Fatos Baxhaku
Ndërsa makina jonë kalon mbi trap Kanalin e Butrintit, ne rrimë e vrasim mendjen nëse tashmë kemi hyrë në Çamëri apo jo. Ka shumë mendime mbi kufirin verior të krahinës së njohur. Disa e çojnë atë deri në derdhjen e Bistricës, fare afër Sarandës. Të tjerë e zbresin disi më poshtë në Jug, në rrjedhën e lumit Pavlla, atij që derdhet në pikën më jugore të Shqipërisë së sotme në det, në Kepin e Stillos, të tjerë akoma mendojnë se është vetë Liqeni i Butrintit pika natyrale që ndan Çamërinë me pjesën tjetër të vendit. Sido që të jetë një gjë e kemi krejt të sigurt, Konispoli, qyteti ynë më jugor dhe krahina rreth e qark tij, është e vetmja pjesë e Çamërisë e mbetur këndej kufirit qëkurse ata u vendosën në 1913.
Duhet të jetë i çuditshëm ky qytet. Ai, në fakt, është njëherazi edhe Jugu i Jugut tonë edhe Veriu i Çamërisë. Pastaj edhe legjendat mbi emrin e tij janë interesante. Disa thonë se emri vjen nga Kondi, një dajë i Olimbisë, nënës së Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, i cili strehoi për do kohë këtu mbesën dhe djalin e saj të vogël, pas një sherri mbretëror, pak kohë pasi Filipi u martua me një tjetër. Porse ka të tjerë që thonë se Konispol vjen nga "konj" (sllavisht: kalë). Pra është "qyteti i kuajve". Me këto mendime në krye kalojmë me radhë një sërë fshatrash mbi një rrugë që herë del e asfaltuar dhe herë të tjera na mbyt me pluhur e guralecë. Vrina, Shëndëllia, Xara, Mursia, të gjitha kalojnë shpejt e shpejt në krahët tanë. Janë shumë afër njëri-tjetrit të vendosur mbi ca kodrina të ulëta të mbushura me ullinj, agrume dhe ara me shalqinj. Në piskun e vapës dallojmë fare pak figura njerëzore. Vetëm ndonjë bari i vonuar na përshëndet me dorë që nga larg. Kur kalojmë mbi urën mbi Pavlla sikur e ndjejmë që qyteti më jugor është fare afër. Pas urës hasim në një mal jo fort të rëndë, por shumë të çuditshëm.
Është një kon fare i rregullt që lartësohet mes dy fshatrave: Çiflikut dhe Shkallës. Në librat tanë lexojmë se ky mal është Çuka e Ajtoit. Krejt në majë të tij arkeologët kanë gjetur një fortifikim të shekullit V para Krishtit. Ugolini, arkeologu i njohur italian, u pat çuditur me këtë mal me formë krejt të rregullt. Madje kishte hedhur dyshimin se mos vallë kjo ngrehinë e gurtë ishte vepër e njerëzve të antikitetit. Në fakt e gjithë zona është e mbushur me mbetje të kohëve të lashta, madje edhe prehistorike. Vetëm pak minuta udhë pas Çukës së Ajtoit dallojmë shtëpitë e Konispolit të zhytura në hijen e ullinjve. Objektivi ynë tashmë është fare afër.
Nga rrapi te Euro 2008
Janë orët e para të pasdites. Në Konispol nuk ka shumë lëvizje. Vetëm fëmijët u gëzohen pushimeve shkollore duke bërë gara me biçikletë në një fushë të madhe futbolli. Disi më ndryshe është në qendër, ku rreth e rrotull një rrapi të lashtë janë ngritur disa lokale. Më vonë do të mësojmë se pikërisht këtu ka qenë pazari i vjetër i qytetit. Prej tij tani kanë mbetur vetëm nja dy godina të gurta. Ndërsa presim mikun tonë që do të na shoqërojë rrimë një copë herë nën hijen e rrapit shekullor. Mbase është e vetmja gjë e gjallë që i ka parë të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur këtu. Takime burrash hijerëndë me mustaqe, nisje çetash për në luftë me italianët a me grekët, italianë të Duçes, gjermanë, partizanë, ballistë, karvane të gjakosura refugjatësh që iknin t'i shpëtonin vdekjes së sigurtë, të gjithë kanë kaluar këndej nga hija e tij e gjerë. Ca metra më tej është memoriali kushtuar viktimave të Çamërisë së martirizuar. Që këtej nisin zakonisht pelegrinazhet përkujtimore të çamëve.
