacione, materiale, studime me personalitete të historisë. Kështu udhëheqës për monografinë që do i shërbente si temë mbrojtjeje kishte Akademikun Kristo Frashërin dhe drejtori Institutit të Historisë Stefanaq Pollo. Ndërkohë do të ketë bashkëpunëtorë emra të mëdhenj të studimeve historike si: Shaban Sinanin, Pëllumb Xhufi, Hamit Boriçi,Kaliopi Naska të gjithë me tituj Prof. Dr. ndërsa kësaj liste do i shtohen edhe studiues e akademikë të huaj të cilët në punimet dhe studimet e tyre i janë referuar disa herë studiuesit Hajredin Isufi. Puna tij është përqendruar në studime për historinë, monografi për Lëvizjen patriotike në Durrës, figurat e Rilindjes Kombëtare çame, kryeqendrat çame, figura e Domë Nikollë Kaçorrit. Duke hyrë në të tilla arkiva gazetari Hajredin Isufi ka vënë re se Durrësi në ato vite ka pasur edhe shumë intelektual që shkruanin në media. “Durrësi ka histori interesante dhe për këtë arsye jam dashuruar shumë pas Durrësit”,-shprehet ai. Duke u ndalur tek emrat e disa publicistëve më të njohur të kohës thotë se ata shkruanin në disa gazeta edhe jashtë vendi duke përdorë disa pseudonime. Konkretisht ka kujtuar emrin e publicistit Agustin Sereqi të Rilindjes Kombëtare Shqiptare që shkroi me pseudonimin “Shqipja”, “Shkambi Durrësit”. Stef Kaçulini, mbështetur në atë që ka nxjerrë nga akrivat gazetari Isufi, rezulton të jetë krahu i djathtë i Dom Nikollë Kaçorrit, figurë e madhe politike dhe me influencë që shkruante me pseudonimin “Qeleshebardhi”. Pas tij rendit Mihal Ramën, vëllanë e Kristaq Ramës shkrimet e të cilit botoheshin në Bukuresht në vitet 1902-1904 me inicialet M.R. Edhe publicisti Sali Nivica ka përdorë shpesh tjetër emër, ndërsa Sulejman Kadiu shkruante duke vënë në vend të emrit pseudonimin “Pellazgu”.

Pa kthim…
E dinte shumë mirë se mund të shkelte në “bishtin e gjarpërit” siç e thotë vet studiuesi, megjithatë nuk u tërhoq. Arkivi shtetit shqiptar, arkivi Institutit të Historisë ishin të mbushura me detaje e të dhëna lidhur me figurën e Dom Nikollë Kaçorrit. Letërkëmbime me autoritetet kishtare, letërkëmbime me veprimtarë të çështjes kombëtare; shkrime për mbrojtjen e gjuhës shqipe; shkrime për shkollat shqipe; nisma për organizim kryengritjesh popullore për një Shqipëri ta pavarur deri edhe këngë popullore historike të mbledhura e bënin interesant emrin e Dom Nikollë Kaçorrit. Studiuesi Isufi pohon se brenda kësaj figure flinte miti i idesë së atdheut të lirë: iluminist, misionarë, klerik, dijetar, kryengritës, njeri i kuvendeve. Informacione, ditare, letërkëmbime, shkresa e dokumente shumë interesante edhe për ditët tona, e shtynë Isufin të mos i shqitet kësaj figure deri sa të shterrte çdo gjë. Me gojën e kyçur dhe pa rënë në sy të askujt, me kokën ulur mblodhi e mblodhi pambarim. Isufi ishte i bindur se kishte hyrë jo vetëm thellë, por edhe në rrugë të rrezikshme. Emri i Dom Nikollë Kaçorrit, krahut të djathtë të Ismail Qemalit në Pavarësinë e 1912, nënkryetar i Qeverisë së Vlorës, qe fshirë qëllimisht nga doktatori Enver Hoxha. Por tek Hajredin Isufi pushteti i Dom Nikollë Kaçorrit ishte më i fortë se frika e një persekutimi të mundshëm dhe ndëshkimi të pamëshirshëm nga regjimi kohës. “Figura tij sa vinte e më bëhej më interesante: prift tolerant; klerik që hynte e dilte dhe që ndihmonte çdo familje katolike e muslimane në Durrës pa më të voglin diferencim; intelektual me lidhje shumë të forta me figura të mëdha si Dërvish Hima, Toptanët, Ismail Qemalin, Mustafa Krujën, Sali Nivicën, Stef Kaçulini, Miss Durham, Baroneshën Fon Godin e shumë të tjerë. Nuk ndahesha dot prej tij. Isha i bindur se me këtë punë që bëja në fshehtësi po shkelja bishtin e gjarpërit…”,-kujton studiuesi Isufi. Edhe pse nuk ka bërë provë për ta lënë punën në mes, disa herë e ka çuar në mendje dëmin që do i sillte vetes dhe familjes një punë e tillë plot rreziqe. Për të shpëtuar nga tundimet e mëdha, Isufi vendos të konsultohet me Akademikun Kristo Frashëri. Studiuesi shkonte shumë mirë me profesorin e nderuar dhe për shkak të miqësisë dhe besimit të plotë i tregon fije për pe gjithë atë që kishte bërë në fshehtësi brenda në dosjet e arkivit të shtetit dhe të Institutit të Historisë. Ai kishte mundur të depërtonte shumë thellë dhe kjo falë ndihmës së Frashërit e Pollos të cilët kishin dhënë të gjitha garancitë për korrektesën e studiuesit Isufi. Për të nuk kishte asnjë lloj kufizimi. “Pa mik nuk hyje kurrë dot në arkivin e shtetit dhe në atë të Institutit të Historisë. Edhe po të hyje nuk merrje gjë pasi dosja të vinte me 5 faqe më së shumti nga dhjetra e dhjetra që kishte. Unë e pata fatin të kisha mik Akademikun Frashëri dhe drejtorin e Institutit të Historisë, Pollon. Ata morën përsipër të më krijonin privilegjin pa të cilin do e kisha fare të pamundur të zbuloja të pathënat e mëdha dhe interesante”,-kujton ato vite studiuesi Isufi. Në dorën e tij ranë edhe dosje të klasifikuara. Sa më shumë zhytjet, aq më shumë pikëpyetje ngriheshin, përgjigjen e të cilave as që mund ta kërkonte ndokund. Akademiku Frashëri dhe drejtori Studimeve Historike Stefanaq Pollo përmes rrëfimit të studiuesit bëhen dëshmitarë të asaj që kishte ndodhur me dosjet e arkivës. I pari i bën të qartë Isufit se nuk mund të bëhej një monografi e plotë për Durrësin e fillimit të shekullit 20 pa i shkuar deri në fund figurës së klerikut e intelektualit Dom Nikollë Kaçorri, por se në atë periudhë historike e politike nuk duhej guxuar të bëhej publike çdo gjë. Frashëri e këshillon të presë për ta botuar më vonë si libër më vete. Ndërkohë, për të shmangur çdo të papritur, drejtori Institutit Pollo, i sugjeron që nga i gjithë materiali të merrte 20 faqe dhe studimin ta dërgonte për botim tek “Studime Historike” që botohej nga Akademia e Shkencave. Kjo ishte mundësi e mirë për t’i prerë rrugën se keqes.

