June 27, 2014

Në 70-vjetorin e tragjedisë çame


Në 70-vjetorin e tragjedisë çame

Për të mos harruar shqiptarët e Çamërisë që u vranë nga forcat greke, ja një përmbledhje e raportimeve të burimeve shqiptare dhe atyre greke që vërtetojnë masakrat ndaj njerëzve të pafajshëm

Para pak kohësh, duke lexuar librin “Margariti” (Athinë 1989, f. 125), shkruar nga Tula Stefanidhu (Malakata), më tërhoqi vëmendjen një letër tronditëse, e shkruar me dhimbje, dashuri e plot humanizëm… Është një letër-mesazh, ku shpaloset drama e popullsisë çame, që u bë pre e nacionalizmit ekstrem grek, që u penalizua në masë, që nga fëmija i pafajshëm e deri te plaku i pafuqishëm dhe i sëmurë. Tula Stefanidhu (Malakata) u flet bashkëkombësve të saj, troket në ndërgjegjen e trazuar të atyre që bënë krime monstruoze, apelon për drejtësi e humanizëm, rikujton të pafajshmen, motrën e saj çame, miqësitë e ndërprera nga dhuna mizore…

Ja përmbajtja e letrës, përkthyer nga historiani i ndjerë Petrit Demi:

Bashkatdhetar që kthehesh nga Shqipëria! Mos ke mësuar vallë për motrën time? Si ne, çame, nga vendet tona është. Jam e pikëlluar. Asgjë nuk di pas kaq shumë vitesh që kanë kaluar. Bashkatdhetar! Ti, që je kthyer para do kohe nga Shqipëria, mos vallë e di nëse rron ende motra ime e dashur? Ishte truppakë, sygështenjë. E bukur. E martuar së vogli. Bijë e vetme mes katër vëllezërve. Dhe s’kishte mbushur motin që kishte lindur një vajzë. E pamësuar ishte me vështirësitë e jetës. Të vogla, ktheheshim në ovorua dhe loznim me guralecë. Në sterenë e madhe ulnim kokat dhe thërrisnim të dëgjonim jehonën e zërave tanë. Motmoti besimi nuk na ndante, kisha dhe xhamia na bashkonin. Një miqësi e lashtë i lidhte familjet tona.

- Ta ketë duruar rrugën e mërgimit?

- Mendoj se po, jeton – përgjigjet zemra e përmalluar. Por, vitet kalojnë pa lajme dhe gjithçka e bren dyshimi dhe ankthi.

Dhe ja, dyzet e ca vjet më pas, nga Shqipëria vjen një letër e përmortshme, bukur shkruar nga vëllai i madh.

Në fillim për të afërmit pyet: Kush rron? Kush nuk është më? Dhe në fund vijnë vuajtje pa fund:

“Sapo lamë vatrat tona, rrugës na vdiq motra jote. Ishte vetëm njëzet vjeç. Dhe nuk vonuan ta ndiqnin e bija dhe i shoqi.

Vdiq edhe i ndjeri baba me gjyshen. Të pambaruara qenë lotët e hidhërimit para se të arrinim të çlodheshim diku”. Letër e kobshme! Kaq vjet zemërdredhur, kaq vjet dyshimet largoja.

O Zot! Sa të tmerrshëm, sa të neveritshëm gjakatarët, tiranët, paranoitikët që vunë popujt të vriten dhe nuk i lanë të rrojnë me dashurinë e zemrën për njëri-tjetrin. (Marrë nga libri i Tula Stefanidhu (Malakata): “Margariti”, Athinë, 1989, f. 125).