Luan Besho, që do të jetë shoqëruesi ynë, na prezantohet vetë. Një buzëqeshje e tij e madhe u paraprin shtrëngimit të duarve. Luani ka lindur në Konispol, porse fati ka dashur që të mos jetojë shumë në qytetin e tij. Ai është veteriner. I arsimuar në Shkodër e Tiranë, ka punuar shumë vjet në zonat e Veriut. Ka qenë disa kohë nënkryetar i bashkisë. Ka nisur të ngryset.
Me Luanin bëjmë planin e vendeve që duhet të shohim të nesërmen. Do kohë më pas jemi bashkë me shumë konispolatë në një lokal në qendër përballë një ekrani të madh televizori. Ethet e Euro 2008 janë ndjerë shumë edhe këtu, afër rrapit të vjetër. Luhet Itali-Spanjë. Thuajse të gjithë janë me italianët. Vetëm një burrë që qëndron vetëm me një shishe birrë përpara, brohoret fuqishëm për spanjollët. Antitifoja e tij shkakton të qeshura kolektive, por hera-herës dëgjohet edhe ndonjë e sharë e fortë. "Po ti, ç'dreqin ke që bëhesh me spanjollët?", e pyet disi me inat një burrë që i është ulur afër. "Si mos të bëhem more vëlla! E ke lexuar Hasta la Vistën ti?", psherëtin tifozi spanjoll pasi e kthen me një frymë atë që i ka mbetur nga birra që ka nisur të ngrohet. Pastaj vijnë penalltitë, ku italianët humbin. Dhe atëherë nis festa e vërtetë. Kush e di se përse, mbase për të nxjerrë inatin ndaj zullumeve të të rriturve, në lokal hyjnë një grup fëmijësh që brohorasin fort: Spanja! Spanja!
Në Konispol po afrohet mesnata. Shkojmë të flemë në një banesë private të përshtatur në një si lloj hoteli. Që nga lart dallojmë siluetën e çuditshme të Çukës së Ajtoit. A thua ta kenë ngritur vërtet njerëzit atë ngrehinë të lartë shkëmbore? Çfarë nuk ka bërë vaki këtyre anëve.
Në Bregun e Koçit
Konispoli është një qytet fort i shtrirë. Të vendosura në një si ballkon në mes të tre maleve, Nartës, Likojanit dhe Saraqinit, shtëpitë e tij formojnë disa lagje që ndahen nga njëra-tjetra nga përrenj të shumtë. "Shkojmë në fillim andej nga Bregu i Koçit. Që andej mund ta shikojnë tërë Konispolin, madje dhe Jonin dhe Korfuzin", na këshillon Luani. Dhe kështu ngjitemi në lagjen më të lartë të qytetit. Është e vërtetë, që nga kodra ku jemi ngjitur shikimi humbet tutje në kaltërsinë e Jonit dhe poshtë në fushën nga kemi ardhur një natë më parë. Luani nis të na tregojë një e nga një pikat më të rëndësishme: "Kjo lagja këtu poshtë nesh është Qesarajza, këtu kam patur shtëpinë e prindërve, në këtë lagje kam lindur unë. Nga këto qafa, nga Likojani dhe Qafa e Madhe, si edhe nga Qafë Bota kanë kaluar refugjatët nga Çamëria e Poshtme të ndjekur nga andartët grekë, që nga qershori i 1944 e deri andej nga marsi 1945. Atje tutje, në pjesën që i ka mbetur Greqisë, në breg të detit, ka qenë plazhi ynë. Konispolatët kanë pasur barkat e tyre, me të cilat jo vetëm peshkonin, por bënin edhe tregti me Korfuzin. Që andej ishulli i madh nuk është veçse 22 kilometra.