Studiuesi

Mjafton të kujtojmë për lexuesin se libri “Feja dhe Flamuri: Dom Nikollë Kaçorri” ka recenzent Prof. Dr. Shaban Sinanin dhe redaktor shkencor Prof. Dr. Pëllumb Xhufin, kurse vepra tjetër titulluar “Çamëria ndërmjet kronikave të kohës 1902-1940” ka recenzent Prof. Dr. Shaban Sinani, Prof. Dr. Hamit Borçi dhe Prof. Dr. Gazmend Shpuza. Bëhet fjalë për vepra shterruese dhe që janë mbështetur tërësisht në kritere shkencore gjatë gjithë punës studimore. Për 15-20 vite nuk la dosje arkivi pa kaluar në dorë për të nxjerrë në dritë në mënyrë sa më të plotë figurën e klerikut Dom Nikollë Kaçorri. Zelli dhe disiplina për të bërë studim serioz dhe tërësisht mbështetur në metodologji shkencore e shtynë të zgjidhte edhe problemet. Dom Nikollë Kaçorri në materiale nga shtypi huaj apo burimet e informacionit austriake dhe grek dilte në këndvështrime deri të kundërta. Studiuesi pohon se grekët e shanin si propagandistë në shërbim të austohungarezëve dhe kundër propagandës greke, kurse austrohungarezët ishin të pakënaqur pasi kleriku shqiptar i shërbente lëvizjes kombtare shqiptare dhe austrohungarezët nuk e dëshironin fare kundërshtimin që u bënte kleri katolik propagandës së tyre në vitet 1910-1912. Studiuesi e kishte të pamundur të kërkonte arkivën e famullisë e cila zbardhte shumë pikëpyetje, ndërsa interesimi për një klerik si Dom Nikollë Kaçorri e bënte edhe më të rrezikuar punën e nisur. Kleriku ishte në krye të sanxhakut të Durrësit që kishte 5 kaza: Durrësin, Shijakun, Tiranën, Krujën dhe Kavajën. Materialet për këtë sanxhak i dhanë mundësi të mësonte e të ndante mënjanë shumë dokumente të rëndësishme. Intuita e shtyn për të gjetur e studiuar në arkiv emra të tjerë katolikësh dhe intelektualësh me influencë në Durrës të cilët detyrimisht jepnin informacion të larmishëm për Dom Nikollë Kaçorrin. Njëri ndër ta është edhe patrioti Stef Kaçulini prej të cilit vilet shumë material,një pjesë falë edhe kujtimeve e fotove që janë ruajtur nga Dr. Kaçulini dhe Aurel Kaçulini. I bindur se kishte mbledhur çdo gjë për figurën e klerikut, iluministit dhe dijetarit Dom Nikollë Kaçorri e mbylli dosjen dhe e la mënjanë. Herë pas here vetëm se e shfletonte për ta lexuar e për të rifreskuar apo shtuar diçka pasi nuk bëhej fjalë për botim. Për herë të parë nisi të interesohet për këtë figurë në vitin 1965, ndërsa në vitet 1980-1983, pasi një pune mbi 15-vjeçare, e mbylli këtë histori. Dhjetë vite më pas, në kohën që në Shqipëri ndodhi përmbysja e sistemit, nisur edhe nga këshillat e Akademikut Kristo Frashëri i hyri punës për ta sistemuar dhe për ta botuar. Studiuesi asokohe po merrej me Çamërinë, studimin për të cilën e la përkohësisht mënjanë deri në përfundim të veprës për Kaçorrin.Sot studiuesi po merret itensivisht dhe me shumë zell me çështjen e hebrenjve duke e lokalizuar vështrimin në marrëdhëniet e hebrejve të Korfuzit e të Janinës në shkëmbimet tregtare me krahinat e Çamërisë. Janë të dhëna interesante që sot për sot janë në dorën e rishikimit dhe sistemimit për t’u botuar së afërmi.