Si u vranë 2771 shqiptarë të Çamërisë

Masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë u bë nga ushtarët grekë që nuk bënin më pjesë në formacionet ushtarake më 27 qershor 1944, në zonën e Paramithisë, ku forcat e Ligës Republikane Greke (EDES) të gjeneralit Zervas hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë, burra, gra dhe fëmijë, shumë prej të cilëve u përdhunuan dhe u torturuan para vdekjes. Sipas dëshmitarëve okularë, të nesërmen, një batalion tjetër i EDES hyri në Parga, ku u vranë 52 shqiptarë të tjerë. Më 23 shtator 1944 u plaçkit qyteti Spatar dhe u vranë 157 veta. Gra të reja dhe vajza u përdhunuan dhe ata burra që mbetën gjallë u grumbulluan dhe u dërguan në ishujt e Egjeut. Në bazë të statistikave që jep shoqata “Çamëria” në Tiranë, gjatë goditjeve që janë bërë në vitet 1944-1945, në fshatrat çame janë vrarë gjithsej 2771 civilë shqiptarë dhe konkretisht si më poshtë: në Filat dhe rrethinat 1286, në Igumenicë dhe rrethinat 192, në Paramithia dhe rrethinat 673 dhe në Parga 620. Janë plaçkitur dhe djegur 5800 shtëpi në 68 fshatra. Në një listë të hollësishme të humbjeve materiale përfshihen 110.000 dele, 24.000 bagëti të trasha, 250000 kv grurë dhe 80.000 kv vaj ushqimor, të cilat arrijnë në 11 milionë kg grurë dhe 3 milionë kg vaj ushqimor. Si rezultat i këtyre goditjeve, llogaritet që 28.000 çamë të jenë larguar për në Shqipëri, ku u vendosën në periferi të Vlorës, Durrësit dhe Tiranës.

Kush i kreu masakrat në Çamëri?

Gjenocidi kundër popullsisë çame është një krim kundër njerëzimit, një spastrim i egër etnik, i cili jo vetëm nuk u ndëshkua asnjëherë, por u kalua në heshtje nga qarqet ndërkombëtare. Vetë ministri i Jashtëm grek, dikur Guvernator i Janinës, në verën e vitit 1913, deklaronte: “Mos ushqeni asnjë iluzion. Edhe në rast se do të jemi të detyruar (nga Fuqitë e Mëdha) të braktisim Epirin, ne nuk do të lëmë asgjë nga pas, veçse tokë djerrë. Çdo gjë që ngrihet mbi këtë tokë do të rrafshohet”. Pra ishte një strategji e mirëmenduar dhe obsesive. Qeveritarët dhe zyrtarët e lartë grekë justifikohen me të ashtuquajturin “bashkëpunim i çamëve me fashistët dhe nazistët”, por në fakt e kundërta është e vërtetë: Bashkëpunimi i forcave të djathta greke me nazistët. Ja faktet: Gjermanët ngritën në Athinë Qeverinë Kuislinge të Ralisit. Anglezi M. Mazower, në librin “Inside Hitler’s Greece 1941-‘44”, Londër 1993, thotë: “Në Athinë anëtarë të EDAS-it nën komandën e Zervës hynë në shërbim të batalioneve të shërbimit të krijuara nga gjermanët për të mbajtur rregullin e qetësinë. Anglezët këmbëngulën që Zerva të ndërpriste lidhjet me Qeverinë Kuislinge, por ai vazhdonte me ta. Në shtabin gjerman ai mbante një oficer ndërlidhës dhe bëri me gjermanët një armëpushim disamujor. Janë pikërisht këto veprime që Zerva kishte dorë të lirë për masakrat në Çamëri.

Nga disa autorë grekë pohohet se masakrat në Çamëri u kryen nga banda të armatosura dhe jo nga ushtri të rregullta. Por edhe bandat njiheshin nga qeveria greke. Kështu historiani grek Jorgos K. S. Kallanxhis, shprehet: “Çamët nuk u përndoqën dhe u vranë nga ushtri të ligjëruara të qeverisë greke, por nga forcat e andartëve grekë, të cilët dëgjuan dhe u udhëhoqën nga një komandë e frontit të Lindjes së Mesme. Këtu duhet të pranojmë që jo të gjithë çamët ishin bashkëpunëtorë të armikut, mirëpo qëndrimi i më të fortit dhe i shumicës mori poshtë edhe të tjerët. Pasuritë e çamëve u shtetëzuan, si parashikon ligji për bashkëpunëtorët, kurse të tjerët braktisën pasuritë”.

