January 14, 2011

Kryqëzatat e helenizmit vazhdojnë

Kur bëhen vërejtje nga ana e shqiptarëve etnikë dhe nga arvanitasve si Niko Dhimo, Dhimitër Lithoksu, Taki Miha, por edhe sllavomaqedonve si prifti Nikodim Tsarknias ndaj politikës së jashtme greke, ato rrallë shpëtojnë pa u ndëshkuar. Veprat dhe  qëndrimet e tyre dënohen ashpërsisht, madje dhe nga mediat më “liberale” të Greqisë. Në disa rastë kritikët më të ashpër të helenizimit të shqiptarëve dhe pakicave të tjera ndonjëherë dhe gjejnë fate të pazakonta, zëmë shembull të ndjerin Aristidh Kola i cili u kritikua ashpër nga masmediat dhe opinioni publik i mbështetur nga qeveria e Athinës dhe gjeti më pas gjeti një vdekje nën rrethana misterioze. Kritikëve u duhet të kërkojnë paraprakisht ndihmë të veçantë nga Bashkimi Europian për të pasur njëfarë “imuniteti” shoqëror dhe politik ndaj konsekuencave të ushtrimit të lirisë së fjalës e të shtypit.  Por imuniteti nuk i mbron nga sharjet publike dhe humbja e punës dhe turpërimi. Shembuj të tjerë të pasojave fillojnë nga ngritja e akuzave të rreme, burgosja, terrori psikologjik që ushtrohet nga agjentët e shërbimit sekret e deri tek eliminimi fizik.
Por cilat janë vërejtjet?  Qëndrimet ndaj asimilimit me diskriminim dhe dhunë të emigrantëve dhe gjithë popullsisë në një kulturë homogjene neogreke; kërkesat për shkolla ne gjuhët amtare të turqve, vllehëve dhe shqiptarëve janë disa.   

Cilat janë çështjet kritike të politikës së jashtme greke sot për sot? Përveç marrëdhënieve të acaruara me Turqinë, çështja e pronave dhe e rikthimit të çamëve dhe e sllavëve të Maqedonisë, ndërtimi i objekteve fetare jo-ortodokse dhe ngritja e shkollave dhe shoqërive kulturore-gjuhësore nga pakicat kombëtare janë disa për t’u përmendur.
Gjithashtu, ajo e pakicave kombëtare dhe gjuhësore, sidomos ajo e Çamëve dhe e Arvanitasve (Arbëreshëve). Në Greqi Arvanitasit humbën gjuhën dhe gradualisht identitetin e tyre por jo trojet, kurse Çamët ruajtën ndërgjegjen kombëtare shqiptare, por humbën trojet e tyre pasi u përzunë me dhunë. Kjo është pasojë e një historie të pamohueshme të asimilimit dhe tretjes sistematike të tërësisë arbërore-shqiptare në Greqi.

Këtë fakt e ilustron edhe një shkrim me titull “Riemërtimet e fshatrave” i publikuar nga gazeta vendase e Filatit (Çamëri) nga drejtori i qendrës së kërkimeve historike. Autori në këtë artikull  jo vetëm përqesh, por edhe kritikon në mënyrë satirike dhe të hidhur, përpjekjet e helenizimit të trojeve shqiptare në Epir. Në trojet çame është folur dhe është dëgjuar shqip nga të katër anët për shumë shekuj me rradhë. Shkruesi me një ndërgjegje fajtore mori shkas nga një mik i tij dhe shkruan për fatet e fshatrave dhe qytezave që jo vetëm u shndërruan nga ana kulturore dhe arkitektonike, por u boshatisën fill pas masakrave të 1944-ës siç na përshkruan edhe Miranda Vickers në shkrimin me titull “Sfida e ruajtjes së trashëgimisë çame”.

