The Albanian American Organization Chameria (AAOC) blog is maintained by Cham activists who seek to attain a comprehensive and peaceful solution to the Chameria issue.
December 26, 2013
104 VJETORIT I DIELLIT- GJURMIME MBI LETËRSINË SHQIPE TEK «DIELLI»
Sevdai Kastrati*
Kam kënaqësi të veçantë që mund të marrë pjesë në këtë përvjetor të rëndësishëm: përvjetorin e njëqint të gazetës Dielli. E quajmë këtë përvjetor të rëndësishëm sepse është përvjetor i jashtëzakonshëm i gazetës me jetëgjatësinë më të madhe në gjuhën shqipe: ju përshëndes dhe ju falënderoj që më ftuat.
Kur flas për gazetën Dielli unë jam i vetëdijshëm se flas për njërën nga gazetat më të rëndësishme të botës shqiptare. Them kështu, sepse në gazetën Dielli janë botuar poezitë, prozat, dramat, polemikat, ligjërimet, kritikat letrare, gjuhësore dhe politike, letërkëmbimet, shkrimet historike që kanë të bëjnë për Shqipërinë në veçanti dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi prej krijuesve më të rëndësishëm të kulturës shqiptare. Dielli është gazeta e parë që i kushton një rëndësi përkthimeve, duke sjellur në gjuhën shqipe disa nga veprat më të njohura të letërsisë botërore.
Pa dyshim, gazeta Dielli është bërë shkollë për shqiptarët e Amerikës, tribunë e lirë për shprehejen e mendimeve, mburojë për të drejtat kombëtare, i ka përkrahur dhe mbrojtur të shtypurit, e ka çmaskuar natyrën ballkanike dhe orientale të politikanëve shqiptarë (për këtë është ndaluar të futet në Shqipëri), i ka luftuar shtypësit dhe tiranët (hiq një periudhë të shkurtër kur vihet në shërbim të regjimive monarkiste dhe komuniste), e ka mbajtur të ndezur kandilin kombëtar shqiptar në Amerikë.
Në këtë kumtesë dëshiroj të flas sot para jush mbi një vështrim të letërsisë shqipe te Dielli prej 1909 deri më 1971, pra rreth poezisë, prozës dhe dramaturgjisë.
Ndonëse Dielli në fillim ishte i përqëndruar kryesishit në përkthime të letërsisë botërore, si tregime, novela, komedi të autorëve më të dëgjuar të Evropës dhe Amerikës e, që në fund të vitit parashikonte t’i botonte në një vëllim të veçantë. Edhe pse një botim i tillë s’u bë ndonjëherë.
Megjithëse letërsia shqipe ka një shtrirje të gjatë kohore te gazeta “Dielli”, ku poetë, prozatorë e dramaturgë i takojnë periudhave të ndryshme kohore: romantizmit, mes romantizmit, realizmit dhe simbolizmit, letërsisë sociale dhe letërsisë së sotme. Për dallim nga metoda e realizmit socialist që mbizotëronte në Shqipëri, letërsia shqipe në diasporë u zhvillua pa censurë e pa trysni politike.
Dy vjershat e para do të botohen në Dielli i përkasin vitit 1910, pra më 29 prill, në numrin e 57, Kënga e Abecesë prej Ali Maksutit që demaskon propagandën për të shkruar gjuhën shqipe me alfabetin arab dhe vjersha kushtim Shoqërisë «Mbarësi» të Luarasit prej Spiro Nini Luarsait. Në një shënim të Faik Konicës thuhet: DIELLI tha që në krye se nuk boton vjersha, dhe s’ka botuar gjer më sot. Po me që u dhamë fjalë ca pajtimtarëve, dalim nga regulla një herë dhe botojmë dy copë, të cilat kanë tri të mira që na i porositnë: 1) Flasin për të ngjara të ditës, dhe të tila vjersha boton ç’do gazetë politike (Frënq’ i quajnë këto les pièces de circonstance); 2) Janë të shkurta; 3) Kanë masë të dreqtë. Në marçim edhe të tjera vjersha që i mbushin këto të tri pika, ndofta munt të dalim prapë jashtë regullës.
