April 23, 2011

ÇAMËT ORTODOKSË, MINORITET AUTOKTON SHQIPTAR NË GREQI

Të drejtat e minoriteteve kombëtare dolën në plan të parë menjëherë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe tani ato zënë një vend të rëndësishëm në axhendat e marrëdhënieve ndërkombëtare. Aktualisht në Greqi ka një minoritet autokton shqiptar prej mbi 300.000 banorësh që ndodhet në veriperëndim të vendit nga kufiri me Shqipërinë deri në Gjirin e Artës, në rajonet e Çamërisë (Thesprotisë së lashtë), Prevezës, Artës, Janinës dhe vazhdon në rajonet e Konicës, Kosturit dhe Follorinës. Ky minoritet etnik shqiptar, ashtu si edhe minoritetet e tjera maqedonase dhe turke nuk njihet zyrtarisht nga shteti grek. Historia e pranisë së këtyre minoriteteve etnike në përbërje të Greqisë filloi pas Luftërave Ballkanike, konkretisht, në periudhën 1-14 nëntor 1913 kur u nënshkrua Traktati i Paqes i Athinës, midis Turqisë dhe Greqisë, ku përcaktohet qartë se banorët e territoreve të aneksuara nga kjo e fundit do të gëzonin të gjitha të drejtat që përputheshin me parimet më të shenjta të drejtësisë. Por dokumenti që njohu de jure praninë e minoriteteve kombëtare në Greqi është Traktati i Sevrës (10 gusht 1920) i mbajtur midis Aleatëve dhe Turqisë si pjesë e negociatave të Konferencës së Paqes të Parisit. Në artikullin 2 të këtij traktati theksohet: “Greqia pranon të sigurojë mbrojtje të plotë për jetën dhe liritë e të gjithë banorëve të Greqisë pa dallim origjine, kombësie, gjuhe, race apo përkatësie fetare”. Sipas artikullit 3 të këtij dokumenti Greqia pranon dhe deklaron qenien si qytetarë grekë, ipso-facto dhe pa kërkesat e çfarëdolloj formaliteti të të gjithë atyre me kombësi bullgare, turke apo shqiptare, të cilët janë përgjithësisht banorë (rezidentë) në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Traktati në territoret e transferuara Greqisë nga traktatet (e nënshkruara) pas 1 janarit 1913. Artikulli 8 i këtij Traktati konfirmon se qytetarët grekë, që u përkasin minoriteteve racore, fetare apo gjuhësore, do të gëzojnë të njëjtin trajtim dhe siguri, me ligj dhe zbatim si qytetarët e tjerë grekë. Në veçanti ata do të kenë të drejtën e barabartë për të ngritur, drejtuar dhe kontrolluar, me shpenzimet e tyre, institucione sociale, fetare apo bamirësie, shkolla dhe struktura të tjera arsimore, me të drejtën për të përdorur gjuhën e tyre dhe të ushtrojnë besimin e tyre lirisht. Në mënyrë solemne, me një dokument ndërkombëtar Greqia pranoi se kushtet e përshkruara në artikujt 2 dhe 8 do të njihen si ligje themelore dhe asnjë ligj, përmirësim apo veprim ligjor nuk do të konfliktojë apo ndërhyjë me këto kushte, po ashtu asnjë ligj, përmirësim apo veprim ligjor nuk do të mbizotërojë mbi to (Artikulli 1 i Traktatit të Sevrës).
