ÇAMËT
Në tërësi për çamët kam respekt dhe veçanërisht për një pjesë të tyre që u vendosën në Vlorë. Me ata na lidhi puna dhe jeta e përditshme. Kanë qarkulluar mendime dhe përshtypje nga më kunërshtueset, si “çam i pabesë”, “çami më i mirë në Shesh të Flamurit”, demek aty duhet të varet; por nga ana tjetër “besa e provuar e çamit”, “besnikun më të madh Ali Pashai e kishte çam” etj.
Ndonjë i shan çamët si mbartës të veseve, të intrigave apo pabesive, nxitës të ryshfetit dhe allishverisheve të pamoralshme. Dhe këto i argumentojnë me raste konkrete. Unë them se nuk përjashtohen rastet, madje, edhe për krahina të tjera, brenda dhe jashtë vendit tonë, gjenden gjithandej plot raste skandaloze. Mos harrojmë për çamët kushtet e tyre të banimit e të jetesës, rrethuar me të huaj, që i kanë larguar dhe përbuzur ndër vite, duke i lënë, shumicën e tyre, të pashkolluar, të shtypur e të ndrydhur nën trysni.
Por nuk mund t’u mohohen atyre virtytet e larta të edukatës familjare, qëndrimi i moralshëm dhe dëshira e madhe për të kryer, pa qibër, çfarëdolloj pune, deri në ato më të rëndomtat dhe më të rëndat.
Të panënshtruar dhe shqiptarë të mirë, çamët lanë shtëpi e pasuri dhe u hodhën në Shqipërinë mëmë, në ëndrrën e tyre të hershme. Në dhe të tyre ata ishin të pafuqishëm për të mbrojtur veten, gratë dhe fëmijët. Nga grekët, fqinjë shekullorë, çamët u përndoqën, me egërsi e barbarizëm, në atë pabarazi të madhe forcash dhe mjetesh. Ata ngelën pa asnjë ndihmë e përkrahje, qoftë dhe nga shteti amë, gjithnjë i preokupuar me probleme të tjera të kohës. Me bagëtitë e tyre dhe ato pak mjete financiare që dispononin, po me dashuri të madhe për Gjuhën shqipe, Atdheun e shumëkërkuar dhe për punën, ata erdhën në Shqipërinë e varfër dhe të shkatërruar nga lufta, përballuan plot vështirësi, por të paktën u vunë, pa dallim, në kushte të njëjta me vendësit, si të gjithë bashkëkombësit e tyre.
Unë qysh në fëmijëri u njoha me shumë çamë të mirë. Në shtëpinë tonë shumëdhomëshe në Skelë të Vlorës u strehuan dy familje të mëdha fisnike çamësh: Hamitajt e Arvenicës dhe Habilajt e Skopjonës, me të cilët kishim njohje shumë të hershme. Diku aty afër u vendos dhe një nga shokët e mi të fëmijërisë, Mersin Zeneli dhe më tej të shpërngulur nga Arpica, Gumenica, Vola, Paramithia, Grikohori etj. Kështu më pas u njohëm, më pas, me djalin e lagjes, matematikanin Abedin Elmazi dhe vëllezërit e tij të mirë, me dentistin gojëmbël Abdulla Iljazi, me mjekun e shquar Remzi Suljoti dhe prindërit e tij të mrekullueshëm, me financierët Osman Rexho, Sulo Sulejmani, Mustafa Suljoti, Namik Veipi, me shoferin buzagaz e dashamirës Saqe Gera, me fotografin historian Skënder Beqiri dhe vëllezërit e motrat e tij të mira, me inxhinierin e talentuar, që arriti të bëhej deri prefekt, Esat Hasani, me shokët e mi të vjetër e të pahar! ruar Ali Hoxha dhe Emin Sejko.
