Illyria është një emër i vjetër që na bashkon ne gjithë Shqiptarët siç shprehet i Madhi At Gjergj Fishta
në fillim të shekullit XX:
Po, por nesër, me ndihmë t’Zotit,
Do ta bajmë prap Shqipni t’lirë
Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,
Prej Tivari në Manastir,
Edhe flamuri Shqipnisë
Si flakë mnijet e Perëndisë
Do t’valvitet në Kaçanik.
Do ta bajmë prap Shqipni t’lirë
Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,
Prej Tivari në Manastir,
Edhe flamuri Shqipnisë
Si flakë mnijet e Perëndisë
Do t’valvitet në Kaçanik.
Dhe vërtetë atdhetari Hajdar “Harry” Bajraktari, para 20 vjetësh i dha këtë emër simbol domethënës gazetes që themeloi. Sot, mbasi festuam 20 vjetorin e themelimit, e kuptoj plotësisht se kjo gazetë shqiptare këtu në NY, nëpërmjet gazetarëve të sotëm z.Ruben Avxhiu së bashku me z.Dalip Greca , që rindezi para disa kohësh DIELLIN dhe të kudo ndodhurin z. Beqir Sina, po paraqet me paanshmëri situatën në të gjitha trojet që këndon Gj.Fishta.
Në çdo numër te sajë do gjesh shkrime,reportazhe dhe artikuj nga të gjitha trojet shqiptare me anët e mira dhe negative, me sukseset dhe dështimet, me përpjekjet për një të ardhme më të sigurtë e mirëqenie më të mirë të shqiptarëve kudo që ndodhen edhe në diasporë.
Ju lutem, mos ma merni për të keq, por mua si Shqiptar, mu mbush zemra me lotë e krenari njëkohësisht, midis brengut dhe mallit për Çamërinë ku kam lindur, kur fillova të lexoj nr. 2063, të dt. 28 Qershor. Në editorialin Për Çamërinë, z. R.Avxhiu, me shumë kurajo, mënçuri dhe
atdhetarizëm, nënvizon:“ Nëse Greqia mendon se e ka mbyllur punën e Çamërisë ngaqë ka trembur e nënshtruar politikanët e të gjitha ngjyrave në Tiranë, ajo gabohet rëndë. Kapaku i asaj tragjedie historike, sapo është ngritur dhe era e rëndë e krimit shumë shpejt do të dalë jashtë kontrollit.. Me mjete publike, botime, dëshmi, lobime, padi legale, marshime përkujtimore etj. Çamët dhe Shqiptarët e shumë trojeve, feve e prejardhjeve po ringjallin kujtimin e viktimave”.
Ne që kemi lindur në Çamëri dhe kemi fatin të kalojmë pleqërinë në këtë vend të madh të demokracisë, atdheu i tretë mbas Shqipërisë, megjithëse pak me vonesë, vitet e fundit jemi riorganizuar në Organizatën Shqiptaro Amerikanët nga Çamëria. Me propozimin e më të vjetërve si z. S.Rojba, z. R.Bebo e tj., kemi zgjedhur në krye të kësaj organizate djem e vajza të reja, të frymëzuar me dashuri dhe krenari për vatanin e prindërve dhe gjyshërve, të edukuar e shkolluarnë institucionet amerikane, në bashkëpunim e bashkëveprim me vëllezërit dhe motrat e tjerë shqiptarë, do të krijojnë lidhje e lobime me personalitete amerikane, për ta vënë në rrugën e zgjidhjes Problemin Çam. Përpjekje të tilla bashkë me Shoqërinë Çamëria dhe me PDIU në Tiranë do ta bëjnë të mundur njohjen, kuptimin dhe zgjidhjen konformë ligjeve ndërkombëtare në fuqi.