Por Traktati i Sevrës, si dhe dy artikujt (nenet) e tij nuk u zbatuan asnjëherë nga shteti grek. Në Greqi, ku feja zotëruese është krishterimi ortodoks, besimi fetar ngatërrohet me qëllim me etnicitetin dhe shtetësinë, njëlloj si në kohën e sundimit të Patrikanës së Kostandinopojës. Edhe pjesës myslimane të Çamërisë, rreth 35000 banorëve, para Luftës së Dytë Botërore deri sa u shpërngul me dhunë e gjenocid në vitet 1944-‘45, iu mohua identiteti kombëtar shqiptar nga qeveria greke duke shënuar në letërnjoftimin e tyre vetëm besimin fetar. Duke mohuar de facto identitetin kombëtar, minoritetet etnike janë parë nga shteti grek si të dyshimta, për t’u shkatërruar dhe dëbuar me dhunë ose për t’u asimiluar me anën e izolimit, ndalimit nga kisha greke të përdorimit të gjuhës shqipe në liturgji, mohimit të shkollës në gjuhën amtare, kulturës përkatëse dhe përdorimit të propagandës së shfrenuar raciste. Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore të drejtat e minoriteteve në përgjithësi u injoruan në favor të të drejtave individuale njerëzore. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, siç u theksua në fillim, të drejtat e minoriteteve dolën në plan të parë duke zënë vendin që u takon. Kështu komuniteti ndërkombëtar ka çuar përpara standardizimin dhe kodifikimin e të drejtave të minoriteteve. Kësaj i ka shërbyer Deklarata e Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e personave që u takojnë minoriteteve kombëtare ose etnike, fetare dhe gjuhësore, adaptuar me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të KB 47/135 të 18 dhjetorit 1992. Kjo u pasua nga deklarata të ndryshme rajonale. Sot vlerësohen si shumë të rëndësishme tri dokumente, si Marrëveshja Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare dhe Karta Europiane për Rajonet ose Gjuhët Minoritare. Të tria këto dokumente nuk janë ratifikuar nga Greqia. Konventën Kuadër Greqia e ka firmosur më 22.09.1997 dhe kanë kaluar 14 vjet që nga ajo kohë dhe Parlamenti grek ende nuk e ka ratifikuar, por vazhdon të mohojë haptazi ekzistencën e ndonjë minoriteti kombëtar brenda kufijve të saj përveç atyre fetare. Një nga arsyet është se ka pak sanksione reale kundër shkelësve. Ndërkohë asnjë vend i Bashkimit Europian nuk ka marrë iniciativën për ta akuzuar shokun e tyre për nëpërkëmbjen dhe shkeljen e të drejtave të minoriteteve kombëtare e gjuhësore në Greqi.
Është e vërtetë që edhe Franca refuzon të njohë minoritetet brenda kufijve të saj dhe madje nuk zbaton sanksionet e Artikullit 27 të Marrëveshjes Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike që kanë të bëjnë me sigurimin e të drejtave të minoriteteve. Por sidoqoftë qytetarët në Francë nuk ballafaqohen me të njëjtat dënime për vetëdeklarimin e tyre ndaras prej shumicës, me shprehjen e identitetit kombëtar, siç ndodh në Greqi. Në trojet etnike shqiptare në Greqi nuk ka asnjë shkollë në gjuhen shqipe. Me vendim absurd dhe antinjerëzor të prefektit të Gumenicës, që në vitin 1938 nuk lejohet përdorimi i gjuhës shqipe në vendet publike, në administratë, në kishë etj.
Asnjë kujdes nuk ka për trashëgiminë kulturore si monumentet e kulturës, nga lashtësia deri në ditët e sotme. Shprehja e identitetit kombëtar dënohet me të gjitha mjetet e dhunës shtetërore. Me mjetet e presionit dhe detyrimit Greqia përpiqet t’i shndërrojë minoritarët shqiptarë, maqedonas etj., në homogjenë grekë dhe në një shkallë të caktuar ia ka arritur qëllimit. Por asimilimi total është një gjë e së shkuarës, pasi shteti nuk do të monopolizojë dot më tej mjetet e përhapjes së kulturës siç ka bërë deri para pak kohësh. Ka ardhur koha kur regjistrimi i minoriteteve do të vihet nën vëzhgim e në rritje dhe shkelësit do të kundërshtohen dhe dënohen nga faktori ndërkombëtar, si dhe nga fqinjët e vetë Greqisë.
Edhe Shqipëria pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike u përpoq të paktën për të ekzaminuar se çfarë kishte mbetur nga minoriteti shqiptar në Greqi pas dëbimit të dhunshëm të tij, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Ambasadori shqiptar i shoqëruar nga zëvendësministri për Epirin në vizitën e 5-9 qershorit 1972 në Çamëri, konstatoi se në zona të caktuara si ato të Sulit, Prevezës, Gumenicës, Pargës, Filatit dhe Artës kishte mbetur një numër i konsiderueshëm banorësh shqiptarë. Dy prej zyrtarëve vendas që i shoqëruan pranuan që shumica e popullsisë flisnin shqip. Vetë kryetari i Bashkisë Gumenicë që fliste shqip dhe ishte shqiptar, pohoi se në fshatrat e shumta shqiptare ka njerëz, sidomos të moshuar, që nuk dinë fare greqisht dhe flasin vetëm shqip.