Carl Kalmer Hart, përfaqësues i SHBA-së në Tiranë më 1945, në përgjigje të letrës së ambasadorit grek, thotë: “Më tregoni një grek që ndien shqetësim për një shqiptar dhe unë do t’ia raportoj Muzeut të Historisë së Natyrës si specien më të rrallë antropologjike që ekziston”.

Joseph Jakobs, shef i Misionit Amerikan në Shqipëri (1945-1946), shkruan: “Në mars të vitit 1945, njësi të forcave të shpërndara të Zervasit kryen një masakër ndaj çamëve në zonën e Filatit dhe praktikisht e spastruan atë nga pakica shqiptare. Sipas të gjitha të dhënave, që kam mundur të mbledh mbi çështjen çame, në vjeshtën e 1944-s dhe gjatë muajve të parë të 1945-s, autoritetet e Greqisë veriperëndimore kryen goditje të egra, duke dëbuar rreth 25.000 çamë, banorë të Çamërisë, nga shtëpitë e tyre. Ata u ndoqën deri në kufi, mbasi iu grabit toka dhe prona. Autoritetet greke miratuan më pas një ligj që sanksiononte shpronësimin e pronave të çamëve, duke iu referuar bashkëpunimit të bashkësisë së tyre me forcat pushtuese të Boshtit, si një arsye kryesore për marrjen e këtij vendimi”.

Këto vitet e fundit, albanologu i shquar, Robert Elsie, në një pjesë studimi të botuar më titullin “Shqiptarët çamë të Greqisë sipas dokumenteve të panjohura”, shprehet: “Forcat britanike, për të siguruar bregdetin jonian për furnizimet e tyre ushtarake, lejuan komandantin vendas Zerva (1891-1957) të pushtonte rajonin”.

Le të sjellim në vëmendje disa nga studimet dhe qëndrimet e historianëve dhe studiuesve grekë.

Jani Sharra në librin “Istorias tis Periohis Igumenicas”, f. 642 (viti 1985), thotë: “ …Nuk kemi sot të drejtë të mos zbulojmë disa të vërteta të pakundërshtueshme dhe siç duam të dënojmë vrasjet dhe krimet e pushtuesit e të myslimanëve keqbërës, aq më shumë do të na duhet të dënojmë krimet dhe vrasjet e fuqive të ashtuquajtura të çlirimit si dhe keqbërjet e elementeve kristiane” (f. 629). Sharra shpreh edhe një zhgënjim të italianëve, të cilët mendonin se çamët do t’i kishin në krahë. Ai thotë: “Italianët u zhgënjyen me minoritetin shqiptar në Greqi. Shumë pak çamë u rreshtuan në njësitë fashiste italiane”,(f.603-4) kurse çamët u rreshtuan me forcat e ELLAS-it.

