February 11, 2015

Çamëria, emër tipik i autoktonisë shqiptare

“Çamëri” dhe “Epir” janë toponime të një rajoni dhe se kuptimi i tyre gjatë shekujve mori dimensione hapësinore të ndryshme. “Çamëri, një nga emrat tipikë që vërtetojnë autoktoninë e shqiptarëve në vendbanimet e tyre të sotme”
Toponimet janë gjurmë të kulturës materiale dhe shpirtërore, nëpërmjet të cilave dëshmohet gjuha dhe historia e popujve të ndryshëm. Ato ndihmojnë për të sqaruar etnogjenezën, marrëdhëniet shoqërore-juridike dhe përbëjnë një komponent të fuqishëm të diversitetit kulturor të regjioneve gjeografike. Toponimet janë përmendore të kulturës njerëzore. Emrat e vendeve (toponimet) janë bartëse të kujtesës sociale dhe kanë si referencë mjedisin natyror, historik, gjuhësor, politik etj. Çamëria në çdo periudhë historike është paraqitur si një regjion gjeografik dhe etnografik unikal, i identifikuar, megjithatë emri i saj gjatë shekujsh nuk ka qenë i qëndrueshëm, por ka ndryshuar nga njëra periudhë historike në tjetrën. Këto ndryshime shprehën procesin historik të zhvillimit të saj.
Në ditët tona përdoren paralelisht dy emra për këtë krahinë si dublim i njëri-tjetrit. Çamëri për vendin dhe çamë për banorët dhe Epir për vendin dhe epirotë për banorët e tij. Në të folmen e popullit përdoret emri i parë, ndërsa në literaturë më tepër i dyti. Emri “Epir” dhe “epirotë” ndeshet veçanërisht në literaturën greke, kurse në literaturën shqiptare në përgjithësi përdoret emri popullor Çamëri për vendin dhe çamë për banorët e tij.
Këta dy emra i ndeshim jo vetëm në literaturën e kohës së sotme, por edhe në literaturën historike që nga kohët më të lashta. Kuptimi i tyre nuk është i njëjtë në çdo kohë. Herë njëri shtrihej në një territor më të gjerë e tjetri përfshinte një hapësirë më të ngushtë, herë njëri paraqitej si kryenjësi e tjetri si nënnjësi. Luhatja e këtyre dy emrave është e lidhur me prejardhjen (origjinën) historike dhe veçoritë e zhvillimit politiko-shoqëror të krahinës në shekuj. Emri “Epir” ka qenë përdorur në kohën e lashtë nga autorë grekë si emër i përgjithshëm që përcaktonte pozitën kontinentale të krahinës përballë Greqisë ishullore (Epir në greqisht do të thotë stere, tokë).
Nga fundi i shek.VI p.e.s.(para Krishtit), ai u shndërrua në një emër të përveçëm gjeografik, ndërsa në gjysmën e dytë të shek. IV para Krishtit ai mori edhe përcaktim politik. Epiri banohej prej 14 fisesh, ndër të cilët kryesorët ishin tesprotët, kaonët e molosët, të cilët ishin etnikisht të një trungu me ilirët.
Gjithashtu edhe emri Çamëri ka burim të lashtë historik. Gjejmë sot trajtesat më të hershme lidhur me prejardhjen e emrit Çamëri, që u takojnë studiuesve të huaj të shek.XIX, M.Leake e F. Pouqueville. Vëmendja është drejtuar nga toponimia që ka natyrë konservative dhe ruhet relativisht gjatë edhe kur ka zhvendosje popullsish. Është vërejtur një lidhje e ngushtë e emrit Çamëri me emrin e lumit që përshkon krahinën – Thjam-it antik. Thjami është identifikuar me Kalamanë, lumi që shkon pranë shkallës së Filatit (shkalla e Zërjanit). Dijetari i njohur anglez William Leake, në fillim të shek.XIX pa te fjala “çam” një reflektim të emrit të vjetër të Kalama, të emrit Thjami, duke e paraqitur në një vazhdimësi jo greke. Në punimet e prof. Çabejt, vazhdimësia e këtyre dy termave (Thiamis-çam) shpjegohet në bazë të ligjeve të zhvillimit fonetik të shqipes.
