July 15, 2014

Isufi: Çamëria tokë e lashtë shqiptare, çamët autoktonë, atdhetarë dhe fisnikë

Çamët, një popull trim e fisnik, që ka provuar dhunën e pushtuesve turq e genocidin fashist grek deri në ikjen e dhunshme nga trojet e tyre shqiptare, ende vuajnë padrejtësitë që janë bërë në kurrizin e tyre. Ndonëse përballë një fati tragjik, ata kurrë nuk e kanë harruar dhe nuk reshtën së punuari e luftuari që dita e rikthimit në tokën e tyre të jetë sa më e afërt. Kjo dëshirë që nuk shuhet kurrë por shtohet çdo ditë, është dhe një apel për të ndrequr padrejtësitë ndaj shqiptarëve, një apel për ndërkombëtarët që heshtën përballë fatit tragjik të një populli dje, e nuk po bëjnë atë që duhet bërë sot, që minimalisht, atyre shqiptarëve fisnikë, tu jepen të drejtat elementare të mohuara. Historia e Çamërisë dhe çamëve, është një histori e pasur trimërie e qëndrese, është një histori dhimbje e shprese… Historiani i njohur Hajredin Isufi, nuk ka reshtur ndër dekada për të zbuluar të vërtetën e historisë çame që është e ‘gjallë’ dhe e pasur në arkivat vendase e të huaja, por dhe në kujtimet e pashlyera të atyre të moshuarve që provuan mbi shpinë genocidin e pa shembullt të shovinistëve grekë… Në një cikël shkrimesh, historiani Isufi do të sjellë për lexuesit e ‘Dita’-s  dokumente të arkivave e dëshmi të protagonistëve të historisë së Çamërisë e banorëve të saj…

ETNICITETI I POPULLSISË ÇAME

Për të përcaktuar etninë e shqiptarëve të Epirit, në radhë të parë duhen marrë në konsideratë përshkrimet për etnografinë e Epirit. Ato janë publikuar bollshëm, sidomos në fund të shek. XVIII, në shek. XIX e gjatë shek.XX. Kjo gjë mund t’i atribuohet më shumë famës së Ali Pashë Tepelenës si qeveritar i Epirit, vali i Janinës që në vitin 1778. Për të argumentuar këtë, po sjell disa dokumente zyrtare. “Çamëria është një krahinë që shtrihet në anën perëndimore të Epirit. Rrethet kryesore të saj janë Filati, Gumenica, Parga, Margëlliçi, Paramithia e Preveza. Në veri kufijtë e saj shkojnë deri në zonën e Delvinës, në jug kufizohet me gjirin e Artës (Prevezës), në perëndim laget nga deti Jon, kurse në lindje ndahet prej pellgut të Janinës nga malet e Olliçikës e të Llakës. Është një krahinë mjaft e begatë me fusha, si fusha e Frarit apo me kodra të buta e të përshtatshme për kultivimin e ullirit e të agrumeve”. (Burimi: Chr. Soulis, Tzamouria, “Megale Ellenike Enkyklopedia “Pyrsos”, vëll.23, Athinë, 1933, f.405; Fjalori Enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985, f. 149-150; A. Gobincau, Deux estudes sur la Grece moderne, Paris, 1905, f.113; V.Z. Mollossos, Dhromologion tes Hellenikes, Chresonesou, Tom.I, Athinë 1878 e pasim, f.4; A.Philippson, Thesalien und Epirus Reisen und Forschungen in ndrdlichem Griecheland, Berlin, 1878, f222-228; P. Xhufi – H. Isufi, Aneksimi i dhunshëm i Çamërisë nga Greqia dhe lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e saj, në “Studime Historike”, Tiranë, 1996, nr.l-4,f.7; H. Holland, Thessaly, Macedonia, London, 1819. Vargun e dëshmive, që shkruajnë për shtrirjen e Shqipërisë së Poshtme, do ta mbyllim me dëshmitë e dijetarit anglez Ë.M. Leake, i cili ishte si konsull i Britanisë së madhe në Janinë në dhjetëvjetëshin e parë të shek.X!X, (1807- 1810), shkruante se “Kufijtë e Shqipërisë në bregdetin e Epirit arrijnë deri në Prevezë”. Ë.M. Leake, Researches in Greece, London, 1814, f. 156.’Sp. Mouselimi, Istorikoiperipatai ana ti Thesprotia, 1976, f.41).

