June 20, 2014

Me rastin e 70 vjetorit të Masakrave Greke në Çamëri - Cham Albanians of Greece - 1


Reçension: Shqiptaret Çame te Greqise- Nji histori e dokumentueme. (Redaktue nga Robert Elsie dhe Bejtullah Destani, ne bashkepunim me Rudina Jasini; I.B.Taurus LTD. ne shoqenim me Center for Albanian Studies: London, U.K. 2013, ff.445, dhe index)

Sami Repishti - Ridgefield, CT. USA.

Dy punetore te palodhun ne fushen e studimeve shqiptare, intelektuali kanadez Robert Elsie, dhe studjuesi shqiptar kosovar, Bejtullah Destani i Qendres per Studime Shqiptare ne London,U.K. ne bashkepunim me Zonjushen Rudina Jasini, student ne Oksford U.,U.K., na dhurojne nji punim shkencor, te pergatitun me kujdes dhe dashuni te sinqerte per shkencen e historise, dhe per popullsine çame, viktime e pafajeshme e persekutimeve te vazhdueshme greke, vetem sepse jane “shqiptare” dhe “myslimane”. Ky racizem i dyfishte kombetar e fetar vazhdon edhe sot te jete karakteristike e politikes shkombetarizuese greke, te cilen e deshmojne sot ma shume 600.000 emigrante ekonomike shqiptare qe u larguen nga frika e terrorit komunist. Nji tragjedi moderne!

Botimi ashte nji permbledhje dokumentesh, kryesisht nga arkiva te hueja. Sensivitetti i redaktoreve tregohet qe ne faqen e pare, me botimin (anglisht) te “Ballades Çame” nga i ndjeri, dhe i persekutuemi, poeti çam Bilal Xhaferi (1935-1986) qe vdiq zemerplasun ne Chicago Ill. ne mes te nji bashkesie çame te qytetit.
Vellimi permban nji “Liste te dokumenteve” e ndame ne tri periudha historike:
E para, Çameria qe nga Perandoria Otomane deri ne mbarim te L2B (71 dokumente)
E dyta, Çameria mbas Traktatit te Lozanes (1923) (19 dokumente)
E treta, Çameria gjate L2B dhe ma vone (19 dokumente)

Vellimi permban edhe pese karta gjeografike te hereshme dhe me randesi qe ilustrojne tkurrjen e popullsise shqiptare ne Greqi, sidomos qe nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-81) dhe Kongresi i Berlinit (1878)
Per edukimin e lexuesit jo specialist, vellimi fillon me nji “Hymje” permbledhese per lexuesin jo-specialist, te pergatitun nga intelektuali I palodhun kanadez Robert Elsie, ku percaktohen parametrat e problemit dhe rruga e marrun nga viktima çame, e imponueme nga agresioni grek.
Simbas autorit, siperfaqja e Çamerise ashte aferisht 10.000km2 dhe sot ka nji popullsi –me shumice grekofone- prej afer 150.000 banore.(Siperfaqja e Shqiperise ashte 28.700 km2 me nji popullsi prej afer 2.900.000 banore)

Popullsia çame ne Greqi perbahet nga tre grupe te dallueshme. Çamet (greqisht Tsamides) jane shqiptare qe banojshin pjesen e jugut te territorit shqiptar; prandej “Toske”.
Grupi i dyte jane mbasardhesit e fiseve shqiptare qe emigruen ne Greqi ne shekullin XV, dhe zune vend ne qender dhe ne jug te Greqise. Ata flasin nji toskerishte te influencueme nga greqishtja, jane toske, dhe njihen me emnin “Arvanitika”, dhe jetojne ne afer 300 vendbanime, tashti ne proces te asimilimit te plote.
Grupi i trete i shqiptareve ne Greqi ashte shume ma i madh, dhe ka zane vend mbas ramjes se komunizmit ne Shqiperi (1990-91) dhe besohet se jane ma shume se 500.000. “emigrante” ligjor dhe jashteligjor.
Prandej, tani shprehja “shqiptar çam” i referohet nji grupi te veçante te shqip-foleseve ne Greqi, dhe jane perqendrue ne rajonin e Çamerise rreth qyteteve Gumenice, Filat, Paramithi, Parge, Margelliç e banime sporadike deri ne Preveze.