Pastaj ka qenë një zakon i vjetër. Çdo 1 Maj, burra e gra, tërë qyteti, laheshin në det, të ndarë sigurisht, në atë vend atje. Thuhej se ky ceremonial sillte mbarësi për gjithë vitin. Atje larg në atë faqen e Malit të Saraqinit është Shpella e Kreshmoit. Atje janë bërë gërmime nga profesor Muzafer Korkuti dhe janë zbuluar objekte që nisin që nga prehistoria dhe shkojnë deri në Mesjetën e Herëshme. Gjatë Luftës në të u strehuan familje konispolate për t'i shpëtuar përndjekjeve të gjermanëve".
Bashkë me Luanin kthehemi në këmbë përgjatë rrugicave të gurta të lagjes së lartë. Gjatë rrugës hasim banorë me mushka apo kuaj të ngarkuar me bidonë të mëdhenj plot me ujë. Në Konispol ka një ujësjellës, por ujin e tij banorët nuk e përdorin për të pirë. Preferojnë më mirë të mbushen në burimet e vjetra atje ku kanë mbushur gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Në një shesh të vogël para një shtëpie - mbase i vetmi shesh në këtë lagje krejt të pjerrët - një grup djemsh të vegjël lozin hareshëm futboll. Një dreq e di se si bëjnë që topi të mos shkojë tatëposhtë.
Në Bregun e Koçit jeton familja e Difo Bejdos. "Nana" Difo është një plakë tashmë 83-vjeçare. Është njëra nga ato që e mban mend mirë tragjedinë e çamëve të 1944-ës. "Kam lindur në Lopës, jo shumë larg prej këtu - bën me dorë Nana andej nga Jugu - kemi pasur plot ullinj e toka dhe jetonim mirë. Pastaj erdhi Lufta. Në fillim ne ishim të vegjël dhe nuk e kuptonim mirë se ç'po ndodhte, por shikonim më të rriturit që ishin shumë të shqetësuar. Pastaj disa miqtë tanë të krishterë, me të cilët kishim shkuar jetë e mot mirë, na thanë se duhej të iknim, në mos do ta pësonim të gjithë, sikurse kishte ndodhur në Paramithi e andej ma poshtë. Kështu, në gusht të 1944, kemi kaluar këndej nga Qafa e Madhe.
Nuk kishim kohë të merrnim asgjë me vete dhe nuk kishim ku të fusnim kokën. Konispolatët e pasur kishin caktuar në Kllogjër, afër Mursisë një sipërfaqe toke për ne që ikëm nga lufta. Atje jemi vendosur në fillim, në një kasolle. Në Kllogjër na vdiq një motër. Nuk e duroi dot jetën e keqe që bënim atje". Nana pastaj i hyn një rrëfimi të gjatë se si pjesëtarët e familjes së saj i hynë një tjetër aventure të madhe. Nga Saranda në Vlorë me anije dhe më pas të shpërndarë në Elbasan, Rrogozhinë, Durrës, Tiranë, kudo që të gjenin qoftë edhe mundësinë më të vogël për të nisur jetën nga e para. "Po greqishten e di?", e ngacmojmë ne plakën e urtë. "Di, di, e kuptoj se ne në Lopës shkollë shqip nuk kishim. Kam bërë tre klasë në greqisht. Kështu që të paktën i kuptoj këto filmat që jep televizori", përgjigjet plaka me sytë që i shkëlqejnë nga humori. "Po ti si qëndrove këtu e nuk shkove lart bashkë me të tjerët?", vazhdojmë ta pyesim. "Mua? Mua më mashtruan se isha e vogël. Më gjetën një burrë këtu dhe kështu shpëtuan prej meje. Një gojë më pak, një hall më pak", vazhdon Nana me humorin e saj. Neve na duhet të vazhdojmë shëtitjen tonë konispolate. Në pragun e shtëpisë Nana na jep një pako të vogël të mbështjellë me plastmas. "Merreni, merreni. Është byrek me klumësht. E ka bërë Nana vetë. Është ditë e gjatë. Kush e di se kur do hani". Në kthesën e një rrugicë e përshëndesim edhe një herë nga larg Nanën e mirë. Shamia e saj, krejt si dëborë, na duket edhe më e bardhë se gurët që shndrisin fort nga dielli.