Një tjetër pohoi se midis Prevezës dhe kufirit me Gumenicën kishte 40 fshatra që flisnin shqip. Një vit më vonë, më 1973, funksionarë të tjerë të ambasadës zbuluan shumë fshatra të krishterësh rreth Gumenicës që flisnin shqip. Në fshatin Kastri me 1800 banorë “Radio Tirana” ishte stacioni radiofonik më i preferuar, saqë fshatin e quanin “Tirana e Greqisë”. Por nga shteti komunist nuk u bë më shumë se kaq për ruajtjen e identitetit shqiptar në vendin fqinj. Pas rënies së komunizmit shteti shqiptar në përgjigje të ultimatumit prej 6 pikash të Kryeministrit grek K. Micotaqis më 14 korrik 1993, nëpërmjet Kryeministrit shqiptar A. Meksi në një deklaratë publike po atë muaj u shpreh: “Qeveria shqiptare kërkon që qeveria greke të njohë zyrtarisht ekzistencën e pakicës shqiptare të çamëve, myslimanë e ortodoksë, si dhe arvanitasve që jetojnë në Greqi prej shekujsh. Në bazë të normave ndërkombëtare ajo i njeh vetes të drejtën të interesohet për shqiptarët dhe për minoritetin shqiptar në Greqi.” Veçanërisht për të drejtat e minoritetit shqiptar që jeton në Greqi ai theksoi ndër të tjera se “nga frika e terrorit nuk guxon as të pohojë identitetin e tij etnik.” Pas një viti, ministri i Jashtëm, Alfred Serreqi, në sesionin e 49 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, më 4 tetor 1994 deklaroi: “Për Shqipërinë dhe shqiptarët një kërcënim tjetër në rritje është dhe nacionalizmi grek. Loja që zhvillohet për pushtet në Greqi në dallim nga të gjitha vendet e Europës Perëndimore zhvillohet me parulla nacionaliste dhe është fakt i pamohueshëm se pas kësaj loje Greqia zyrtare del më nacionaliste sesa ishte më parë”. Ai ftoi qeverinë greke të zbatojë konventat ndërkombëtare për pakicat etnike. Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe, ai theksoi: “Nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë së saj me mohimin absurd se në Greqi nuk ka pakica kombëtare.
Qeveria greke duhet të heqë dorë nga klima mbytëse që i pengon ato të afirmojnë identitetin e tyre kombëtar. Si u zhdukën me një të rënë të lapsit pakicat kombëtare turke, maqedonase dhe shqiptare të Greqisë? Qeveria greke duhet të heqë dorë nga klima mbytëse që i pengon ato të afirmojnë identitetin e tyre kombëtar”.
Hera e fundit kur minoriteti autokton shqiptar shprehu përkatësinë gjuhësore ishte në kohën e regjistrimit të popullsisë të vitit 1951, kur rezultoi se flisnin shqip 22 736 shqiptarë etnikë. Që nga ajo kohë në Greqi zyrtarisht është zhdukur çdo gjurmë shqiptare ose e trashëgimisë së saj. Të gjitha figurat e historisë e të kulturës shqiptare janë tjetërsuar në greke, janë ndryshuar emrat shqiptarë të vendeve me emra të shpifur në greqisht, monumentet e kulturës janë lënë në mëshirë të fatit dhe po i nënshtrohen një degradimi pa kthim. Qytetërimi europian po humbet një pjesë të trashëgimisë së saj kulturore. Kësaj gjendjeje të mohimit total po i rëndon edhe propaganda e shfrenuar raciste dhe shkolla ku mungon gjuha amtare, e për më keq, shtrembërohet historia dhe tjetërsohet e falsifikohet kultura shqiptare. Si vend tipik ballkanik dhe njëkohësisht vend anëtar i Bashkimit Europian, Greqia me fe zotëruese ortodoksizmin dallohet në mënyrë demonstruese në edukimin masiv që ka përdorur dhe përdor me anën e elitave shtetërore për të ngritur një kulturë të njësuar bazuar mbi atë që është perceptuar si esenca e kombit zotërues (me përmbajtje nacionaliste), thënë qartë me të gjithë përbërësit e racizmit biologjik si ideologji dhe praktikë. Kjo dukuri e edukimit masiv pas Luftës së Dytë Botërore në rajonin e Ballkanit me shtete ortodokse, më tipike u shfaq në Greqi, ku ky realitet u imponua si epidemi, ku aspekti kyç i suksesit të këtij procesi regresiv ka qenë