Fatëkeqësinë më të madhe e pësoi Camëria më 1913, kur në sajë të politikës antishqiptare të fuqive të Europës se atëhershme ,me gjithë luftën e zhvilluar nga atdhetarët çamë, mbeti jetime, pa nënë. Megjithë përpjekjet konseguente të atdhetarëve dhe Qeverisë Shqiptare, në kohën e Mbretit Zog si brenda ashtu edhe në forumet nderkombetare; mbas luftës e fatëkeqësisht edhe sot, ashtu siç thekson mësipër edhe gazetari atdhetar R.Avxhiu, Çamëria mbetet prapë jetime;
sepse Greqia “mike strategjike” e politikanëve të nënshtruar dhe të trembur të Tiranës, me mohimin e Çamërisë Shqiptare, i shtron qilimin e kuq vehtes, për realizimin e qëllimit shovinist të “megalidesë” për të ashtuquajtur fantazëm “vorioepir”
Jo se ne çamët jemi ndryshe nga shqiptarët e tjerë, shenja më qartë për kombësinë -gjuha ose gluha në dialektin çam është dialekti më i vjetër i mbijetuar edhe sot në arbëreshët e Italisë dhe në mbi 3 milion arvanitasit që fatkeqësisht sot i quajnë te “greqëzuar” Por edhe veshjet si kësula e bardhë, pavarësisht formës, mbetet një nga shenjat me karakteristike të Shqiptarizmës.
Trimëria dhe Dija nuk i janë ndarë shqiptarit.Së bashku me Besën e Bujarinë, Çami është dalluar edhe për dashurinë dhe respektin për punën. Edhe kur i rrëmbyen pasurinë dhe tokat autoritetet greke, Çami vazhdoi të punojë që fëmijët e tij të mos kthehen kurrë në lypësa.
Dhe ky respekt e këmbëngulja në punë duket qartë edhe në një familje karakteristike )çame që pasqyrohet bukur në fq 28-29 me shkrimin e z. Julia Gjika me titull: Një ishull Çam në Dueville të Italisë”. z. J.Gjika na përshkruan me detaje peripecitë e jetës të një familje çame, persekutuar nga shovinstat grekë nga 1925-1944, nëpërkëmbur nga komunizmi enverian shqiptar 1945-1990 dhe ringjalljen në ditët e sotme në Itali. Këtu fillon me mikëpritjen karakteristike çame. Njohja ka nisur më 1979, kur babai i pesë djemve, i paharruari B.Beqiri, jetonte në Shkallnur të Durrësit dhe shkonte në këmbë për të punuar në port, dhe vazhdon ende sot në Itali. Veçse këtu nuk punon asnjë në punë krahu dhe nuk jeton asnjë në shtëpinë e ngritur me purteka. Të gjithë djemtë bashkë me nuset e fëmijtë e tyre, mbasi kanë përfunduar studimet e larta punojnë si ingjinera aeronautike, mjekësi pedagogë fizike, arqitekt e pronarë restaurantesh deri në Gjermani dhe jetojnë në pallate tre katshe të tyre.
Dhe gazeta Illyria që nga faqja e parë udhëzon se në faqet 24-25, Shqiptaret e NY dhe Njy Xhersit, përkujtuan me dhëmbshuri 27 Qershorin -Ditën e Genocidit Grek ndaj Shqiptarëve të Çamërisë .Këtu e vlen për të shtuar se edhe në Detroit, Çikago, Filadelfia e Nju Xhersi, Çamët bashkë me shqiptarët nga të gjitha trojet, nën organizimin e degëve të Organizatës Shqiptaro Amerikanët nga Çamëria u mblodhën dhe përkujtuan kete ditë të Paharrueshme.
Në Shqipërinë Nënë u organizuan shumë manifestime paqësore, kuptimplota për ata që duan ti kuptojnë hallet e Çamërisë Martire. Marshimin vjetor në Qafë Botë-kufirin anti ligjor që ndan Çamërinë nga trojet e tjera Shqiptare, të organizuar e drejtuar nga Shoqata Çamëria dhe PDIU, sivjet e nderoi edhe pjesëmarja e delegacioni të VATRES së Shqiptarizmës, që gjatë 100 vjetëve të sajë , nuk e ka harruar Çamërinë.