Autori ynë, duke u mbështetur në këtë fakt, e paraqet emrin Çamëri si një nga emrat tipikë që vërtetojnë autoktoninë e shqiptarëve në vendbanimet e tyre të sotme. Sipas tij, edhe zhvillimi fonetik Arachthos (emri i lashtë i qytetit të Artës) shpjegohet më mirë me anë të shqipes, sesa greqishtes.
Studiuesi grek, Nikoleos Georgios Nikokles, mbështet tezën se fjala “çam” do të thotë “pisha”, ose vendi i banorëve të pyjeve me bredha. Ky studiues mundohet të argumentojë se ngjashmëria e fjalëve “çam-pisha” është një dëshmi se shqiptarët kanë qenë të ngulitur në Danub dhe, në kohën pas Krishtit, ky emër grek bashkë me popullin kanë kaluar në vendbanimin e ri ilirik (Çamëri). Studiuesi gjerman Iakob Ph. Fallmerayer e kundërshtoi këtë tezë antishkencore. Ai argumenton se fjala “bredh”-çam (pylli me bredha) është një fjalë e parme turke dhe jo fjalë e parme greke dhe, si shumë fjalë të tjera, ka ardhur te shqiptarët nëpërmjet lëvizjeve migruese dhe marrëdhënieve me turqit e imigrues në Europë. Dhe më tej vijon: – Ndofta emri i provincës bregdetare shqiptare “Çamëri” nuk është i prejardhur as nga greqishtja e as nga turqishtja, por nga emri i stërlashtë i lumit Thiamis.
Në fillim të shek XIX, studiuesi francez F.Pouqueville, në veprën e tij prej gjashtë vëllimesh “Voyage delle Greece”, përshkrimi i Çamërisë dhe i krahinës së saj, Sulit, zë pesë kapituj. Racën shqiptare ky autor e ndan në katër regjione etno-gjeografikë: në gegë dhe Mirditë, në toskë, në labë, e në çamë. “Katundet e zallit te Thyamis (sot lumi Kalama) janë shqiptarë të krishterë të gjuhës çame” (Vëll II, fq 103)… Çamëve u ka hije lëvdata për trimërinë, bukurinë, pastërtinë e zgjuarsinë.
Në hartat etnografike të botuara në shek. XIX nga studiuesit e huaj, F. Pouqueville, G.Lejean, J.Perthes, K.Saks etj, shtrirja e krahinës së Çamërisë deri në gjirin e Prevezës paraqitet me unitet gjuhësor territorial shqiptar. Në hartën e tij etnografike. J.Perthes në 1851-shin e ka të shënuar toponimin Çamëri në shtrirjen gjeografike të tij.
Harta e Çamërisë e vitit 1825 ku paraqitet Suli, Parga e Margëllëçi
Harta e Çamërisë e vitit 1825 ku paraqitet Suli, Parga e Margëllëçi
Megjithëse emrat “Çamëri” dhe “Epir” janë toponime të një regjioni, kuptimi i tyre gjatë shekujve mori dimensione hapësinore të ndryshme. Emri “Epir”, meqenëse shprehte “vendin e pyjeve me bredha”, u shtri në drejtim të veriut, të arealeve të pyjeve me bredha, deri në gjirin e Vlorës, e më tej. Skënderbeu e quante principatën e tij pjesë të Epirit. Në këtë kuptim, Epiri filloi të identifikohej me një krahinë të madhe, që shtrihej nga gjiri i Artës në jug, deri në atë të Vlorës, në veri. Ndërsa emri Çamëri mbeti në shtrirjen historike nga gjiri i Artës në jug, e deri afër atij të Sarandës, në veri.