TË HUAJT PËR ÇAMËRINË

Të huajt i tërhiqte një kureshtje e fortë drejt Epirit, për shkak të ngjarjeve që zhvilloheshin aty, nën frymëzimin e një qeveritari të ri dhe të një populli të vogël e të panjohur shumë deri atëherë. Të gjithë autorët që u morën me çështjen e çamëve, pohojnë prerazi se ata janë shqiptarë dhe i njësojnë me suliotët. Për të ilustruar këto pohime, do të përmendim një varg veprash të autorëve të huaj, disa prej të cilëve janë përkthyer pjesërisht e pasqyruar në revistën “Dituria” të Lumo Skëndos. Në atë revistë njihemi me një material të bollshëm si dhe shënime të nxjerra nga veprat e autorëve të huaj, ku pasqyrohet etnia shqiptare e banorëve të Çamërisë. Trajtimin e problemit etnik për popullsinë e Epirit në mesjetën e hershme për mungesë të dhënash burimore e vështirëson problemin. Midis burimeve historike që hedhin dritë për problemin që trajtojmë është me interes të përmendim një dokument venedikas të vitit 1210 i cili bën të njohur se kontinenti përballë Korfuzit banohej nga shqiptarë (arbanense).  Autorët e kësaj periudhe qofshin ato grekë apo të huaj shënojnë edhe për shtrirjen e Shqipërisë së Poshtme. Kur bëhet fjalë për Çamërinë, Thesprotinë e lashtë, në shek.XIII, burimet e kohës e evidentojnë me emrin “Vajenetia”. Çamëria më 1204 njihej si njësi e vogël administrative e Themës së Durrësit dhe e Arbërit dhe herë si Themë më vete.(Burimi: Shkëlzen Raça, Shtegtimet dhe ngulmimet e shqiptarëve në Greqi, shek.Xlll-XVl, Prishtinë, 2004, f. 70). Në fillim të shek.XIII, mitropoliti Naupaktet, Apokauki shënonte kufirin ndarës ku flitej gjuha greke, në veri deri në Grebene, sipas Apakaukut jetonin “bashorefenët”. Historianët e lashtë si Tuqidi, Efori, Straboni, Skimni e gjeografët e tjerë të lashtësisë kishin treguar, që kundrejt grekëve, epirotët ishin “barbarë” (jo helenë). Turqididi thotë dhe e përsërit pa pushim se epirotët janë “barbarë”, pra të huaj, se ata flasin një gjuhë të pakuptueshme për grekët. Anuk ishte Herodoti që i konsideronte epirotët dhe maqedonasit të huaj? Të njëjtën gjë ‘thonë dhe Straboni dhe Plutarku. Madje Demosteni lëshonte shigjeta therëse kundër ushtarëve të Filipit të Maqedonisë.(Burimi: Mithat Frashëri, Çështja e Epirit, Tiranë, 1998, f.30.). Gjeografi francez Malte Brum për Epirin thotë: “Epirin, të gjithë autorët grekë e përjashtojnë nga Greqia. Kantonet e tij kryesore, thotë Siraboni, kanë qenë në Kaoni, Thesproti dhe në Mollosi. Straboni dhe Plutarku na kujtojnë se epirotët flisnin një gjuhë të veçantë…”(Burimi: Rechus, Gjeografia Universale, Paris, 1875, vëll.l, f.185).  Shqipëria identifikohej pikërisht me Epirin dhe gjuha shqipe vetë thirrej gjuha epirote (lingua epirotika).

Më tej:”Është me rëndësi të theksohet se në gjysmën e parë të shek.XIV shqiptarët gjendeshin brenda Epirit të vjetër, krejt afër “Vajenetisë”, në Çamëri e Pargë dhe ata, popullonin hapësirën mes dy lumenjve Kalama-Aheron.(Po  aty).

KRONIKAT GREKE: ÇAMËRIA ËSHTË SHQIPTARE!

“Kronika e Janinës” dhe “Kronika e Tokove”, dy burime të çmuara për historinë e Epirit në shek.XIV-XV, i përmendin shqiptarët si element i vetëm masiv që popullojnë Epirin. Autori anonim i “Kronikës së lokove”, kur flet për zonat e banuara në të gjithë drejtimin e Pargës-Paramithi-Janinë apo Artë-Janinë shpreh qartë karakterin etnik shqiptar të popullsisë. Kujtojmë se si përfaqësues të etnisë shqiptare, familjet e mëdha shqiptare Shpatajt dhe Zenebishët në vitin 1304 pronat e tyre i shtrinin në brezin bregdetar midis Himarës, Gjirokastrës dhe Prevezës. Ndërsa si përfaqësues i etnisë shqiptare në fund të shek.XIV dhe në çerekun e parë të shek.XV përmenden dhe Mazarekët të vendosur në një vend në rrethinat e Margëlliçit. Një dokument nga arkivat e Perandorisë Osmane mbi regjistrimet e popullsisë në vitin 1431, përmendet edhe fshati Mazërrek, në afërsi të Margëlliçit në Çamëri me 25 shtëpi.(Burimi: Imalçik Halil Suret Defter-i Samak Arvanid, Lib.I, Ankara, 1954).

