Pasditeve në Skelë, Vlorë, dera e pasme e një taksie rri hapur dhe në sedile duket një burrë, i zhytur në lojën me violinë. Nuk është klient. Është taksisti yt.
Bexhet Serjani është 47 vjeç, familjar, babai i dy fëmijëve. Ka vite që ushqen familjen me taksinë e vet, dhe shpirtin me ëmbëlsinë e tingujve të violinës.
Nuk është profesionist. Nuk di të shkruajë madje asnjë notë muzike, por kjo nuk e pengon të luajë me violinën e tij, Ndoshta taksia me violinën nuk kanë asnjë lidhje, por ato bashkëjetojnë në mënyrë perfekte në mjetin që gjithmonë parkohet në Skelë, në pritje të klientit të radhës.
-Ke bërë shkollë për violinë?
Jo, asnjëherë. Nuk i njoh notat. Vetëm veshi i kap. Ku kishte shkollë për ne atëherë. Isha vetë i pestë fëmijë dhe punoja në transport në frutore. Gjeta dhe violinë, por më pas, gjatë kohës që isha ushtar mu thye violina. Lekë nuk kisha ta blija më. Më piku ajo violinë. Për 20 vjet nuk kapa violinë me dorë.
-Si ju rikthyet pasionit?
Sa më shumë kohë kalonin, aq më tepër mendoja për të. Kam tre vjet tani që e kam blerë violinën. Kjo që zgjodha, është e ëmbël, ka volum. Tani riushtrohem. Por nuk është e lehtë. Mosha nuk të ndihmon shumë.
-Keni tjetër familjar që ka lidhje me muzikën?
Në shtëpinë time asnjë.
-Si reagojnë klientët kur ju shohin me violinë?
Ka që e kanë vendosur se “do të shkojmë tek violinist”. Ka të tjerë që thonë “ e ke në terezi ti vëlla” dhe shkojnë tek taksia tjetër. Por kjo smë pengon që të vazhdoj të mbaj në taksi violinën time.
-Ju ka qëlluar që pasi keni shërbyer me taksi, t’ju kërkojnë ti bini violinës?
Po më ka ndodhur. Madje jo një herë. Para një jave ishte një rus. Unë nuk njoh pjesë ruse, por luajta “violinën cigane” e më dha 20 euro. Një herë tjetër luajta për një grek një orkestrale çame, të shtruar. Ata janë qejflinj, i shijoi shumë. dhe me pagoi. Kam patur raste, si jo, pasi ka njerëz që nuk janë të pandjeshëm ndaj violinës.
-Nëse mund ta quajmë repertor, cfarë pjesësh ke në të?
Kryesisht pjesët “çamiko”. Më pëlqen muzika e shtruar, luaj dhe pjesë tiranase, por gjithmonë tek popullorja.
-Nëse do të detyronin, mes violinës dhe taksisë, kë do të zgjidhje?
Violinën. Si taksist kam gati 19 vjet, por violina më është lidhur me shpirtin. Do punoja ndonjë roje, se punë tjetër unë s’di të bëj veç kësaj që kam, por kohë do të gjeja për violinën…
Bexhet Serjani
Mosha 47 vjeç
Arsimi 8 vjeçar
Jeta:
I martuar me dy fëmijë. Është i vetëpunësuar prej 19 vitesh si taksist. Është e vetmja punë që di të bëjë… përveç rënies së violinës. Violinën e ka mësuar që në moshë të vogël, por mundësitë financiare nuk e kanë lejuar të blejë violinë. Violina e parë nuk pati jetë të gjatë. Instrumentin e e tanishëm e ka blerë para 3 vjetësh.
“Ne çamërit i kemi preferuar shumë sazet në gëzime familjare dhe në dasma merrnin gjithmonë orkestra ku ishte e pranishme violina. Gjithmonë më ka tërhequr, më ngjasonte me bilbilin. I vogël, u shkoja pas sazexhinjve. Kudo që të ishin, në Kumë, në Lirim, unë u qepesha pas, edhe pse im atë më rrihte atëhere, pse shkoja pas njerëzve me ngjyrë. Në Llonxhë shkoja tek një Adren, që më mësoi edhe violinën. Isha 16 vjeç”
“Kam edhe tre shokë të tjerë me vegla. Më pëlqen të luaj në shoqërinë e gërnetës, viloina e ndjej se shkon mirë me të Ndodh që u marrim leje në ndonjë lokal, të shoqërojmë me muzikë. Më ka ndodhur që të kalojnë këtu shkollarë që studiojnë muzikë e i kanë rënë violinës sime. Ata kanë repertor tjetër dhe të pasur, por më kanë përgëzuar për muzikën që bëj”
Gazeta Shekulli
No comments:
Post a Comment