Autori M.P. shkruan:   
Dëshmitë me shkrim në këtë vend janë të pakta, dhe emrat e vjetër të fshatrave, toponimet e vendbanimeve, maleve dhe lumenjve, janë dritë nga thellësitë e shekujve siç do thoshte edhe Athinagora. Për prejardhjen e emrave të vendeve nuk mund të jemi kurrë  të  sigurtë, por ajo është një tregues që mund të na udhëzojë në rrugë të reja. Por po e lemë këtë pasuri të madhe që të humbi dalë-nga-dalë, duke u përpjekur ta greqizojmë pas mjaft shekujsh gjeografinë e rajonit tonë.
Shteti grek, ndërsa vihet në rrezik nga….emrat e vendbanimeve, bëri një përpjekje të madhe për të ndryshuar, duke i mposhtur emrat arvanitas, sllavë dhe ato me prejardhje të dyshimtë, duke i zëvendësuar ato me moskokëçarje dhe nganjëherë me emra të rinj rastësor vendesh. Kështu keto vende njohën Mollë, Vajra, Bredhishte dhe Vreshta, (Milees, Elaies, Elataries dhe Ampelones) të cilat vetëm nga imagjinata kapse e nëpunësve publikë do mund të….mbinin! Një shembull i dështimit të plotë të ndryshimeve? Popova.

                               
Rrënojë e banesës së fisit Çapari në Margëlliç.

Shembuj të plotë e ngatërresave të shkaktuara nga ndryshimet? Skupica. Një fshat i vogël (i njohur që në shekullin e 13-të!), e mori emrin Kestrini, një emër i lashtë i një zone të madhe në veri të lumit Kallama që fillontë nga Butrinti dhe arrinte deri në Murganë. Kot u përpoqën disa për ta ndaluar riemërtimin. Ishte si të quaje Koskën….Thesproti!
Por rrëmuja me e madhe ndodhi në Volë. E riemërtuan në Sivota dhe le të këmbëngulin arkeologët për emrin rreth grykëderdhjes së Kalamait. Ai u bë një fshat turistik dhe i erdhi emri përshtat. Dhe shih se mos do  ndryshojë: Mos e ler të vërtëtën t’ju prishi një skenar të mirë!
Sigurisht zona e Thesprotisë pagoi të pamendët, të cilët e transformuan peisazhin, për riemërtimin e Pogdorianit (Kodrinë në sllavisht) në prefekturën e Janinës në…Parakalamos. Por Parakalamos quhej zona e derdhjes se lumit Kalama për shumë shekuj! (Për rekordin: Parakalamai i sapokunguar nuk ndodhet as afër lumit, por diku tjetër.) Sigurisht përveç pemëve, erdhën edhe shenjtorët për të bekuar ndeshjen e kryqtarëve të helenizmit. Kështu aty na qëlluan Shënediela, Shën Donati, Shën Arseni dhe Shën Marina (Agia Kyriaki, Agios Donatos, Agios Arsenios dhe Agia Marina). Agios Vlassios thjesht u pagëzua grek, por mëparë ishtë thjesht Shën Vlashi – Shëvlashi (shqip.) Shën Gjergji e beri një mrekulli, pasi fitoi tri fshatra (Gardhiqin, Rizanin dhe Skupicën), ndërsa shokët e tij vetëm një. Por kishim edhe…dinakëri. Kështu Grikohori (nga shqipja grika - qafë, kalim, andej shkonin shtigjet e lashta, andej shkoi detyrimisht edhe rruga Egnatia e re) Grekohori u emërtua fshati i Grekëve! Përsosmëri! Edhe kryeqyteti i prefekturës me prapashtesë sllave, mori një “I” dhe tani duket pak më i respektuar…dhe Gumenica, që do të thotë lëmë, u emërtua në Igumenicë.