DËSHMI TË AUTOKTONISË

Mazarekët rreth vitit 1380 pasqyrohen në burimet historike si fis i fuqishëm politik dhe ushtarak. Pronat e tyre kishin një shtrirje të gjerë në hapësirën çame dhe juridiksioni i tyre që ishin nën kontrollin e Mazarekëve ishte ndërmjet Pargës dhe Ajdonatit (Paramithisë) Burimi: Shkëlzen Raça, Shtegtimet dhe ngulmimet e shqiptarëve në Greqi, shek.Xlll-XVl, Prishtinë, 2004, f. 79). Panajot Aravantinoi shkruan për Mazarekët se shquheshin si luftëtarë trima dhe kundërshtarë të vendosur kundër despotatit të Janinës, Izeu Boudelmontit, afer Dhivrit në Çamëri. (Burimi:Pan. Aravantinou, Hronographia…, Vëll.Il, f.44, 105). Siç shihet që në fillimet e shek. XIV formacionet e feudalëve shqiptare në Shqipërinë e Poshtme dhe prania e shqiptarëve në Epir ishte absolute. Karakterin etnik shqiptar të popullsisë së Epirit do ta pohojë edhe një dokument i fillimit të shek. XV në të cilin bëhej fjalë për gjendjen etnike të Epirit kur sundimtari i tij u bë konti italian Karl Toko. Aty ndër të tjera thuhet: “…sundoi ai në të gjitha anët e vendit (Epir), i cili në kohëra të vjetra ka qenë i ndarë në fise:Etolët, Akarnananët, Thesprotët, Mollosët, Kaonët… etj. Këta fise të vjetër e të shumtë që në të kaluarën kishin burra shumë trima, tani i ka pushtuar një varfëri… Por edhe tani ai (Epiri) banohet nga shqiptarët, popull i lirë, që jetojnë të shpërndarë në grupe të vogla ose në fshatra, por që të gjithë ndryshojnë prej grekëve, qoftë nga gjaku qoftë nga gjuha.(Burimi:P. Xhufi, artikull i përmendur). Viset në jug të maleve Akrokeraune e deri në gjirin e Artës, mbi bazën e përbërjes etnike shqiptare përfshiheshin nën emërtimin “Shqipëri” (Albania). Kështu, “Albania” e quajnë dokumentet e shek.XIV krejt pjesën kontinentale përballë ishujve të Korfuzit deri poshtë gjirit të Ambrakisë në derdhje të lumit Akeloos.(Burimi i mëparshëm).

DOKUMENTE TË VENEDIKUT

Emigrimi i shqiptarëve nga Epiri drejt tokave greke që nisi në gjysmën e parë të shek. XIV sado e madhe që të ketë qenë, shkruan Pëllumb Xhufi, Epiri prapëseprapë mbeti edhe pas kësaj treve shqiptare. Në vitin 1444 dokumentet venedikase flasin për një rimëkëmbje ekonomike shqiptare në Epir. Nga portet Epirote të Frarit, Pargës e Gumenicës niseshin drejt Venedikut e Raguzës sasi të mëdha gruri. Në këto dokumente popullsia e rretheve të Pargës, Margëlliçit dhe Janinës quhej shqiptare. (Burimi: Versuch einer Guschichte von Parga, Heinrich Mercy Sohn Verlang, Pragë, 1908, f.18,19, 21, 30: P.Xhufi, artikull i përmendur).

Në vitin 1555 Belon du Mans vizitoi vendet e Epirit dhe konstatoi popullsinë shqiptare të atij vendi. Së fundi, gjeografi i njohur turk Piri Reisi, i fundit të shek. XV – fillimi i shek. XVI duke përshkruar bregdetin Jonian, pohon qartë se popullsia e viseve të Pargës ku ai u ndal posaçërisht, ishte shqiptare.(Burimi:Dokumente dhe materiale sipas librit të udhëtimit të admiralit osman Piri Reis në: “Studime historike”, nr.3, 1981, f.224).