Çameria u pushtue me force ushtarake nga Greqia ne vitet 1912-13, tue u shkepute nga Shqiperia. Qe nga ajo dite, per nji shekull pa nderpremje, Çameria u ba objekt i çfarosjes fizike, pastrim etnik dhe persekutimeve te vazhdueshme te shovinizmit grek. Ata qe shpetuen nga thikat e “andarteve” grek gjeten strehim ne Shqiperi, ku banojne edhe sot. Bashkesi Çame ka edhe ne Shtetet e Bashkueme dhe ne Turqi, ku u vendosen mbas marreveshjes per shkembim te popullsive (Lausanne,1923) si “monedhe shkembimi” per popullsine greke te Anadollit sepse ishin “shqiptare” dhe “myslimane”.

Politika diskriminuese dhe shtypjet e njimbasnjishme te çameve, sidomos te msyslimaneve u theksuen gjate L2B. Mbas ndalimit te perdorimit te gjuhes shqipe ne publik, dhe moslejimit te hapjes se shkollave shqipe, shqiptaret çame u internuen ne ishujt e Greqise, dhe me 1944 -45, u masakruen pa meshire.
Gjate L2B, me okupimin italo-gjerman te Greqise, çamet ne Çameri u organizuen ne “kshilla” (councils) dhe moren ne dore administraten lokale, gjithehere nen mbikeqyrjen italiane. Te friksuem nga e kaluemja tragjike, çamet nuk pranuen “luften kunder okupatorit, jo nga dashunia per gjermanet naziste, por thjeshte sepse perspektiva e vetme e ofrueme nga Britaniket ishte kthimi i rregjimit grek” (f XXXIX) Megjithate, rreth 500 ame u bashkuen me forcat e ELLAs-it dhe formuen bataljonin Çameria, ne kryesine e atdhetarit Rexho Plaku per lufte kunder okupatorit . (I ndjeri Rexho Plaku vdiq ne burgjet komuniste SR)

Me largimin e trupave gjermane, forcat greke te Gjeneralit N.Zervas invaduen Çamerine. Forcat e tia, “…te njohun per spastrimin brutal te shqiptarevet ne Çameri”(XL) u angazhuen qe nga qershori 1944 deri ne mars 1945 ne nji fushate terrori qe u kushtoi jeten “2.771 civileve shqiptare çame- burra, gra e femije, ne nii shperthim dhune “(ibidem) Mbas kesaj tragjedie”…pothuese e gjithe popullsia came (myslimane) pa mbrojtje dhe e tmerrueme leshoi banesat stergjyshore, mori malet, dhe shpetoi jetet e tyne ne Shqiperi”(idem)
(Shenim: Ish diplomati amerikan i stacionuem ne Athine,Greqi, Prof. William MacNeill, pershkruen keshtu tragjedine çame: “Askush nuk mund te besonte se shumica e atyne qe gjeten strehim dhe ndihme vellaznore gjate viteve te erreta te 1941 e 1942, do te drejtojshin armet e tyne kunder shqiptareve te pambrojtun qe jetojne ne territorin e Greqise, dhe se banda te armatosuna te Gjeneralit Zervas do te formojshin njisi te rregullta te quejtun “Albanochtones” (killers of Albanians) per çfarosjen fizike te kesaj popullsie. Ma shume se 23.000 shqiptare qe paten fatin me i shpetue kesaj masakre, kaluen kufinin gjate viteve 1944 dhe gjeten strehim ne Shqiperi, ku jetojne edhe sot”(Shih:“The Greek Dilemma”SR)

