May 31, 2011

50 vjet nga ekzekutimi i grupit të Teme Sejkos dhe Tahir Demit

Më 30 dhe 31 maj 1961 Bijtë e Çamërisë u dënuan si bashkëpunëtorë me anglo-amerikanët dhe më qesharakja dhe absurdja prej këtyre akuzave ishte se u akuzuan edhe si bashkëpunëtorë me grekët. (?!) 63 të dënuar dhe 800 vjet burgim, veç vrasjeve.


 Nga Hyqmet Zane

Ashtu ndodhi, plumbat e pabesisë së pushtetit komunist ranë pamëshirshëm mbi trupat e djemve shqiptarë nga Çamëria për të vrarë jo vetëm atë grup të cilësuar "armik", por për të vrarë gjithë komunitetin çam dhe vetë Çamërinë.

Sa për kujtesë, duhet thënë se pas 10 muajsh arrestimi të atij 28 korriku 1960 në orën 11.00, hetimi dhe shantazhizmi barbar në dhomat e inkuizicionit komunist, diktatori dha verdiktin e pushkatimit të grupit të ashtuquajtur "grupi i Teme Sejkos dhe Tahir Demit". Ka qenë 30 dhe 31 maji i vitit 1961, që togat e pushkatimit do të zbraznin karikatorët e armëve të tyre mbi bijtë shqiptarë të nënave çame. Ishin Teme Sejko, Tahir Demi, Avdul Resuli, Ali Xhelo Arapi, Hajri Mane, që pas atij gjyqi të fund majit 1961 do të pushkatoheshin, ashtu siç nuk vriteshin as edhe kuajt e jo më njerëzit. Shumëkush ka hamendësuar përmes copëzave të bisedave dhe historive të treguara dhe të shkruara se vrasjet e këtyre djelmëve të Çamërisë kanë qenë të formave të ndryshme dhe në vende e kushte të ndryshme nga më çnjerëzoret dhe makabre. Për Teme Sejkon ka edhe më shumë se kaq, se janë kujtime të njerëzve që kanë qenë edhe dëshmitarë se çfarë mënxyrash nga më të paimagjinueshmet që mund t'i bëhen një njeriu, një shqiptari nga pseudoshqiptarët, një luftëtari antifashist dhe kundëramiralit të vetëm që kishte flota shqiptare, që përfundoi aq tragjikisht pa nam e pa nishan.
Gjeneral Hilmi Seiti

Nuk ishte as i pari e as i fundit Teme Sejko, se edhe të tjerët bashkëkombas të tij, që mbanin edhe grada e pozicione pune për merita të veçanta, asnjëherë nuk janë rikthyer ato vlerësime nga ana e Presidentëve të Republikës së Shqipërisë, si shenjë e rikthimit tek të vërtetat që ekzistonin dhe që u tjetërsuan padrejtësisht. Është harresë apo e qëllimshme, është një zgjatim në kohë i një pushkatimi dhe dënimi të pamerituar që po bëhen nga segmentet e ish-Sigurimit të Shtetit që bëjnë kujdes për të mos vënë në vend dinjitetin e së drejtës morale dhe ligjore të atyre bijëve që ishin shqiptarë dhe që u trajtuan si armiq.

Dhe jo vetëm këta, por edhe më pas u dënuan me pushkatim Beqo Plaku, Ilia Gjyzeli, Jorgji Cukali, Nikolla Goçi, Theodhori Veto, që u cilësuan si bashkëpunëtorë të kryetarëve të grupit dhe që ishin sajesat e mendjes antishqiptare që kërkonte të zhdukte nga faqja e dheut çdo njeri që ishte intelektual dhe që nuk ishte grek e serb.

