Para disa kohësh u botua libri i profesor Sulejman Abazit- Nesha me titull: ”Çështja Çame në strategjinë tonë kombëtare”, botuar në shtëpin botuse RUGOVA ART në Prishtinë.
Profesor Sulejman Abazi është një ndër personalitetet e shquara kombëtare, dhe njëherit është dhe drejtues i Unikombit si lëvizje uniraterale kombëtare. Ka lindur në qytetin e Vlorës më 7 maj të vitit 1954. Ka punuar si oficer i karrierës në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, dhe njëherit është marr dhe me shkencë. Ka mbaruar studimet pasuniversitare në Tiranë në drejtimin e Psikologjisë, dhe është pajisur me titullin Doktor i Shkencave Psikologjike. Ai, njëherit është dhe Ambasador i paqes, titull me të cilin rrallë kush është pajisur deri më tani.
Profesor Sulejman Abazi nuk ka botuar vetëm këtë libër. Ai ka dhe botime të tjera dhe më parë. Libri më i ri i tij, vjen si rezultat i nevojave strategjike gjithëkombëtare, të cilat e ngushtojnë veprimin politik në rajon duke mos pasur cilësi uniraterale në menaxhimin politik gjithëkombëtarë.
Ai, me mish e me shpirt i është përkushtuar çështjes madhore të kombit duke e dhënë të gjithë energjinë e vet për realizimin e planeve për ribashkim të shqiptarëve, siç do thoshte dhe vet ai.
”Askush nuk e gëzon sot autoritetin e bllokimit të alternativave me zgjidhje pragmatiste, të cilat ngrejnë më lartë rëndësinë dhe vlerat e organizimit të popullsisë Çame në planin kombëtar ”, do të thotë ai për agjencinë INA.
”Në këto kushte, riorganizimi i lëvizjes çame duhet të fillojë nga poshtë lartë, në mënyrë që forca e institucioneve të saj drejtuese, të jetë në çdo kohë më të fuqishme se sa individët në drejtimin e saj. Kjo mënyrë veprimi do t’u hapë rrugën proceseve të vërteta demokratike brenda lëvizjes çame, kundër mendësive të vjetra, do të forcojë besimin në mundësinë e plotësimit të amanetit të të parëve, për një rikthim të mundshëm në tokën nënë. Me logjikë të ftohtë, do rekomandoja disa drejtime konkrete, se çfarë duhet të bëjmë për të krijuar, forcuar dhe mbrojtur organizimin e popullsisë çame. Të mos pranojmë opsione individuale kundër angazhimit kolektiv dhe institucional, për të mbrojtur me çdo çmim kërkesat programore, vepruese, progresiste, me ide dhe vizion të qartë për ardhmërinë e Çështjes Çame brenda lëvizjes kombëtare. Të alarmohemi dhe të jemi përherë në sulm të organizuar, rigoroz dhe pa kompromis kundër elementëve antikombëtar, në demaskimin e pandalshëm ndaj tyre, deri tek mjetet e domosdoshme penguese, brenda të drejtave programore që mbart dhe zhvillon Çështja Çame. Elementët regresivë, qofshin këta individë apo institucione, t’i demaskojmë hapur në opinionin kombëtar, duke i dhënë hapësira të gjera mbështetëse Çështjes Çame, kudo në trojet etnike", deklaroi profesor Abazi.
Sipas tij, duhet të arrihet që organizimin e popullsisë çame kudo ku ajo jeton e vepron ta kthejmë në një institucion mbarëkombëtar, si një proces i pandalshëm i rritjes sasiore të veprimtarisë dhe të bashkëpunimit, me synime të qarta drejt rikthimit të kësaj popullsie vitale në lavdinë e etërve të saj të dikurshëm.
Libri është ndarë në 18 kapituj, dhe është sublimat i shikimeve shkencore dhe strategjike në rajon dhe më gjerë. Sipas fjalëve të Profesor Abazit, libri do ketë tri promovime. Do fillojë me Kumanovën, në Prishtinë dhe në fund do mbarojë me promovimin e librit në Tiranë. (Fërgim Demiri / INA)
No comments:
Post a Comment