Mes shtëpive të vjetra Konispoli ka edhe një shëtitore me neone. "Këto janë vënë në kohën që isha unë", thotë Luani pa ndonjë mburrje të veçantë. Fare pranë shëtitores krejt në skaj të saj, hasim në disa shtëpi të vjetra, të gurta. "Shtëpi" mbase është fjalë jo fort e goditur në këtë rast, sepse hija e tyre është ajo e një pallati të vërtetë. Janë godina guri trekatëshe, me porta të rënda me qemer dhe me mure rrethues të lartë. Këtu kanë banuar familjet e kamura konispolate. Shumë prej tyre janë braktisur. Është e vështirë të mbash në këmbë këto godina që kanë nevojë të herëpashershme për ndërhyrje. "Kjo ka qenë familja e filanit, kjo e një tjetri të njohuri", Luani nuk lodhet teksa na përmend emra familjesh të njohura konispolate. Shumë prej atyre mbiemrave i kemi hasur më parë në Tiranë e Durrës, shumë prej pasardhësve i kemi miq e shokë. Një copë herë të mirë e kalojmë në freskinë e oborreve të shtëpive të larta. Na duket sikur këto shtëpi edhe të braktisura vazhdojnë ta ruajnë atë mikpritjen e vjetër. "Kthehemi një copë herë këtu. Kjo është shtëpia ku banon përkohësisht", Luani na ka befasuar duke na kthyer në një tjetër portë të lartë guri.
"Këtu ka banuar patrioti Alush Taka", një pllakë përkujtimore na kujton një mbiemër të njohur konispolat, Taka. Këta janë bërë të njohur më shumë nga një paraardhës i tyre, që pat luftuar me osmanët në kohën e Lidhjes së Prizrenit, që asokohe kishte një degë të saj në Prevezë. Në 1887 turqit e kapën dhe e dënuan me vdekje pikërisht në Konispol. Dëshira e tij e fundit para litarit ishte "të kërcej një valle". Kështu ka lindur vallja e njohur e Osman Takës, që kërcehet edhe sot e kësaj dite ndër gëzimet e çamëve. Një tjetër Taka i njohur ishte Alushi. Edhe ky kishte qenë përkohëluftëtar i njohur dhe komandant çete që nga koha e kryengritjeve për Pavarësi e deri në Luftën e Vlorës të 1920. Vdiq shumë larg qytetit të tij, në Trieste në 1937. Ishte 68 vjeç. Atëherë, për këta njerëz, kaq vite mbi shpinë, nuk ishin pak. Në oborrin me rrasa të shtëpisë së Takëve, ndërsa pimë dhallë të freskët dhe bëjmë fjalë për histori të vjetra, bashkë me Luanin e ndjejmë veten në një kohë tjetër.
Me xha Aliun në Qafë-Botë
Grupit tonë i është bashkuar një tjetër konispolat. Ali Maliqi, ndryshe nga Luani ynë, e ka kaluar tërë jetën e tij në qytetin e lindjes. Ka qenë jetë e mot nëpunës në qendër. Tani pasioni i tij më i madh është të merret me historinë e një ngjarjeje që këtu kujtohet me pasion. Më 5 gusht të 1943, gjermanët që po parashikonin kapitullimin e afërt të Italisë, u nisën për të kapur bregdetin e Jonit deri në Vlorë. Rruga automobilistike edhe atëherë kalonte në Qafë-Botë. Ishte një pikë strategjike, vendzbarkim i mundshëm për aleatët.
Porse gjermanët nuk ia kishin idenë vetive luftarake të çamëve të batalionit "Çamëria". Për 55 ditë deri në fund të shtatorit janë zhvilluar luftime të ashpra në krejt krahinën. Për herë të parë në Shqipëri, dhe mbase edhe të fundit, gjermanët u detyruan të përdorin të tërë arsenalin e tyre, artilerinë e rëndë, forcat tokësore, artilerinë detare, aviacionin, destantët. Konispoli ndërroi disa herë duar derisa gjermanët përfundimisht e futën në dorë dhe vazhduan më tej rrugën për në Sarandë dhe Delvinë. "Mbi 300 gjermanë dhe 25 partizanë të vrarë" është varianti zyrtar i pranuar. I vërtetë apo kjo luftë ka lëshuar rrënjë të forta në kujtesën e Konispolit. Me xha Aliun e Luanin shkojmë te vendi ku është ngritur lapidari në kujtim të saj. Xha Aliu, që atëherë ka qenë i vogël dhe është strehuar bashkë me të tjerët në atë shpellën e gërmuar nga Korkuti, vazhdon të tregojë me detaje se nga erdhën gjermanët në filan datë dhe nga "i ranë tanët". Përballë nesh valëviten tre flamuj, i BE-së, i Shqipërisë dhe i Greqisë. Një firmë greke ka nisur të rregullojë rrugën që nis që nga pika doganore e Qafë-Botës dhe vazhdon deri në Butrint. Përballë nesh një grup djemsh të lodhur e të djersitur mezi tërheqin këmbët duke dalë nga pika jonë kufitare. Janë emigrantë klandestinë që janë kthyer nga grekët. "Kjo gjë ndodh përditë - psherëtin me keqardhje njëri nga miqtë tanë - pastaj këndej i pret policia jonë që i merr në pyetje".