Jani. G. Sharra, në fq. 668 të këtij libri, shkruan: “Më 27.6.1944 andartët hynë në Paramithi; bishat përbërëse të tij u vërsulën bishërisht mbi popullatën e pambrojtur. Njerëzia ia dhanë vrapit të ndjekur nga breshëritë e plumbave; në mesditë rrugët, rrugicat, oborret dhe kopshtijet ishin mbuluar prej gati 700 kufomash, ndër to edhe ajo e myftiut, Hasan Abdullah Mulazimit, dhe burrave të tjerë më të rëndësishëm, ndër to edhe të plot e plot grave dhe vajzave. Urrejtja që vlonte brenda tyre shpërtheu egërsisht mbi gratë, fëmijët, pleqtë e të pafajshmit. Kërdia, dhunimet, plaçkitjet, djegiet e keqbërësitë e tjera vunë vulën e tyre në çdo vend të Çamërisë. Tërë ç’kishin arritur të mbeteshin gjallë – kryesisht femra, fëmijë e pleq e plaka – u rrasën gati një mbi një nëpër bodrume. Të nesërmen e gjëmës në Paramithi (27.6.1944), EOEA-sitët hynë në fshatin Karbunar. As atje s’lanë kënd të gjallë nga sa zunë. Tërë çamërit që u gjetën në Karbunar, u vranë dhe u hodhën nëpër hendeqe: një nënë me 7 fëmijë si edhe të vegjël të tjerë, tri vajzat e Muharrem Agushit, nusja e Hodos dhe Ajshe Agushi” (fq. 669). “Pas dy ditësh EOEA-sitët arritën në Margëllëç; “e plaçkitën egërsisht; të vetmit që s’kishin mundur të mërgoheshin, ishin plaku Qamil i paralizuar prej vitesh dhe e shoqja e tij; i therën të dy brenda shtëpisë së vet” (fq. 699). (J. G. SH., “Istoria…”, fq. 669). Në fshatin Livadhar vranë Izet Lovidhen, të birin, të shoqen dhe të bijën në bahçen ku punonin. Ditët e fundit të korrikut 1944 grinë të 58 vetët që gjetën në Pargë, përfshi edhe myderrizin e qytetit, tok me familjen e vet: dy të bijtë, të shoqen dhe të bijën. Në Volë vranë këdo që zunë, kurse në fshatin Skrropjonë të Margëllëçit femrat e familjes të Sako Banushit i përdhunuan dhe pastaj i thelëzuan. Në fshatin Kastrizë shuan të 16 pjesëtarët e 2 familjeve, të vetmet familje myslimane në atë fshat: të Halil Rustemit e Hasan Sulçes; grinë burrat dhe në vijim përdhunuan për tri ditë rresht vajzat dhe gratë, njëra nga të cilat disa muaj shtatzënë. Pasi ishin velur me kënaqësitë e veta shtazarake, gratë në fjalë dhe fëmijët e tyre i shpunë në vendin e quajtur “Tre Ullinjtë” dhe i vranë. “Haziz Hate Shabìnin, të vetmin që arritën të kapnin në fshatin Shulash, e pushkatuan aty pranë, në vendin e quajtur ‘Gropa e Mihailidhit’. Kufomën e Mehmet Abazit që kishte vdekur para dy muajsh e qitën nga varri dhe e tërhoqën zvarrë nëpër rrùgët e fshatit. (J. G. Shàrra, “Istoria tis….”, fq. 699). J. G. Sharra shkruan më poshtë: “Masakrat në Paramithi dhe thellimi i keqbërësive nuk linin asnjë dyshim se, po të donin të mbijetonin si popull, duhej të çrrënjoseshin”. Ndërsa në fq. 670 të “Istoria tis…” vëren: “Kush donte të jetonte, duhej të linte truallin e shenjtë të atdheut të vet, shtëpinë, pasurinë dhe të merrte rrugën e mërgimtarit”. Në fq. 665 të veprës së vet, po ky autor shkruan: “Tabloja që paraqitnin ishte rrëqethëse dhe e vajtueshme…mijëra vetë: burra, gra, fëmijë, pleq e plaka në një vargan kilometrash të ngjashëm me një gjarpër në lëvizje e arixhinj në pamje, me dhimbjen dhe keqardhjen në fytyrat e tyre, të ngarkuar me çka kishin mundur të merrnin me vete, ecnin nëpër udhën që koniunkturat fatkeqe me veprime të paramenduara u krijuan kaq pësime çnjerëzore dhe të ashpra”.

(J. G. SH., “Istoria tis…”, fq. 673). Ndërsa në fq. 670 të veprës së tij të përmendur Sharra shkruante: “Në Çamëri u shkelën ligjet e njerëzimit dhe u njollos historia e saj nga këto hordhi njerëzish të egër”; ndërsa në fq. 672 vëren: “Këto ishin përfundimet e politikës së urrejtjes së fesë dhe të politikës së çmendur të EDHES-it; ata, pasi vulosën me gjak, lot e rrënime fatin e të dy bashkësive, patën si përfundim çrrënjosjen e çamo-shqiptarëve nga toka e të parëve të tyre, nga shtëpitë e pasuritë e tyre…”.