Kështu bashkëjetuan këta dy emra, njëri për të shprehur një krahinë të madhe si kryenjësi dhe tjetri një krahinë më të vogël si nënnjësi. Krahina e Epirit përfshinte atë të Çamërisë si nëndarje të saj. – Këto dy krahina njëra më e madhe dhe tjetra më e vogël pësuan gjatë shekujve edhe nënndarjet e tyre, të cilat shfaqen në aspektin gjeografik dhe në atë etnografik. Këto nënndarje morën edhe emrat e tyre të veçantë. Epiri në aspektin gjeografik ndahej paralelisht në dy pjesë që quhen: Epiri i Veriut apo “Vorio Epiri” siç quhet nga grekët, i cili shtrihet nga gjiri i Sarandës deri në atë të Vlorës dhe “Epiri i Vërtetë” apo Epiri i Jugut që shtrihet nga gjiri i Sarandës, deri në atë të Artës. Epiri i Jugut ose Epiri i vërtetë përputhet me atë krahinë që quhet Çamëri.
Map of Albania by Anthony Finley 1824
Map of Albania by Anthony Finley 1824
Po ashtu edhe Çamëria ndahej në dy pjesë, por nënndarja e saj ishte në drejtim meridional: në pjesën lindore më të lartë shtrihej “Malësia e Çamërisë”, kurse pjesa perëndimore që shtrihej në viset më të ulëta quhej “Fusha” apo Çamëria e vërtetë”. Këta emra me luhatjet e tyre njëri pranë tjetrit ose njëri mbi tjetrin kaluan rrjedhën e shekujve deri në ditët tona. Si kudo në hapësirën etno-kulturore shqiptare në Ballkanin Perëndimor, që mbetën jashtë kufijve politikë të përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në 1913-n, toponimet pësuan deformime të theksuara.
Pas pushtimit të Çamërisë dhe trojeve të tjera jug-shqiptare, kolonistët greke bënë riorganizimin politiko-administrativ dhe ndryshuan në mënyrë të ndjeshme fjalorin onomastik të trojeve shqiptare. Ndryshimi i toponimeve është bërë në forma të ndryshme, siç është përkthimi në gjuhën greke, përshtatja apo edhe ndryshimi tërësor i tyre. Këtë fat pati edhe toponimi “Çamëri”, i cili qëndron gjallë dhe i fuqishëm më tepër në përdorim të popullit dhe në literaturën shqiptare për këtë krahinë. Emri “Epir” u shua nga përdorimi i popullit dhe mbeti vetëm në literaturën greke. Grekët e përdorin këtë emër për arsye politike. Pasi aneksuan Epirin e Jugut (Çamërinë), ky emër i ngjallte aspirata edhe për aneksimin (pushtimin) e Epirit të Veriut ose Vorio-Epirit.
Në shërbim të strategjisë së helenizimit të gjithë Shqipërisë së Jugut, qeveritë greke, jo vetëm kanë hedhur në qarkullim një literaturë të gjerë propagandistike, por kanë përdorur mjete nga më të ndryshmet, ku përfshihen nga asimilimi me dhunë deri te dallimet në trajtimin e emigrantëve dhe çamëve të shtetit amë, duke mos u dhënë leje-kalimi për të vizituar trojet e tyre stërgjyshore.
Ngjarjet e kohëve të fundit dëshmojnë se edhe në nivele shtetërore, në Greqi janë të pranishme atavizmat e së kaluarës dhe kujtesat nacionaliste dhe raciste për diskriminimin e qytetarëve sipas kombësisë, duke shkelur konventat ndërkombëtare mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, të cilat janë firmosur edhe nga shteti grek. “Çamëria, -shkruan shkrimtari I.Kadare, – nuk është një fantazmë që ngrihet për të errësuar miqësinë midis grekëve dhe shqiptarëve, përkundrazi, kur popujt lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më shumë dhe e duan më shumë njëri-tjetrin”. Andaj qeveria greke duhet të kryejë detyrimet ligjore e kushtetuese për trajtimin e popullsisë çame dhe arvanitase në Greqi si pakicë etnike. Vetëm në këtë mënyrë mund të mëtohet për integrim dhe demokratizim të rajonit të Ballkanit.