June 21, 2011

Çelet “Java çame – Trëndafilat e Çamërisë"



Shoqata “Çamëria”, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet çelën sot në mjediset e Hotel Tirana, “Javën çame – Trëndafilat e Çamërisë“. Java përkujtimore, që do të përmbajë një sërë aktivitetesh me kulmim në marshimin tradicional çam, në Qaf-Botë të Sarandës më 25 qershor, u çel me poezinë “Trëndafilat e Çamërisë“ të shkruar nga poeti shqiptar i Kosovës, z. Fatmri Muja dhe të performuar nga artisti i mirënjohur, z. Mirush Kabashi. Fjalën e hapjes së aktivitetit e mbajti kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi, i cili theksoi se çështja çame do të gjej rrugën e zgjidhjes dhe parashtroi hapat e ndërmarra dhe që janë në progres në lidhje me këtë çështje. “Më konkretisht ne na është premtuar nga shumica në pushtet, me të cilën ishim në koalicion, që në përputhje me detyrimet e Traktatit të miqësisë kjo çështje do të trajtohet si duhet. Ky është minimumi që mund të bëjë qeveria dhe ne do ta shtyjmë që ajo të mos i shmanget detyrimit për të cilin është zotuar.” – tha z. Idrizi, duke shtuar se “duhet  të miratojmë një rezolutë në parlament, e cila do të ketë karakter detyrues për qeverinë, pra kjo çështje nuk do të jetë thjesht detyrim mes palësh politike, por detyrim i gjithë klasës politike shqiptare. Ka ardhur koha që kjo rezolutë nuk mund të shtyhet më. Ne sot nuk jemi më një parti e vogël me dy deputetë; ne kemi 65 mijë vota në më pak se një vit  jetë e 2 muaj pas bashkimit. Ne do të jemi shumë shpejt faktor real politik, i cili kushtëzon fitoren e çdo lloj aleance.” Më tej ai shtoi se do të krijohet një mekanizëm institucional, që do të grumbullojë të gjithë të dhënat mbi çështjen çame, duke regjistruar komunitetin, historitë personale, pretendimet pronësore, do t’i asistojë ata për zgjidhjen e  këtij problemi,në planin juridik, etj. “Ne po punojmë me një studio britanike e cila po e studion problemin dhe shumë shpejt do të ofrojë zgjidhjen në detaje, nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare. Cdo angazhim i brendshëm, duhet të koordinohet me angazhimet e jashtme, sepse siç ju thashë kjo çështje nuk është çështje lokale, por është nga çështjet më të rënda ndërkombëtare të trashëguara nga Lufta e dytë botërore. Ne po punojmë për të sensibilizuar SHBA,  Parlamentin evropian, duke lobuar atje për të shkuar tek një rezolutë e tyre në lidhje me këtë çështje. Këtij qëllimi i shërbeu një udhëtim yni në SHBA, dhe shumë shpejt ne do të udhëtojmë përsëri për të shikuar frytet e asaj që mbollëm në vizitën e parë. Ne po ndjekim modelet e atyre komuniteteve që kanë pësuar gjenocid në luftrat botërore. Ne po ndërlidhemi me të gjithë ato komunitete që janë spastruar etnikisht nga Greqia në Luftën e dytë botërore, siç janë hebrenjtë, siç janë maqedonasit.” – tha z. Idrizi. 

