March 7, 2012

Thirrje

Të nderuar vëllezër e motra shqiptare,

1912 është viti i krijimit të shtetit shqiptar por politikat europiane për të kënaqur shovinistat fqinj të Shqipërisë, pjesën më të madhe të popullsisë dhe trojeve shqiptare si Kosovën, Çamërinë, Krahinat Shqiptare në Maqedoni dhe ato në Mal te Zi, megjithëse të banuara nga Shqiptarë që nga lashtësia, ia lanë jashtë mikroshtetit shqiptar të porsaformuar.

Në fund të shekullit 20, lufta dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri, duke pasur dhe mbështetje veçanërisht të SHBA, u kurorëzuan me krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, me njohjen dhe pjesëmarjen në qeverisje të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi.

E vetmja krahinë shqiptare, Çamëria, në sajë të politikës shoviniste mesjetare greke, fatkeqësisht edhe si pasojë e politikave jokombëtare të qeverive të Tiranës dhe përpjekjeve të pamjaftueshme të vetë komunitetit Çam, të mbetur brenda ose te shpërngulur me dhunë nga Greqia, ka mbetur si “e mënjanuar”.

Ne si organizatë jo-qeveritare e krijuar dhe miratuar konform ligjeve të SHBA, duke ndjekur rrugën atdhetare të VATRË-s 100-vjeçare dhe organizatave të tjera si LQSHA, KKSHA, i kemi vënë vehtes si detyrë që krahas ruajtjes se traditave e gjuhës amtare, nëpërmjet edukimit te brezit të ri dhe krenarisë së të qenit gjithashtu shtetas Amerikanë të punojmë që të drejtat e mohuara për shqiptarët çamë të të dy besimeve e veçanërisht për shqiptarët çamë të masakruar e të përzënë me dhunë nga trojet tona mijëravjeçare, të njihen e të zbatohen në përputhje me gjithë legjislacionet ndërkombëtare në fuqi.

Këtu, mendojmë se duhet nënvizuar qëndrimi i atdhetarëve çamë për Çështjen Kombëtare Shqiptare. I nderuari Rasih Dino, më 1918 i drejtohet Presidentit Wilson në një memorandum: “Vetëm ndërhyrja e ushtrisë Amerikane do ti shpëtojë vëllezërit tanë Kosovarë nga vrasjet dhe masakrat e serbëve!” Dhe Presidenti Amerikan, krahas vendosmërisë së tijë në mbështetje të shtetit shqiptar në konferencen e paqes; ia la “trashëgim” Presidentit Klinton të ndërhyje ushtarakisht për shpëtimin e Kosovës më 1999, dhe Presidentit Bush të deklarojë KOSOVËN E PAVARUR MË 2008!

100 vjetori i pavarësisë së shtetit të cunguar shqiptar na gjen shqiptarët e Çamërisë të veçuar dhe të mënjanuar nga shteti shqiptar amë ku çështja çame as nuk ekziston në listën e përparësive të diplomacisë. Në departamentin e shtetit amerikan ekzistojnë programe dhe instrumente ligjore që mundësojnë zgjidhjet e kërkesave të Shqiptaro-amerikanëve nga Çamëria. Gjithë populli shqiptar e di se plaga e popullsisë çame kullon ende gjak dhe se kjo plagë kërkon shërim. Si përgjigje ndaj shtetit grek i cili sapo u njohu të drejtën e nënshtetësisë ish-shtetasve hebrenj të përzënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Organizata ka marrë përsipër një fushatë të gjërë të cështjes së genocidit, restaurimin e dinjitetit, dhe aplikimin e drejtësisë në cështjen kombëtare të Çamërisë.

Vëllezër e motra të çdo krahine Shqiptare, ju drejtohemi sot për ndihmë mbështetëse si në kuadrin ligjor, njohjen e Problemit Çam si problem mbarëkombëtar Shqiptar, por edhe nga ana financiare për të organizuar seminarë e takime nëpërmjet shfaqjeve artistike me çamët e besimit kristjan në Çamëri, gjithashtu edhe me botime dhe konferenca ndërkombëtare këtu në SHBA.

Si mund të ndihmojmë?
  • Bëhuni anëtarë dhe kontriboni kohën, talentet dhe energjitë tuaja në cilindo nivel që keni mundësi
  • Mirëpresim çdo ndihmë dhe sponsorizim financiar për organizime kulturore e artistike
  • Kemi nevojë për vullnetarë dhe aktivistë që të na ndihmojnë me prezantimin e organizatës në shtete të ndryshme për përhapjen e mesazhit në institucionet e arsimit për shkeljet e të drejtave të njeriut
  • Përfaqësim i bashkësisë shqiptare në Departamentin e Shtetit amerikan për çështjet kombëtare

Adresa Postare:                   Albanian American Organization Chameria
                                           PO BOX 56647
                                           Chicago, IL 60656
Email:                                  chameriaorganization@gmail.com

Numri i Llogarisë Bankare:   Bank of America # 291004401809


Anëtarësimi:                          http://www.scribd.com/doc/84303102/AAOC-Application-2012

Misioni i Organizatës Shqiptaro-Amerikane Çamëria është që të promovojë dhe të ruajë trashëgiminë kulturore, historike, dhe etnike të shqiptaro-amerikanëve nga Çamëria që kërkojnë drejtësinë përmes standardeve demokratike amerikane për kthimin e pronave të tyre dhe rivendosjen e tyre në Çamëri. AAOC është e vendosur në promovimin drejtësisë dhe riafirmimin e të drejtave themelore të njeriut, në dinjitetin dhe vlerën e njerëzimit, duke bashkuar forcat tona për të praktikuar tolerancën dhe për të arritur një zgjidhje paqësore të çështjes së Çamërisë.

Me respekt,
 
Albanian American Organization Chameria

No comments:

Post a Comment