Çamëria

Gjithë jetën është marrë me Çamërinë: trevat, luftëtarët, patriotët, atdhetarët, kulturën,gjuhën, objektet e kultit dhe ato arsimore,fiset e mëdha dhe dyert më në zë, bashkëjetesën fetare, marrëdhëniet me Greqinë…I është dashur të mbajë qëndrim dhe t’u përgjigjet historianëve, gjuhëtarëve, akademikëve të huaj kryesisht grekë që qëllimisht shtrembëronin historinë dhe faktet historike. Kryeqendrat çame janë objekt më vete për studiuesin Hajredin Isufi. Ka përfunduar historikun për Margëlliq e Filat dhe ka në dorë Paramithinë. Në botim gjendet studimi historik me dokumentacion kryesisht të huaj (italian, grek, amerikan, anglez, austrohungarëz) dhe shqiptar për vitet e luftës 1939-1945 në Çamëri dhe rrethinat e saj. Në Çamëri për herë të parë ka shkuar në vitin 1989. I pari studiues dhe i pari çam që kthehej për të parë trojet që nga koha dëbimit të dhunshëm. Hyri me pasaportë, ndryshe nga herët e tjera të mëpasme. Bashkëshortja shuante mallin, kurse studiuesi vëzhgoi, takoi, fotografoi dhe intervistoi sa mundi e ku mundi nëpër Çamëri. E shfrytëzoi këtë vizitë për tre muaj jo vetëm për të shkarkuar tërë atë mall çam të grumbulluar në krahëror, por edhe për t’i bërë një nga shërbimet më serioze historisë çame. E shfrytëzoi shumë mirë ftesën e një të krishteri shqiptar që jetonte në Çamëri dhe që ishte miku të atit të tij. Shkoi gjithandej, fshat më fshat e qytet më qytet, në çdo shtëpi e kullë deri në Sul. Isufi tregon se fshatra të tërë ishin shkretuar nga braktisja e madhe, shtëpitë e vjetra ishin shembur e djegur. Mbi 1000 foto dëshmojnë shumë. Ato e të tjera materiale do i duhen për punën e nisur, për shkrimin e historikut të çdo fshati, për evidentimin e shkatërrimeve të shtëpive, xhamive, puseve, sarajeve, kullave, krojeve. Premton se do të bëjë edhe një album.Këtë shumë shpejt. Është në dorën e fundit të sistemimit. Studiuesi thotë se në shtëpitë e të krishterëve në Çamëri ka gjetur foto e relike interesante, ndër ta ka mësuar vendin ku janë ekzekutuar shumë atdhetarë e patriotë të lëvizjes rilindase çame siç është vrasja e pabesë e figurës së shquar çame e Jasim Sadikut në vitin 1942. Hajredin Isufi tërhoqi vëmendjen e studiuesve vendës e të huaj. Shumë aktiv në sesione shkencore në Tiranë, Durrës, Dibër, Gjirokastër, Arqipeshkvi. Gazeta, revista, radio, televizione të ndryshme brenda e jashtë Shqipërisë kanë qenë shumë të interesuara të dëgjojnë rrëfimet, gjykimet, hulumtimet, konkluzionet e studiuesit Hajredin Isufi. Ndërsa kjo ka bërë mirë dhe ka shëndoshur shumë gjëra të bërë keq në historinë e regjimit të kaluar apo edhe në gjykimet e njëanshme të kancelarive dhe akademive të huaja, për vet studiuesin pati anët e saj jo të mira. Isufi ka shkuar në Çamëri edhe pas vizitës së tij të parë, por me një ndryshim të madh nga ajo e vitit 1989. Studiuesit i është dashur të ndjekë rrugë të fshehta, të udhëtojë drejt Italisë për të marrë lundrimin e gjatë nga Bari drejt Igumenicës dhe që andej për të hyrë në zemër të Çamërisë. Botimet studimore dhe tryezat në radio e televizione si dhe shkrimet reaguese ndaj nacionalizmave greke ia kanë mbyllur portën legale për të hyrë në vendlindje. Hajredin Isufi në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë qe ndër drejtuesit kryesorë të dy sesioneve shkencore për kontributin e Durrësit në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Reagimi

Të gjithë të pakënaqur me studiuesin Hajredin Isufi, ndërsa vet Isufi është e pakënaqur me të gjithë ata që kanë qenë e janë pjesë e superstrukturës. I është dashur t’i japë përgjigje grekoamerikanit Geixh përmes një artikulli të botuar në gazetën “Koha jonë” për shpifjet dhe të pavërtetat e mëdha dhe të qëllimta. Të njëjtën gjë bëri edhe me historianin grek Llambros Baliciotis lidhur me stisjen e historisë për Çamërinë. Gazeta “Koha jonë” në vitin 2002, përmes gazetarëve që kishte në Greqi ndërmjetësoi për një debat publicistik mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe asaj greke për marrëdhëniet greko-shqiptare në shekullin 19-20. Katër figura akademikësh grekë u bënë pjesë e botimit të shkrimeve dhe njëri prej tyre qe Baliciotis me funksion kryetar i Institutit të Minoriteteve në Greqi. Pala shqiptare kishte akademikët dhe studiuesit Arben Puto, Paskal Milo, Hajredin Isufi dhe Koli Xoxe. Balciotis e hapi debatin me temën e një studimi 2.5 faqe gazete për çështjen çame nga lashtësia deri në Luftën e Dytë Botërore. Studiuesi Isufi thotë se në disa aspekte ai i binte ndesh historisë, ndërsa e vlerëson si studiues të moderuar. Përgjigjen për trajtimin e pavërtetë ia jep në gazetë Hajredin Isufi dhe çdo gjë mbështetur në të dhënat serioze dhe të paanshme të historianëve grek. Bashkë me qëndrimet shkencore të tyre Isufi vendos edhe referencat nga akrivat dhe bibliografitë amerikane e angleze. Kaq është dashur dhe studiuesi grek Baliciotis të tërhiqej. Edhe sot, studiuesit grek sa hërë që merren me çështjen çame dhe me Çamërinë mbështeten dhe referohen në studimet e Isufit duke e cituar atë. Akademikja Elefterie Manda në universitetin e Selanikut ka botuar një libër për Çamërinë lidhur me shpronësimin dhe shkëmbimin e popullatës greke me atë turke në vitet 1923-1928. Pedagogia disa herë citon studiuesin shqiptar Isufi duke mos i rënë asnjëherë ndesh. Po ashtu në bibliotekën e Departamentit Amerikan dhe në universitetin e Harvardit studimet e Hajredin Isufit janë prezente sa herë që diskutohet Çamëria. Edhe libri me dokumente angleze për Çamërinë ka referenca të Isufit, ndërsa studiuesi Shaban Sinani bën vlerësime shumë pozitive për të në librin e tij për hebernjtë në Shqipëri. Ndërsa Isufi tashmë ka zënë vend shumë të rëndësishëm për librin kushtuar figurës së madhe të Pavarësisë, Dom Nikollë Kaçorrit dhe çështjes çame, vet studiuesi ka reagimet e tij dhe pakënaqësitë të shprehura në mënyrë publike. Temperamenti i qetë, kultura e gjerë, ndjenja e tolerancës, vetpërmbajtja dhe të tjera cilësi nuk kanë mundur të mbajnë të frenuar shpërthimin e indinjatës së tij lidhur me atë që po ndodh në këto 25 vitet e fundit me emrin e iluministitit, atdhetarit dhe figurës kryesore të Pavarësisë, Dom Nikollë Kaçorri.