Ne Shqiperi atyne u dha statusi i “refugjateve dhe u lejuen me qendrue. Aq e eger dhe e thelle ka qene urrejtja greke per çamet sa qe “…edhe sot, ne shekullin 21, ata shpesh here nuk lejohen nga zyrtaret e emigracionit grek me vue kambe ne Greqi, qofte dhe per nji vizite te shkurte” (XLI)
Para nji situate te ketille te pashprese, me 1953, camet u detyruen nga qeveria komuniste e Shqiperise me marre “nenshtetsine shqiptare”. Organizatat e tyne u shperndane. Per te plotesue kete kuader tragjik , “…ne 1953 dhe 1954, autoritetet greke krijuen legjislacionin qe konsideronte te gjithe pasunite çame te abandonueme, si rrjedhim te konfiskueme. Rruget e kthimit ishin tashma te mbylluna”. (idem)

Afersisht, 200-250-000 çame jetojne sot ne Shqiperi. Ata kane shoqatat e tyne kulturore dhe artistike. Mbas ramjes se komunizmit ne Shqiperi, çamet jane organizue edhe politikisht, dhe kauza çame ka marre formen e nji kauze kombetare shqiptare. Ata kane partite e tyne politike qe kane konkretizue kerkeseat e tyne ne te drejten e kthimit ne vendin e tyne, riposedimin e pasunise se konfiskueme, dhe marrjen e nenshtetesise greke. Instituti i Studimeve per Çamerine perkrahe kerkimet shkencore te historise dhe kultures çame. Shpresohet se anetarsimi i Shqiperise ne Bashkimin Europian do t’i jap problemit çam dimensione dhe perspektiva europiane, dhe do te zgjidhe kete problem, per kenaqesine e te dy paleve, tue hape keshtu rrugen per nji bashkejetese paqesore. Sepse “E kaluemja nuk mund te ndryshohet; por e ardhmja, po!” perfundon Robert Elsie.

1.Faza e pare e Dokumentimit(okupacioni turk-1923) perfshine 14 dokumente. Aty riprodhohen: pershskrimi i Çamerise nga Sami Frasheri ne vitet 1889-98. Me 20 maj 1913, delegatet shqiptare kerkojne mbrojtjen e Fuqive te Medha nga “veprat shemtuese te kryeme nga bandat greke”. Nande muej ma vone, raporte te egersise greke ne Çameri dergohen ne MPJ Britanike nga aktivisti per ndihme humanitare Raymond Duncan (ne Epir) dergue me datet 16, 17, dhe 19 shkurt 1914, ku tregon se :”…vertetoj personalisht se grate digjen me zjarr nen sqetulla, burrat varen koke-poshte, rrahen me dru, u hiqen thonjte, pelcasin nji sy; qindera gra detyrohen me mbajte ne kurriz dru pa asnji pagese. Nande vajza te reja jane zhduke dhe besohet te jene vra gjate fushates qe djeg fshatra te tana…etj .”(f.15)

Me 13 prill 1914, nji grup delegatesh i drejtohet MPJ Britanike me njoftimn se bataljonet greke kane djege disa fshatra, ku jane tashti gra e femije te karbonizueme…’(Firmue Harry Lamb,f.17). Me 15 korrik 1914, deshmitar kapiteni i ushtrise amerikan Spencer, raportoi se greket vrasin çdo njeri-burra, gra, e femij. Disa refugjate kane vra me doren e tyne grate e femijte qe te mos bijne ne duert e grekut…Pa shkue ne hollesi, mjafton me thane se krimet greke tejkalojne çdogja qe kemi pa ne te gjithe Luften Ballkanike…..Nga 100.000 refugjatet e strehuem ne Vlore, afersisht gjysma po vdesin nga uria….Flitet hapun se ne kete mes ka edhe agjente rus e francez…”(f.20)

Me 16 korrik 1914, Harry Lamb delegati britanik ne Komisionin Nderkombetar te Kontrollit, raporton se :”…e gjithe popullsia kriminale e Kretes (nji numer mjaft i konsiderueshem) jane tashti ne Epir dhe se ashte ky fakt vetem I mjaftueshem me provue se Qeveria helenike ne se jo e implikueme ashte e pa-afte me veprue kunder tyne”.
Midhat Frasheri(Lumo Skendo) ashte autori i nji Memofandumi (46 faqesh): “Problemi I Epirit”, martirizimi i nji populli (1915) ku tregohen me hollesi aktet kriminale greke ne Çameri. Me 29 prill 1914, paraqitet raporti per masakren e Hormoves, ku u vrane 195 shqiptare, burra gra e femije. Rregjistrohet lista e 152 fshatrave te djeguna shkrumb e hi ne Gjirokaster, Tepelene, Permet, Skrapar, Korçe, Kolonje, dhe Leskovik.