Ne Fermën e Llakatundit u njoha me çamin Jakup Sulejmani dhe vëllezërit e tij. Xha Jakupi ishte magazinier në depon qendrore të ndërmarrjes, ndaj me të unë kisha lidhje të përditshme pune, çka më bëri ta njoh më nga afër. Fare i bindur them se Jakupi ishte përsosmëria e një njeriu të mirë dhe të ndershëm. Unë vija re se nga shumë anë të Durrësit, Fierit dhe Vlorës, ku kishte përqendrime çamësh, vinin pothuajse çdo ditë miq dhe të njohur të tij për t’i kërkuar këshilla e mendime për krushqi, ndarje paqësore apo për zgjidhje grindjesh e mosmarrëveshjesh. Për çdo rast gjendej një zgjidhje oportune dhe e mençur. Pajtonte sherre e gjaqe, lidhte krushqi dhe gjente deri burime financiare dhe ndihma morale, materiale e fizike, për të kapërcyer vështirësi të përkohshme. Dhe të gjitha këto pa përfitimin më të vogël material. Jakup Sulejmani, që kishte marrë pjesë me armë në dorë në luftë për mbrojtjen e vatrave fa! miljare, kishte ndier në kurriz të tij padrejtësi shtetërore dhe shoqërore, kishte parë me sytë e tij egërsinë dhe dhunën e ushtruar ndaj bashkëkrahinarëve të tij, nuk pranonte as dhuratën më simbolike materiale, përveç urimeve dhe falënderimeve shoqërore.
Ishte atje në Llakatund edhe çami Nail, që punonte e hapte kanale drenazhimi. Ai me një bel special 50 centimetra të gjatë bënte çdo ditë 5 norma pune, gati sa një traktor, hante 2 bukë të zeza gruri (4 kg) me një copë djathë dhe pinte një bucelë me ujë. Nuk kishte ai asnjë mëtim e kërkesë tjetër, veç që me punën e me djersën e ballit të mbante familjen e tij të madhe, duke i çuditur të gjithë, duke bërë atë volum pune me krahë, që besoj se nuk e bënte njeri tjetër në botë.
Ja të tillë i njoha çamët, siç i vrojtova nga afër, në pikëpjekje 40 vjet pune me ta. Ata lanë vatrën e ngrohtë familjare, se nuk duruan poshtërim e skllavëri. Lirinë dhe shpëtimin e gjetën te vëllezërit e një gjaku e të një gjuhe, duke punuar në çdo lloj pune. Ata zgjodhën të jetonin, në kushtet të përafërta, si në trojet e tyre, sa më afër detit, ullinjve dhe portokalleve. Punuan më së shumti si peshkatarë në det dhe si bujq e blegtorë, në vazhdim të traditës, në përjetim të mallit për vendlindjet e tyre të paharruara. Ata ushtruan profesionet e bujkut, blegtorit, peshkatarit, karroxhiut, qoftë dhe të punëtorit të thjeshtë të krahut në ndërtim, komunale e transport. Ata shumë shpejt i arritën dhe diku i kaluan mikpritësit vendas, duke e përkrahur dhe mbështetur fort njëri-tjetrin, për të manifestuar kështu shkallën e tyre tradicionale të fisnikërisë dhe të besës. Ata e ruajtën dhe përtërinë folklorin ! e tyre të bukur, duke kërcyer me patos vallen e paharruar çame, duke kënduar me nostalgji këngën polifonike karakteristike të tipit Çelo Mezani apo këngën qytetare erotike të ëmbël çame. Kur kërcejnë dhe këndojnë çamët, në festat apo dasmat e bukura dhe me shumë harxh që organizojnë, ata duken të tjetërsuar, duke shpërthyer dhe duke nxjerrë në shesh gjithçka që kanë thithur dhe mbajtur në thellësinë e qenies dhe të shpirtit të tyre vital. Dhe në këto raste ata ngjajnë më shumë shqiptarë, njësoj si ne, ndaj dhe s’ka pse mos t’i duash më shumë.
Nga Libri “Për të qarë dhe për të qeshur”.
No comments:
Post a Comment