Vigjelent në çdo gjë, i ka lënë shije jo të mirë organizimi ceremonisë së varrimit të eshtrave të kësaj figurë kombëtare në një arkë dhe me një karrocë,  “Sikur të ishte peshkatar i vrarë”,- shprehet Isufi. Studiuesi gjykon se edhe sot shoqëria, politika, historiografia shqiptare nuk është ende e shkëputur nga paragjykimet komuniste. Ai kujton se shesheve, rrugëve, bulevardeve, universiteteve u janë vënë edhe emra të njërëzve anonim, ndërkohë që Rilindasi i shquar Dom Nikollë Kaçorri i cili qe nënshkrues i Pavarësisë, nënkryetar i Qeverisë së Vlorës dhe pjesmarrës me armë në dorë në kryengritjen e Kurbinit nuk gjendet askund. “Mjafton që dikush të ketë e të jap pesë lekë atij që është në pushtet dhe bën kë të dojë figurë, i jep titull e grada, emrin e tij e vendos ku të dojë: në shkolla e sheshe, në universitete e bulevarde”-pohon i revoltuar studiuesi Hajredin Isufi. Hulumtuesi i figurës së Rilindasit të madh ka pohuar se Kaçorri kishte dy parime: Fenë dhe Flamurin shqiptar dhe se çështja kombit ishte mbi çdo gjë për të. “Kush më shumë e meriton?”,-pyet studiuesi pa pritur që ndokush të marrë guximin të thotë një tjetër emër, i bindur se gjithçka që ka shkruar e ka thënë për këtë emrët më madh të kombit e ka nxjerrë nga botime e libra, artikuj e kujtime, letra e ditare, burime austriake e osmane, arkiva shqiptare e ato të Vatikanit, nga shtypi kohës dhe letrave të mëvonshme.

Isufi: Çamëria tokë e lashtë shqiptare, çamët autoktonë, atdhetarë dhe fisnikë

Çamët, një popull trim e fisnik, që ka provuar dhunën e pushtuesve turq e genocidin fashist grek deri në ikjen e dhunshme nga trojet e tyre shqiptare, ende vuajnë padrejtësitë që janë bërë në kurrizin e tyre. Ndonëse përballë një fati tragjik, ata kurrë nuk e kanë harruar dhe nuk reshtën së punuari e luftuari që dita e rikthimit në tokën e tyre të jetë sa më e afërt. Kjo dëshirë që nuk shuhet kurrë por shtohet çdo ditë, është dhe një apel për të ndrequr padrejtësitë ndaj shqiptarëve, një apel për ndërkombëtarët që heshtën përballë fatit tragjik të një populli dje, e nuk po bëjnë atë që duhet bërë sot, që minimalisht, atyre shqiptarëve fisnikë, tu jepen të drejtat elementare të mohuara. Historia e Çamërisë dhe çamëve, është një histori e pasur trimërie e qëndrese, është një histori dhimbje e shprese… Historiani i njohur Hajredin Isufi, nuk ka reshtur ndër dekada për të zbuluar të vërtetën e historisë çame që është e ‘gjallë’ dhe e pasur në arkivat vendase e të huaja, por dhe në kujtimet e pashlyera të atyre të moshuarve që provuan mbi shpinë genocidin e pa shembullt të shovinistëve grekë… Në një cikël shkrimesh, historiani Isufi do të sjellë për lexuesit e ‘Dita’-s  dokumente të arkivave e dëshmi të protagonistëve të historisë së Çamërisë e banorëve të saj…

ETNICITETI I POPULLSISË ÇAME

Për të përcaktuar etninë e shqiptarëve të Epirit, në radhë të parë duhen marrë në konsideratë përshkrimet për etnografinë e Epirit. Ato janë publikuar bollshëm, sidomos në fund të shek. XVIII, në shek. XIX e gjatë shek.XX. Kjo gjë mund t’i atribuohet më shumë famës së Ali Pashë Tepelenës si qeveritar i Epirit, vali i Janinës që në vitin 1778. Për të argumentuar këtë, po sjell disa dokumente zyrtare. “Çamëria është një krahinë që shtrihet në anën perëndimore të Epirit. Rrethet kryesore të saj janë Filati, Gumenica, Parga, Margëlliçi, Paramithia e Preveza. Në veri kufijtë e saj shkojnë deri në zonën e Delvinës, në jug kufizohet me gjirin e Artës (Prevezës), në perëndim laget nga deti Jon, kurse në lindje ndahet prej pellgut të Janinës nga malet e Olliçikës e të Llakës. Është një krahinë mjaft e begatë me fusha, si fusha e Frarit apo me kodra të buta e të përshtatshme për kultivimin e ullirit e të agrumeve”. (Burimi: Chr. Soulis, Tzamouria, “Megale Ellenike Enkyklopedia “Pyrsos”, vëll.23, Athinë, 1933, f.405; Fjalori Enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985, f. 149-150; A. Gobincau, Deux estudes sur la Grece moderne, Paris, 1905, f.113; V.Z. Mollossos, Dhromologion tes Hellenikes, Chresonesou, Tom.I, Athinë 1878 e pasim, f.4; A.Philippson, Thesalien und Epirus Reisen und Forschungen in ndrdlichem Griecheland, Berlin, 1878, f222-228; P. Xhufi – H. Isufi, Aneksimi i dhunshëm i Çamërisë nga Greqia dhe lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e saj, në “Studime Historike”, Tiranë, 1996, nr.l-4,f.7; H. Holland, Thessaly, Macedonia, London, 1819. Vargun e dëshmive, që shkruajnë për shtrirjen e Shqipërisë së Poshtme, do ta mbyllim me dëshmitë e dijetarit anglez Ë.M. Leake, i cili ishte si konsull i Britanisë së madhe në Janinë në dhjetëvjetëshin e parë të shek.X!X, (1807- 1810), shkruante se “Kufijtë e Shqipërisë në bregdetin e Epirit arrijnë deri në Prevezë”. Ë.M. Leake, Researches in Greece, London, 1814, f. 156.’Sp. Mouselimi, Istorikoiperipatai ana ti Thesprotia, 1976, f.41).