Për hir të së vërtetës duhet thënë, se veç të pushkatuarve, nëse kanë qenë të tilla, se nuk ka as edhe një procesverbal të mbajtur, janë edhe një grup bijsh shqiptarë nga Çamëria, që jo vetëm nuk dolën në gjyq, por u trajtuan në atë farë feje që iu mor jeta në dhomat e hetuesive të komanduara nga vetë Enver Hoxha përmes Kadri Hazbiut, Mihallaq Ziçishtit, Nevzat Hasnedarit dhe një farë Rexhep Kolli etj. Taho Sejko, nuk doli në gjyq, u eliminua në fshehtësi, ashtu si edhe Shaban Refat Ademi, ndërsa i mirënjohuri komandant i "Çetës Çamëria", antifashiste, Haki Rushiti, u dënua 3 herë me vdekje në mungesë.
 
Do të ishte fatale për një pjesë tjetër të këtyre bijëve të Çamërisë që u dënuan me dënime maksimale dhe vdiqën në burgjet e Burrelit e Spaçit e gjetkë si Sami Murati, Jonuz Purizo, Rushan Hasan Mullai, Dr, Aleksandër Kalivopulli, pasi ishin dënuar me nga 25 vjet, vdiqën në burgje në Burrel e gjetkë, ashtu si edhe Vangjel Xhomaka 25 vjet, vdekur në burg, Yzeir Sollopia, Kostandin Petro Vaso, dënuar me vdekje, kthyer 25 vjet, vdiq në burg, Pandeli Varezi, dënuar me pushkatim, kthyer në 25 vjet, vdekur në burg, Kasëm Karafili, 25 vjet, vdiq në internim.

I nderuari Hilmi Seiti, nuk e pranoi planin ogurzi të sajimit të një grupi armiqësor për t'iu përgjigjur socialimperializmit rus pas prishjes. Pa zgjatur gjatë, e helmuan. Kështu tregohet dhe kështu ekzistojnë faktet, se ajo që ndodhi më pas vërtetoi gjithçka: mashtrimin me çdo mjet që justifikonte qëllimin të Teme Sejkos e të tjerë, që nuk mund të besonin se mendjet e shqiptarëve bastard do të shkonin aq larg sa realisht do t'u merrnin jetën, vetëm e vetëm se i ishin futur lojës. Sa e sa grupe u sajuan më pas, vetëm e vetëm që të çohej në vend idea fikse e diktatorit për të eliminuar të gjithë elitën intelektuale shqiptare, që nuk u bënë pjesë e strategjisë së UDB përmes emisarëve serbë të saj, Popoviç, Mugosha e Stojniç e sa e sa të tjerëve. Ishte kjo ide që zhduku klerin katolik shqiptar vetëm e vetëm pse ata ushqenin antishkjaun të frymëzuar nga Homeri shqiptar, Gjergj Fishta. Ekziston mendimi, se të gjitha të ashtquajturat "grupe armiqësore" që u eliminuan pas atij nëntori famëkeq 1944, do të ishin ekskluzivisht intelektualë që kishin mbaruar jashtë shtetit, ish-nxënës të shkollës amerikane të "Fullcit", apo që nuk pranuan të viheshin në shërbim të planeve serbe, që nga Mustafa Gjinishi e më tej që u bënë viktima të tradhëtisë komuniste. 

Teme Sejko


Ishte kjo klikë antishqiptare, që në "emër të popullit" vranë, ekzekutuan, varën apo eliminuan pa gjyq edhe këtë grup të Teme Sejkos e Tahir Demit. Ishte i pari dhe i vetmi gjyq, që u bë me altoporlantë dhe publik, si shprehje e urrejtjes krahinore që futi vetë Enver Hoxha në mes shqiptarësh. Këtë fenomen nuk mund ta ndalonin as trupa e avokatëve që ishin thjesht formalë, sa për të thënë përballë një prokurori xhahil, si Aranit Çela, që në atë kohë ishte Prokuror i Përgjithshëm dhe një trupi gjykues që vepronin mbi bazën e urdhërave dhe jo të drejtësisë siç ishin Shuaip Panariti, kryetar i Gjykatës së Lartë, gjen.major Muharrem Kokomani, kol. Sotir Spiro, kol. Bejto Isufi, n/kol. Hilmi Telegrafi dhe sekretar seance Murat Deliallisi. Përballë këtij grupi "armiqësor" të sajuar ishin vetë ata që e kishin sajuar, ishte vetë diktatori dhe Sigurimi i Shtetit. Ky moment ka qenë bërë publik në debatin mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hasbiut, kur do të dënohej ky i fundit.

