SHBA - Presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani i është dorëzuar në Nju Jork, një peticion nga Organizata Shqiptaro-Amerikane “Çamëria” dhe 11 të tjera, në të cilin, shtetit shqiptar i kërkohet të vihet realisht në lëvizje, jo për të ndryshuar kufirin me Greqinë, por të për njohur të drejtat e popullsisë çame të dëbuar nga tokat e veta.
Kreu i Shoqatës “Çamëria”, Fuat Mamo i arratisur nga Shqipëria gjatë viteve të diktaturës, duke i dorëzuar peticionin, Presidentit, i tha: “Ne e vlerësojmë që Qeveria e ka futur në programin e saj këtë çështje dhe hapat e parë janë hedhur, por ne kërkojmë zgjidhje dhe jo qëndrim në vend. Sot, edhe kryetari i Vatrës ndjehet çam dhe ka ardhur në këtë takim për këtë problem, por edhe bashkatdhetarët tanë nga Malësia, Plavë-Gucia, Ulqini, Kosova, janë me ne. Me këtë bashkim zërash të diasporës shqiptare, pa dallime partiake, ne duhet t’i përcjellim edhe një mesazh politikës shqiptare, që të gjejë pikat e bashkimit së paku për çështjen kombëtare.”
Presidenti Nishani nga ana e tij, evidentoi faktin se lidhur me çështjen çame, gjërat kanë ndryshuar për mirë dhe tani flitet më hapur në politikë dhe në bisedimet ndërmjet dy vendeve.
Në peticion Organizata Shqiptaro Amerikane Çamëria i nënvizoi Presidentit Nishani: Ne nuk kërkojmë ndryshimin e kufijve, por kërkojmë të njihen të drejtat tona;
- Kërkojmë dënimin e genocidit grek të ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë;
- Riatdhesimin dhe njohjen e të drejtave si; shtetësinë, gjuhën, pronën, traditat dhe kulturën;
- Kompensimin prej mbi 70 vjetësh të shfrytëzimit të padrejtë të shtëpive, pronave dhe pasurive të tjera nga pronarët e paligjshëm.
Duke u nisur nga fakti se Qeveria e sotme e ka vënë në programin e saj Problemin Çam, atëherë duhet që pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të ngrihet sa më parë komisioni për të drejtat e popullit të Çamërisë.
ORANEWS
No comments:
Post a Comment