                               
                                 Banesë në Vrohona, Çamëri

Ka pasur edhe…dëme kolaterale: Kastria shpëtoi më pak vetëm duke humbur…karakterizimin e lartësisë Dag – mal (turq.) që e veçontë nga Kalaja e sheshtë në Fanar. Veçanërisht të humbur janë ish pronarët e tyre të  vjetër të familjes Zejneli dhe Demi. E pagoi rëndë Povla (edhe kjo e njohur qysh nga shekulli 13-të!) e cila u bë një…Vreshtë (Ambelones). Poashtu edhe Labanica, Galbaqi, Karjani, Kostana dhe Dolani dhe morën emra bimorë nga flora…(Bredhishtë, Ullishtë, Dardhishtë, Mollishtë, dhe Rrapishtë). Arpica dhe Picari u kthyen kot për ndryshim….në fauna (Thëllëza dhe Shqiponja). Kurse fshati Lykou-i Ujkut, u bë më poetik në…Agim. Pastaj erdhën…ujrat: Shumëujrat, Ujrat e Ftohta, Burimi i Ftohtë, Burimi i Kristaltë, Fshati i Ujit, Kroi i Vogël (përkatësisht Polineri, Kriovrisi, Krioneri, Kristallopigji, Nerohori, Vrisopules), dhe në përgjithësi gjërat e lëngëta siç është vaji (Ladhohori-Fshati i Vajit). Me furinë e ndryshimeve të mëdhaja u mor dhe ndryshimi i emrit të bukur të Veljanit, i cili u bë…Hrisavgji - Agim i Artë (kanë dhe damar poetik pale!).  Na doli edhe Argirotopos-Vend i Artë, dhe Polidhroso-Shumë-Vesa! Më së fundi gjetën emër sokolat e riemërtimeve: Glustën në Fshatin Kokë. Çfarë kokash…! Por ka pasur edhe raste ku fshatrat dhe fillimisht i rezistuan emrat e rinj, për t’iu nënshtruar përfundimisht fatit të tyre. Një shembull i pashpjegueshem është rasti i Pleshavicës historike, e cila per ca kohë ishtë Paravriso… dhe përfundimisht zuri vend si në Kornizë (Plesio gr.)
Megjithatë, ka fshatra që as nuk duan ta dëgjojnë emrin e tyre të vjetër. Për shembull, Kestrini. Zonat të cilat u banuan nga banorë nga Azia e Vogël pas vitit 1922, si Selefkia e Re jashtë Gumenicës me të drejtë i dhanë emrin e tyre kësaj zone, (sikur ata të ishin banorët e saj të mëparshëm.) Por ka edhe fshatra që kanë arritur të ribashkohen me historinë e tyre. Agios Giorgos është bërë përsëri Gardhiq për inat të riemërtimeve, dhe loja hapa-dollapa me historinë mori fund.

Nga komentet e bëra rreth këtij artikulli online nga lexuesit e gazetës, ata shkruajnë se riemërtimet u bënë jo vetëm në Epir por edhe në Maqedoni, Trakë dhe Rumeli.  Në rajonin e Maqedonisë greke u bë rrëmujë me emrat maqedonas në fshatrat sllav-folëse, ata u zëvendësuan me emra me terminologji ushtarake greke ose me emra provokues. E njëjta gjë ndodhi edhe me katundet arvanitase të Atikës dhe Beotisë, ku Lopësi u bë Paiania, Kriekuqi Erithres dhe fshatit të Gjin Bue Shpatës i ngeli vetëm gjysma, Spata etj. A duhen shumë fshatra të tjerë të ndjekin të njejtën rrugë apo të merren iniciativa për të rivendosur emrat e vjetër? Përderisa banorët vendas përdorin emrat e vjetër dhe mohojnë emërtimet e reja tregon se këto fushata kanë dështuar me popullin, por jo me turistët e të huajt të cilët ballafaqohen edhe me harta ku shumë emra fshatrash e qytetesh nuk përputhen me hartat e reja…

Përveç fushatave në territoret e pushtuara në 1913, kryqtarët e helenizmit vazhduan edhe përtej kufirit në Shqipëri ku vendosën edhe një kryepeshkop grek sot e 17 vjet përpara, me emrin Anastasios Giannoulatos. Kjo bie ndesh me kanunet e kishës shqiptare dhe me interesat kombëtare, pasi kryepeshkopi i kishës shqiptare doemos duhet të jetë shqiptar. Giannoulatos së bashku me shtetin grek po bëjnë të pamundurën të blejnë toka për kisha dhe të ndërtojnë shkolla greke në Shqipëri për fëmijët shqiptarë. Blerja e pasurisë shpirtërore laike e fetare shqiptare për ta shndërruar atë në ortodokse dhe më pas greke, në pronë të një kishe të pushtuar, është vetëm një shembull i kryqëzatave helene në Ballkanin jugor. Le të dalim jashtë mesjetës dhe të rikthehemi në vitin 2009.

Marrë dhe shqipëruar nga: http://thesprotos-panta.blogspot.com/2009/09/blog-post_06.html

IA Shtator 2009.

No comments:

Post a Comment