Theks të veçantë në fjalimin e tij mbajti vendimi i fundit i qeverisë greke për shitjen e pronave në zonat kufitare, ku me shumë gjasa pronat që do të shiten janë pronat e shqiptarëve të Çamërisë. “Ne po studiojmë dhe rastin e shitjes së pasurive greke në zonat kufitare, si pasojë e krizës ekonomike që po kalon vendi fqinjë.  Ju e keni dëgjuar lajmet se Greqia po lejon shitjen e këtyre pasurive të vendosura në të ashtuquajturat zona kufitare, përfshi Selanikun. Ne kemi dyshime të forta, se këto prona janë prona shtetërore, që shteti grek ja ka dhënë në përdorim privatëve, prona që dikur i takonin jo grekëve. Këto prona me shumë gjasa, janë prona të shqiptarëve të përzënë me forcë, apo të spastruar etnikisht, në fund të luftës së dytë botërore, sepse nuk dimë që shteti grek të ketë prona të tjera në këto zona. Ne nuk dimë prona të tjera që të mund të jenë të bllokuara që nga Lufta e dytë botërore. Nëse është e vërtetë kjo, atëherë ne do të protestojmë fuqimisht në të gjithë instancat ndërkombëtare. Ne nuk do të lejojmë që të shiten pasuritë tona.” – tha kryetari i PDIU-së. Ndërkaq ai theksoi se po bashkëpunohet edhe me shqiptarët e mbetur në Çamëri, duke i sqaruar ata se PDIU nuk ka ndërmend të prish paqen sociale të askujt dhe se shqiptarët e Çamërisë duan prej shtetit grek të kërkohet ndjesë për krimet e mëdha që janë kryer dhe zgjidhje juridike për këto krime.  

Presidenti i nderit i PDIU-së, z. Tahir Muhedini vlerësoi rolin që ka pasur shoqata “Çamëria” në mbajtjen gjallë të traditave dhe kulturës çame, sikurse edhe në promovimin brenda dhe jashtë vendit të çështjes çame. “Në vitin 1990, patriotë shqiptarë me origjinë nga Çamëria themeluan shoqatën e parë patriotike politike në vend, me emrin e trevës prej nga u larguan. Ruajtja e trashëgimisë kulturore nga treva jonë e origjinës do të ishte e pamundur pa këtë shoqatë. Por, më tepër se kaq, shoqata “Çamëria” shërbeu për vite me rradhë sin jë levë presioni ndaj qeverive shqiptare që të mos heshtnin për çështjen çame dhe ia arriti misionit të saj në shumë raste. Dëshmitë okulare të këtyre ngjarjeve tronditëse që ishin fshehur nga shteti grek, por edhe nga regjimi komunist për vite me rradhë dolën në pah, fal punës së palodhur të patriotëve që kishte kjo shoqatë. Çështja çame u bë më jo thjesht një çështje individësh të shpërndarë në gjithë Shqipërinë, por u kthye në një grupim të fortë dhe të pandashëm, njerëzish që kanë të drejtën me vete.” – tha z. Muhedini. Kryetari i shoqatës “Çamëria”, z. Ardian Tana vlerësoi rolin që kanë pasur figura të shquara çame në historinë e Çamërisë, të Shqipërisë dhe të mbarë Ballkanit.


 “Kjo tokë sigurisht nuk kish lindur vetëm luftatarë, por edhe dhjetëra dijetarë, njerëz  të shkencës, mendimit artit e letrave shqipe, duke përmendur humanistin e shenjtorin Maksim Artioti, Hasan Tahsinin e madh, Elena Gjikën, Kolë Idromenon, Mitrush Kutelin e dhjetëra të tjerë. Shqiptarët e Çamërisë ishin pjesëmarrës aktivë në Luftën Antifashiste. Në formacionet luftarake në të dy anët e kufirit morën pjesë mbi 1000 bij e bija të Çamërisë dhe një pjesë prej tyre dhanë edhe  jetën , ç’ka hedh poshtë çdo justifikim për barbaritë që hordhitë greke luajtën në shpinë të popullsisë së pambrojtur shqiptare. Në muajt e tmerrit zervistët provuan mbi popullsinë e pafajshme aktet më të tmerrshme të urrejtjes dhe ligësisë njerëzore, për të realizuar atë që ata kishin planifikuar me kohë.” – tha z. Tana. Në aktivitet përshëndeti edhe artisti i mirënjohur nga Kosova, z. Enver Petrovci, i cili deklaroi se tashmë shqiptarët janë të bashkuar për të çuar përpara të drejtat e tyre kombëtare. Java çame do të vijoj nesër paradite në orën 11:00 me çeljen e ekspozitës fotografike jashtë mjediseve të kryesisë së Kuvendit, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

No comments:

Post a Comment