DEFTERI TURK

Përkatësia etnike e shqiptarëve në Çamëri e gjen pasqyrimin e vet në Defterin e hollësishëm osman të sanxhakut të Delvinës, të vitit 991 (1583), ku janë regjistruar emrat e kryefamiljarëve të qendrave të banuara, qyteteve e fshatrave. Duke shfletuar fletët e këtij defteri vihet re se shumë kryefamiljarë mbajnë emra të krishterë të fushës onomastike shqiptare, si: Lekë, Gjin, Zhupë, Gjon, Nik, Dedë, Gjeta, ose emra të krishterë të trajtës së shqiptarizuar si Pavël, Vasil, Kol, Pal, Jorgo, Kosta, Andrea, Dhimo etj..(Burimi: F. Duka, Realiteti etnik i Dropullit, në “Studime historike “, Tiranë, 1991, nr.3-4). Nga ky defter po publikojmë për herë të parë antroponiminë e disa fshatrave të qytetit të Filatit dhe Paramithisë. Në fshatin e Keskës 100% të kryefamiljarëve mbajmë antroponiminë shqiptare. Fshati Koskë(në Filat), në vitin 1583, kishte 182 kryefamiljarë, fshati Guyrrëz 34 kryefamiljrë, fshati Imlahor (varej nga Parithimia-Ajdonati), në vitin 1583 kishte 42 kryefamiljarë, etj…

Mund ta shtrinim edhe më shumë listën emërore të kryefamiljarëve në fshatrat e qytetet e Çamërisë nga defteri osman, por nuk e pamë të arsyeshme, sepse listat do të ishin të njëjta me emra të krishterësh katolikë në trajtën e shqiptarizuar. Sidoqoftë, prania në regjistrat osmane e emrave karakteristikë dhe ekskluzivisht shqiptarë, vërteton konkluzionin e përgjithshëm se popullsia e Çamërisë i përkiste etnisë shqiptare.

TOPONIME SHQIPTARE

Sipas këtyre regjistrimeve kadastrale të shek. XVI (Regjistrimi i Delvinës dhe Regjistrimi i Janinës i vitit 1583) del se shtrirja e vendbanimeve shqiptare ishte e dendur dhe me antroponimi të pastër shqiptare. Popullsia shqiptare në hapësirën e Çamërisë, krahas antroponimisë thjesht shqiptare, kishte krijuar dhe toponimi shqiptare dhe këtë e hasim në krahinën e Paramithisë, të Sulit, të Margëlliçit, të Gumenicës e të Pargës si në emërtimin e fshatrave ashtu dhe të vendeve si psh fshati Ledhës në Gumenicë, fshati Rrapëz e Zeri në Pargë, ose emrat e fshatrave: Gardhiq, Vreshta, Grikohor, Grika, Morfat, Spatharat, Sharat, Nëneshat, Lopës, Mazërrek, Kuç, Currile, Luarat, Ninat, Markat. Historiani grek, Jani Llambridis, kur shkruan për Sulin, shtrirjen dhe kufijtë e tij, përmend një varg toponimesh që janë thjeshtë shqiptare si fshati Vilë, Balla, Dora, Çifliku, Kukuli, Lugati, Birbili, Gorrica, Kodër, Qafaetj.(Burimi:(Jani Llambridis, Epirotika Meletimata, Athinë, 1904, f.7,8,9, 12 e në vazhdim). Gjuhëtarët kanë arritur në përfundimin se elementi fjalëformues ‘at’ lidhet me prapashtesën ‘ates’, e cila takohet në emra fisesh ilire si Labeates, Dokleates etj. Në disa fshatra të Çamërisë brez pas brezi në shekuj janë ruajtur toponime malesh, prenjsh, fushash, luginash e arash si toponime të pastra shqipe si p.sh. “Mali i Glatë” (në fshatin Dramës), “Lisi i Lorit”, “proi i Thellë”, “Palo Vreshtat”, “Gropa e Madhe”, “Bira e Vllahut”, “Nënshkëme”, “Hora”, “Guri i Bardhë”, “Bota e Bardhë”, “Burimet”, “Bregu i Angjelit”, “Klishëza”, “Mulliri i Fikut”, “Shegëza”, “Kodrëza e Vidhit” etj.