Eliminimi i këtij të ashtuquajturi grup armiqësor, ishte edhe një avokati e shkëlqyer që qeveria e Enver Hoxhës i bënte tezave antishqiptare për eliminimin e elitës intelektuale çame, që kishte dalë nga lufta antifashiste dhe që ishin përfaqësuesit e atij angazhimi të kësaj krahine në luftën antifashiste gjatë Luftës së II Botërore. Ishte kjo tezë, që ende edhe sot e kësaj dite qarqet antishqiptare e thonë dhe rithonë sa herë që vjen fjala tek çështja çame dhe zgjidhja e saj. Është rasti për të thënë, se shumë nga ata që u cilësuan armiq ishin në strukturat drejtuese të luftës dhe që së bashku me pjesën tjetër të komunitetit çam të organizuar në Batalionin 4 të Regjimentit 15, përbënin edhe pjesën e rëndësishme të kontributeve të Çamërisë në këtë luftë. Do të doja të fiksoja këtu luftën 55 ditore të Konispolit ndaj focave gjermane, ku edhe ranë shumë dëshmorë. Ishte një luftë e vërtetë si asnjë luftë tjetër e të ashtuquajturës ushtri shqiptare. Dhe kjo është meritë e këtij komuniteti, gjë e cila u hodh poshtë dhe u shkel me këmbë nga segmentet pro greke brenda udhëheqjes komuniste shqiptare, të cilat ndikuan ndjeshëm për të hedhur idenë e të ashtuquajturit "bashkëpunëtorë me pushtuesin" të komunitetit çam. Ndoshta duhet të ishte gjallë im atë, Nuri Zane, së bashku me Hajri Fetahu dhe Osman Zenelin e me shumë të tjerë që ishin të internuar në kampet e përqendrimit gjerman dhe italian si antifashistë që të rrëfenin se sa të pavërteta janë tezat antishqiptare. Por më shumë se kaq, se sa tradhëtare ishte qeveria e Enver Hoxhës ndaj interesave mbarëkombëtare shqiptare, kur jo vetëm i vrau çamët, por i dërgoi edhe në internimin e Llozhanit në Maliq më 1949, u hoqi shtetësinë greke më 1953 dhe më vonë u hodhi baltë gjithë komunitetit çam, pas pushkatimit të pjesëtarëve të këtij grupi.
Shaban Ademi


Çfarë faji kishin bërë këta bij shqiptarësh, që u dënuan dhe u pushkatuan, si pararojë e atij dënimi të madh që i bëri Enver Hoxha gjithë komunitetit çam pas atij 1961-shi? Asnjë faj, por kjo ishte filozofia e një regjimi kriminal, që mbeti në pushtet përmes netëve makbethiane ndaj shqiptarëve. Të shkruash për të vërtetat e atyre ngjarjeve që ndodhën 50 vjet më parë, nuk është çështje e një shkrimi, se shumë e shumë herë janë shkruar dhe dokumentuar pabesitë e bëra dhe barbaritë e zbatuara. Ajo që të vjen keq edhe pas 50 vjetësh është fakti, se ende edhe sot nuk është hequr balta që u hodh mbi këtë komunitet, por edhe mbi viktimat e tij. Asnjë falje nuk kanë marrë ata 63 njerëz nga Çamëria dhe pjesa brenda kufirit shtetëror përfshinë në këtë gjyq në atë fillim të viteve '60 me të ashtuquajturit grupe armiqësore inekzistente dhe të sajuara për hatër të antishqiptarizmit serbo-grek të instaluar në kokën e Byrosë Politike të Enver Hoxhës. Kush duhet t'u kërkojë falje, shteti, Presidenti, drejtësia apo kush tjetër, për ato rreth 1.000 vjet burgime që u dhanë ndaj këtyre shqiptarëve.
Shumë dokumentacione ekzistojnë për këtë ngjarje tragjike, po aq sa edhe çnjerëzore, por ajo ngjarje makbethiane kërkon një film të tërë që do të ishte tronditës për kineastët hollivudianë, tamam si hebrejtë e Europës.

