May 28, 2014

Çamëria dhe antifashizmi i saj që përfundoi në gjenocid


Fitorja mbi nazifashizmin ka në themele e saj edhe kontributin e burrave të Çamërisë, që luftuan me armë në dorë, por edhe që u internuan në kampet e përqendrimit në Itali e Gjermani. Qëndrimet zyrtare greke dhe neofashiste të politikës antishqiptare, mbajnë si “flamur” akuzat e pabaza ndaj popullatës çame, duke pasur si qëllim realizimin e qëllimeve të veta për aneksimin edhe të pronësisë së pasurive të çamëve, të cilat janë të shenjta dhe të patjetërsueshme. Por më shumë se kaq, Greqia zyrtare dhe disa të mjerë mbështetësit e saj ndërkombëtarë, janë kthyer në qesharakë kur mbrojnë veprimet genocidiste të Greqisë, përmes bandave kriminale dhe fashiste të Napoelon Zervës dhe sozive të tij të rinj.
Masakrat në Çamëri janë një shkelje flagrante e parimeve njerëzore dhe një mospërfillje e turpshme e parimeve dhe e karakterit të luftës antifashiste. Masakrat në Çamëri u kryen në saje të bashkëpunimit dhe marrëveshjeve me gjermanët, të cilët në tërheqje, u lanë vendin forcave zerviste. Ja një fakt konkret: Midis forcave zerviste dhe atyre gjermane: komandanti zervist Theodhori Vito, i forcave të krahinës së Filatit, një ditë para hyrjes së forcave zerviste në Filat dhe pikërisht më 22 shtator 1944 në katundin Faneromen, 3 km larg Filatit, u takua me komandantin e forcave gjermane në tërheqje. Pas këtij takimi shohim ende, pa u larguar mirë forcat gjermane nga Filati, forcat e Theodhori Vitos hynë në Filat. Kështu, një bashkëpunim i tillë u sigurojnë forcave zerviste krahët, duke u dhënë mundësi për të filluar terrorin dhe masakrat në një stil të gjerë në të gjithë krahinat e Çamërisë.
Forcat e Divizionit X të EOEA-së, nën komandën e kolonel Vasil Kamarës dhe pikërisht, ato të regjimentit të XVI të këtij Divizioni, të udhëhequra nga Kranjai, me ndihmesën e Lefter Strugarit, avokat Stavropullos, Ballumi, Zoto, kriminelët me damkë Pantazejtë etj,. më 27 qershor 1944 hynë në qytetin e Paramithisë. Në kundërshtim me premtimet e dhëna dhe marrëveshjes së bërë midis Myftiut Hasan Abdullai, nga një anë dhe Shopera me Dhespotin e Paramithisë, Dorotheun, nga ana tjetër, si agjentë të Zervës ata filluan masakrat më të poshtra. Burra, gra e fëmijë të pambrojtur qenë objektivi i monarko-fashistëve grekë. Numri i të masakruarave në qytetin e Paramithisë dhe rrethe, arrin në 600 vetë.
Më 28 korrik 1944, forcat e Regjimentit 40, nën komandën e Agorës, hynë në Pargë, ku masakruan 52 burra, gra e fëmijë. Forcat e EOEA-së nën komandën e Dheodhori Vitos, Ilia Kaçon, Kristo Mavrudhi, Hristo Kaço, Harri Diamantin etj., pasi rrethuan qytetin e Fialtit më 23 shtator 1944, ditën e shtunë në mëngjes hynë në qytet. Po në këtë ditë hynë edhe në Spatar. Plaçkitën dhe grabitën të gjitha familjet dhe të gjithë çfarë gjetën. Në mbrëmjen e natës 23, duke u gdhirë 24 shtatori 1944, hynë edhe forcat e komanduara nga Kranjaj, Strugari etj,. Me arritjen e këtyre forcave, filluan menjëherë masakrat. 47 burra, gra e fëmijë u masakruan menjëherë në Filat dhe 157 numërohen të masakruarit, të vrarët e të humburit në Spatar, ku një pjesë e mirë e tyre ishin grumbulluar nga katundet e tjera. Të gjithë gratë e reja dhe vajzat u keqpërdorën dhe u shnderuan prej kriminelëve të Zervës. Pak ditë më vonë, monarko-fashistët grumbulluan të gjithë burrat që kishin mbetur dhe me vendimin e gjyqit fals : Koqiniai (kryetar), Stavropullos (prokuror) dhe 4 anëtarë, 47 shqiptarë të pafajshëm u masakruan. Në Granicë të Filatit, janë mbuluar kufomat e 46 vetëve, të vrarë e të therur me thika dhe 45 të tjerë në fushën e Filatit, tek ara e Xhelo Metos. Familje të tëra janë zhdukur me prindër, fëmijë e foshnja në djep. Gratë dhe vajzat u shnderuan, me qindra deklarata të atyre që shpëtuan, përshkruajnë vrasjet dhe vuajtjet e pasosura. Nga ato del qartë kriminaliteti dhe qëllimi i veprimeve të monarko-fashistëve grekë në Çamëri.