monopoli shtetëror mbi mjetet e propagandës dhe të përhapjes së helenizmit si “kulturë e lartë”. Duke qenë se shteti grek ka qenë aktori ekskluziv në masmedia, veçanërisht në radio e televizion, ai ka mundur të ushtrojë censurë dhe mjetet e tjera të presionit me efektivitet të lartë. Megjithatë në dhjetëvjeçarin e fundit situata disi ka ndryshuar si rrjedhim i “revolucionit në komunikim” me transmetimet e TV satelitore dhe mjeteve të tjera të komunikimit, të cilat po dalin jashtë tutelës së shtetit racist grek. Dështime të tilla Greqia ka provuar kur u është dashur të ngushtojë hendekun midis komuniteteve kristiane ortodokse dhe myslimane, ku si zgjidhje ka përdorur ekzekutimin fizik (gjenocidi kundër çamëve myslimanë, 1944-1945). Madje edhe me ortodoksët sllavë, egjeasit (egeici), në veri të Greqisë, kjo politikë ka ardhur në konfrontim me një minoritet luftarak që kundërshton të lërë përkatësinë e vet etnike për t’u shkrirë e humbur në shumicën greke. Sa më shumë shtypje ushtron shteti grek ndaj këtij minoriteti aq më shumë kjo politikë provon kundërproduktivitetin e saj.
Për minoritetin shqiptar ja si shkruan në vitin 1962 ish-Ministri Fuqiplotë në Ministrinë e Jashtme të Greqisë Dhimitri Pentezopulos: “Shqiptarët nuk formuan një minoritet të madh dhe ata që i përkasin Kishës Ortodokse Greke janë asimiluar plotësisht” dhe duke perifrazuar një mbështetës të helenizmit shprehet sikur gjoja “e kanë identifikuar veten me jetën dhe ndjenjat kombëtare greke”. Dhe vazhdon: “Kanë qenë, sidoqoftë, rreth 20000 dhe 30000 shqipfolës myslimanë, për të cilët sipas Traktatit të Lozanës mbetën në Epir, pranë kufirit shqiptar”.
Me vendosjen e rreth 16000 refugjatëve (kolonëve A.M.) në këtë hapësirë përbërja e provincës ndryshoi pak, elementi grek pati një rritje nga 77% në 81%. Të gjitha këto janë të pasakta. Sot Greqia zyrtarisht nuk njeh asnjë minoritet etnik, megjithëse bën pjesë në BE nuk është integruar në legjislacionin europian. Regjistrimi i përgjithshëm me kritere më të pranueshme është bërë në kohën e Perandorisë Osmane nga qeveria e turqve të rinj në vitin 1910. Me gjithë ndonjë të metë rezultatet e këtij regjistrimi kanë interes se japin të dhëna demografike tre vjet para aneksimit të Çamërisë nga Greqia më 1913-n. Sipas tij në Sanxhakun e Reshadijes (Çamërisë) kishte 31 304 shqiptarë myslimanë, 29 593 shqiptarë ortodoksë dhe 9840 grekë, pra gjithsej 60 897 shqiptarë. Po t’u shtohen këtyre edhe shqiptarët në vazhdim të krahinës së Çamërisë që u përfshinë në Sanxhakët e Janinës dhe Prevezës, respektivisht 11 848 shqiptarë myslimanë dhe 7010 shqiptarë ortodoksë në këtë rajon banonin 83 898 shqiptarë të të dyja besimeve.
Po kështu, sipas Enciklopedisë së Madhe Greke “Çamëria banohet nga rreth 70000 banorë të quajtur çamë” (1927). Sipas regjistrimit italian të vitit 1940, në Çamëri rezultojnë 28000 çamë myslimanë, 26000 çamë ortodoksë dhe 20000 grekë. Në kohën e këtij regjistrimi një pjesë e popullsisë ishte zhvendosur jashtë territorit për shkak të internimeve që bëri qeveria greke para se të fillonte lufta me Italinë, ndaj shqiptarëve që i konsideronte si subjekt dyshimi. Sidoqoftë ky regjistrim ishte më i besueshëm se ai i kryer nga qeveria greke në vitin 1936, i pari pas krijimit të Prefekturës se Thesprotisë (Çamërisë), me shifra të falsifikuara, ku nuk jepej asnjë shifër për shqiptarët ortodoksë. Regjistrimi i fundit që jep të dhëna për përkatësinë fetare dhe gjuhën amtare është ai i vitit 1951, nga i cili rezulton se 22 736 persona flasin shqip. Ku u zhdukën këta dhjetëra mijë shqiptarë brenda një dekade nga koha e regjistrimit deri në botimin e librit të ministrit Pentzopulos në vitin 1962, i cili pretendon se na qenkan asimiluar?