Por keto manifestime paqesore pe respekt të të Drejtave Elementare të Njeriut të njohura ndërkombëtarisht, Greqia e pocaqisur, e mbajtur nga ato fuqitë europiane që e krijuan artificialisht para 150 vjetësh, nuk i pranon, megjithëse nuk ka as fuqi të qëndroi në këmbë sot, duke ju lutur ayre që ende nuk i kuptojnë padrejtësitë e shkuara?!
Dhe shëmtimi më i madh i sajë qëndron në faktin se këthen mbrapsht në kufi, ata shqiptarë çamë që kanë lindur në shtëpiat e tyre atje, të dëbuar kur ishin ende 3-4 muaj dhe sot janë 67 vjeçarë. Dhe motivi që i shkruajnë për moslejimin:”qenkan të rrezikshëm për sigurimin ne zonën e Shengenit të Europës”??!!
Ndërsa vjet në shtator, me “këtë 67 vjeçar” u mallëngjyem pamasë kur një shqiptare e krishterë në Pargë, Vasilika, mbante mend se si shoqja e sajë ngushtë Qamileja, qante kur kujtonte të vellain e vrarë nga grekët shovinista më 1944 dhe kishte lënë gjallë një fëmijë 3 muajsh. Ky pra 3 muajsh, që vjet qau bashkë me Vasilikën për tmerrin që ka hequr, sivjet u bëka i rrezikshëm për BE??!! Ky, Dr. Tahsin Demi, i shumë nderuar dhe i ftuar për referime shkencore në të gjitha vendet e Europës!!
Qëndrime të tilla mesjetare janë jo vetëm pakuptim, por bëhen edhe më acarruese kur një rrugaç, palodiplomat grek ulërin në mes të Shqipërisë se Korça është vorioepir, prandaj korçarët duhet të rregjistrohen si grekë, dhe ay nuk kapet për xhele e të shporret jashtë, por organet shqiptare heshtin me paturpësi dhe me mungesë të plotë dinjiteti, heshtin përsëri kur një qytetar shqiptar me të drejtën e vizave shengen(që kakariset qeveria shqiptare), nuk u lejoka te hyj në Greqi ku ka lindur, jo për faj të tijë!!
Nuk më mbetet tjetër, veçse po kujtoj se çfarë është shkruajtur, para disa vitesh, nga analisti i Problemeve Ballkanike, njohës i shkëlqyer i Ballkanit, Prof. James Petifer, në një Studim të Institutit të Krizave pranë Ministrisë së Mbrojtjes Britanike. Midis të tjerave nënvizon:
“.... është më mirë të studjohet një problem kur ka ende mundësi për zgjidhje reformatore paqësore, sesa të presësh deri sa të ketë një konflikt fizik, pastaj duhet të mendosh për planet ushtarake e shumë gjëra të tjera. Dhe sidomos nga pikëpamja ushtarake, një konflikt mbi Çamërinë mund të jetë shumë serioz, pasi është në brigjet e Adriatikut, është pranë Korfuzit që është pjesë e rëndêsishme e ekonomisë greke, një ishull strategjik, dhe sipas disa ekspertave, është një luftë e lehtë për tu zhvilluar. Kjo sepse zona e Çamërisë është shumë e egër si territor dhe do ishte mjaftë e lehtë për grupe të vogla personash të operojnë aty dhe në të kundërt do të ishte shumë e vështirë për operacione ushtarako policore. Vetëm një shenjë e vogël trazirash në Korfuz, do të kishte efekt drastik për industrinë e turizmit në Greqi. Këto janë disa nga arësyet pse një konflikt në Çamëri do të ishte shumë i rrezikshëm dhe i vështirë për tu
kontrolluar.”
S.Bollati,
New York, 2 Korrik 2011
No comments:
Post a Comment