Çamëria në luftën e madhe antifashiste kontribuoi materialisht dhe moralisht. Me qindra të rinj çamër u hodhën në radhët e ELAS-it, kur EAM-i lëshoi kushtrimin e luftës për liri. Me zgjerimin e luftës antifashiste kundër okupatorit gjerman, popullata çame u hodh pa rezerva në një luftë totale kundër okupatorit dhe formoi Batalionin e 4-t të Regjimentit të 15-të të ELAS-it. Nga popullsia e vogël e Çamërisë dolën më tepër se 500 luftëtarë që luftuan me trimëri dhe vendosmëri kundër okupatorit nazifashist dhe tradhtarëve ballisto-zerviste.
Gjaku i Heroit Ali Demi dhe i dëshmorit Bido Sejko, gjaku i dëshmorëve Muharrem Myrtezai, Ibrahim Hallumi, Hysen Vejselit etj, që u derdh së bashku me atë të partizanëve grekë në Qafat e Qeramicës, dëshmon konkretisht për këtë fakt. Në përfundim të luftës dhe në çlirimin e vendit nga okupatori, trupat e komanduara nga gjenerali Napoleon Zerva, operonin në krahinat dhe fshatrat tona, jo si çlirimtarë, por si xhelatë dhe armiq të betuar të elementit shqiptar në Çamëri. Jeta e njerëzve që kanë pësuar vuajtje nga regjimet e ndryshme është e mbushur me shumë detaje, që ende nuk janë bërë publike. Pjesëtarë të komunitetit çam, që ndodhen në Shqipëri aktualisht, kanë shumë për të thënë.
Kur fjala vjen tek shqiptarët e Çamërisë, mendja të shkon tek genocidi grek, që nisi më 27 mars të vitit 1913 me masakrën e Përroit të Selanit, ku u vranë 72 krerët e Çamërisë në Paramithi dhe që vazhdoi më pas me internimet në vitin 1940 nga shteti grek në ishujt Hio e Mitilinë, të burrave mbi 18 vjeç nga Çamëria, për të përfunduar me “zgjidhjen përfundimtare” të këtij shteti fashist, me dëbimin e gjithë popullatës çame myslimane nga trojet e veta stërgjyshore dhe autoktone. E gjitha kjo “zgjidhje përfundimtare” u bë në format më çnjerëzore, tipike fashiste dhe me cilësimet e një genocidi.
Nëse kjo vuajtje nga ky genocid ishte e paparë dhe mizore për këtë komunitet, ardhja në Shqipëri u shoqërua edhe me një genocid tjetër të tipit komunist, nga shteti i diktaturës së proletariatit. Nëse një popull i tërë vuajti pasojat e genocidit stalinist të Enver Hoxhës, për çamët kjo ishte një genocid më i drejtpërdrejtë. Ishte kjo popullatë që vuajti pasojat edhe më rënda, për shkak të përbuzjes, persekutimit, moskonsiderimit dhe keqtrajtimit politik, moral, shoqëror dhe ligjor. Janë të njohura pasojat që la sistemi diktatorial mbi popullsinë çame, sa edhe sot e kësaj dite, reminishencat e së kaluarës janë prezente në jetën civile shqiptare, në forma e modele tipike të kohës së diktaturës
Ata që vuajtën tre genocidet
Por në jetën e këtij komuniteti, ka pasur edhe pjesëtarë të tjerë, që veç genocidit grek dhe atij komunist, vuajtën edhe genocidin nazifashist. Veç pjesëmarrjes së çamëve në luftën antifashiste, pati pjesëtarë të tij që u internuan në kampet e shfarosjes në masë, si në Itali dhe në Gjermani. Faktet flasin për këtë të vërtetë. Në vitin 2005, Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu me dekretin Nr. 4478, datë 08. 02. 2005 i dha “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, dy pjesëtarë të komunitetit çam, Nuri Emin Zane (pas vdekjes) dhe Hajri Hasan Fetahu (pas vdekjes), me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të lartë dhe respekti të përhershëm për kontributin e dhënë në luftë kundër pushtuesve nazifashsitë, në Krahinën e Çamërisë, dhe për rezistencën e vuajtjet, si i internuar në kampin e përqendrimit të Dakaos”. Janë edhe pjesëtarë të tjerë të këtij komuniteti, që u internuan në Itali, e më pas në Gjermani si antifashistë të Çamërisë, të cilët ende mbeten të panjohur. Nuk mund të them se është faji i njërit apo tjetrit shtetar, por është mosvëmendja dhe mosdija, se çamët nuk janë ata që thonë grekët, por janë atdhedashësit e emrit Shqiptar, të flamurit shqiptar, të identitetit shqiptar. Janë antifashistë dhe luftëtarë gjatë Luftës II Botërore.
Nuri Zane dhe Osman Zenel Taka pas clirimit nga Dachau 1945

