January 28, 2011

20 VJETORI I SH.P.A ÇAMËRIA


PËRSHËNDETJE 20 VJETORIT TË SH.P.A  ÇAMËRIA


Me shumë mall e dashuri ju përshëndesim vëllezër e motra, nipër e mbesa e bashkëatdhetarë të dashur nga të gjitha trojet etnike Shqiptare!

20 vjetë janë shumë pak për Çamërinë Tonë mijëra-vjeçare që fliste “gluhën e Perëndisë” sipas Naimit të Madh dhe ashtu siç shkruante Fan Noli:
                        Në do Besë e Trimëri
                        Në do Bukë e Bujari
                        Shko në ÇAMËRI!

Gjuha, Besa, Trimëria, Mikëpritja dhe veshjet e zakonet janë karakteristikat që e dallojnë KOMBIN.
Dhe Çamëria si pjesë e pandarë e Kombit Shqiptar i ruajti dhe i zhvilloi këto karakteristika. Por politikat antishqiptare të Europës bënë që më 1913 Çamëria ashtu si edhe Kosova të ndahen nga Trungu Mëmë, pavarësisht nga lufta që bënë trimat e Çamërisë e të Labërisë.

Me pushtimin grek, shqiptarëve të Çamërisë iu mohuan të gjitha të drejtat njerëzore që nga gjuha e deri te pronat. Dhe me genocidin e viteve 1944-45 përzunë nga trojet tona etnike mbi 30.000 shqiptarë të besimit musliman, ndërsa gjysmës tjetër të shqiptarëve të Çamërisë, atyre të besimit të krishterë ju privua e drejta e gjuhës me qëllim që të greqizoheshin.

Rifitimi i të drejtave të mohuara Shqiptarëve të Çamërisë Martire ishte qëllimi që në një grup intelektualësh mbas diskutimesh të zjarrta vendosëm të krijonim SH.P.A. ÇAMËRIA më 10/1/1991. Fatkeqësisht dy nga udhëheqësit e parë Kryetari Abas Dojaka dhe Kryetari i Këshillit Përgjithshëm Fadil Zeqiri nuk janë sot midis nesh. Poeti atdhetar Fadil Zeqiri në poezinë e tij na la amanet:

                             PA LIRINË ÇAME S'KA QETËSI BALLKANI!

SH.P.A. ÇAMËRIA filloi veprimtarinë e saj duke i parashtruar Presidentit të Shqipërisë Ramiz Alia Problemin Çam si Problem mbarëkombëtar dhe Kryeministrit grek K. Miçotaqis që do vinte për vizitë në Shqiperi si shtetas grek, të masakruar e të përzënë me dhunë nga trojet tona etnike mijëra vjeçare, të njihte padrejtësitë që kemi vuajtur dhe të ktheheshim në shtëpitë tona me të gjitha të drejtat ligjore të njohura ndërkombëtarisht si minoritet shqiptar në Çamëri.

Por fatkeqësisht deri më sot qeveritë e Shqipërisë nuk duan të ndihmojnë për zgjidhjen e Problemit Çam, kështu qeveritarët grekë e kanë më të lehtë për ta mohuar.

SH.P.A. ÇAMËRIA dhe nëpërmjet gazetës “ÇAMERIA-VATRA AMTARE” (çuditërisht pse botimi është ndërprerë?!) e bëri të njohur si brenda vendit si edhe duke marrë pjesë në veprimtaritë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Me përpjekjet këmbëngulëse të drejtuesve të saj ka bërë një punë të madhe si për bashkimin e gjithë atdhetarëve çamë ashtu edhe për ndërgjegjësimin e atdhetarëve të vërtetë nga të gjitha trojet shqiptare.

Me krijimin e PDI nën udhëheqjen e z. Muhedini, problemi Çam filloi të bëhet i njohur edhe nga KE. Me zgjedhjet e 2009, deputetit të kesaj partie z. Tahiri iu bashkua edhe veprimtari tjeter çam z. Idrizi. Dhe këta dy deputetë, sot te PDU me shumë përkushtim dhe këmbëngulje po e ngrejnë Problemin Tonë si në Parlamentin Shqiptar ashtu edhe në KE dhe në SHBA.

Kështu që sot, mbas 20 vjetësh, mund të themi që themelimi i SH.P.A. ÇAMËRIA solli krijimin e dy partive politike duke pasur dy djem të përkushtuar  për zgjidhjen e Problemit Çam konform me të gjitha legjislacionet ndërkombëtare në fuqi.

Nga sa po duket në Parlament dy deputetë nuk mund të detyrojnë qeverinë që Problemi ynë të konsiderohet si problem mbarëkombëtar.

Prandaj në këtë përvjetor të shënuar duhet të kuptohet qartë nga të gjithe ne që e duam dhe e nderojmë kujtimin e Çamëve të pafajshëm e të masakruar duke kërkuar me këmbëngulje të drejtat tona të mohuara pa të drejtë, vetëm Bashkimi nën të vetmin përkushtim ÇAMËRI, do i nderojë të gjithë veprimtarët e vërtetë çamë. Vetëm të bashkuar në zgjedhjet e ardhme do të bëhet e mundur zgjedhja e 5-6 deputetëve çame në Parlamentin shqiptar. Dhe me 5-6 deputetë nuk do do të ketë qeveri në Shqipëri që të vazhdojë neglizhimin e PROBLEMIT ÇAM dhe që Greqia ta njohë nëpërmjet KE dhe OKB.

Neve që fati na solli këtu në SHBA-vendi i Demokracisë dhe Miku më i Madh i Shqiptarizmës, kemi besim në Bashkimin e të gjitha forcave politike Çame në Shqipëri dhe duke gëzuar sot edhe shtetësinë e këtij vendi të madh e të fuqishëm, së bashku më pershendetjet tona ju premtojmë se do jemi gjithmonë se bashku me SH.P.A. ÇAMËRIA dhe Partinë e Bashkuar Çame. Të gjitha forcat dhe mundësitë tona do vejnë në shërbim të Çështjes Tonë të Shenjtë të ÇAMËRISË MARTIRE që ENDE KULLON GJAK.
Për Shumë Vjet Gëzuar dhe iu Urojmë Një Vit të Mbarë!

Vëllazërisht,

BORDI DREJTUES I ORGANIZATËS SHQIPTARO AMERIKANE ÇAMËRIA
                         

No comments:

Post a Comment