Studiuesi tjetër i njohur, Niko Zhangu, në veprën e vet “Imperializmi anglez dhe qëndresa kombëtare 1940-1945”, shkruante: “Sikur shqiptarët çamë të ishin kriminelë, do të zhdukeshin të gjithë fshatrat e krishterë të Thesprotisë rreth fshatrave shqiptaro-çame”. Duke folur mbi masakrat në Paramithi, ndër të tjera ky autor vëren: “Barbarizëm në Paramithi. Historia ditët që vijuan fsheh fytyrën e vet nga turpi”. Niko Zhangua shënon: “…ata që kapeshin nëpër fshatra, kaloheshin në thikë; nuk bëhej përjashtim as për fëmijët, gratë e të sëmurët. Shpëtonin vetëm ca të pakë që kishin shumë para dhe lira flori, me të cilat riblenin jetën e tyre dhe iknin drejt kufìrit. Paturpësitë e poshtërsitë e EDHES-itëve vunë kudo vulën e njollës së zezë”.

“Erë e qelbur në shtëpitë e Sali Hafuzit, ku kishin mbyllur gra e fëmijë; vdekje fëmijësh, pamje rrëqethëse e grave myslimane që hiqeshin zvarrë e, edhe pse të uritura dhe të sfilitura, përdhunoheshin e rriheshin nga oficerët zervistë gjatë 6 muajve që u mbajtën të burgosura”. (“Actes agressifs du gouvernement manarcho-fasciste grecs contre l’Albanie”, Tiranë, 1947, kreu XIV, fq. 64-65).

Kronisti i Zervës: Mihal J. Miridhaqi, në librin “Agones tis Filisi i ethniqi Antistasi E DES-EQEA 1941-44 tomos B. J. Sidherisi”, Athinë 1952, tregon disa të vërteta p.sh.:

“Forcat e divizionit X kishin porosi të pastronin Çamërinë dhe njoftuan se si fillim ia arritën qëllimit, duke zënë Paramithinë” (f.191). “Për pastrimin e përgjithshëm nga çamët u ngarkua regjimenti i 40-të nën komandën e Agoros dhe Gallanit dhe 11 batalione të komandës së përgjithshme” (f.191). Më 7 gusht 1944, forcat e Divizionit X zunë fshatrat Margëlliç dhe Mazrek, që ishin mbështetja kryesore e turko-çamëve” (f. 192) “Këto operacione spastrimi i vëzhgonin përfaqësuesit e shtabit të Mesdheut pranë Zervës, togeri skocez Graham” (f.192). “Më 11 gusht 1944, Reoartet EO e EDAS-it spastruan kryesisht Çamërinë nga forcat e armatosura të turko-çamëve” (f.193-4). Miridhaqi flet edhe për takimin e Zervës në Athinë, me ish- kryeministrin Plastria: “Takimi u bë në Megali Vretania. Zerva i tha Plastirës: ne këtu kryetar, bëmë EDES-in, ngritëm dhe trupat andarte të EDES-it. Nuk e di nëse jeni dakord për të gjitha këto? Atëherë Plastira përgjigjet: “Shërbimin politik (d.m.th EDES-in) duhej ta bënit dhe mirë bëtë që e bëtë, por trupat andarte ama e dëmtuan Greqinë…”. Dhe Zerva pyeti: ne e dëmtuam Greqinë? Plastrira iu përgjigj: EDAS-i, ju dhe të tjerët, sepse dogjët edhe fshatrat, vratë dhe njerëz” (f.291-92”)

Si krenohej Napoleon Zerva për mizoritë e tij në letrën që i shkruante një miku

N. Zerva krenohet për mizoritë e tij në gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Në letrën që i shkruante mikut të tij Jani Dani Popovitit, më 4 gusht 1953, ai thoshte: “Bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin nga Atdheu ynë të çamëve myslimanë, të cilët qëndruan 500 vjet mbi qafë të helenizmoit dhe ua bëmë të mundur malësorëve të zbresin në fusha” (S.Muselimi. “Istoriko Peripato ana ti Thesprotia”, Janinë, 1974). Në qeverinë e Athinës ishte ministër edhe N. Zerva. Më pas, në sajë të presioneve ndërkombëtare, sidomos të SHBA, pasi u zbuluan lidhjet e tij me nazistët, Zerva u detyrua të japë dorëheqjen nga qeveria greke. Megjithatë ai mbeti një “figurë e nderuar” nga autoritetet greke. Statuja e tij, me fytyrë e duar të drejtuar nga Shqipëria, qëndron në qendër të një prej qyteteve të Çamërisë martire.

