Me rastin e festës së 98 vjetorit të pavarësisë dhe të ditës së flamurit veprimtarë nga shtete të ndryshme amerikane u bashkuan për të unifikuar forcat për zgjidhjen e çështjes kombëtare të Çamërisë. Në këtë mbledhje morën pjesë shumë përfaqësues të deleguar nga degët e shoqatës Çamëria në shtetet Michigan, Illinois, Pennsylvania, New Jersey dhe New York për organizim të gjerë për lobimin e zgjidhjes sa më efikase të çështjes çame.
Ditën e shtunë Federata Mbarëshqiptare Vatra në New York me kryetar Dr. Gjon Buçaj ofroi ambjentet e saj ku u mbajt një aktivitet i suksesshëm për ristrukturimin dhe organizimin e punës së përgjithshme të aktivistëve shqiptarë me prejardhje nga Çamëria.
Të pranishëm ishin shumë aktivistë të rinj dhe përfaqësues të komunitetit çam nga Paramthia, Margëlliçi, Filati, Konispoli, Galbaqi, Mazreku etj. Aty u paraqitën raportet e punës së deritanishme të çdo dege dhe u pasqyruan veprimtaritë ndërgjegjësuese dhe informative për njohjen e genocidit grek ndaj popullsisë të Çamërisë në komunitetin shqiptar dhe atë amerikan në Amerikë. Në lidhje me bashkëpunimin e përfaqësuesve çamë në Shqipëri dhe Kanada u vendos që të mbahen lidhje sa më të afërta dhe reciproke. Gjithashtu u theksua dhe nevoja e mbështetjes nga diaspora shqiptare në Amerikë për zgjidhjen e çështjes çame si në rastin e pavarësisë së Kosovës.
Strategjia e përbashkët në këtë mbledhje ish mbarështimi i organizatës ku caktohet dhe kontrollohet puna e udhëhequr nga misioni kryesor i saj, dënimi i genocidit grek ndaj shqiptarëvë të Çamërisë dhe rikthimi dhe rivendosja në Çamëri. Në mbledhje me shumicë votash 19 me 2 u shkarkua kryesia e vjetër. Pas bisedimeve dhe propozimeve u votua kryesia e re e organizatës së përgjithshme, me kryetar zotin Endri Mërxhushi, nënkryetar zotin Ilir Ademi e sekretar të përgjithshëm zotin Sali Bollati, që caktuan axhendën vjetore për bashkërendimin e funksioneve dhe të punës së anëtarësimit të domosdosshëm në të gjitha shtetet ku jetojnë shqiptarë të Çamërisë. Rëndësi të veçantë iu dha edhe bashkëpunimit me organizata të ndryshme shqiptaro-amerikane dhe ruajtja dhe përcjellja e traditave çame.
Duke pasur një zë të përbashkët në SH.B.A., puna e aktivistëve të rinj me ata të vjetër u gërshetua në mënyrë që brezat e rinj të mundësojnë fushatëbërjen për zgjidhjen sa më të efektshme të çështjes kombëtare të Çamërisë Martire. duke ja përshtatur edhe emrin e ri "Shqiptaro-Amerikanët nga Çamëria". Ky emërtim ka si qëllim që duke u mbështetur në avantazhin e të qënit shtetas të këtij vendi të madh e të fuqishëm demokratik, të ndihmohet në zgjidhjen e problemit të Çamërisë në bashkëpunim e veprim të përbashket me PDI , PDU, Shoqërinë Çamëria në Tiranë e Institutin e Studimeve Çame. Fill pas themelimit, "Organizata Shqiptaro-Amerikane Çamëria" fillon punën e saj intensive për të forcuar lidhjet me senatorët amerikanë në shtetet Illinois, New York edhe New Jersey ku janë përqëndruar shumë shqiptarë çamë.
No comments:
Post a Comment