TË HUAJT PËR ÇAMËRINË

Të huajt i tërhiqte një kureshtje e fortë drejt Epirit, për shkak të ngjarjeve që zhvilloheshin aty, nën frymëzimin e një qeveritari të ri dhe të një populli të vogël e të panjohur shumë deri atëherë. Të gjithë autorët që u morën me çështjen e çamëve, pohojnë prerazi se ata janë shqiptarë dhe i njësojnë me suliotët. Për të ilustruar këto pohime, do të përmendim një varg veprash të autorëve të huaj, disa prej të cilëve janë përkthyer pjesërisht e pasqyruar në revistën “Dituria” të Lumo Skëndos. Në atë revistë njihemi me një material të bollshëm si dhe shënime të nxjerra nga veprat e autorëve të huaj, ku pasqyrohet etnia shqiptare e banorëve të Çamërisë. Trajtimin e problemit etnik për popullsinë e Epirit në mesjetën e hershme për mungesë të dhënash burimore e vështirëson problemin. Midis burimeve historike që hedhin dritë për problemin që trajtojmë është me interes të përmendim një dokument venedikas të vitit 1210 i cili bën të njohur se kontinenti përballë Korfuzit banohej nga shqiptarë (arbanense).  Autorët e kësaj periudhe qofshin ato grekë apo të huaj shënojnë edhe për shtrirjen e Shqipërisë së Poshtme. Kur bëhet fjalë për Çamërinë, Thesprotinë e lashtë, në shek.XIII, burimet e kohës e evidentojnë me emrin “Vajenetia”. Çamëria më 1204 njihej si njësi e vogël administrative e Themës së Durrësit dhe e Arbërit dhe herë si Themë më vete.(Burimi: Shkëlzen Raça, Shtegtimet dhe ngulmimet e shqiptarëve në Greqi, shek.Xlll-XVl, Prishtinë, 2004, f. 70). Në fillim të shek.XIII, mitropoliti Naupaktet, Apokauki shënonte kufirin ndarës ku flitej gjuha greke, në veri deri në Grebene, sipas Apakaukut jetonin “bashorefenët”. Historianët e lashtë si Tuqidi, Efori, Straboni, Skimni e gjeografët e tjerë të lashtësisë kishin treguar, që kundrejt grekëve, epirotët ishin “barbarë” (jo helenë). Turqididi thotë dhe e përsërit pa pushim se epirotët janë “barbarë”, pra të huaj, se ata flasin një gjuhë të pakuptueshme për grekët. Anuk ishte Herodoti që i konsideronte epirotët dhe maqedonasit të huaj? Të njëjtën gjë ‘thonë dhe Straboni dhe Plutarku. Madje Demosteni lëshonte shigjeta therëse kundër ushtarëve të Filipit të Maqedonisë.(Burimi: Mithat Frashëri, Çështja e Epirit, Tiranë, 1998, f.30.). Gjeografi francez Malte Brum për Epirin thotë: “Epirin, të gjithë autorët grekë e përjashtojnë nga Greqia. Kantonet e tij kryesore, thotë Siraboni, kanë qenë në Kaoni, Thesproti dhe në Mollosi. Straboni dhe Plutarku na kujtojnë se epirotët flisnin një gjuhë të veçantë…”(Burimi: Rechus, Gjeografia Universale, Paris, 1875, vëll.l, f.185).  Shqipëria identifikohej pikërisht me Epirin dhe gjuha shqipe vetë thirrej gjuha epirote (lingua epirotika).

Më tej:”Është me rëndësi të theksohet se në gjysmën e parë të shek.XIV shqiptarët gjendeshin brenda Epirit të vjetër, krejt afër “Vajenetisë”, në Çamëri e Pargë dhe ata, popullonin hapësirën mes dy lumenjve Kalama-Aheron.(Po  aty).

KRONIKAT GREKE: ÇAMËRIA ËSHTË SHQIPTARE!

“Kronika e Janinës” dhe “Kronika e Tokove”, dy burime të çmuara për historinë e Epirit në shek.XIV-XV, i përmendin shqiptarët si element i vetëm masiv që popullojnë Epirin. Autori anonim i “Kronikës së lokove”, kur flet për zonat e banuara në të gjithë drejtimin e Pargës-Paramithi-Janinë apo Artë-Janinë shpreh qartë karakterin etnik shqiptar të popullsisë. Kujtojmë se si përfaqësues të etnisë shqiptare, familjet e mëdha shqiptare Shpatajt dhe Zenebishët në vitin 1304 pronat e tyre i shtrinin në brezin bregdetar midis Himarës, Gjirokastrës dhe Prevezës. Ndërsa si përfaqësues i etnisë shqiptare në fund të shek.XIV dhe në çerekun e parë të shek.XV përmenden dhe Mazarekët të vendosur në një vend në rrethinat e Margëlliçit. Një dokument nga arkivat e Perandorisë Osmane mbi regjistrimet e popullsisë në vitin 1431, përmendet edhe fshati Mazërrek, në afërsi të Margëlliçit në Çamëri me 25 shtëpi.(Burimi: Imalçik Halil Suret Defter-i Samak Arvanid, Lib.I, Ankara, 1954).

DËSHMI TË AUTOKTONISË

Mazarekët rreth vitit 1380 pasqyrohen në burimet historike si fis i fuqishëm politik dhe ushtarak. Pronat e tyre kishin një shtrirje të gjerë në hapësirën çame dhe juridiksioni i tyre që ishin nën kontrollin e Mazarekëve ishte ndërmjet Pargës dhe Ajdonatit (Paramithisë) Burimi: Shkëlzen Raça, Shtegtimet dhe ngulmimet e shqiptarëve në Greqi, shek.Xlll-XVl, Prishtinë, 2004, f. 79). Panajot Aravantinoi shkruan për Mazarekët se shquheshin si luftëtarë trima dhe kundërshtarë të vendosur kundër despotatit të Janinës, Izeu Boudelmontit, afer Dhivrit në Çamëri. (Burimi:Pan. Aravantinou, Hronographia…, Vëll.Il, f.44, 105). Siç shihet që në fillimet e shek. XIV formacionet e feudalëve shqiptare në Shqipërinë e Poshtme dhe prania e shqiptarëve në Epir ishte absolute. Karakterin etnik shqiptar të popullsisë së Epirit do ta pohojë edhe një dokument i fillimit të shek. XV në të cilin bëhej fjalë për gjendjen etnike të Epirit kur sundimtari i tij u bë konti italian Karl Toko. Aty ndër të tjera thuhet: “…sundoi ai në të gjitha anët e vendit (Epir), i cili në kohëra të vjetra ka qenë i ndarë në fise:Etolët, Akarnananët, Thesprotët, Mollosët, Kaonët… etj. Këta fise të vjetër e të shumtë që në të kaluarën kishin burra shumë trima, tani i ka pushtuar një varfëri… Por edhe tani ai (Epiri) banohet nga shqiptarët, popull i lirë, që jetojnë të shpërndarë në grupe të vogla ose në fshatra, por që të gjithë ndryshojnë prej grekëve, qoftë nga gjaku qoftë nga gjuha.(Burimi:P. Xhufi, artikull i përmendur). Viset në jug të maleve Akrokeraune e deri në gjirin e Artës, mbi bazën e përbërjes etnike shqiptare përfshiheshin nën emërtimin “Shqipëri” (Albania). Kështu, “Albania” e quajnë dokumentet e shek.XIV krejt pjesën kontinentale përballë ishujve të Korfuzit deri poshtë gjirit të Ambrakisë në derdhje të lumit Akeloos.(Burimi i mëparshëm).