Bashkëpunimi i Zervës me gjermanët është i provuar nga dokumentet gjermane si dhe nga shtypi grek i kohës dhe i pasluftës, i cili ka dhënë dhjetëra dëshmi në këtë drejtim. Nga arkivat sekrete të Vermahtit gjerman për Greqinë, zbulohet një marrëveshje bashkëpunimi midis Zervës dhe pushtuesve gjermanë që të godiste grekët e tjerë. Autori që ka publikuar këtë marrëveshje shprehet se “ekzistonte në thellësi një miqësi me ujkun”. Në dokumentin gjerman thuhet: “Gjatë natës së 1-2 shkurtit 1944, Zerva i parashtroi Komandës së Korparmatës XXII malore, me anën e një oficeri të plotfuqishëm propozimin për bashkëpunim mbi bazat që vijojnë: armëpushim, bashkëpunim në luftën kundër ELAS-it në azhurnim të vazhdueshëm mbi qëllimet e tij, mbi vetë pozitën e tij si dhe mbi forcat armike”.

Propozimi i Zervës iu parashtrua dhe të Plotfuqishmëve të Posaçëm të Rajhut për Europën Juglindore, ministrit Nojbaher. Përgjigjja ishte: të vazhdojmë tratativat deri sa të merret vendimi përfundimtar. Më 9 Shkurt 1944 u arrit aprovimi për marrëveshje lokalisht të përkufizuar… Kjo situatë vazhdoi deri në fillim të korrikut 1944. Forcat e Zervës në mars 1944 ishin rreth 10000 luftëtarë. Sipas marrëveshjes me autoritetet gjermane duhej të mbetej e lirë nga ushtria e Zervës një rrip bregdetar prej 10 km. Mirëpo më 3 Korrik 1944, trupat e Zervës e pushtuan zonën bregdetare pranë Pargës. Po ashtu, gjatë natës 6-7 Korrik filluan në befasi veprimet luftarake të trupave të Zervës kundër reparteve gjermane në perëndim të Artës dhe në rrugët Janinë-Artë dhe Janinë-Gumenicë. Siç shpjegohet në dokument, “ndryshimi i qëndrimit të Zervës nga marrëveshja e arritur me gjermanët ndodhi si rezultat i ndërhyrjes së oficerëve të ndërlidhjes aleate, të cilët morën përsipër vetë udhëheqjen e ushtrisë së Zervës. Madje thuhet se edhe urdhrin për sulm kundër gjermanëve e dhanë oficerët ndërlidhës të aleatëve. Nisur nga ngjarje të tilla, as edhe gjermanët nuk ishin të qetë për marrëveshjen që nënshkruan. Lajmet e shërbimeve sekrete gjermane konstatonin që në rast zbarkimi të aleatëve, EDES-i do të luftojë kundër gjermanëve, duke iu referuar udhëheqësit të EDES-it Papajoanu. Në gusht 1944, forcat zerviste arrinin rreth 21000 vetë.