Kjo shpjegohet me racizmin biologjik që karakterizon politikën agresive greke të asimilimit me dhunë. Dhuna fillon me ndërrimin e emrave të vendeve nga shqiptare në greke në gjithë Çamërinë. Pastaj ndërrimi dhe greqizimi i emrave të njerëzve sipas tipit Niko në Nikolaos, Spiro në Spiridhonis, Llambi në Harallambis etj. Vetëm në rajonin e Çamërisë sot jetojnë mbi 165 000 çamë ortodoksë dhe në gjithë Greqinë veriperëndimore 300 000 shqiptarë etnikë.
Sipas dëshmive të atyre që kanë vizituar këto treva dhe punojnë atje si emigrantë, si dhe nga bisedat dhe kontaktet e autorit të këtij shkrimi me studiues e shkencëtarë vendas që jetojnë e punojnë sot në Çamëri, procesi i asimilimit edhe pas 50 vjetësh më vonë nga botimi i librit të ministrit grek nuk ka arritur ta rrezikojë identitetin e tyre shqiptar.
Është fakt që fëmijët e tyre shkojnë në shkolla greke ku nuk jepet asnjë orë mësimi shqip dhe greqishtja imponohet në të gjitha mjediset jashtë shtëpisë, shqipja përsëri mbetet gjithmonë gjuha e zemrës. Shqipja flitet kudo, në shtëpi e jashtë saj, në çdo cep të Çamërisë, si dhe në rajone të tjera nga Arta, Preveza e deri në Konicë, Kostur e Follorinë. Flitet e këndohet në shtëpi, por edhe në mjedise publike si bare, restorante, hotele, shitore etj. Edhe kur shkojnë në emigracion çiftet i lënë fëmijët në shtëpi ku gjyshët e gjyshet u flasin nipërve dhe mbesave vetëm shqipen e pastër të nëndialektit çam. Për mësimin më të mirë të shqipes së përbashkët një ndikim të madh luan emigracioni nga Shqipëria i viteve të fundit, por edhe TV satelitor.
Këto dekadat e fundit ka një lëvizje të popullsisë nga fshati në qytetet e mëdha dhe dendësia e popullsisë në Çamëri ka zbritur në 30 banorë/km2, ndërsa në të gjithë Epirin është 38%. Rikthimi i çamëve të përzënë me dhunë dhe gjenocid do të përmirësonte mjaft gjendjen e përkeqësuar demografike, por edhe ekonomike të këtij rajoni të varfër, por me burime të shumta e të mëdha natyrore.
Nga minoriteti etnik shqiptar i Çamërisë kanë dalë figura të shquara të kombit shqiptar si strategët Pirro i Epirit në antikitet; Gjin Bue Shpata e Pjetër Losha në mesjetë; Maksim Artioti, humanist dhe shenjtor; Dionis Filozofi, teolog e klerik i lartë, martir i lirisë; Marko Boçari, Foto Xhavella, Odise Andruco, heronj të revolucionit grek; Elena Gjika, Kolë Idromeno, Mitrush Kuteli, figura të shquara të mendimit, artit dhe letërsisë shqiptare; Aristokle Spiro-Atenagora, profeti bashkimit, patrik i Kostandinopojës; Spiro Çalluka e Thimio Gogozoto, martirë të Luftës së Dytë Botërore dhe deri te studiuesit e sotëm Niko Stylo e Aliqi Nasi etj.
Pra siç u parashtrua, minoriteti etnik shqiptar në Greqi ka qenë dhe mbetet një forcë gjallëruese, që me gjithë trysninë dhe pengesat monstruoze që ushtron dhe krijon shteti racist grek vazhdon t’i mbijetojë asimilimit dhe të japë shenja të dukshme të një gjallërimi e zhvillimi të ri në kushtet e integrimit shqiptar, europian dhe global.

Ahmet Mehmeti

Marre nga Gazeta Shqip

No comments:

Post a Comment