GENOCIDI FASHIST GREK

Nië vitet që pasuan, Qeveria Greke, nisi t’i intensifikojë veprimet e saj antishqiptare në fillim pushtimin e Çamërisë me forcaushtarake dhe më pas me përpjekje për spastrimin etnik të shqiptarëve myslimanë nga Çamëria. Ndërkohë Athina pas shpërnguljes me dhunë të çamëve nga bandat e Napolon Zervës dhe të forcave qeveritare greke për të shuar e zhdukur çdo gjurmë të etnisë shqiptare në Çamëri, ka ndryshuar toponiminë e fshatrave  duke i zëvendësuar ato me emra grek. Kështu p.sh. fshatin Gurrëz e kanë emërtuar me emrin “Palokastro e Sipërme”, fshatin Picar në “Aetos”, Koriqanin në “Ahllavia”, Skupicën në “Kestrin”, Lopsin në “Asproklisi”, Spatarin në “Trikofor”, Galbaqin në “Elia”, Dolanin në “Jeroplatanos”, Peshtanin në “Kriovrisi”, Smokovinën në “Sikohor”, Salicën në “Llaka”, fshatin Vreshta në “Andelia”, Kuçin në “Poliner”, Arvenicën në “Argjirotopos”, Nistën në “Foskamilia”, Arpicën në “Perdhika”, Volën në “Sivota”, Rrëzanjin në “Shën Ajia”, Rrapëzën në “Ajthusa”, Vrastovën në “Palokastro”, Kurtesin në “Mesovun”, Mininën në “Nerajdha”, Curilën në “Kalithea”, Ledhëzën në “Lladohor”, Varfanjin në “Parapotam”, Koshovicën në “Shën Maria”, Luaratin në “Katovother” etj. Sado që të përpiqet administrata greke për të zëvendësuar onomastikën e emrave të fshatrave në Çamëri, që është aq e lashtë sa vetë autoktonia e shqiptarëve në ato troje, çami në breza do ta gjejë pa vështirësi tokën, fshatin e të parëve të tij, pavarësisht nga emërtimet që ka. Regjistri i Janinës (1583) e shtrin zonën e përhapjes së vëndbanimeve shqiptare dhe popullsinë e tyre autentike shqiptare edhe në zonat periferike të Epirit. Kështu p.sh. nga Defteri i Janinës mësojmë se në nahijen e Prevezës, që përfshinte dhe Prevezën, Kravarin me fshatrat e saj, antroponimia e vendeve si Zallonga, Shapata, Likursi, Karula, Zermeni, Nikolic, Zerni, Flambur, Poliofor, është një antroponimi e pastër dhe pa asnjë mëdyshje shqiptare. Të dhënat që përmendëm provojnë se Çamëria daton nga Mesjeta dhe hyri në kohën e re si një trevë thellësisht shqiptare.

 ---

Historiani Hajredin Isufi

Hajredin Isufi ka lindur në Çamëri (në fshatin Rrezanj – Gumenicë) më 25 dhjetor 1935. Më 1962 u diplomua në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Histori – Filologji. Ka punuar si arsimtar. Që nga viti 1964, është marrë në vijimësi me studime për historinë e Çamërisë. Ka punuar si bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin e historisë, Tiranë. Ka botuar librat: “Kryengritja e Kurbinit dhe Dom Nikollë Kaçorri”, “Studime Historike”, 1986, “Politika e shtetit grek për dëbimin e popullsisë çame në vitet 1914-1928”,  “Studime Historike, 1993 (1-4), Tiranë 1997”, “Aneksimi i dhunshëm i Çamërisë nga Greqia dhe lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e saj” (bashkautor me prof. Dr. Pëllumb Xhufin), etj…

Që nga viti 1965 e deri në vitin 1990 ka bashkëpunuar me të gjitha organet e shtypit shqiptar dhe ka shkruar qindra artikuj për ngjarje historike dhe figurat e shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Ndër ‘to mund të përmendim: “Një këngë të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Drita, Tiranë, 15 mars 1981; “Çamëria, fakte të vërteta dhe të stisura”, Koha Jonë’, 13 tetor 2002 (replikë me historianin grek, Llambros Baliciotis); “Përgjigje greko-amerikanit (Geixh). Koha Jonë, 16 dhjetor 2002; “Musa Demi dhe qëndresa çame 1800-1947″, Tiranë 2002, është monografia e tij e parë; “Çamëria, studime historike-sociologjike”, Tiranë 2006; “Roli i Nikollë Kaçorrit dhe klerit katolik në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” (në “Çështja Çame dhe integrimi evropian”, Tiranë 2005 (bashkautor), etj….


Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi  (DITA)

No comments:

Post a Comment