Bashkëpunimi i Zervës me gjermanët, ishte dëshmuar edhe në Senatin Amerikan nga oficeri i ushtrisë amerikane me origjinë greke, Kouvras, më 31 mars 1947, duke e cilësuar atë si një kolaboracionist. Kouvaras i paraqiti Senatit një dokument shumë komprometues, i cili provonte marrëveshjen që ekzistonte midis forcave të armatosura gjermane në Epir dhe EDES-it të Zervës. Ky dokument ishte një memorandum i Shtabit të Përgjithshëm të Korpusit të 22 të Ushtrisë Gjermane. Tezën greke e hedhin poshtë edhe dokumentet diplomatike angleze të kohës, të cilat nuk mund të dyshohen për ndonjë tendencë antigreke, por përkundrazi për tolerancë ndaj aleatëve të tyre dhe në radhë të parë ndaj forcave të së djathtës, të cilat ishin pikëmbështetja e tyre. Kështu, sipas dëshmive të njërit nga zyrtarët e lartë të misionit anglez në Shqipëri, majorit Palmer, i cili kreu një udhëtim eksplorues në Greqinë e Veriut, nuk mohohet fakti që pati edhe rreth 700 veta nga radhët e popullsisë çame që luftuan në radhët e ELLAS-it kundër gjermanëve. Gjenocidin zervist për spastrimin etnik në Çamëri e konfirmonte edhe koloneli Monague Woodhouse, ish-kryetar i Misionit Anglez në Greqi, i cili thotë se “Zerva i ndoqi çamët nga shtëpitë e tyre në 1944… Dëbimi u krye me gjakderdhje të madhe. Qëllimi ishte dëbimi i popullsisë së padëshirueshme shqiptare nga vendi i vet”. Palmeri vë në dyshim pretendimin se spastrimi etnik i Çamërisë u krye për shkak të bashkëpunimit të kësaj popullsie me gjermanët, por si pjesë e strategjisë shoviniste të Greqisë kundër shqiptarëve.

Në të vërtetë, armiqësitë dhe konflikti nacional në Çamëri, kishin filluar këtu me aneksimin e kësaj treve shqiptare nga Greqia gjatë Luftërave Ballkanike. Shkaku themelor ka qenë politika sistematike antishqiptare dhe shkombëtarizuese e qeverisë greke dhe organizmave të ndryshme të saj.

Studimet greke që kanë pranuar gjenocidin ndaj çamëve

Një studim i paraqitur në vitin 2008 në Universitetin Pandio të Greqisë, nga një grup profesorësh grekë të këtij universiteti, është i pari që tregon për gjenocidin mbi çamët, nga një grup nëpunësish grekë. Numri i çamëve të dëbuar dhe të vrarë, që paraqitet në studimin grek, është më i madh edhe se numri që paraqet zyrtarisht Shoqata Politike Atdhetare Çamëria në historikun e saj. Studimi, i cili solli të gjithë debatin në vendin fqinj, pranonte gjenocidin grek mbi popullsinë çame, duke thënë se 770 çamë të Paramithisë janë ekzekutuar nga forcat e EDHES-it, vetëm për shkak të kombësisë së tyre. Për më tepër, në këtë studim thuhet se “50 mijë çamë të Epirit janë dëbuar ose vrarë nga Ushtria Revolucionare Çlirimtare Greke (EDHES, forcat e djathta të Greqisë për çlirim, krahas ELAS-it, që ishte komunist, në radhët e së cilës kanë luftuar edhe rreth 200 çamë) gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore”.

Me gjithë presionet, pedagogët nuk pranuan të ndryshonin asnjë presje në studimin e tyre. Konstandinos Ciceliqis, një ndër hartuesit, tha se “nuk po flasim për çështje kombëtare, por për çështje historike dhe për fakte të dokumentuara, të cilat sot po i paraqesim”.

Ky është studimi i dytë grek, që pranon gjenocidin e çamëve. I pari është hartuar nga profesori grek i Universitetit Yale në Shtetet e Bashkuara, z. Stathis Kalivas, i cili në studimin e tij thotë ndër të tjera se “ky rast është padyshim një gjenocid”.

***

Popujt tanë kanë nevojë për mesazhe si ajo e znj. Stefanidhu… E ardhmja u përket këtyre mesazheve. Jam i bindur se zëri i Tula Stefanidhut (Malakata) nuk është i vetëm në Greqinë fqinje. Ne, ballkanasit, kemi nevojë për këto zëra, kemi nevojë për kodet e mirëkuptimit të popujve tanë.

N.M. - Gazeta Shqip

No comments:

Post a Comment