Gjatë këtij viti do të botohen dy vjersha të tjera me frymë romantike, një nga këto është një vjershë portret që i kushtohet Faik Konicës.
Më 1912 botohet Kushtrimi – Ora e Shqypniis nga poeti kombëtar Gjergj Fishta, një vjershë profetike dhe Kryengritja e Shqypniis prej Kambardhit (pseudonim i Risto Siliqit).
Vjersha e Fan S. Nolit Thomsoni dhe kuçedra do të botohet më 1915, si dhe vjershat e Ramiz Harxhit me pseudonimet Dullga dhe Top’ i Dullgës, Loni Logori, Kristo Floqi, Asdreni, Murat Toptani etj. Me ardhjen e Faik Konicës në Boston më 1921 gazeta Dielli bëhet vërtet një gazetë serioze dhe me një rëndësi të veçantë për letërsinë.
Derisa në kolonitë e tjera shqiptare do të vijnë duke u zvogëluar gjithënjë e më dukshëm numri i gazetave e i revistave, saqë edhe do të pushojnë fare, gazeta Dielli do të jetë e hapur për të rinjtë shqiptarë që studiojnë në Evropë : Lasgush Poradeci, Eqrem Çabej, Odise Paskali, Lame Kodra, Llambi Gjergo, arbëreshi Agostine Ribecco e të tjerë e, që do t’i botojnë krijimet e tyre poetike.
Një zë i veçantë në satirë është, pa dyshim, Merko Koroni. Është poet me dhunti krijuese, veçse i pa vënë re nga kritika letrare. Pothuajse të gjithë vjershat e tij janë të botuara në faqet e gazetës Dielli.
Një nga tingëllimat më të mira në letërsinë shqipe është Helena e Trojës i Faik Konicës. E shkruar më 1916 dhe e botuar më 1937, kur e shkroi ishte 41 vjeç e jo siç pohon Jup Kastrati 61 vjeç (Jup Kastrati: Faik Konica, New York, 1995, f. 426).
Në tingëllim tjetër i Faik Konicës është shkruar me 3 qershor 1938, me titullin Diplomati e, që ka satirë, sarkazmë, ironi dhe tallje.
Në vitet ’40 ribotohen vjershat e Fan S. Nolit: Hymni i flamurit, Anës lumenjve të Babilonisë, Kënga e Kirenarit, Krishti me Kamçikun, Moisiu në mal, Rent, or Marathonomak, Shën Pjetri në Mangall si dhe krijimet e reja poetike Plak topall, dhe ashik dhe Sofokliu dhe Ferid Asllani nën pseudonimin Bajram Domsdova.
Në vitet 50 shquhen Constantina Christ dhe Stefan Thanasi. Ky i fundit s’ka shkruar shumë gjithsej 8 vjersha, por kjo s’do të thotë se nuk është poet. Në historinë e letërsisë përmenden si vjershtorë që kanë shkruar vetëm dy-tri vjersha, dhe nuk përmend fare të tjerë që kanë shkruar me qindra. Thuhet se, ka pasur vjershëtor që është pranuar si anëtarë në Akademinë Frënge vetëm për një vjershë, për një tingëllim, por ama të përsosur.
Stefan Thanasi i larguar nga Shqipëria para apo gjatë Luftës së Dytë Botërore në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, sigurisht si emigrant ekonomik, siç ishin pothuajse shumica dërmuese e Shqipërisë së Jugut ai do të shkruajë një nga vjershat më emocionuese për nënën me titullin Mëmës t’ime. Në të gjejmë gëzimin, hidhërimin dhe frikën e nënës për birin e saj që nga ditët e djepit e deri në ditët e mërgimit:
…Bir or bir i nënës, ti po më largohesh
Oh! buzët më dridhen, zëmra më coptohet
apo porosia e nënës:
Pa ty, bir i nënës, mbetem si e mjerë,
Mos harro të kthehesh, të të shoh dhe nj’ herë.
Kurse në vargjet pasuese poeti shpreh sesa e domosdoshme është prania e nënës në lumturinë e njeriut dhe sa e dhimbshme është mungesa e saj:
Malli më ka marë, mëma im’ e dashur,
Gjatë kësaj kohe si nuk paskam plasur?
