December 12, 2017

Mirë se të gjej Çamëri!

Mirë se të gjej Çamëri!
Bilal,vëllai im, gëzohu,
S’ka më “Lamtumirë Çamëri”,
Jam kthyer në trojet e mia stërgjyshore,
Dhe të tjerët çamë pas më vinë.
Tani ,
Të gjitha udhët tona,
Si krah gëzimi,
Zgjaten në jug,
Rrugën e kthimit na e tregojnë ,
Të vdekurit e pa varr,
Ndërsa varret stërgjyshore,
Sheshuar nga dora e të huajit,
Si barqe grash shtatzënash u frynë,
Ngarkuar nga pritja e malli,
Qajnë, qeshin, ulërinë,
Avllitë e muret e myshkuara nga malli,
Zgjatin krahët, i përqafoj e i puth,
Gurë më gurë, brrinjë më brrinjë,
E u them me lot në sy,
Mirë se të gjej Çamëri!
Pastaj,
Pastroj hirin në vatër,
Ku zjarrin të ndezur lamë,
Shtatëdhjetë e pesë vjet pa u fshirë.
Ndez zjarrin më shpirtin tim,
Bardha, gruaja, mbi pirosti vë kusinë,
Mëngjezin të na përgatisë...
Unë dalë në shkallë e me sy bëj numërimin,
E hipotekimin e ri.
Erën ftoj të më numërojë ullinjtë,
Vet dot si numroj, janë mbi pesëmilë,
Arat në fushën e Kestrinës ,
E kullotat në Malin e Thatë,
Ku kullosja milëra bagët
Të sosur s'kanë...
Në këtë ekstazë gëzimi superior,
Çahet qielli e rrjedhin rrezet,
Nga ku më zbresin e ulen mbi supe,
Dymbëdhjetë perëndi.
Më marrin e shkojmë në Dodonë,
Bëjmë të bekimit ceremoni,
Mos u harrofsh e mos vdeksh kurrë,
E madhërishmja Çamëri!
Me këtë bekim Zoti,
Në Artë e Pargë shkojmë,
Vëmë sinoret e kurora me ulli,
Nga ai që priti Uliksin,
Dhe një kupë me klumësht ,
Nga gjiri i Ambrakisë pimë,
Ngjitemi në Sulin shqiptar,
Nxjerrim Marko Boçarin nga një shkëmb,
E kthehemi, hamë mëngjezin në Lopsin tim...
Bilal, vëllai im,
Hark ylberi i Çamërisë,
Ngrihu,
S'ka kohë për vdekje,
S'ka kohë për t'u dergjur në varr-rënkimë,
Eja me mua në këtë kthim biblik,
Ngarkuar me eshtrat e të pakallurve në shpinë,
T'ju themi këtyre viseve thesprote,
"Det me portokalle e ullinj",
Mirë se të gjejmë Çamëri...!
Nga Hekuran Halili. Bisedë me poetin Bilal Xhaferi, që shkroi në vitet gjashtëdhjetë të famshmen 'Baladë Çame'.

No comments:

Post a Comment