Nji Raport i dates Mars, 1919, nga Konferenca e Paqes ne Paris, pranon se ne vitin 1914, “…disa incidente shume te vajtueshem kane ngja: banda hajdutesh qe quhen “Bataljone te Shenjta” shkaterrojne territorin e banuem nga shqiptaret myslimane, dhe masakrojne popullsine. Shume fshatra jane shkaterrue krejtesisht ose pjeserisht. Si rrjedhim, ma shume se 20.000 persona jane largue dhe kane gjete strehim nga persekutimet ne Vlore; nga keta, nji pjese e madhe ka ra viktime e urise dhe smundjeve. Qeveria greke akuzohet se ka favorizue çfarosjen (e shqiptareve) tue lejue ushtaret e rregullte, disa prej tyne nga Kreta, te vishen me rrobe civile, dhe te bashkohen me bandat…”(f.56)

Me 5 korrik 1919, nji grup patriotesh shqiptare ortodoks, i drejtohet Delegacionit britanik ne Konferencen e Paqes ne Paris dhe proteston kunder nji Memorandumi te Z. Karapanos, i cili pretendon me fole ne emen te Vorio-Epirit. “A, Karapanos nuk ka te drejte fare te flase ne emnin tone…sepse ai nuk vjen nga Korça e Gjirokastra, por nga Arta me origjine greke, dhe ka qene gjithehere zadhanes per Qeverine greke….Do te ishte mire qe Z. Karapanos te fliste per 400 fshatrat e djeguna dhe mijerat e epiroteve te vrame nga “te zgjedhurit e tij” bandat greke te Zografos-it(vjehrri i tij) qe shkaterruen nji nga nji, me nji furi teutonike, shtepite e banoreve, ashtu siç shpreht Z. Robert Vaucher, i cili ka vizitue kete krahine fatkeqe…”(Firmue:Pandeli Evangjeli, Mikel Tepelena, Parasqevi Q.Kyrias, Mihal Gameno, Nikolla Lako, Petro Harissiadhi) (ff.60-61)

Nga Worcester,Mass., Vehip Demi i dergon me 11 mars 1920 Konferences Per Paqen ne Paris, nji kerkese per bashkim te Çamerise me Shqiperine. “Krahina e pafat te Çamerise, pjese integrale e Shqiperise ka nji popullsi prej 51,122 banore, nga te cilet 37,842 jane shqiptare (nga keta 30,587 shqiptare myslimane, dhe 7,255 shqiptare te krishtene) dhe vetem 13,280 greke” (f.62)
Ne nji Leter drejtue MPJ Britanike, date 11 dhetor 1922, Ministri shqiptar ne Londer, Mehmet Konitza, lajmon MPJ Britanike se “…autoritetet greke jane te vendosun me ndjeke te njejtat taktika me shqiptaret si ata qe ne Marreveshjen e Ankarase ka ndjeke me greket e Azise se Vogel” d.m.th. shpernguljen me force te shqiptareve nga Çameria”. (f.66)

Me 14 nandor,1922, prefekti i Korces lajmeron MPJ shqiptare se :” Diten e pare te ketij mueji, ne oren 9:30 mb.dr.dhjete ushtare greke hyne ne Teken shqiptare te Selanikut dhe vrane udheheqsin e ketij institucioni fetar, te quejtunin Baba Hader, nga Lazarati, district i Gjirokatres., si dhe kane grabite nga ai 1,500 lire turke flori, sahatin e babajt dhe objekte tjera me vlere….Te gjithe shqiptaret ne Greqi jane ne rrezik. Ata nxiren jashte shtepive te tyne qe pastaj konfiskohen, dhe ne vend te tyne hyjne refugjate greke (te ardhun nga Anadolli)” (f.67)

Ketu perfundon faza e pare e dokumentimit.
( v i j o n )

No comments:

Post a Comment