Malli i nënës ishte plagë e hapur për një pjesë të madhe të shqiptarëve në Amerikë. Jo vetëm për ata emigrantë ekonomikë, por edhe për ata refugjatët politikë. Për këta të fundit edhe më keq, sepse nënat e tyre do ta kalojnë jetën në internime.
Shqiptarët e Amerikës deri para ardhjes së komunistëve në pushtet kishin lidhje pronësore me atdheun, por me mbylljen e Shqipërisë ata i shkëputën të gjitha lidhjet pronësore, ashtu sikur arbëreshët dikur, sado jo edhe lidhjet shpirtërore.
Në vitet 60 dhe 70 botohen poezitë e Fan S. Nolit, Arshi Pipës, Vex-it, Bardhit, Demo Labit, Agron Himariotit, Nick Kreshpanit, Bilal Xhaferit (i cili e lufton tiraninë komuniste), Nexhat Peshkëpia etj.
E rëndësishme është gazeta Dielli edhe se i përket botimit të poezive në dorëshkrim të Faik Konicës (gjithsej 5, Drit’ e shpirtit tim, Fitova moj zëmbër, Një të dashur kush ka gjetur prej tyre dy janë në anglishte In memory of a young girl dhe To a revolutionary leader) dhe të Andon Zako Çajupit (gjithsej dy Hymni kombëtar, Faik Konica dhe një variant Hymni shqiptar). Ky i fundit do të shkruaj një himn, ashtu siç shkruanin pothuajse shumica e poetëve të Rilindjes Kombëtare. Ia dërgon për botim gazetës Dielli miku dhe bashkëfshatari i tij Sofakli Çapi. Vjersha Hymni kombëtar është e panjohur për lexuesit dhe studiuesit e Çajupit. Nuk është përfshirë në veprat e tij as në Prishtinë, e së fundi (në përgatitje të Jorgo Bulës) as në Tiranë.
E shkruar ndoshta më 1913-1914, të njëjtën kohë me vjershën Mbretit të Shqipërisë që është botuar në revistën Zgjimi të Korçës (1914, nr. 5, f. 232-235) ku thuhet:
Mos u gëzo, moj Janinë,
Sot për sot jemi të ndarë;
Po Shqiptarët do vinë
Se s’lënë gjaknë pa marrë.
Në vjershën Hymni kombetar Andon Zako Çajupi do të përkujtojë se kufijtë e 1913-ës kanë lënë jashtë shtetit shqiptar gjysmën e trojeve etnike:
Zot, kufit’ e Shqipërisë
Nukë janë tek u-shtuan,
Se armiqt’ e drejtësisë
Shumë vise zotuan.
Po me pahir nuk mbahen
Se nga Shqipëria s’ndahen;
Kur të vemi t’i shpëtojmë
Si dragonj do të luftojmë!
apo në vargjet pasuese:
Një meleun shqipëtarë
Sot ndënë zgjedhë rënkojnë,
Dhe na presin duke qarë,
T’u-vemi, që të shpëtojnë.
ndërsa për fqinjët tanë thotë:
Sot gjitonët s’na nderojnë
Shtiren sikur s’na peshojnë,
Po një ditë, çpejt a vonë,
Kur t’u-vemi, do të shonë!
dhe në fund jep kushtrimin:
Si lum’ i Vardarit
Gjaku le të rrjedhë!
Zverk’ i shqiptarit
Nuk duron zgjedhë.