Tani e kuptojmë përse gjatë rrugës deri këtu pamë aq shumë makina policie të strukura ndër qoshe në hije. Kontrollojnë për refugjatë. Sikur të flasësh gegërisht, sikur të mos kesh asnjë adresë, sikur të duash thjesht të shkosh te një mik, apo thjesht të vish këndej për të parë, të piu e zeza, Shqipëria nuk ka akses të barabartë për të gjithë bijtë e saj, sidomos për ata më të varfërit. Kështu i bëjmë qefin me servilizëm fqinjit tonë më të pasur. Dhe pastaj themi se nuk ka më klon e zonë kufitare. Jemi ndarë me miqtë tanë. Bën shumë vapë dhe kënga e gjinkallave dëgjohet aq fort sa që ka rrezik të të shurdhojë. Në të dalë të Konispolit hasim një rrëke me gurë. Është kroi i tharë i Kallovresë (Kallogresë).
Legjenda thotë se një murgeshë ortodokse u hodh nga lartësia e shkëmbit në këtë përrua për të mos rënë e gjallë në dorë të osmanëve. Përballë kemi sërish Çukën e Ajtoit. Sërish na kujtohet ajo pyetja: Të jetë e vërtetë vallë që këtë mal e kanë ngritur njerëzit e lashtë të këtyre anëve? Ku i dihet, këtej çfarë nuk ka ndodhur?
Masakra që nisi një të martë qershori
Gjithçka nisi një të martë të vaposur qershori. Gjermanët e lanë Paramithinë, një nga qytetet më të rëndësishme të Çamërisë më 26 qershor. Pak orë më pas, në paraditen e 27 qershorit, mbërritën andartët grekë. Thuajse në të njëjtën kohë filloi masakra masive. Kasaphana përfshiu më pas me radhë tërë qendrat çame, Gumenicën, Margëlliçin, Filatin e deri në Pargë. Pjesa e popullsisë që i mbijetoi gjakderdhjes së kobshme kaloi nga qershori i 1944 e deri në marsin e 1945 në territorin shtetëror shqiptar. Qafë-Bota, Qafa e Madhe dhe Qafa e Likojanit ishin pikat nga ku kaloi karvani i refugjatëve të tronditur. Stacioni i parë i një kalvari të gjatë ishte Konispoli, qyteti i vetëm çam i mbetur këndej kufirit. Një bilanc i përafërt i mynxyrës është shumë tronditës:
Vrarë apo vdekur në burg: në Paramithi 800 vetë, në Filat 1286, në Margëlliç dhe Pargë 626, në Gumenicë 192. Të masakruar gjithsej: 2900 vetë. Nga këta 214 gra, 128 fëmijë (prej tyre 32 nën moshën 3 vjeç).
Janë përdhunuar shumë femra dhe janë rrëmbyer 76 prej tyre.
Të vdekur ose të zhdukur gjatë ikjes për në Shqipëri: 5277 vetë.
Janë shkatërruar 68 fshatra.
Djegur dhe rrënuar 5800 shtëpi.
Djegur dhe grabitur mbi 80 xhami.
Janë grabitur: 127 000 kokë bagëti të imta, 3600 kokë bagëti të trasha, 4453 kafshë pune, 651 600 kuintalë drithëra, 423 200 hektolitra vaj ulliri.
Gazeta Shqip
No comments:
Post a Comment