Do të doja të sillja vëmendjen të opinionit edhe kontributin e burrave të tjerë si: Mezan Emin Jonuzi dhe Osman Zenel Taka, që u internuan në Itali dhe në Gjermani. Për më tepër, flasin edhe historitë e këtyre burrave, që u bënë dëshmitarët okularë të masakrave genocidiste në kampet e shfarosjes në masë. Jakupi në vitin 1941, në fund të luftës Italo-Greke u plagos në përpjekje me italianët dhe u kap rob. Fillimisht u burgos në Greqi. Por pas disa muajsh u transferua në Itali, ku ndenji 2 vjet. Dihet tashmë se cila ishte jeta e të internuarve në këto kampe famëkeqe, ku kanë qenë shumë shqiptarë të tjerë. Pas kapitullimit të Italisë më 1943, këta të internuar i çojnë në Gjermani, në kampet e tmerrshëm në Mathausen, Dakau, Aushvic e gjetkë.
Për Mezan Jonuzin, ashtu si edhe për Osman Takën, e bashkë me ta edhe për Nuri Zane e Hajri Fetahu, si dhe shumë të tjerë, ishte fati i madh që mbijetuan shfarosjes dhe më pas u bënë të gjallë në dyert e shtëpive të tyre. Por, për këta pjesëtarë të komunitetit çam, ishte një tragjedi më e madhe se, pasi i shpëtuan genocidit nazifashist, ishin grekët dhe shteti i tyre që kishte përzënë me forcë, me zjarr e me hekur familjet e këtyre antifashishtëve. Ky ishte kulmi i padrejtësisë, por fati ishte i paracaktuar dhe tragjik.
Njëherazi, jeta e tyre është dhe aktakuza më e madhe ndaj qeverisë dhe zyrtarëve grekë, që përdorin karta e djegura për të mbajtur në fuqi ligjin e luftës dhe antishqiptarizmin primitiv ballkanik. Janë këto edhe argumente më bindëse për tu përdorur nga historiografia shqiptare dhe diplomacia shqiptare, për dinjitetin e një kombi.
Nga Hyqmet Zane

No comments:

Post a Comment