DOKUMENTE TË VENEDIKUT

Emigrimi i shqiptarëve nga Epiri drejt tokave greke që nisi në gjysmën e parë të shek. XIV sado e madhe që të ketë qenë, shkruan Pëllumb Xhufi, Epiri prapëseprapë mbeti edhe pas kësaj treve shqiptare. Në vitin 1444 dokumentet venedikase flasin për një rimëkëmbje ekonomike shqiptare në Epir. Nga portet Epirote të Frarit, Pargës e Gumenicës niseshin drejt Venedikut e Raguzës sasi të mëdha gruri. Në këto dokumente popullsia e rretheve të Pargës, Margëlliçit dhe Janinës quhej shqiptare. (Burimi: Versuch einer Guschichte von Parga, Heinrich Mercy Sohn Verlang, Pragë, 1908, f.18,19, 21, 30: P.Xhufi, artikull i përmendur).

Në vitin 1555 Belon du Mans vizitoi vendet e Epirit dhe konstatoi popullsinë shqiptare të atij vendi. Së fundi, gjeografi i njohur turk Piri Reisi, i fundit të shek. XV – fillimi i shek. XVI duke përshkruar bregdetin Jonian, pohon qartë se popullsia e viseve të Pargës ku ai u ndal posaçërisht, ishte shqiptare.(Burimi:Dokumente dhe materiale sipas librit të udhëtimit të admiralit osman Piri Reis në: “Studime historike”, nr.3, 1981, f.224).

DEFTERI TURK

Përkatësia etnike e shqiptarëve në Çamëri e gjen pasqyrimin e vet në Defterin e hollësishëm osman të sanxhakut të Delvinës, të vitit 991 (1583), ku janë regjistruar emrat e kryefamiljarëve të qendrave të banuara, qyteteve e fshatrave. Duke shfletuar fletët e këtij defteri vihet re se shumë kryefamiljarë mbajnë emra të krishterë të fushës onomastike shqiptare, si: Lekë, Gjin, Zhupë, Gjon, Nik, Dedë, Gjeta, ose emra të krishterë të trajtës së shqiptarizuar si Pavël, Vasil, Kol, Pal, Jorgo, Kosta, Andrea, Dhimo etj..(Burimi: F. Duka, Realiteti etnik i Dropullit, në “Studime historike “, Tiranë, 1991, nr.3-4). Nga ky defter po publikojmë për herë të parë antroponiminë e disa fshatrave të qytetit të Filatit dhe Paramithisë. Në fshatin e Keskës 100% të kryefamiljarëve mbajmë antroponiminë shqiptare. Fshati Koskë(në Filat), në vitin 1583, kishte 182 kryefamiljarë, fshati Guyrrëz 34 kryefamiljrë, fshati Imlahor (varej nga Parithimia-Ajdonati), në vitin 1583 kishte 42 kryefamiljarë, etj…

Mund ta shtrinim edhe më shumë listën emërore të kryefamiljarëve në fshatrat e qytetet e Çamërisë nga defteri osman, por nuk e pamë të arsyeshme, sepse listat do të ishin të njëjta me emra të krishterësh katolikë në trajtën e shqiptarizuar. Sidoqoftë, prania në regjistrat osmane e emrave karakteristikë dhe ekskluzivisht shqiptarë, vërteton konkluzionin e përgjithshëm se popullsia e Çamërisë i përkiste etnisë shqiptare.

TOPONIME SHQIPTARE

Sipas këtyre regjistrimeve kadastrale të shek. XVI (Regjistrimi i Delvinës dhe Regjistrimi i Janinës i vitit 1583) del se shtrirja e vendbanimeve shqiptare ishte e dendur dhe me antroponimi të pastër shqiptare. Popullsia shqiptare në hapësirën e Çamërisë, krahas antroponimisë thjesht shqiptare, kishte krijuar dhe toponimi shqiptare dhe këtë e hasim në krahinën e Paramithisë, të Sulit, të Margëlliçit, të Gumenicës e të Pargës si në emërtimin e fshatrave ashtu dhe të vendeve si psh fshati Ledhës në Gumenicë, fshati Rrapëz e Zeri në Pargë, ose emrat e fshatrave: Gardhiq, Vreshta, Grikohor, Grika, Morfat, Spatharat, Sharat, Nëneshat, Lopës, Mazërrek, Kuç, Currile, Luarat, Ninat, Markat. Historiani grek, Jani Llambridis, kur shkruan për Sulin, shtrirjen dhe kufijtë e tij, përmend një varg toponimesh që janë thjeshtë shqiptare si fshati Vilë, Balla, Dora, Çifliku, Kukuli, Lugati, Birbili, Gorrica, Kodër, Qafaetj.(Burimi:(Jani Llambridis, Epirotika Meletimata, Athinë, 1904, f.7,8,9, 12 e në vazhdim). Gjuhëtarët kanë arritur në përfundimin se elementi fjalëformues ‘at’ lidhet me prapashtesën ‘ates’, e cila takohet në emra fisesh ilire si Labeates, Dokleates etj. Në disa fshatra të Çamërisë brez pas brezi në shekuj janë ruajtur toponime malesh, prenjsh, fushash, luginash e arash si toponime të pastra shqipe si p.sh. “Mali i Glatë” (në fshatin Dramës), “Lisi i Lorit”, “proi i Thellë”, “Palo Vreshtat”, “Gropa e Madhe”, “Bira e Vllahut”, “Nënshkëme”, “Hora”, “Guri i Bardhë”, “Bota e Bardhë”, “Burimet”, “Bregu i Angjelit”, “Klishëza”, “Mulliri i Fikut”, “Shegëza”, “Kodrëza e Vidhit” etj.

