Jorgos Papandreu (Foto: Reuters)
Nga gazeta SHQIP 01/13/2011
I kërkon Gjermanisë dëmshpërblime për viktimat naziste Tërësia e tmerrshme e krimeve që nazistët kanë bërë në Greqinë e pushtuar rishfaqet sërish, thuajse 70 vjet më pas dhe këtë herë për të helmuar marrëdhëniet mes Athinës dhe Berlinit, marrëdhënie që u bënë problematike gjatë debateve të fillimvitit që shkoi në lidhje me monedhën euro. Qeveria socialiste e Kryeministrit Papandreu i është drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës në lidhje me kërkesën për vendosje të drejtësisë dhe të dëmshpërblimit për familjarët e mbijetuar të viktimave të nazizmit dhe më konkretisht për viktimat e masakrës së Distomës. Zëvendëskancelari gjerman, Guido Westerwelle, e ka refuzuar menjëherë një kërkesë të tillë.
Kjo histori e tmerrshme i takon 10 gushtit të vitit 1944, 6 ditë pas zbarkimit të aleatëve në Normandi, që ishte edhe zhvillimi që ndryshoi fatin e Luftës së Dytë Botërore. Forcat SS iu sulën fshatit Distomë me urdhër nga lart për reprezalje kundër çdo veprimi të forcave të armatosura të rezistencës greke. 218 civilë, pjesa më e madhe gra, pleq dhe fëmijë u pushkatuan. Greqia hyri në Luftën e Dytë Botërore, pasi u sulmua nga Musolini. Ushtria dhe aviacioni grek i ndaluan italianët dhe në këtë moment Roma kërkoi ndihmën e gjermanëve. Pushtimi nazist i gadishullit ishte ndër më brutalët e konfl iktit: vdiqën qindra mijëra civilë, shumë prej tyre prej urisë dhe sëmundjeve. Thesari dhe rezervat e tjera shtetërore u plaçkitën. Dhe për këto masakra nuk pati një gjykim të tipit të gjyqit të Nurembergut.
Fshati grek në fjalë u shndërrua në një simbol, në një rast të veçantë. Në vitin 1997, në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe më pas në apel në vitin 2000 drejtësia greke dënoi Gjermaninë me rimbursim të të mbijetuarve të viktimave. Ajo kërkoi 28 milionë euro dëmshpërblim. Gjermanët e refuzuan këtë vendim dhe grekët vendosën që të merrnin me forcë të gjitha materialet që ndodheshin në institutin “Gëte” në Athinë, por qeveria greke e ndaloi këtë gjë pas një ndërhyrjeje të Berlinit. Atëherë avokatët e të afërmve të viktimave iu drejtuan drejtësisë italiane, e cila e vlerësoi vendimin grek si të aplikueshëm. Që nga ajo kohë, ky rast ka vënë në kundërshti Italinë me Gjermaninë.
“I njohim përgjegjësitë tona në lidhje me ngjarjet e së shkuarës, por mbrojmë parimin e imunitetit shtetëror të Gjermanisë”, ka deklaruar dy ditë më parë ministri i Jashtëm gjerman. Berlini ka bërë të ditur se ka derdhur tashmë 67 miliardë euro në Athinë, sipas një marrëveshjeje të vitit 1960. Për sa i përket Papandreut, ai vendosi që të bëjë një hap përpara në këtë drejtim duke thënë se është një detyrë e tij ndaj atyre që ranë për liri.
----
Po masakrat ndaj Shqiptareve te Camerise kur do te denohen?!
No comments:
Post a Comment