December 31, 2012

ÇËSHTJA ÇAME NË OPTIKËN E KONVENTAVE NDËRKOMBËTARE

Nga Ahmet Mehmeti

Në kohën e sotme Greqia është shteti i vetëm në Europë që shkel në mënyrë flagrante disa nga konventat kryesore mbi të cilat mbështetet rendi i ri ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore. Këtë shkelje të përbindshme më shumë e ndien popullsia rreth 200.000- she shqiptare e dëbuar me dhunë e genocid nga trojet e veta etnike në Çamëri.
Para 60 vjetësh forcat më të errta të nacionalizmit grek të nxitura nga qeveria greke dhe të drejtuara nga kriminelët e luftës gjeneralët Zerva e Plastira bënë spastrimin etnik të Çamërisë nga pjesa e popullsisë muslimane shqiptare. Në këtë veprimtari kriminale rol aktiv ka luajtur edhe kisha greke bizantine.

Pastrimi etnik në Çamëri kishte filluar qysh në vitin 1913 dhe ishte shoqëruar mevrasje masive ku vetëm në vendin e quajtur Përroi i Selanit u masakruan 72 krerë, intelektualë dhe personalitete të minoritetit shqiptar në Greqi. Gjatë një periudhe 30 vjeçare çamët e pambrojtur ju nënshtruan të ashtuquajturës reformë agrare ku ju grabit toka dhe ju shpërnda kolonëve grekë të sjellë nga Azia e Vogël në vitet 20, ju mohua e drejta e shkollës në gjuhën amtare e deri tek e drejta e votës dhe jeta u katandis në skajet e padurimit.
Para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore çamët u paragjykuan dhe u internuan në ishujt e Egjeut etj. Atyre që u thirrën në ushtri ju dhanë kazma duke i trajtuar si robër lufte. Megjithatë gjatë luftës çamët dhanë një kontribut të çmuar me pjesmarrjen e tyre në batalionet “ Çamëria “ e “ Ali Demi” ku morën pjesë mbi 1000 (një mijë) luftëtarë, dhe ranë mbi 70 dëshmorë, krahas formacioneve çlirimtare greke e në përbërje të tyre, fakte këto të vërtetuara qartë me dokumente e libra të shkruara nga vetë anëtarët grekë të të dy krahëve politikë si dhe nga misionet aleate (Jani Sharra, Niko Zhangu, Mihal Miridhaqi, C.M. Woodhouse etj). Por të gjitha sakrificat e kësaj popullsie në luftën çlirimtare nga autoritetet greke në fund të luftës dhe vazhdojnë të mohohen deri në ditët e sotme.

Për këtë në mënyrë absurde shteti grek mban de jure në fuqi ligjin e luftës Nr. 2636 / 1640 si dhe ligjet pjella të tij 4506/1966 e 1664/1998. Në kohën kur është dekretuar ligji i luftës me Shqipërinë çamët ishin shtetas grekë dhe ky ligj s’kishte të bënte fare me ta. Ai mbahet sot si gozhda e Nastradinit dhe për të dëshmuar para botës së qytetëruar sesi Greqia shkel konventat ndërkombëtare të nënshkruara nga ajo vetë. Greqia vazhdon të shkelë sot Konventën mbi Mosparashikimin e Krimeve të Luftës dhe Krimeve Kundër Njerëzimit, hyrë në fuqi më 11 nëntor 1970. Kjo Konventë rikujton rezolutat e Ansamblesë së Përgjithshme të OKB-së datë 13 shkurt 1946 dhe 31 tetor 1947 në lidhje me ekstradimin dhe ndëshkimin e kriminelëve të luftës dhe rezolutën 95 të 11 dhjetorit 1946 që konfirmon parimet e së drejtës ndërkombëtare të njohura nga Statusi i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut dhe nga vendimi i atij gjyqi si dhe rezolutat e dhjetorit 1966 nëpërmjet të cilave Ansambleja e Përgjithshme ka dënuar shprehimisht si krime ndaj njerëzimit shkeljen e të drejtave ekonomike dhe politike të popullsive autoktone siç është popullsia e martirizuar e Çamërisë ku popullsisë myslimane ju grabitën pronat kurse popullsisë së krishtere i mohohet sot shkolla dhe gjuha amtare.
Në nenin 1 të kësaj Konvente theksohet se krimet e kuftës “ janë të paparashikueshme cilado data kur janë kryer”. Gjithashtu në pikën b të nenit 1 dënohen pa kufi kohor: “Dëbimi nëpërmjet një sulmi të armatosur ose pushtimit dhe aktet ç’njerëzor…si dhe krimi i genocidit, ashtu siç është përcaktuar në Konventën e 1948 për parandalimin dhe ndjekjen e krimit të genocidit, qoftë dhe kur këto akte nuk përbëjnë shkelje të së drejtës së brendshme të vendit ku janë kryer”.