GENOCIDI FASHIST GREK

Nië vitet që pasuan, Qeveria Greke, nisi t’i intensifikojë veprimet e saj antishqiptare në fillim pushtimin e Çamërisë me forcaushtarake dhe më pas me përpjekje për spastrimin etnik të shqiptarëve myslimanë nga Çamëria. Ndërkohë Athina pas shpërnguljes me dhunë të çamëve nga bandat e Napolon Zervës dhe të forcave qeveritare greke për të shuar e zhdukur çdo gjurmë të etnisë shqiptare në Çamëri, ka ndryshuar toponiminë e fshatrave  duke i zëvendësuar ato me emra grek. Kështu p.sh. fshatin Gurrëz e kanë emërtuar me emrin “Palokastro e Sipërme”, fshatin Picar në “Aetos”, Koriqanin në “Ahllavia”, Skupicën në “Kestrin”, Lopsin në “Asproklisi”, Spatarin në “Trikofor”, Galbaqin në “Elia”, Dolanin në “Jeroplatanos”, Peshtanin në “Kriovrisi”, Smokovinën në “Sikohor”, Salicën në “Llaka”, fshatin Vreshta në “Andelia”, Kuçin në “Poliner”, Arvenicën në “Argjirotopos”, Nistën në “Foskamilia”, Arpicën në “Perdhika”, Volën në “Sivota”, Rrëzanjin në “Shën Ajia”, Rrapëzën në “Ajthusa”, Vrastovën në “Palokastro”, Kurtesin në “Mesovun”, Mininën në “Nerajdha”, Curilën në “Kalithea”, Ledhëzën në “Lladohor”, Varfanjin në “Parapotam”, Koshovicën në “Shën Maria”, Luaratin në “Katovother” etj. Sado që të përpiqet administrata greke për të zëvendësuar onomastikën e emrave të fshatrave në Çamëri, që është aq e lashtë sa vetë autoktonia e shqiptarëve në ato troje, çami në breza do ta gjejë pa vështirësi tokën, fshatin e të parëve të tij, pavarësisht nga emërtimet që ka. Regjistri i Janinës (1583) e shtrin zonën e përhapjes së vëndbanimeve shqiptare dhe popullsinë e tyre autentike shqiptare edhe në zonat periferike të Epirit. Kështu p.sh. nga Defteri i Janinës mësojmë se në nahijen e Prevezës, që përfshinte dhe Prevezën, Kravarin me fshatrat e saj, antroponimia e vendeve si Zallonga, Shapata, Likursi, Karula, Zermeni, Nikolic, Zerni, Flambur, Poliofor, është një antroponimi e pastër dhe pa asnjë mëdyshje shqiptare. Të dhënat që përmendëm provojnë se Çamëria daton nga Mesjeta dhe hyri në kohën e re si një trevë thellësisht shqiptare.

 ---

Historiani Hajredin Isufi

Hajredin Isufi ka lindur në Çamëri (në fshatin Rrezanj – Gumenicë) më 25 dhjetor 1935. Më 1962 u diplomua në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Histori – Filologji. Ka punuar si arsimtar. Që nga viti 1964, është marrë në vijimësi me studime për historinë e Çamërisë. Ka punuar si bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin e historisë, Tiranë. Ka botuar librat: “Kryengritja e Kurbinit dhe Dom Nikollë Kaçorri”, “Studime Historike”, 1986, “Politika e shtetit grek për dëbimin e popullsisë çame në vitet 1914-1928”,  “Studime Historike, 1993 (1-4), Tiranë 1997”, “Aneksimi i dhunshëm i Çamërisë nga Greqia dhe lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e saj” (bashkautor me prof. Dr. Pëllumb Xhufin), etj…

Që nga viti 1965 e deri në vitin 1990 ka bashkëpunuar me të gjitha organet e shtypit shqiptar dhe ka shkruar qindra artikuj për ngjarje historike dhe figurat e shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Ndër ‘to mund të përmendim: “Një këngë të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Drita, Tiranë, 15 mars 1981; “Çamëria, fakte të vërteta dhe të stisura”, Koha Jonë’, 13 tetor 2002 (replikë me historianin grek, Llambros Baliciotis); “Përgjigje greko-amerikanit (Geixh). Koha Jonë, 16 dhjetor 2002; “Musa Demi dhe qëndresa çame 1800-1947″, Tiranë 2002, është monografia e tij e parë; “Çamëria, studime historike-sociologjike”, Tiranë 2006; “Roli i Nikollë Kaçorrit dhe klerit katolik në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” (në “Çështja Çame dhe integrimi evropian”, Tiranë 2005 (bashkautor), etj….


Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi  (DITA)

July 2, 2014

Zhvillimi i arsimit në Çamëri


“SOT ÇELMË KËTU, ME SHUMË LAVDËRI, NJË SHKOLLË SHQIP”
“Këtu në Prevezë tashti...zunë të mësojnë shqipen. Pa na duhen abetare të mëdha dhe të vogla se, sa herë që i flasim ndonjë shqiptari për nevojën e shqipes, na kërkon abetare. E, kur s' kemi t'i apim, helmohemi".

 Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë
 Ashtu si kudo në vendin tonë edhe në krahinën e Çamërisë u bënë përpjekje të shumta për përhapjen e mësimit shqip dhe për çeljen e shkollave në gjuhën amtare. Kështu, në vitet e fundit të shekullit të 19-të, atdhetari Rexhep Demi e bashkërendoi punën me Sabri Prevezën (1862-1929), me synimin kryesor përhapjen e shkrimit të gjuhës shqipe në të gjithë Çamërinë. Kështu, u dendësua edhe puna për shpërndarjen e librave dhe të gazetave shqipe, si në Çamëri dhe në Shqipërinë e Jugut. Vetëm në Prevezë, Sabriu u kishte mësuar shkrimin e leximin shqip disa bashkatdhetarëve. Më 1899, ai i shkruante shoqërisë "Dituria" të Bukureshtit, me të cilën mbante lidhje të vazhdueshme:

"Duhet të zgjojmë ata mëmdhetarë, që gjenden në gjumë e të mos i trembemi Fizanit dhe Bosforit, se posa u trembëm këtyre...s' fitojmë gjëkafshë, andaj duhet të kemi guxim e shpejtim në shërbesë të mëmëdhesë, sa që të fitojmë qëllimin. Këtu në Prevezë, tashti...zunë të mësojnë shqipen, pa na duhen abetare të mëdha dhe të vogla. Se, sa herë që i flasim ndonjë shqiptari për nevojën e shqipes, na kërkon abetare. E, kur s' kemi t'i apim, helmohemi".

Sabri Preveza, si shumë atdhetarë të tjerë të penës e të pushkës, u përfshi nga vala e kryengritjeve të mëdha antiosmane të viteve 1910-1912, që çuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. (Më 1925, i ndjekur nga shovinistët grekë, ai u vendos në Sarandë, ku dhe vdiq).

