December 24, 2012

NJË VIZITË ÇAMËRISË SIME


(Nga shqetësimi në dhimbje, nga dhimbja në shpresë …)

U nisa herët nga Kosturi,
... në Çamëri, ëndërra më shpuri,
thash, po ndalem në Margëlliç,
kam ca vëllëzër e kam ca miq!

Mendova, do më presin Çaparët,
siç e kanë adet shqiptarët,
por, gjeta të përmbysaura magje,
rrafsh me tokë, kulmet mbi pragje!

Ah, medet, ç´pashë o Hyji im,
zemra u mbush zeher, pelim,
n´dëshprim, nisa këngën në gjuhë Nëne,
këngës m´i erdhi një erë gjëme!

Mora rrugën për në Janinë,
desha t´vizitoj Pashanë, Alinë,
pyeta se ku e ka Kalanë,
a do shoh Vasiliqinë, Pashanë?!

Shkova në Oborr t´Lavdisë,
ai që i bëri tërmet Perandorisë,
kot qesh nisur dhe kot shkova,
Ali Pashanë dot s´e takova!

Nuk dëgjova asnjë fjalë shqipe,
në Kështjellën përballë Liqeni,
gjurmëve t´kohës Ilirike,
tash n´greqisht iu shkrua refreni!

Ndjeva dhimbje n´krahëror,
rrënjët e mia ishin zh´bërë,
një Copë Lavdi e Trungut Arbëror,
ishte prerë keq me gërshërë!



Ah, mendova unë i ngrati,
të marr rrugën kah Filati,
po dhe atje, sytë çfarë më panë,
derdha lot për atë copë Vatan!

Ishin ndërruar emra, gjuhë, çka mos...
nuk tymonte më Oxhak në Shqip,
s´di ku mbeti gjithë ai Epos,
i Trungut tim t´lashtë Ilirik?!

Koka më vlonte, gjaku ndezë,
mora rrugën për në Prevezë,
ndoshta aty do gjejë Picarët,
Kollokotronët apo Çaparët?!

Kisha hy n´mendime t´thella,
kur, para m´del Kiço Xhavella,
me një ngërdheshje në ironi,
m´thot: Mirë se erdhe në Greqi!

Ah, i thëm, o farë e shitur,
ti për rrënjët, kurrë s´ke ditur,
po ta kisha Markon gjallë,
ty e Karaiskaq do ju kish kallë!

Mu mbush zemra plot maraz,
thash, t´kërkoj Tahir Abaz,
s´gjeta Tahir e as ushtri,
po ku i le o Nënë Çamëri?!

E shkretë përpara më doli Arta,
tashmë të gjitha i kisha t´qarta,
nuk pashë dot as Bubulinë,
rrafsh me tokë i bënë shtëpinë!

Loti i vakët më shkoi përfaqe,
s´flitej shqip më n´ato konaqe,
ku janë çamët, kah i shpuan,
s´ka djepa as varre, vallë kah shkuan?!

Spashë më n´shqip tabela as targa,
si e vdekur më dukej Parga,
n´Gumenicë e n´Paramithi,
nuk i vinte më erë Çamëri!

Ev! Thash po iki për në shtëpi,
para më doli një djalë i ri,
më buzëqeshi ashtu qeltas,
dy tri fjalë mi tha krejt fshehtas:

- Xhaxhi, të qoftë rruga e mbarë,
t´falemnderit për këtë vizitë,
mos harro, edhe ne jem shqiptarë,
që s´guxuam të t´flasim shqip!

Kujdes t´lutem, po t´përcjellin,
ca langonjë që i vrau zezona,
frikë e ankth duan të mbjellin,
që t´mohojmë ne rrënjët tona!

Pasha Nderin e Bubulinës,
pasha trimërinë e Marko Boçarit,
kurrë në gjunj s´i bie Athinës,
se jam Nip i Ahmet Çaparit!

Ma thonë emrin: Marko Pirro,
kështu dëshironin t´partë e mi,
babai, ndjesë pastë, më tha: Biro,
Çamëria është Shqipëri!

Eh, i thash, xhaxhai të pastë,
tash po kthehem me t´reja shpresa,
s´jeni vetëm, do jemi t´gjithë bashkë,
se përndryshe, do na vret Besa!!!

Me sy hapur po ëndërroja,
për Çamërinë dhe çamët e mi,
nga dhimbja n´shpirtë, po lotoja,
a do vi ajo ditë, o Nënë Shqipëri?!

Mentor Thaqi VS., 22.09.2011

No comments:

Post a Comment