Të dënuar të tjerë

Skënder Bariu, me vdekje, kthyer 25 vjet
Dervish Sulo, dënuar me vdekje, kthyer 25 vjet
Nasho Gërxho, dënuar me vdekje, kthyer 25 vjet
Gani Tartari, dënuar me vdekje kthyer në 25 vjet
Rexho Plaku, 33 vjet burg, dënuar 2 herë
Xhemal Bali, 27 vjet burg
Zalo Goxhai, dënuar 25 vjet
Ali Goxhaj, 25 vjet
Adem Osman Kalo, 25 vjet
Osman Emini, 25 vjet
Hasan Mero, 25 vjet
Haxhi Bilal Mullai, 25 vjet
Kadri Saliko, ish-oficer i Marinës 25 vjet burg
Sulo Veshi, 25 vjet,
Eqerem Veshi, 25 vjet
Miho Shëngjergji, 25 vjet
Petro Duro, 25 vjet
Miço Gogo, 25 vjet
Mushir Plaku, 25 vjet
Lole Dhjamanti, 25 vjet
Luan Goxhai, 22 vjet
Qerim Demo, 22 vjet
Lutfi Sejko, 20 vjet
Mehmet Kadri Bello, 20 vjet
Hiqmet Bello, 20 vjet
Mero Ali Plaku, 20 vjet
Lelo Guda, 20 vjet
Pilo Bushi, 20 vjet
Dule Maze Mullai, 18 vjet
Spiro Gogo, 17 vjet
Asllan Veliu, 15 vjet
Tefik Emin Mero, 15 vjet
Xhemil Demi, 15 vjet
Hasan Plaku, 15 vjet
Taip Kaloshi, 15 vjet
Petro Gogo, 15 vjet
Sotir Taho, 15 vjet
Lole Gogo, 15 vjet
Kaso Agushi, 15 vjet
Syrja Musa Shehu, 15 vjet
Syrja Shehu, 15 vjet
Janaq Gerxho, 15 vjet
Nazmi Sulo Veshi, 11 vjet
Hamit Demi, 5 vjet

Vazhdon lista me emra dhe vite burgu për secilin që janë të vërtetat që flasin dhe kërkojnë shpagim me faljen që është domosdoshmëri për t'ua bërë në emër të drejtësisë njerëzore. Ata u dënuan si bashkëpunëtorë me anglo-amerikanët dhe më qesharakja dhe absurdja prej këtyre akuzave ishte se u akuzuan edhe si bashkëpunëtorë me grekët. (?!) Dhe kush, bijtë e Çamërisë. Ata meritojnë nderimin shtetëror nëse vërtet ky shtet ka një president që duhet të bëjë edhe këto lloj nderimesh.

Gazeta Dielli

1 comment:

  1. Artikull shume i mire pasi jam Cam vete por ne disa te dhena ja keni futur kot. Une vij nga zona ku ka jetuar Lole Guda dhe Lole Diamanti.Keta kane qene anti camet me te medhenje dhe po ashtu femijet e tyre ik e pyesni dhe do tju dal qe jane anti cam te terbuar dhe ne Korfuz i ke dhe jane ne bashkpunim me sherbimin sekret grek. A keni iden ju se perse jane denuar keta te dy?

    Po ashtu duhet te shkruash edhe krimet qe ka kryer Teme Sejko brenda komunitetit Cam pasi mua me ka vrare dajon e nenes per arsye karriere. Duhet te jeni me shume te kujdesshme ne dhenien e fakteve. Ne pergjithesi jam me ju ne lidhje me artikullin pasi dihet boterisht plani per eleminimin e te ashtuquajturit "grup armiqesor Cam"

    ReplyDelete