Po tërë kjo veprimtari atdhetare e arsimore tërhoqi vëmendjen e qarqeve shoviniste dhe iu kundërvunë përhapësve të shqipes. Ashtu si në krahinat e tjera të Shqipërisë, ata u vërsulën me ashpërsi edhe ndaj atdhetarëve në Çamëri. Më në fund, në vitin 1900 e arrestuan Rexhp Demin, në Filat dhe e dërguan në Janinë, qendra e vilajetit. I kontrolluan shtëpinë, sidomos për të gjetur libra shqipe, gjë që për shovinistët përbënte faj të rëndë. Librat e gazetat shqipe, që iu gjetën, ia morën të gjitha. Për "krimin", që kishte bërë, ky atdhetar u mbajt dy vjet në burgjet e mykura të Janinës. Por edhe aty ai nuk u tërhoq nga puna e tij e frytshme për mësimin e shqipes. Në bashkëpunim me nxënësin e tij, Qamil Çami, themeluan një shoqëri të fshehtë, në të cilën bënin pjesë me dhjetëra nxënës. Ajo mori emrin simbolik "Vëllazëria".
Rexhep Demi(1864-1929)
Ndër synimet kryesore të anëtarëve të kësaj Shoqërie, ishte mësimi i gjuhës amtare shqipe. Kështu, pas përgatitjeve të duhura, u arrit që më 7 shtator 1908, në Filat, të çeleshin dyert e një shkolle fillore në gjuhën shqipe. Në një telegram, të dërguar nga Musa Demi, thuhej: "Me gaz të madh u japim një sihariq se sot çelmë këtu, me shumë lavdëri, një shkollë shqip dhe bëmë disa fjalë mëmëdhetarisht".(Gaz. "Lirija", Selanik, 14.09.1908, faqe 2). Afërsisht, po në atë kohë u hap një shkollë tjetër shqipe në Luros të Çamërisë. Mësuesit e parë të shkollës së Filatit ishin: Qamil Izet Çami, drejtor e mësues dhe Hamit Demi, mësues. Shpejt ata morëm masa dhe për kurse mbrëmjeje, ku të rriturit mësonin shkrim e këndim shqip. Reaksioni i armiqve ishte i madh, ndërsa vendosmëria e mësuesve dhe e prindërve ishin për ta vazhduar me çdo çmim punën e nisur. Për këtë gjë, mësues Qamili shkroi edhe disa vargje, në të cilat shprehej me entusiazëm: "E hapën e u gëzuan (shqiptarët, shkollën),/ grekët e djallit u helmuan,/ çami, bir' i astritit/ i dha dërrmën moraitit". Vështirësitë për libra e mjete mësimore ishin të shumta. Por vetë mësuesi Izet Çami punoi për përkthimin e materialeve të duhura nga gjuha frënge. (Ibrahim D. Hoxha, gaz. "Çamëria", 18.04.1991, faqe 6)

Veprimtarinë e tij, në shërbim të arsimit kombëtar, Qamil Çami e vijoi më tej, duke bërë të mundur ngritjen e një shkolle të mesme shqipe, po me qendër në Filat. Ndër të tjera, aty do të përgatiteshin mësuesit e rinj për të hapur shkolla shqipe, kryesisht në Jug të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe, ai bashkëpunoi me shtypin e kohës, sidomos me gazetën "Zgjimi i Shqipërisë", që dilte në Janinë dhe shkroi vjersha me temë atdhetare. Tërë kjo veprimtari i egërsoi shovinistët, të cilët e vlerësuan "njeri të rrezikshëm", e pushuan nga puna dhe e internuan në një fshat, afër Edirnesë. Megjithatë, nuk iu bind urdhërit, por rroku armët, doli në mal dhe u bashkua me çetat kryengritëse. Pas shpalljes së Pavarësisë, u vu me të gjitha dijet e aftësitë e tij në shërbim të arsimit kombëtar. Mori pjesë aktive në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe e caktuan drejtor shkolle në Konispol. Më pas, e transferuan mësues në fshatra të Beratit dhe më 1930 në konviktin "Çamëria"-Sarandë. Por, pas tre vjetësh, kur Qamili kishte dhënë aq shumë për Atdheun e arsimin në gjuhën shqipe, vdiq në Tiranë, në moshën 48-vjeçare.
Në vazhdim të punës së bërë, në pranverën e vitit 1910 funksiononin disa shkolla shqipe, përveç asaj të Filatit e Mallakastrës së Çamërisë. Të tilla ishin shkollat në: Konispol, Ninat, Koskë, Janjar, Konicë e Mazarek. Në shkollën Mesare të Leskovikut ishte mësues Haki Glina, intelektual "mjaft i njohur midis atdhetarëve". Detyrën e mësuesit shëtitës për fëmijët çamë e kryen disa intelektualë atdhetare, ndër të cilët u dallua Hamza Tatzati e të tjerë. E njohur është dhe ndihmesa, që dha atdhetari Dervish Hima në verën e vitit 1911. Ai grumbulloi "të holla për të themeluar shkollë shqipe në Filat të Çamërisë", për të cilën shkruante se: "Kjo shkollë do të jetë shumë e dobishme për ne dhe unë po përdor gjithë vullnetin tim dhe gjithë energjinë time për të arritur suksesin e saj". Përpjekje u bënë dhe për hapjen e shkollës së Janjarit. Për shkollat shqipe në Filat u caktua si përgjegjës Qamil Efendiu, por në punën e tij i dolën shumë pengesa nga autoritetet qeveritare.

Në Prevezë u kërkua me ngulm që mësimi i shqipes të futej, përveç idadijes, edhe në shkollat fillore turke. Të papërtuar në përhapjen vullnetarisht të mësimit të gjuhës amtare te fëmijët e të rriturit u treguan intelektualët atdhetarë Qamil Çami, Musa Demi e të tjerë. Atdhetarët shqiptarë shtruan detyrë përgatitjen e mësuesve të shqipes në shkollat pedagogjike, që u menduan të hapen në Margëlliç e Janinë. (Dr. Apostol Pango, Sarandë, 28.02.1999).
Pra, gjatë viteve 1908-1912, ashtu si në krahinat e tjera, mësimi i shqipes në Çamëri mori përhapje edhe jashtë dyerve të shkollave shqipe. Sali Filati (Çeka) shkruante kështu: "Çamëria sot mori një lëvizje përparimi. Ky çip i vjetër i Shqipërisë ngreh gjerdhet nga kopështrat e diturisë dhe sheh bilbilët, lulet, fatbardhësinë e qytetërimit".(Gaz. "Korça", nr. 9, 20.05.1910).

Në vitet e mëvonshme, mësimi në gjuhën amtare shqipe në krahinën e Çamërisë u përball me rrethanat e vështira historike, që u krijuan si pasojë e shpërguljeve masive të atyre banorëve, larg trojeve të tyre të stërlashta shqiptare. Megjithatë, kudo që i çuan valët e jetës, në zemrat e tyre mbeti kurdoherë e gjallë dhe pashuar dashuria për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe.