July 21, 2014

Sami Repishti: Regjimi i Hoxhës, mosbesues ndaj çamëve

Nga: SAMI REPISHTI*

Në historinë moderne të Çamërisë kemi tri faza: E para, fillon që nga Lidhja e Prizrenit (Kongresi i Berlinit) 1878, dhe deri në pavarësinë e shtetit shqiptar, më 28 nëntor 1912; e dyta, që nga viti 1912 dhe deri me sulmin italian kundër Greqisë, më 28 tetor 1940 dhe e treta, që nga tetori 1940 deri në vitin 1945.

Problemi i Çamërisë u ngrit për të parën herë në tryezat e diplomacisë europiane, si problem i Epirit, më 29 qershor 1878, në Kongresin e Berlinit, nga Ministri i Jashtëm i Greqisë, T.Deliyannis, i cili kërkoi që ishulli i Kretës, Thesalia dhe Epiri t'i jepeshin Greqisë nga Perandoria Osmane.


Ndërkaq, jo vetëm Vjena, por edhe Berlini rishikuan disa pika të qëndrimit të tyre ndaj kësaj çështjeje (kërkesave greke). Të dyja palët ishin të mendimit se nga tokat që do t'i kalonin Greqisë, duheshin përjashtuar viset shqiptare, d.m.th. Çamëria, duke përfshirë edhe Prevezën. Kancelari gjerman, Bismarck, deklaroi se: "...e ardhmja e Greqisë do të ishte e kërcënuar po të përfshinte ajo (Greqia) një pjesë të konsiderueshme të kësaj race luftarake të panënshtruar të shqiptarëve, që ajo as do t'i nënshtronte, as do t'i asimilonte".

Më 18 mars 1879 Turqia i ofroi Greqisë një rrip toke paralel me kufirin ekzistues, dhe jo më shumë, me sqarimin se çdo koncesion do të krijonte shqetësim të madh te shqiptarët. Grekët refuzuan ofertën, filluan aktivitetin e tyre ilegal me grupe terroriste, duke sulmuar edhe Himarën, por pa sukses. Ndërkohë, Abdyl Frashëri e Mehmet Vrioni u nisën për në Europë për të mbrojtur tezën shqiptare. Argumenti i tyre ishte se Epiri është i një rëndësie jetësore për të ardhmen e Shqipërisë së Jugut, për arsye të porteve të Prevezës, Artës, Gumenicës dhe Pargës, si dhe për kullotat. Ata përfundonin duke thënë se "...Shqiptarët ishin të betuar të vdesin para se t'i dorëzonin Greqisë territoret e Prevezës, Artës, Janinës dhe distriktet e tjera të Shqipërisë".

Më 15 qershor 1880, Konferenca e Ambasadorëve në Berlin i dha Greqisë gjysmën e Çamërisë, duke përfshirë edhe Janinën. Grekët e pranuan menjëherë. Turqia e refuzoi. Në atë kohë Ministër i Punëve të Jashtme të Turqisë, ishte Abedin pashë Dino.

Zerva 
Nuk është një koincidencë e rastit, por një atmosferë politike e përshtatshme për forcat reaksionare greke, që në qershor 1944, "bashibozukët" e Gjeneralit Zervas, të ndihmuara nga forcat ushtarake të kolaboracionistit Kolonel Dertilis, komandant i "Batalioneve të Sigurimit", një pro-nazist i deklaruar dhe mik për njëzet vjet i Gjeneralit, filluan sulmet kundër fshatrave shqiptare të Çamërisë, me një pikësynim final: "të spastrojë" zonën e Epirit nga e gjithë "popullsia jogreke", d.m.th. shqiptarët çamë. Akuzat se çamët kanë qenë "bashkëpunëtorë" me italianët e gjermanët janë "akuza" të shtruara sidomos, nga forcat greke më të komprometuara nga "bashkëpunimi" me okupatorin në Greqinë e okupuar, nga elementë si Gjenerali Zervas, Koloneli Dertilis, "Batalionet e Sigurimit", Gjindarmëria dhe Policia (të stërvitura nga nazistët) etj. Në një mesazh që P.E.E.A. (Këshilli Popullor i Grupit ELAS) dërguar Presidentit amerikan, F.D.Roosevelt, më 15 maj 1944, thuhet se armiqtë që kanë sulmuar Greqinë janë: "...agresorët italianë, gjermanë, bullgarë". Shqiptarët nuk janë pjesë e këtij grupi negativ. 118

Ka arsye të dyshohet se oficerët e ML (Ndërlidhjes Ushtarake) britanike nuk kanë "dekurajuar" masakrat e Gjeneralit Zervas dhe kolonelit nazist, Dertilis. Është shkruar se disa nga këta oficerë britanikë edhe e kanë pranuar, meqenëse "...nuk kanë dashur të përbuzin një akt të dobishëm sot në luftën kundër ELAS-it, një armik i mundshëm nesër". Ndërkaq, observatorët amerikanë e shikonin këtë politikë britanike (në Greqi) në lidhje me "Batalionet e Sigurimit" si të "paqartë" dhe të "hutuar".

Në komunizëm 
Largimi i refugjatëve çamë nga zonat kufitare të Konispolit, dhe mosvendosja e tyre në kampe refugjatësh në afërsi të kufirit me Greqinë, e kanë zbutur shumë efektin e madh që pamje të këtilla bëjnë zakonisht në vrejtësit e huaj, dhe si rrjedhim e ka bërë "problemin çam" një "problem refugjatësh" që kërkojnë ndihmë materiale, të nevojshme për mbijetesë dhe sistemim në "shtetin mikpritës" siç është shembulli i UNRRA-s dhe ndihma ekonomike prej 1.2 milionë dollarësh, e dhënë në 1946. Një qëndrim i këtillë i qeverisë komuniste të Shqipërisë më 1944 dhe 1945 shpjegohet kryesisht me aspektin ideologjik të asaj qeverie që zinte vendin e parë mbi interesat kombëtare shqiptare, si dhe me këmbënguljen e saj të mos lejohej asnjë veprim i pavarur nga asnjë grup politik - duke përfshirë edhe çamët - dhe nënshtrimin e plotë të popullsisë, autoritetit zyrtar e diktatorial në Tiranë. Ka arsye të besojmë se, çamët, me përkrahjen e qeverisë komuniste të Tiranës do ta kishin shtruar "problemin e Çamërisë" si një problem politik duke kërkuar kthimin e menjëhershëm në trojet e tyre, dhe sigurimin e një jete të re në rrethana më demokratike të krijuara nga atmosfera e pasluftës në Europë. Një trajtim i këtillë i çamëve në Shqipërinë e Enver Hoxhës dha mundësinë për interpretime greke antishqiptare, dhe lehtësoi aktet greke antishqiptare. Kështu, "...Gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë" shkruan një autor grek, "problemi i çamëve u la në harresë. Këtu duhet të thuhet se regjimi i Enver Hoxhës i priti me mosbesim të madh të gjithë ata çamë që u arratisën nga Greqia në Shqipëri në vitin 1944. Edhe këtu, ata u panë si bashkëpunëtorë të fashistëve italianë dhe u transferuan në veri të vendit... Në vitin 1947, u morën të gjitha masat e nevojshme për t'u hequr çamëve nënshtetësinë greke (Pro.49343 E/2/10.1947, Ministria e Brendshme), duke u bazuar në akuzat për bashkëpunim dhe veprime kundër interesave të popullit grek. Gjatë popullzimit të zonave kufitare, pasuria e tyre iu nda fshatarëve pa prona dhe vlera u pagua në bankën agrare. Më 1953, refugjatët çamë në Shqipëri u detyruan të marrin nënshtetësinë shqiptare, një akt që vështirësoi shumë problemin e kthimit të tyre në Çamëri. Me gjykimin e "elitës komuniste çame" (grupi i Admiralit Teme Sejko, 1960) prania çame në jetën publike shqiptare mori një karakter margjinal, që u shpejtua, edhe me procesin e asimilimit të tyre në shoqërinë shqiptare.

Perspektivat
Si rrjedhim i qëndrimit antikombëtar të qeverisë komuniste shqiptare (1944-1991), zhvillimet e "problemit çam" mbas vitit 1945, kanë të bëjnë me dëshirën për ruajtjen e identitetit çam në Shqipëri, dhe më pak me përpjekjet për të drejtën e tyre të kthimit dhe të riposedimit të pasurive të tyre të grabitura. "Problemi i pronave (çame) në Greqi është paraqitur para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) nga qeveria shqiptare, me qëllim që të sigurohet një lloj kompensimi për ish-pronarët çamë, por pa ndonjë rezultat. "Në një intervistë me gazetarët në Tiranë, kryeministri grek, Mitsotakis, deklaroi se "çamët mund t'i shpërblejmë për pronat e tyre, por ata i kemi përzënë si bashkëpunëtorë të gjermanëve, e në bazë të dokumenteve ndërkombëtare...ata janë kriminelë lufte..." Ndërsa Zonja Tsuderos, zv.ministre e Punëve të Jashtme të Greqisë shtoi, "Për pasuritë e çamëve do të veprohet sipas ligjeve greke, me përjashtim të atyre   që bashkëpunuan me armikun...Çamët ikën vetë, nuk i dëboi njeri..." tha ajo, duke kundërshtuar kryeministrin e saj.

Sot 
"Çamëria", mars 1991, dhe me programin e saj krijohet mundësia që të punohet për "mbrojtjen dhe njohjen e të drejtave të çamëve...Qëllimi i kësaj iniciative është njohja e çamëve si minoritet nga ana e qeverisë greke, dhe krijimi i të gjithë kushteve që garantojnë shfaqjen e lirë të identitetit etnik, kulturor, gjuhësor, dhe fetar nga ana e çamëve që aktualisht jetojnë në Greqi". Kjo iniciativë është një hap i dukshëm cilësor.
Sot, "problemi çam" shikohet si një rast flagrant i shkeljes masive të të drejtave të njeriut, të kësaj popullsie të shpërngulur me dhunë nga ana e qeverisë greke. Ky rast flagrant, fiton cilësi të një natyre tragjike kur mendohet se shumica e grekëve sot nuk vuan nga ndjenja e fajit, që duhet të rrjedhë si rezultat i "pastrimit etnik" të shqiptarëve çamë në Greqi mbas Luftës së Parë Botërore, dhe sidomos mbas Luftës së Dytë Botërore. Kjo mungesë pendese për fajin e kryer ka shkuar aq larg, si efekt i propagandës antishqiptare, sidomos mbas vitit 1945, saqë greket sot as që duan të flasin për një qëndrim të këtillë. Ata e ndiejnë veten jo të qetë kur ballafaqohen me këtë pyetje dhe përgjigjen thjeshtësisht: "Nuk ka asnjë shqiptar në Greqi!" Ata nuk pranojnë asnjë argument për dëbimin me dhunë të shqiptarëve, duke "harruar" të kaluarën, dhe akoma më keq duke u përpjekur që këtë problem të rëndë ta kalojnë me një ofensivë kundër shqiptarëve në lidhje me "pakicën greke" në Shqipëri.

Shpresohet se shembulli i Bosnje-Hercegovinës, i konfirmuar në Konferencën e Dayton-it (USA) më 1995, marrëveshja gjermano - çeke mbi Sudentenland (1996) dhe bisedimet e tanishme Izrael-Palestinë për të drejtën e kthimit në trojet e tyre të refugjatëve të dëbuar me dhunë, do të konsolidohet me akte legale, dhe të bëhet pjesë e legjislacionit ndërkombëtar. Në një rast të këtillë, prania e Greqisë në gjirin e familjes së Bashkimit Europian, dhe demokratizimi i mëtejshëm i Shqipërisë, janë tregues që premtojnë ditë më të mira për viktimat e masakrave greke në Çamëri, dhe për pasardhësit e tyre.

*Pjesë nga libri Epiri i Jugut, Çamëria.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

No comments:

Post a Comment