Paramithi, Paramithi
O pellg me gjak,
O vënd fatzi,
Aty ku hyn fashisti grek,
Ku hapen varre me hendek,
Ku çdo hendek është një varr,
Për çdo Çam për çdo Shqiptar,
Ku një zervist, nazist-gjerman,
Një katil, një shpirt katran
Po bën batërdi,
Jo s'është grek
As palikar
Për trimëri,
Po një kusar
Një mercenar
Një faqezi.
Është turp i tokës ku u le,
Një i pabesë, një i pafe,
O dorë mizore me çfarë mënyre
Lakmitë gjaksore t'u ngosën?
Ku janë kufomat të bëra vandak
Të shtrira përdhe pa faj pa gjak,
Ku vallë u groposën?
Paramithi, qivur i mjerë
Ku janë gjashtëqind të nderë me pabesi?
Me gjuhë të kafshuar kërkon të të flasin?
Me fyt të këputur kërkon të bërtasin?
Pa këmbë, pa duar kërkon të lëvizin?
Oh! Ç'farë të padisim?
Dy zgavrat-kokalla ti njomim me lotë?
Kurrë!!
Se ç'vepër të ndotë, se ç'farë torture
Askush s'mund ta thotë
Shiko kufomat,si qiellin munxosin,
Shiko zervistat, si po na çfarosin
Në befasi!!
Ah! Hesht hipokrit, ç'bën sikur s'sheh
Kur klithma e jonë u ngjit gjer në re
O mershë e fëlliqur në botën e re,
Këlysh i zervës të sulet mbi ne
Si qen i tërbuar dhe s'ka kush e ndal,
Dhe s'ka kush e vret,
U ngjall prapë fantazëm e skelet!
O Çam Martir
O grek i lirë,
Ngrehu dhe zhduki këta vampirë me furri!
Lufto për jetë, lufto për Atdhe,
Ballkan i Ri të jetë për ne,
Një çerdhe e dashuri për Paqe edhe Liri!
Paramithi, Paramithi edhe tani
Po shoh kukudhin si po ha
Eshtra dhe gjak nga im vëlla!!
Nga Gjergj Komnino e publikuar në “Zëri i Çamërisë” 22 gusht 1945. Shkruar për masakrat çnjerëzore të kryera nga bandat greke të gjeneralit famëkeq Zerva mbi popullsinë e pafajshme të Paramithisë më 27, 28 e 29 Qershor 1944.
No comments:
Post a Comment