Për cilindo nga krimet e kryera në Çamëri dispozitat e kësaj konvente kërkojnë të vihen në zbatim edhe ndaj përfaqësuesve të autoriteteve të shtetit që tolerojnë kryerjen e tyre , theksohet në nenin 2, pra edhe qeveria aktuale ka përgjegjësi për çfarëdo qëndrimi zvarritës në dhënien e të drejtave të mohuara të popullsisë çame në ditët e sotme. Në nenin 4 Konventa e detyron Greqinë të marrë të gjitha masat legjislative e të tjera që do të jenë të nevojshme për të siguruar mosparashkrimin e krimeve të përmendura në nenet 1 dhe 2 … si përsa u përket ndjekjeve ashtu edhe përsa i përket dënimit , atje ku mund të ekzistojë një parashikim, me ligj apo me një mënyrë tjetër, ai do të hiqet . Në kundërshtim të plotë me Konventën e Mosparashkrimit të krimeve të luftës shteti grek nuk ka nënshkruar edhe Protokollin Nr. 4 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo është bërë qëllimisht për të mbajtur të pushtuar Çamërinë në kuadrin e strategjisë greke të Megali Idesë. Në pikën 1 dhe 3 të këtij protokolli theksohet “Askush nuk mund të
dëbohet , me anë të një mase individuale ose kolektive , nga territori i shtetit , shtetas i te cilit ai është “ dhe në pikën 2 të të njëjtit nen nënvizohet: “Askujt nuk mund t’i hiqet e drejta për të hyrë në territorin e Shtetit , shtetas i të cilit ai është”. Nga ana tjetër Greqia si antare e Këshillit të Europës e ka ratifikuar Konventën Europiane të të drejtave të Njeriut e migjithatë ajo vazhdon të shkelë të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë duke i akuzuar pa të drejtë si bashkëpunëtorë të nazifashizmit. Në pikën 2 të nenit 6 të kësaj konvente thuhet: “ Çdo
person i akuzuar për një shkelje të ligjit prezumohet i pafajshëm deri sa fajësia e tij të provohet ligjërisht”. Në fakt pafajësia e çamëve është provuar ligjërishtnga Gjykata e Diktimit të Janinës me shkresën me numër protokolli 1837 datë 29 shtator 1976 dërguar Ministrisë së Rendit Publik, Drejtorisë së Shërbimeve Kriminale në Athinë.
Pra ka ardhur koha që për spastrimin etnik me dhunë të Çamërisë,Greqia të kërkojë falje publike për 2900 të vrarët, 2400 të vdekurit nga uria dhe semundjet gjatë spastrimit etnik, për 68 fshatrat e qytetet e grabitura e të shkatërruara, për të gjitha objektet e kultit të rrënuara dhe 60 vjet shfrytëzim të padrejtë të pasurive të tyre dhe të marrë të gjitha masat për të siguruar kthimin e çamëve në vendin e tyre në Çamëri, me dinjitet sipas të gjitha Konventave Ndërkombëtare që ajo vetë i ka ratifikuar. Shteti shqiptar krahas punës me fqinjën jugore të vërë në dijeni OKB-në dhe gjithë organizmat e interesuara evropiane dhe amerikane sesi i zbaton Greqia konventat dhe kartat ndërkombëtare e mos të merret me ato që janë të fundit, komisione qesharake pronash, që nuk zgjidhin asgjë pa rregulluar të parat.

www.cameriainstitute.org

No comments:

Post a Comment