Sa i përket prozës do të ndalem shkurtimisht në prozën e Faik Konicës. Proza E bija e mbretit edhe trëndafijtë «Dielli», 1910, 4 shkurt, nr. 45, f. 1, pastaj prozën historike Jeta e Skënder Beut. Jup Kastrati pohon se është shkruar nga 8 gushti 1912 deri më 17 nëntor 1918 (Kastrati 1995). I të njëjtit mendim është edhe Nasho Jorgaqi (Konica, vepra V, 2001, f. 434). Ky është një shembull se si marrin të dhënat nga fjalët e të tjerëve, pa i parë shkrimet origjinale. Në të vërtetë është botuar në nëntë vazhdime nga 8 gushti – 17 tetor 1912. Dielli», Boston Mass, 1912, 8 gusht, nr. 161, f. 2, 3; 15 gusht, nr. 162, f. 2, 3; 22 gusht, nr. 163, f. 2, 3; 29 gusht, nr. 164, f. 2, 3; 5 vieshtë [shtator], nr. 165, f. 2, 3; 12 vieshtë [shtator], nr 166, f. 2; 19 vieshtë [shtator], nr. 167, f. 2; 26 vieshtë [shtator], nr. 168, f. 2; 17 vieshtë II [tetor], nr. 171, f. 2. Tregimi Katër pralla nga Zullulandi, prej të cilave është botuar vetëm një me titullin Një ambasadë e Zulluve në Paris (11 mars 1922), ndonëse tregim për një popull tjetër, në të vërtetë ka të bëjë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kurse proza ese Shqipëra si u-duk është një vepër që duhet të lexohet dhe të rilexohet, sepse është shumë aktuale. Faik Konica kishte ndërmend të shkruante mbi zotrit e çifligjeve, dhe mbi ata njerës që i vënë rëndësi më tepër diplomës se sa zotësisë së njohurive.
Në Dielli janë botuar nga letërsia botërore romanet: Myshteret e Parisit (1920) prej Eugene Sue, i përkthyer prej Andon Frashërit; Kapedani i Jeniçerëve ose Skënderbeu (1922-1923) prej James M. Ludlow, i përkthyer prej A[ndon] S. Frashërit; Arthyr Gordon Pym (1923-1924) prej Edgar Allan Poit; Bota me 2000 A.D.(1930) prej Edward Ballamy, i përkthyer prej Aqile Tasit kurse nga letërsia shqipe dy romanet e Foqion Postolit Për mprojtjen e atdheut dhe Lulja e kujtimit; romani i Faik Konicës Dr. Gjëlpëra zbulon rënjet e dramës së Mamurrasit (1924) si dhe fragmente të romanit Ra Berati (1971) të Bilal Xhaferit.
Sa i përket dramaturgjisë është botuar më 1911-1912 drama Fe dhe kombësi prej Kristo Floqit, dramë me 4 akte dhe 4 pamje; XOXA, ZOI M.: Kurora shqiptare (1923) prej Zoi M. Xoxa, dramë me pesë akte, Tri njolla të mërgimit (1935) prej Nelo Drizari, dramë me një punë dhe një pamje. Ëndrat e punëmirës dhe shpresat e shoshës (1935) prej Hito Sadikut, si dhe Për mbrojtjen e atdheut (1957-1958) prej Peter R. Priftit. Dramë me tre akte. (Bazuar në novelën “Për mprojtjen e atdheut” prej F. Postolit). Komeditë Tregëtari i Vlorës(1909-1910) prej Chamfortit, komedi në një akt dhe në prozë. E adaptoj shqip Faik be’ Konitsa; Martesa me pahir (1910) prej Molierit, komedi në një akt dhe në prozë. E adaptoj shqip F. S. N.; Dhëndër me pahir dhe Merre t’a marrim (1912) prej K. Floqit, komedi me një pamje.
Pra siç shihet në gazetën Dielli botohen veprat e krijuesve më të shquar të saj, si Faik Konica dhe Fan S. Noli e që kanë një ndikim të madh në letërsinë shqipe.
Në fund do të doja të përfundoj duke përmendur dialogun e Fan S. Nolit me një minstër të qeverisë komuniste për dërgimin e trupit të Faik Konicës në Shqipëri: «Dërgojeni po deshtë, po trupi i tij do të dalë përpara Gjykatores së Popullit që të gjykohet në bëri mirë apo keq për Shqipërinë» thotë ministri dhe përgjigjia e Fan S. Nolit: «Po, zoti ministër, i vdekuri s’ka gojë që të mbrojë veten përpara gjykatores!»
*Kumtesë e mbajtur me rastin e 100 vjetorit të gazetës Dielli, qershor 2009
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment