May 29, 2011

Shpërfytyrimi i zyrtarëve shqiptarë dhe korrektësia amerikane

 
Para disa kohësh, ne një grup shqiptarësh  nga Çamëria, që porsi gur i rrokullisur fati na solli kohët e fundit të vendosemi në SHBA, ju drejtuam veças Presidentit, Kryetares së Parlamentit e Kryeministrit te Shqiperise, dhe për njoftim Departamentit të Shtetit Amerikan, me një letër dashamirësie e respekti.

Ne, 28 veta që  nënshkruam letrën, jemi nga ata që kemi lindur në Çamëri  dhe mbasi na kanë vrarë njerëzit tanë më të afërt, shovinistat grekë,na përzunë me dhunë për në Shqipërinë Nënë. Por as shpërngulja nga Çamëria dhe as largësia nga Shqipëria nuk mund të na bëjnë të harrojmë  ato që kemi vuajtur dhe ata që na mungojnë Me vizitat ashtu edhe nëpërmjet internetit e ndjejmë vehten gjithëmonë pranë si për sukseset e gëzimet, por edhe  për gjërat e ngjarjet që dëmtojnë imazhin dhe dinjitetin e Shqipërisë. Duke pasur fatin e mbajtjes së pashaportës amerikane- këtij vëndi të madh të demokracisë dhe barazisë së popujve, na është dhënë mundësia të vizitojmë edhe Çamërinë Tonë Martire të Paharruar  ku jemi pritur e kemi biseduar përzemërsisht me Çamët e krishtërë si vëllezër të vërtetë që kemi qënë. Por fatëkeqësisht autoritetet  e atjeshme nuk i lejojnë të flasin gjuhën e nënës-shqipen ndersa autoriteteve shqiptare as që u bie mendja se atje banon një minoritet shqiptar prej mijëra vjetësh. Aqë më pak merakosen për Çamët e kthyer nga kufiri megjithëse jemi në zonen Shengen.
 
Duke qënë këtu, kemi vënë re që disa shovinista grekë, megjithëse  rritur dhe prej shumë kohe shtetas amerikanë, nuk i harrojnë mendimet shoviniste mesjetaro-bizantine, çfrytëzojnë të gjitha format e mundshme për të ndërhyrë dhe për të penguar rrugën e Shqipërisë drejtë BE. Një farë Niko Gaxojanis-kuco-vllah nga malësia e Pindit, kërkoi për një kohë të gjatë vrasësit e nënës së tijë më 1945 dhe mbasi  gjeti se ata vrasës ish komunista janë përfshirë në administratën e shtetit dhe  jetojnë te pashqetësuar në Greqinë e sotme; mashtron në librin e tijë sikur ja kanë vrarë Çamët, kur dihet se më 1945,ne  Çamët mbas masakrave zerviste ishim dëbuar me dhunë nga trojet tona etnike. Dhe ky person (një farë kohe me të drejtë ishte shpallur “persona non grata”) , nën emrin e fantazmës vorioepir, si president i sajë pret e përcjellë pranë autoriteteve amerikane, persona të dënuar nga gjykatat shqiptare si Bollanon e famshëm dhe për më tepër hyn e del në Shqipëri për të ngjallur trazira në Himarën Shqiptare duke hapur shkolla greke e suportuar janullatosin në pikësynimet e tija antishqiptare siç po vazhdon prej vitesh ngritjen e “kalasë” bizantine në mes të  Tiranës, me leje të E. Ramës.
 
Ndërsa një “bashkëqytetar amerikan” me prindër nga Himara e Petro Markos, deklaron haptas se:” jam grek dhe dihet se ne grekët jemi komplotista të lindur” duke vërtetuar fjalët dhe qëndrimet e të ashtuquajtur konsull të Greqisë se Korça qenka vorioepir dhe se ai qëndron e punon atje që të krishterët korçarë(ata që me gjakun e tyre krijuan KAOSH) të deklarohen grekë?!

Ne, duke qenë këtu nuk harrojmë asnjëherë prejardhjen tonë, kemi krijuar edhe Organizatën Shqiptaro-Amerikanët nga Çamëria me qëllim që fëmijëve dhe nipave tanë tu mësojmë zakonet e traditat tona ,paharruar asnjiherë “Gluhën e Perëndisë” siç e ka cilësuar Naimi i Madh, dialektin shqip të Çamërisë, dhe në bashkëpunim me organizatat  e shoqatat e tjera shqiptare, ashtu si përhera, të dalim në mbrojtje të interesave shqiptare. Pra për këto shqetësime neve ju drejtuam pushtetarëve të Tiranës që të ruajnë e të mbrojnë dinjitetin Kombëtar që me aqë mundime e sakrifica e ngritën,e rruajtën dhe e mbrojtën shqiptarët e emigruar që para 100 vjetësh këtu në SHBA.
 
Dhe kjo Amerikë, ëndërr e të gjithë botës mbarë, ashtu siç doli në mbrojtje të integritetit të shtetit Shqiptar më 1920 nëpërmjet Presidentit W. Wilson, çlirimit të Kosovës Shqiptare nga Presidenti Clinton më 1999, shpalljen e Pavarësisë së sajë nga Presidenti Bush më 2007, na dërgoi menjiherë  konfirmimin e marrjes së njoftimit për letrën dërguar pushtetarëve të Tiranës. Pra shqetësimi që kemi si qytetarë amerikanë me prejardhje nga Çamëria Shqiptare është zyrtarizuar këtu në SHBA!
 
Po në Shqipërinë Nënë si është e mundur që jo vetëm nuk kuptohet ky shqetësim, por me veshin  shurdhër dhe syrin qorr lejohet që shovinistat grekë të vazhdojnë të punojnë pa u shqetësuar drejt realizimit të pikësynimeve mesjetare të ashtuquajturës ”megalidese” Një fakt domethënës i kësaj heshtje ndaj pretendimeve greke ishte dhe ay moskalimi nga Himara e “Bollanos” i të dy spektrave politikë për fushatë elektorale si PD dhe ashtu edhe PS preferuan të mos  ta shqetësonin Bollanon në përpjekjet e tijë për greqëzimin e Himarës. Megjithëse një miku im nga Vlora e I.Qemalit më tha që të mos u vë re se ndoshta nuk dinin greqisht për të lexuar se çfarë shkruhej.
 
Dhe megjithëse kanë kaluar më shumë se dy muaj e zgjedhjet mbaruan me “stil shqiptar”, pushtetarët e Tiranës nuk po gjejnë kohë per te konfirmuar te pakten marrjen e Letrës dashamirëse të pleqëve e plakave mbi 67 vjeçarë të Çamërisë Martire Shqiptare.
 
 
Sali Bollati,
New York, Maj 2011

May 24, 2011

Smarte Moj


"Smarte moj" nga Skender Myrtezai dhe Haxhi Myrtezai.

Fshati Smartë, (greqisht: Smértos), është fshat në Qarkun e Çamërisë dhe gjendet 10 kilometra nga Filati.

May 18, 2011

Konispoli, atje ku Jugu dhe Veriu "bëhen një"

Fatos Baxhaku

Ndërsa makina jonë kalon mbi trap Kanalin e Butrintit, ne rrimë e vrasim mendjen nëse tashmë kemi hyrë në Çamëri apo jo. Ka shumë mendime mbi kufirin verior të krahinës së njohur. Disa e çojnë atë deri në derdhjen e Bistricës, fare afër Sarandës. Të tjerë e zbresin disi më poshtë në Jug, në rrjedhën e lumit Pavlla, atij që derdhet në pikën më jugore të Shqipërisë së sotme në det, në Kepin e Stillos, të tjerë akoma mendojnë se është vetë Liqeni i Butrintit pika natyrale që ndan Çamërinë me pjesën tjetër të vendit. Sido që të jetë një gjë e kemi krejt të sigurt, Konispoli, qyteti ynë më jugor dhe krahina rreth e qark tij, është e vetmja pjesë e Çamërisë e mbetur këndej kufirit qëkurse ata u vendosën në 1913.
Duhet të jetë i çuditshëm ky qytet. Ai, në fakt, është njëherazi edhe Jugu i Jugut tonë edhe Veriu i Çamërisë. Pastaj edhe legjendat mbi emrin e tij janë interesante. Disa thonë se emri vjen nga Kondi, një dajë i Olimbisë, nënës së Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, i cili strehoi për do kohë këtu mbesën dhe djalin e saj të vogël, pas një sherri mbretëror, pak kohë pasi Filipi u martua me një tjetër. Porse ka të tjerë që thonë se Konispol vjen nga "konj" (sllavisht: kalë). Pra është "qyteti i kuajve". Me këto mendime në krye kalojmë me radhë një sërë fshatrash mbi një rrugë që herë del e asfaltuar dhe herë të tjera na mbyt me pluhur e guralecë. Vrina, Shëndëllia, Xara, Mursia, të gjitha kalojnë shpejt e shpejt në krahët tanë. Janë shumë afër njëri-tjetrit të vendosur mbi ca kodrina të ulëta të mbushura me ullinj, agrume dhe ara me shalqinj. Në piskun e vapës dallojmë fare pak figura njerëzore. Vetëm ndonjë bari i vonuar na përshëndet me dorë që nga larg. Kur kalojmë mbi urën mbi Pavlla sikur e ndjejmë që qyteti më jugor është fare afër. Pas urës hasim në një mal jo fort të rëndë, por shumë të çuditshëm.
Është një kon fare i rregullt që lartësohet mes dy fshatrave: Çiflikut dhe Shkallës. Në librat tanë lexojmë se ky mal është Çuka e Ajtoit. Krejt në majë të tij arkeologët kanë gjetur një fortifikim të shekullit V para Krishtit. Ugolini, arkeologu i njohur italian, u pat çuditur me këtë mal me formë krejt të rregullt. Madje kishte hedhur dyshimin se mos vallë kjo ngrehinë e gurtë ishte vepër e njerëzve të antikitetit. Në fakt e gjithë zona është e mbushur me mbetje të kohëve të lashta, madje edhe prehistorike. Vetëm pak minuta udhë pas Çukës së Ajtoit dallojmë shtëpitë e Konispolit të zhytura në hijen e ullinjve. Objektivi ynë tashmë është fare afër.

Nga rrapi te Euro 2008

Janë orët e para të pasdites. Në Konispol nuk ka shumë lëvizje. Vetëm fëmijët u gëzohen pushimeve shkollore duke bërë gara me biçikletë në një fushë të madhe futbolli. Disi më ndryshe është në qendër, ku rreth e rrotull një rrapi të lashtë janë ngritur disa lokale. Më vonë do të mësojmë se pikërisht këtu ka qenë pazari i vjetër i qytetit. Prej tij tani kanë mbetur vetëm nja dy godina të gurta. Ndërsa presim mikun tonë që do të na shoqërojë rrimë një copë herë nën hijen e rrapit shekullor. Mbase është e vetmja gjë e gjallë që i ka parë të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur këtu. Takime burrash hijerëndë me mustaqe, nisje çetash për në luftë me italianët a me grekët, italianë të Duçes, gjermanë, partizanë, ballistë, karvane të gjakosura refugjatësh që iknin t'i shpëtonin vdekjes së sigurtë, të gjithë kanë kaluar këndej nga hija e tij e gjerë. Ca metra më tej është memoriali kushtuar viktimave të Çamërisë së martirizuar. Që këtej nisin zakonisht pelegrinazhet përkujtimore të çamëve.
Luan Besho, që do të jetë shoqëruesi ynë, na prezantohet vetë. Një buzëqeshje e tij e madhe u paraprin shtrëngimit të duarve. Luani ka lindur në Konispol, porse fati ka dashur që të mos jetojë shumë në qytetin e tij. Ai është veteriner. I arsimuar në Shkodër e Tiranë, ka punuar shumë vjet në zonat e Veriut. Ka qenë disa kohë nënkryetar i bashkisë. Ka nisur të ngryset.
Me Luanin bëjmë planin e vendeve që duhet të shohim të nesërmen. Do kohë më pas jemi bashkë me shumë konispolatë në një lokal në qendër përballë një ekrani të madh televizori. Ethet e Euro 2008 janë ndjerë shumë edhe këtu, afër rrapit të vjetër. Luhet Itali-Spanjë. Thuajse të gjithë janë me italianët. Vetëm një burrë që qëndron vetëm me një shishe birrë përpara, brohoret fuqishëm për spanjollët. Antitifoja e tij shkakton të qeshura kolektive, por hera-herës dëgjohet edhe ndonjë e sharë e fortë. "Po ti, ç'dreqin ke që bëhesh me spanjollët?", e pyet disi me inat një burrë që i është ulur afër. "Si mos të bëhem more vëlla! E ke lexuar Hasta la Vistën ti?", psherëtin tifozi spanjoll pasi e kthen me një frymë atë që i ka mbetur nga birra që ka nisur të ngrohet. Pastaj vijnë penalltitë, ku italianët humbin. Dhe atëherë nis festa e vërtetë. Kush e di se përse, mbase për të nxjerrë inatin ndaj zullumeve të të rriturve, në lokal hyjnë një grup fëmijësh që brohorasin fort: Spanja! Spanja!
Në Konispol po afrohet mesnata. Shkojmë të flemë në një banesë private të përshtatur në një si lloj hoteli. Që nga lart dallojmë siluetën e çuditshme të Çukës së Ajtoit. A thua ta kenë ngritur vërtet njerëzit atë ngrehinë të lartë shkëmbore? Çfarë nuk ka bërë vaki këtyre anëve.

Në Bregun e Koçit

Konispoli është një qytet fort i shtrirë. Të vendosura në një si ballkon në mes të  tre maleve, Nartës, Likojanit dhe Saraqinit, shtëpitë e tij formojnë disa lagje që ndahen nga njëra-tjetra nga përrenj të shumtë. "Shkojmë në fillim andej nga Bregu i Koçit. Që andej mund ta shikojnë tërë Konispolin, madje dhe Jonin dhe Korfuzin", na këshillon Luani. Dhe kështu ngjitemi në lagjen më të lartë të qytetit. Është e vërtetë, që nga kodra ku jemi ngjitur shikimi humbet tutje në kaltërsinë e Jonit dhe poshtë në fushën nga kemi ardhur një natë më parë. Luani nis të na tregojë një e nga një pikat më të rëndësishme: "Kjo lagja këtu poshtë nesh është Qesarajza, këtu kam patur shtëpinë e prindërve, në këtë lagje kam lindur unë. Nga këto qafa, nga Likojani dhe Qafa e Madhe, si edhe nga Qafë Bota kanë kaluar refugjatët nga Çamëria e Poshtme të ndjekur nga andartët grekë, që nga qershori i 1944 e deri andej nga marsi 1945. Atje tutje, në pjesën që i ka mbetur Greqisë, në breg të detit, ka qenë plazhi ynë. Konispolatët kanë pasur barkat e tyre, me të cilat jo vetëm peshkonin, por bënin edhe tregti me Korfuzin. Që andej ishulli i madh nuk është veçse 22 kilometra.
Pastaj ka qenë një zakon i vjetër. Çdo 1 Maj, burra e gra, tërë qyteti, laheshin në det, të ndarë sigurisht, në atë vend atje. Thuhej se ky ceremonial sillte mbarësi për gjithë vitin. Atje larg në atë faqen e Malit të Saraqinit është Shpella e Kreshmoit. Atje janë bërë gërmime nga profesor Muzafer Korkuti dhe janë zbuluar objekte që nisin që nga prehistoria dhe shkojnë deri në Mesjetën e Herëshme. Gjatë Luftës në të u strehuan familje konispolate për t'i shpëtuar përndjekjeve të gjermanëve".
Bashkë me Luanin kthehemi në këmbë përgjatë rrugicave të gurta të lagjes së lartë. Gjatë rrugës hasim banorë me mushka apo kuaj të ngarkuar me bidonë të mëdhenj plot me ujë. Në Konispol ka një ujësjellës, por ujin e tij banorët nuk e përdorin për të pirë. Preferojnë më mirë të mbushen në burimet e vjetra atje ku kanë mbushur gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Në një shesh të vogël para një shtëpie - mbase i vetmi shesh në këtë lagje krejt të pjerrët - një grup djemsh të vegjël lozin hareshëm futboll. Një dreq e di se si bëjnë që topi të mos shkojë tatëposhtë.
Në Bregun e Koçit jeton familja e Difo Bejdos. "Nana" Difo është një plakë tashmë 83-vjeçare. Është njëra nga ato që e mban mend mirë tragjedinë e çamëve të 1944-ës. "Kam lindur në Lopës, jo shumë larg prej këtu - bën me dorë Nana andej nga Jugu - kemi pasur plot ullinj e toka dhe jetonim mirë. Pastaj erdhi Lufta. Në fillim ne ishim të vegjël dhe nuk e kuptonim mirë se ç'po ndodhte, por shikonim më të rriturit që ishin shumë të shqetësuar. Pastaj disa miqtë tanë të krishterë, me të cilët kishim shkuar jetë e mot mirë, na thanë se duhej të iknim, në mos do ta pësonim të gjithë, sikurse kishte ndodhur në Paramithi e andej ma poshtë. Kështu, në gusht të 1944, kemi kaluar këndej nga Qafa e Madhe.
Nuk kishim kohë të merrnim asgjë me vete dhe nuk kishim ku të fusnim kokën. Konispolatët e pasur kishin caktuar në Kllogjër, afër Mursisë një sipërfaqe toke për ne që ikëm nga lufta. Atje jemi vendosur në fillim, në një kasolle. Në Kllogjër na vdiq një motër. Nuk e duroi dot jetën e keqe që bënim atje". Nana pastaj i hyn një rrëfimi të gjatë se si pjesëtarët e familjes së saj i hynë një tjetër aventure të madhe. Nga Saranda në Vlorë me anije dhe më pas të shpërndarë në Elbasan, Rrogozhinë, Durrës, Tiranë, kudo që të gjenin qoftë edhe mundësinë më të vogël për të nisur jetën nga e para. "Po greqishten e di?", e ngacmojmë ne plakën e urtë. "Di, di, e kuptoj se ne në Lopës shkollë shqip nuk kishim. Kam bërë tre klasë në greqisht. Kështu që të paktën i kuptoj këto filmat që jep televizori", përgjigjet plaka me sytë që i shkëlqejnë nga humori. "Po ti si qëndrove këtu e nuk shkove lart bashkë me të tjerët?", vazhdojmë ta pyesim. "Mua? Mua më mashtruan se isha e vogël. Më gjetën një burrë këtu dhe kështu shpëtuan prej meje. Një gojë më pak, një hall më pak", vazhdon Nana me humorin e saj. Neve na duhet të vazhdojmë shëtitjen tonë konispolate. Në pragun e shtëpisë Nana na jep një pako të vogël të mbështjellë me plastmas. "Merreni, merreni. Është byrek me klumësht. E ka bërë Nana vetë. Është ditë e gjatë. Kush e di se kur do hani". Në kthesën e një rrugicë e përshëndesim edhe një herë nga larg Nanën e mirë. Shamia e saj, krejt si dëborë, na duket edhe më e bardhë se gurët që shndrisin fort nga dielli.
Mes shtëpive të vjetra Konispoli ka edhe një shëtitore me neone. "Këto janë vënë në kohën që isha unë", thotë Luani pa ndonjë mburrje të veçantë. Fare pranë shëtitores krejt në skaj të saj, hasim në disa shtëpi të vjetra, të gurta. "Shtëpi" mbase është fjalë jo fort e goditur në këtë rast, sepse hija e tyre është ajo e një pallati të vërtetë. Janë godina guri trekatëshe, me porta të rënda me qemer dhe me mure rrethues të lartë. Këtu kanë banuar familjet e kamura konispolate. Shumë prej tyre janë braktisur. Është e vështirë të mbash në këmbë këto godina që kanë nevojë të herëpashershme për ndërhyrje. "Kjo ka qenë familja e filanit, kjo e një tjetri të njohuri", Luani nuk lodhet teksa na përmend emra familjesh të njohura konispolate. Shumë prej atyre mbiemrave i kemi hasur më parë në Tiranë e Durrës, shumë prej pasardhësve i kemi miq e shokë. Një copë herë të mirë e kalojmë në freskinë e oborreve të shtëpive të larta. Na duket sikur këto shtëpi edhe të braktisura vazhdojnë ta ruajnë atë mikpritjen e vjetër. "Kthehemi një copë herë këtu. Kjo është shtëpia ku banon përkohësisht", Luani na ka befasuar duke na kthyer në një tjetër portë të lartë guri.
"Këtu ka banuar patrioti Alush Taka", një pllakë përkujtimore na kujton një mbiemër të njohur konispolat, Taka. Këta janë bërë të njohur më shumë nga një paraardhës i tyre, që pat luftuar me osmanët në kohën e Lidhjes së Prizrenit, që asokohe kishte një degë të saj në Prevezë. Në 1887 turqit e kapën dhe e dënuan me vdekje pikërisht në Konispol. Dëshira e tij e fundit para litarit ishte "të kërcej një valle". Kështu ka lindur vallja e njohur e Osman Takës, që kërcehet edhe sot e kësaj dite ndër gëzimet e çamëve. Një tjetër Taka i njohur ishte Alushi. Edhe ky kishte qenë përkohëluftëtar i njohur dhe komandant çete që nga koha e kryengritjeve për Pavarësi e deri në Luftën e Vlorës të 1920. Vdiq shumë larg qytetit të tij, në Trieste në 1937. Ishte 68 vjeç. Atëherë, për këta njerëz, kaq vite mbi shpinë, nuk ishin pak. Në oborrin me rrasa të shtëpisë së Takëve, ndërsa pimë dhallë të freskët dhe bëjmë fjalë për histori të vjetra, bashkë me Luanin e ndjejmë veten në një kohë tjetër.

Me xha Aliun në Qafë-Botë

Grupit tonë i është bashkuar një tjetër konispolat. Ali Maliqi, ndryshe nga Luani ynë, e ka kaluar tërë jetën e tij në qytetin e lindjes. Ka qenë jetë e mot nëpunës në qendër. Tani pasioni i tij më i madh është të merret me historinë e një ngjarjeje që këtu kujtohet me pasion. Më 5 gusht të 1943, gjermanët që po parashikonin kapitullimin e afërt të Italisë, u nisën për të kapur bregdetin e Jonit deri në Vlorë. Rruga automobilistike edhe atëherë kalonte në Qafë-Botë. Ishte një pikë strategjike, vendzbarkim i mundshëm për aleatët.
Porse gjermanët nuk ia kishin idenë vetive luftarake të çamëve të batalionit "Çamëria". Për 55 ditë deri në fund të shtatorit janë zhvilluar luftime të ashpra në krejt krahinën. Për herë të parë në Shqipëri, dhe mbase edhe të fundit, gjermanët u detyruan të përdorin të tërë arsenalin e tyre, artilerinë e rëndë, forcat tokësore, artilerinë detare, aviacionin, destantët. Konispoli ndërroi disa herë duar derisa gjermanët përfundimisht e futën në dorë dhe vazhduan më tej rrugën për në Sarandë dhe Delvinë. "Mbi 300 gjermanë dhe 25 partizanë të vrarë" është varianti zyrtar i pranuar. I vërtetë apo kjo luftë ka lëshuar rrënjë të forta në kujtesën e Konispolit. Me xha Aliun e Luanin shkojmë te vendi ku është ngritur lapidari në kujtim të saj. Xha Aliu, që atëherë ka qenë i vogël dhe është strehuar bashkë me të tjerët në atë shpellën e gërmuar nga Korkuti, vazhdon të tregojë me detaje se nga erdhën gjermanët në filan datë dhe nga "i ranë tanët". Përballë nesh valëviten tre flamuj, i BE-së, i Shqipërisë dhe i Greqisë. Një firmë greke ka nisur të rregullojë rrugën që nis që nga pika doganore e Qafë-Botës dhe vazhdon deri në Butrint. Përballë nesh një grup djemsh të lodhur e të djersitur mezi tërheqin këmbët duke dalë nga pika jonë kufitare. Janë emigrantë klandestinë që janë kthyer nga grekët. "Kjo gjë ndodh përditë - psherëtin me keqardhje njëri nga miqtë tanë - pastaj këndej i pret policia jonë që i merr në pyetje".
Tani e kuptojmë përse gjatë rrugës deri këtu pamë aq shumë makina policie të strukura ndër qoshe në hije. Kontrollojnë për refugjatë. Sikur të flasësh gegërisht, sikur të mos kesh asnjë adresë, sikur të duash thjesht të shkosh te një mik, apo thjesht të vish këndej për të parë, të piu e zeza, Shqipëria nuk ka akses të barabartë për të gjithë bijtë e saj, sidomos për ata më të varfërit. Kështu i bëjmë qefin me servilizëm fqinjit tonë më të pasur. Dhe pastaj themi se nuk ka më klon e zonë kufitare. Jemi ndarë me miqtë tanë. Bën shumë vapë dhe kënga e gjinkallave dëgjohet aq fort sa që ka rrezik të të shurdhojë. Në të dalë të Konispolit hasim një rrëke me gurë. Është kroi i tharë i Kallovresë (Kallogresë).
Legjenda thotë se një murgeshë ortodokse u hodh nga lartësia e shkëmbit në këtë përrua për të mos rënë e gjallë në dorë të osmanëve. Përballë kemi sërish Çukën e Ajtoit. Sërish na kujtohet ajo pyetja: Të jetë e vërtetë vallë që këtë mal e kanë ngritur njerëzit e lashtë të këtyre anëve? Ku i dihet, këtej çfarë nuk ka ndodhur?

Masakra që nisi një të martë qershori

Gjithçka nisi një të martë të vaposur qershori. Gjermanët e lanë Paramithinë, një nga qytetet më të rëndësishme të Çamërisë më 26 qershor. Pak orë më pas, në paraditen e 27 qershorit, mbërritën andartët grekë. Thuajse në të njëjtën kohë filloi masakra masive. Kasaphana përfshiu më pas me radhë tërë qendrat çame, Gumenicën, Margëlliçin, Filatin e deri në Pargë. Pjesa e popullsisë që i mbijetoi gjakderdhjes së kobshme kaloi nga qershori i 1944 e deri në marsin e 1945 në territorin shtetëror shqiptar. Qafë-Bota, Qafa e Madhe dhe Qafa e Likojanit ishin pikat nga ku kaloi karvani i refugjatëve të tronditur. Stacioni i parë i një kalvari të gjatë ishte Konispoli, qyteti i vetëm çam i mbetur këndej kufirit. Një bilanc i përafërt i mynxyrës është shumë tronditës:

Vrarë apo vdekur në burg: në Paramithi 800 vetë, në Filat 1286, në Margëlliç dhe Pargë 626, në Gumenicë 192. Të masakruar gjithsej: 2900 vetë. Nga këta 214 gra, 128 fëmijë (prej tyre 32 nën moshën 3 vjeç).
Janë përdhunuar shumë femra dhe janë rrëmbyer 76 prej tyre.
Të vdekur ose të zhdukur gjatë ikjes për në Shqipëri: 5277 vetë.
Janë shkatërruar 68 fshatra.
Djegur dhe rrënuar 5800 shtëpi.
Djegur dhe grabitur mbi 80 xhami.
Janë grabitur: 127 000 kokë bagëti të imta, 3600 kokë bagëti të trasha, 4453 kafshë pune, 651 600 kuintalë drithëra, 423 200 hektolitra vaj ulliri.

Gazeta Shqip

May 10, 2011

PARAMITHI, PARAMITHI!


   
                       Paramithi, Paramithi
                          O pellg me gjak,
                           O vënd fatzi,
                    Aty ku hyn fashisti grek,
                    Ku hapen varre me hendek,
                    Ku çdo hendek është një varr,
                    Për çdo Çam për çdo Shqiptar,
                    Ku një zervist, nazist-gjerman,
                    Një katil, një shpirt katran
                    Po bën batërdi,
                             Jo s'është grek
                             As palikar
                             Për trimëri,
                             Po një kusar
                             Një mercenar
                             Një faqezi.
                      Është turp i tokës ku u le,
                      Një i pabesë, një i pafe,
                      O dorë mizore me çfarë mënyre
                      Lakmitë gjaksore t'u ngosën?
                      Ku janë kufomat të bëra vandak
                      Të shtrira përdhe pa faj pa gjak,
                      Ku vallë u groposën?
                            Paramithi, qivur i mjerë
                            Ku janë gjashtëqind të nderë me pabesi?
                       Me gjuhë të kafshuar kërkon të të flasin?
                       Me fyt të këputur kërkon të bërtasin?
                       Pa këmbë, pa duar kërkon të lëvizin?
                       Oh! Ç'farë të padisim?
                       Dy zgavrat-kokalla ti njomim me lotë?
                                                             Kurrë!!
                          Se ç'vepër të ndotë, se ç'farë torture
                          Askush s'mund ta thotë
                          Shiko kufomat,si qiellin munxosin,
                          Shiko zervistat, si po na çfarosin
                                                             Në befasi!!
                         Ah! Hesht hipokrit, ç'bën sikur s'sheh
                         Kur klithma e jonë u ngjit gjer në re
                         O mershë e fëlliqur në botën e re,
                         Këlysh i zervës të sulet mbi ne
                         Si qen i tërbuar dhe s'ka kush e ndal,              
                         Dhe s'ka kush e vret,
                         U ngjall prapë fantazëm e skelet!
                                      O Çam Martir
                                      O grek i lirë,
                                      Ngrehu dhe zhduki këta vampirë me furri!
                                       Lufto për jetë, lufto për Atdhe,
                                       Ballkan i Ri të jetë për ne,
                                      Një çerdhe e dashuri për Paqe edhe Liri!

                                       Paramithi, Paramithi edhe tani
                                       Po shoh kukudhin si po ha
                                       Eshtra dhe gjak nga im vëlla!!      
                        
                                             
Nga Gjergj Komnino e publikuar në “Zëri i Çamërisë” 22 gusht 1945. Shkruar për masakrat çnjerëzore të kryera nga bandat greke të gjeneralit famëkeq Zerva mbi popullsinë e pafajshme të Paramithisë më 27, 28 e 29 Qershor 1944.

April 23, 2011

ÇAMËT ORTODOKSË, MINORITET AUTOKTON SHQIPTAR NË GREQI

Të drejtat e minoriteteve kombëtare dolën në plan të parë menjëherë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe tani ato zënë një vend të rëndësishëm në axhendat e marrëdhënieve ndërkombëtare. Aktualisht në Greqi ka një minoritet autokton shqiptar prej mbi 300.000 banorësh që ndodhet në veriperëndim të vendit nga kufiri me Shqipërinë deri në Gjirin e Artës, në rajonet e Çamërisë (Thesprotisë së lashtë), Prevezës, Artës, Janinës dhe vazhdon në rajonet e Konicës, Kosturit dhe Follorinës. Ky minoritet etnik shqiptar, ashtu si edhe minoritetet e tjera maqedonase dhe turke nuk njihet zyrtarisht nga shteti grek. Historia e pranisë së këtyre minoriteteve etnike në përbërje të Greqisë filloi pas Luftërave Ballkanike, konkretisht, në periudhën 1-14 nëntor 1913 kur u nënshkrua Traktati i Paqes i Athinës, midis Turqisë dhe Greqisë, ku përcaktohet qartë se banorët e territoreve të aneksuara nga kjo e fundit do të gëzonin të gjitha të drejtat që përputheshin me parimet më të shenjta të drejtësisë. Por dokumenti që njohu de jure praninë e minoriteteve kombëtare në Greqi është Traktati i Sevrës (10 gusht 1920) i mbajtur midis Aleatëve dhe Turqisë si pjesë e negociatave të Konferencës së Paqes të Parisit. Në artikullin 2 të këtij traktati theksohet: “Greqia pranon të sigurojë mbrojtje të plotë për jetën dhe liritë e të gjithë banorëve të Greqisë pa dallim origjine, kombësie, gjuhe, race apo përkatësie fetare”. Sipas artikullit 3 të këtij dokumenti Greqia pranon dhe deklaron qenien si qytetarë grekë, ipso-facto dhe pa kërkesat e çfarëdolloj formaliteti të të gjithë atyre me kombësi bullgare, turke apo shqiptare, të cilët janë përgjithësisht banorë (rezidentë) në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Traktati në territoret e transferuara Greqisë nga traktatet (e nënshkruara) pas 1 janarit 1913. Artikulli 8 i këtij Traktati konfirmon se qytetarët grekë, që u përkasin minoriteteve racore, fetare apo gjuhësore, do të gëzojnë të njëjtin trajtim dhe siguri, me ligj dhe zbatim si qytetarët e tjerë grekë. Në veçanti ata do të kenë të drejtën e barabartë për të ngritur, drejtuar dhe kontrolluar, me shpenzimet e tyre, institucione sociale, fetare apo bamirësie, shkolla dhe struktura të tjera arsimore, me të drejtën për të përdorur gjuhën e tyre dhe të ushtrojnë besimin e tyre lirisht. Në mënyrë solemne, me një dokument ndërkombëtar Greqia pranoi se kushtet e përshkruara në artikujt 2 dhe 8 do të njihen si ligje themelore dhe asnjë ligj, përmirësim apo veprim ligjor nuk do të konfliktojë apo ndërhyjë me këto kushte, po ashtu asnjë ligj, përmirësim apo veprim ligjor nuk do të mbizotërojë mbi to (Artikulli 1 i Traktatit të Sevrës).
Por Traktati i Sevrës, si dhe dy artikujt (nenet) e tij nuk u zbatuan asnjëherë nga shteti grek. Në Greqi, ku feja zotëruese është krishterimi ortodoks, besimi fetar ngatërrohet me qëllim me etnicitetin dhe shtetësinë, njëlloj si në kohën e sundimit të Patrikanës së Kostandinopojës. Edhe pjesës myslimane të Çamërisë, rreth 35000 banorëve, para Luftës së Dytë Botërore deri sa u shpërngul me dhunë e gjenocid në vitet 1944-‘45, iu mohua identiteti kombëtar shqiptar nga qeveria greke duke shënuar në letërnjoftimin e tyre vetëm besimin fetar. Duke mohuar de facto identitetin kombëtar, minoritetet etnike janë parë nga shteti grek si të dyshimta, për t’u shkatërruar dhe dëbuar me dhunë ose për t’u asimiluar me anën e izolimit, ndalimit nga kisha greke të përdorimit të gjuhës shqipe në liturgji, mohimit të shkollës në gjuhën amtare, kulturës përkatëse dhe përdorimit të propagandës së shfrenuar raciste. Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore të drejtat e minoriteteve në përgjithësi u injoruan në favor të të drejtave individuale njerëzore. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, siç u theksua në fillim, të drejtat e minoriteteve dolën në plan të parë duke zënë vendin që u takon. Kështu komuniteti ndërkombëtar ka çuar përpara standardizimin dhe kodifikimin e të drejtave të minoriteteve. Kësaj i ka shërbyer Deklarata e Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e personave që u takojnë minoriteteve kombëtare ose etnike, fetare dhe gjuhësore, adaptuar me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të KB 47/135 të 18 dhjetorit 1992. Kjo u pasua nga deklarata të ndryshme rajonale. Sot vlerësohen si shumë të rëndësishme tri dokumente, si Marrëveshja Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare dhe Karta Europiane për Rajonet ose Gjuhët Minoritare. Të tria këto dokumente nuk janë ratifikuar nga Greqia. Konventën Kuadër Greqia e ka firmosur më 22.09.1997 dhe kanë kaluar 14 vjet që nga ajo kohë dhe Parlamenti grek ende nuk e ka ratifikuar, por vazhdon të mohojë haptazi ekzistencën e ndonjë minoriteti kombëtar brenda kufijve të saj përveç atyre fetare. Një nga arsyet është se ka pak sanksione reale kundër shkelësve. Ndërkohë asnjë vend i Bashkimit Europian nuk ka marrë iniciativën për ta akuzuar shokun e tyre për nëpërkëmbjen dhe shkeljen e të drejtave të minoriteteve kombëtare e gjuhësore në Greqi.
Është e vërtetë që edhe Franca refuzon të njohë minoritetet brenda kufijve të saj dhe madje nuk zbaton sanksionet e Artikullit 27 të Marrëveshjes Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike që kanë të bëjnë me sigurimin e të drejtave të minoriteteve. Por sidoqoftë qytetarët në Francë nuk ballafaqohen me të njëjtat dënime për vetëdeklarimin e tyre ndaras prej shumicës, me shprehjen e identitetit kombëtar, siç ndodh në Greqi. Në trojet etnike shqiptare në Greqi nuk ka asnjë shkollë në gjuhen shqipe. Me vendim absurd dhe antinjerëzor të prefektit të Gumenicës, që në vitin 1938 nuk lejohet përdorimi i gjuhës shqipe në vendet publike, në administratë, në kishë etj.
Asnjë kujdes nuk ka për trashëgiminë kulturore si monumentet e kulturës, nga lashtësia deri në ditët e sotme. Shprehja e identitetit kombëtar dënohet me të gjitha mjetet e dhunës shtetërore. Me mjetet e presionit dhe detyrimit Greqia përpiqet t’i shndërrojë minoritarët shqiptarë, maqedonas etj., në homogjenë grekë dhe në një shkallë të caktuar ia ka arritur qëllimit. Por asimilimi total është një gjë e së shkuarës, pasi shteti nuk do të monopolizojë dot më tej mjetet e përhapjes së kulturës siç ka bërë deri para pak kohësh. Ka ardhur koha kur regjistrimi i minoriteteve do të vihet nën vëzhgim e në rritje dhe shkelësit do të kundërshtohen dhe dënohen nga faktori ndërkombëtar, si dhe nga fqinjët e vetë Greqisë.
Edhe Shqipëria pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike u përpoq të paktën për të ekzaminuar se çfarë kishte mbetur nga minoriteti shqiptar në Greqi pas dëbimit të dhunshëm të tij, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Ambasadori shqiptar i shoqëruar nga zëvendësministri për Epirin në vizitën e 5-9 qershorit 1972 në Çamëri, konstatoi se në zona të caktuara si ato të Sulit, Prevezës, Gumenicës, Pargës, Filatit dhe Artës kishte mbetur një numër i konsiderueshëm banorësh shqiptarë. Dy prej zyrtarëve vendas që i shoqëruan pranuan që shumica e popullsisë flisnin shqip. Vetë kryetari i Bashkisë Gumenicë që fliste shqip dhe ishte shqiptar, pohoi se në fshatrat e shumta shqiptare ka njerëz, sidomos të moshuar, që nuk dinë fare greqisht dhe flasin vetëm shqip.
Një tjetër pohoi se midis Prevezës dhe kufirit me Gumenicën kishte 40 fshatra që flisnin shqip. Një vit më vonë, më 1973, funksionarë të tjerë të ambasadës zbuluan shumë fshatra të krishterësh rreth Gumenicës që flisnin shqip. Në fshatin Kastri me 1800 banorë “Radio Tirana” ishte stacioni radiofonik më i preferuar, saqë fshatin e quanin “Tirana e Greqisë”. Por nga shteti komunist nuk u bë më shumë se kaq për ruajtjen e identitetit shqiptar në vendin fqinj. Pas rënies së komunizmit shteti shqiptar në përgjigje të ultimatumit prej 6 pikash të Kryeministrit grek K. Micotaqis më 14 korrik 1993, nëpërmjet Kryeministrit shqiptar A. Meksi në një deklaratë publike po atë muaj u shpreh: “Qeveria shqiptare kërkon që qeveria greke të njohë zyrtarisht ekzistencën e pakicës shqiptare të çamëve, myslimanë e ortodoksë, si dhe arvanitasve që jetojnë në Greqi prej shekujsh. Në bazë të normave ndërkombëtare ajo i njeh vetes të drejtën të interesohet për shqiptarët dhe për minoritetin shqiptar në Greqi.” Veçanërisht për të drejtat e minoritetit shqiptar që jeton në Greqi ai theksoi ndër të tjera se “nga frika e terrorit nuk guxon as të pohojë identitetin e tij etnik.” Pas një viti, ministri i Jashtëm, Alfred Serreqi, në sesionin e 49 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, më 4 tetor 1994 deklaroi: “Për Shqipërinë dhe shqiptarët një kërcënim tjetër në rritje është dhe nacionalizmi grek. Loja që zhvillohet për pushtet në Greqi në dallim nga të gjitha vendet e Europës Perëndimore zhvillohet me parulla nacionaliste dhe është fakt i pamohueshëm se pas kësaj loje Greqia zyrtare del më nacionaliste sesa ishte më parë”. Ai ftoi qeverinë greke të zbatojë konventat ndërkombëtare për pakicat etnike. Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe, ai theksoi: “Nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë së saj me mohimin absurd se në Greqi nuk ka pakica kombëtare.
Qeveria greke duhet të heqë dorë nga klima mbytëse që i pengon ato të afirmojnë identitetin e tyre kombëtar. Si u zhdukën me një të rënë të lapsit pakicat kombëtare turke, maqedonase dhe shqiptare të Greqisë? Qeveria greke duhet të heqë dorë nga klima mbytëse që i pengon ato të afirmojnë identitetin e tyre kombëtar”.
Hera e fundit kur minoriteti autokton shqiptar shprehu përkatësinë gjuhësore ishte në kohën e regjistrimit të popullsisë të vitit 1951, kur rezultoi se flisnin shqip 22 736 shqiptarë etnikë. Që nga ajo kohë në Greqi zyrtarisht është zhdukur çdo gjurmë shqiptare ose e trashëgimisë së saj. Të gjitha figurat e historisë e të kulturës shqiptare janë tjetërsuar në greke, janë ndryshuar emrat shqiptarë të vendeve me emra të shpifur në greqisht, monumentet e kulturës janë lënë në mëshirë të fatit dhe po i nënshtrohen një degradimi pa kthim. Qytetërimi europian po humbet një pjesë të trashëgimisë së saj kulturore. Kësaj gjendjeje të mohimit total po i rëndon edhe propaganda e shfrenuar raciste dhe shkolla ku mungon gjuha amtare, e për më keq, shtrembërohet historia dhe tjetërsohet e falsifikohet kultura shqiptare. Si vend tipik ballkanik dhe njëkohësisht vend anëtar i Bashkimit Europian, Greqia me fe zotëruese ortodoksizmin dallohet në mënyrë demonstruese në edukimin masiv që ka përdorur dhe përdor me anën e elitave shtetërore për të ngritur një kulturë të njësuar bazuar mbi atë që është perceptuar si esenca e kombit zotërues (me përmbajtje nacionaliste), thënë qartë me të gjithë përbërësit e racizmit biologjik si ideologji dhe praktikë. Kjo dukuri e edukimit masiv pas Luftës së Dytë Botërore në rajonin e Ballkanit me shtete ortodokse, më tipike u shfaq në Greqi, ku ky realitet u imponua si epidemi, ku aspekti kyç i suksesit të këtij procesi regresiv ka qenë monopoli shtetëror mbi mjetet e propagandës dhe të përhapjes së helenizmit si “kulturë e lartë”. Duke qenë se shteti grek ka qenë aktori ekskluziv në masmedia, veçanërisht në radio e televizion, ai ka mundur të ushtrojë censurë dhe mjetet e tjera të presionit me efektivitet të lartë. Megjithatë në dhjetëvjeçarin e fundit situata disi ka ndryshuar si rrjedhim i “revolucionit në komunikim” me transmetimet e TV satelitore dhe mjeteve të tjera të komunikimit, të cilat po dalin jashtë tutelës së shtetit racist grek. Dështime të tilla Greqia ka provuar kur u është dashur të ngushtojë hendekun midis komuniteteve kristiane ortodokse dhe myslimane, ku si zgjidhje ka përdorur ekzekutimin fizik (gjenocidi kundër çamëve myslimanë, 1944-1945). Madje edhe me ortodoksët sllavë, egjeasit (egeici), në veri të Greqisë, kjo politikë ka ardhur në konfrontim me një minoritet luftarak që kundërshton të lërë përkatësinë e vet etnike për t’u shkrirë e humbur në shumicën greke. Sa më shumë shtypje ushtron shteti grek ndaj këtij minoriteti aq më shumë kjo politikë provon kundërproduktivitetin e saj.
Për minoritetin shqiptar ja si shkruan në vitin 1962 ish-Ministri Fuqiplotë në Ministrinë e Jashtme të Greqisë Dhimitri Pentezopulos: “Shqiptarët nuk formuan një minoritet të madh dhe ata që i përkasin Kishës Ortodokse Greke janë asimiluar plotësisht” dhe duke perifrazuar një mbështetës të helenizmit shprehet sikur gjoja “e kanë identifikuar veten me jetën dhe ndjenjat kombëtare greke”. Dhe vazhdon: “Kanë qenë, sidoqoftë, rreth 20000 dhe 30000 shqipfolës myslimanë, për të cilët sipas Traktatit të Lozanës mbetën në Epir, pranë kufirit shqiptar”.
Me vendosjen e rreth 16000 refugjatëve (kolonëve A.M.) në këtë hapësirë përbërja e provincës ndryshoi pak, elementi grek pati një rritje nga 77% në 81%. Të gjitha këto janë të pasakta. Sot Greqia zyrtarisht nuk njeh asnjë minoritet etnik, megjithëse bën pjesë në BE nuk është integruar në legjislacionin europian. Regjistrimi i përgjithshëm me kritere më të pranueshme është bërë në kohën e Perandorisë Osmane nga qeveria e turqve të rinj në vitin 1910. Me gjithë ndonjë të metë rezultatet e këtij regjistrimi kanë interes se japin të dhëna demografike tre vjet para aneksimit të Çamërisë nga Greqia më 1913-n. Sipas tij në Sanxhakun e Reshadijes (Çamërisë) kishte 31 304 shqiptarë myslimanë, 29 593 shqiptarë ortodoksë dhe 9840 grekë, pra gjithsej 60 897 shqiptarë. Po t’u shtohen këtyre edhe shqiptarët në vazhdim të krahinës së Çamërisë që u përfshinë në Sanxhakët e Janinës dhe Prevezës, respektivisht 11 848 shqiptarë myslimanë dhe 7010 shqiptarë ortodoksë në këtë rajon banonin 83 898 shqiptarë të të dyja besimeve.
Po kështu, sipas Enciklopedisë së Madhe Greke “Çamëria banohet nga rreth 70000 banorë të quajtur çamë” (1927). Sipas regjistrimit italian të vitit 1940, në Çamëri rezultojnë 28000 çamë myslimanë, 26000 çamë ortodoksë dhe 20000 grekë. Në kohën e këtij regjistrimi një pjesë e popullsisë ishte zhvendosur jashtë territorit për shkak të internimeve që bëri qeveria greke para se të fillonte lufta me Italinë, ndaj shqiptarëve që i konsideronte si subjekt dyshimi. Sidoqoftë ky regjistrim ishte më i besueshëm se ai i kryer nga qeveria greke në vitin 1936, i pari pas krijimit të Prefekturës se Thesprotisë (Çamërisë), me shifra të falsifikuara, ku nuk jepej asnjë shifër për shqiptarët ortodoksë. Regjistrimi i fundit që jep të dhëna për përkatësinë fetare dhe gjuhën amtare është ai i vitit 1951, nga i cili rezulton se 22 736 persona flasin shqip. Ku u zhdukën këta dhjetëra mijë shqiptarë brenda një dekade nga koha e regjistrimit deri në botimin e librit të ministrit Pentzopulos në vitin 1962, i cili pretendon se na qenkan asimiluar?
Kjo shpjegohet me racizmin biologjik që karakterizon politikën agresive greke të asimilimit me dhunë. Dhuna fillon me ndërrimin e emrave të vendeve nga shqiptare në greke në gjithë Çamërinë. Pastaj ndërrimi dhe greqizimi i emrave të njerëzve sipas tipit Niko në Nikolaos, Spiro në Spiridhonis, Llambi në Harallambis etj. Vetëm në rajonin e Çamërisë sot jetojnë mbi 165 000 çamë ortodoksë dhe në gjithë Greqinë veriperëndimore 300 000 shqiptarë etnikë.
Sipas dëshmive të atyre që kanë vizituar këto treva dhe punojnë atje si emigrantë, si dhe nga bisedat dhe kontaktet e autorit të këtij shkrimi me studiues e shkencëtarë vendas që jetojnë e punojnë sot në Çamëri, procesi i asimilimit edhe pas 50 vjetësh më vonë nga botimi i librit të ministrit grek nuk ka arritur ta rrezikojë identitetin e tyre shqiptar.
Është fakt që fëmijët e tyre shkojnë në shkolla greke ku nuk jepet asnjë orë mësimi shqip dhe greqishtja imponohet në të gjitha mjediset jashtë shtëpisë, shqipja përsëri mbetet gjithmonë gjuha e zemrës. Shqipja flitet kudo, në shtëpi e jashtë saj, në çdo cep të Çamërisë, si dhe në rajone të tjera nga Arta, Preveza e deri në Konicë, Kostur e Follorinë. Flitet e këndohet në shtëpi, por edhe në mjedise publike si bare, restorante, hotele, shitore etj. Edhe kur shkojnë në emigracion çiftet i lënë fëmijët në shtëpi ku gjyshët e gjyshet u flasin nipërve dhe mbesave vetëm shqipen e pastër të nëndialektit çam. Për mësimin më të mirë të shqipes së përbashkët një ndikim të madh luan emigracioni nga Shqipëria i viteve të fundit, por edhe TV satelitor.
Këto dekadat e fundit ka një lëvizje të popullsisë nga fshati në qytetet e mëdha dhe dendësia e popullsisë në Çamëri ka zbritur në 30 banorë/km2, ndërsa në të gjithë Epirin është 38%. Rikthimi i çamëve të përzënë me dhunë dhe gjenocid do të përmirësonte mjaft gjendjen e përkeqësuar demografike, por edhe ekonomike të këtij rajoni të varfër, por me burime të shumta e të mëdha natyrore.
Nga minoriteti etnik shqiptar i Çamërisë kanë dalë figura të shquara të kombit shqiptar si strategët Pirro i Epirit në antikitet; Gjin Bue Shpata e Pjetër Losha në mesjetë; Maksim Artioti, humanist dhe shenjtor; Dionis Filozofi, teolog e klerik i lartë, martir i lirisë; Marko Boçari, Foto Xhavella, Odise Andruco, heronj të revolucionit grek; Elena Gjika, Kolë Idromeno, Mitrush Kuteli, figura të shquara të mendimit, artit dhe letërsisë shqiptare; Aristokle Spiro-Atenagora, profeti bashkimit, patrik i Kostandinopojës; Spiro Çalluka e Thimio Gogozoto, martirë të Luftës së Dytë Botërore dhe deri te studiuesit e sotëm Niko Stylo e Aliqi Nasi etj.
Pra siç u parashtrua, minoriteti etnik shqiptar në Greqi ka qenë dhe mbetet një forcë gjallëruese, që me gjithë trysninë dhe pengesat monstruoze që ushtron dhe krijon shteti racist grek vazhdon t’i mbijetojë asimilimit dhe të japë shenja të dukshme të një gjallërimi e zhvillimi të ri në kushtet e integrimit shqiptar, europian dhe global.

Ahmet Mehmeti

Marre nga Gazeta Shqip

April 22, 2011

NJË MARGARITAR PËR ÇAMËRINË SHQIPTARE


Në kundërshtim me deklarimet e qeveritarëve shovinistë grekë që çështja Çame nuk ekziston, kohët e fundit u publikua një vepër e një studiuese të re, Blerina N.Sadiku me titull “Lindja e Çështjes Çame 1820-1943”.Kjo vepër tregon se intelektualët e rinj sot janë të frymëzuar nga idetë e rilindasve me krenarinë e të qenit shqiptarë, për të vënë në vend dinjitetin e Kombit Tonë Shqiptar që është nëpërkëmbur gjatë skëterrës komuniste antikombetare që jetuam dhe që fatkeqësisht ende vazhdon.

Blerina N.Sadiku nuk ka lindur në Çamëri, as i ati i saj, ajo ia dedikon librin gjyshit të saj. Pra brumosjen në familje me kujtimet e mbresat  nga Çamëria, ajo nëpërmjet një pune kolosale studiuese përpiqet ti plotësoi ato me dokumenta të mirëfillta nga arshivat e botimet e huaja për të nxjerrë të vërtetat e mohuara padrejtësisht e të shtrembëruara qëllimisht.

Dhe për të gjetur materialet origjinale të sajesave të shtrembëruara, Blerina N. Sadiku, si studjuese e vërtetë i imponon vehtes, që përveç gjuhëve të huaja që ajo zotëronte, të mësoi edhe gjuhën greke. Pra krahas të dhënave nga korespondencat e konsujve të huaj si edhe dosjeve e librave ne biblotekat ndërkombëtare, këtu na paraqiten edhe shkrime te autorëve grekë. Në këtë mënyrë të dhënat që paraqet në këtë flakadar të Çështjes Çame janë më se të pakontestueshme. Këtu paraqitet edhe më qartë atdhedashuria dhe madhështia e kësaj vepre origjinale të studiueses së re. 

Historiani atdhetar, i mirënjohuri Prof. Dr. Pëllumb Xhufi në parathënien e librit shkruan: “Libri “Lindja e Çështjes Çame: 1820-1943” pasuron në një mënyrë origjinale historiografinë mbi Çamërinë, e cila me gjithë botimet e shumta të këtyre njëzetvjetëve të fundit, vazhdon të mbetet difiçitare në raport me interesimin e lexuesit e të vetë shkencës. Ky libër. që përveçse është një akt i vërtetë dashurie i autores ndaj tokës së të parëve të saj, është gjithashtu një shpalosje të vërtetash historike, nga ato që dikush do të donte të mbeteshin të fshehta e të panjohura përjetë”.

Për ne që kemi lindur në Çamëri është krenari e dyfishtë dhe njëkohësisht mallëngjim i madh se duke lexuar e njohur fakte të paditura deri më sot i bëjnë edhe më të plota dhimbjet për vuajtjet e masakrimet që kemi hequr mbi kurriz, e që nuk mund të na hiqen nga kujtesa, të ushtruara  nga qarqet shoviniste greke; që nga pushtimi i Çamërisë Shqiptare më 1913 e deri në genocidin e ushtruar ndaj nesh më 1944-1945 dhe shpërnguljen me dhunë nga shtepijat dhe pronat tona mijëra vjeçare.

Në kapitullin e parë jepen të dhëna mbi pabesinë karakteristike dhe ksenofobinë e njohur greke si ndaj shqiptarëve, sllavo-maqedonasve,vllehëve dhe hebrejve; pavarësisht se ata përbënin shumicën në kryengritjen greke për pavarësi më 1821. Në fillim, udhëheqësi   revolucionit grek Dh. Ipsilanti u drejtohej figurave më të spikatura të Çamërisë: “Shumë kurajozë Kryetar Pronjo dhe Çapari dhe gjithë Çamëve, ju përshëndes! Unë dhe atdheu ju falenderojmë . Dhe tani duke u bashkuar me ne për liri, konsideroheni si vëllezërit tanë! (J. Filimennos, Dokimion istoriku peri tis Elenikis epanastaseos 1858-1860). Por kur kisha dhe shtresat e larta të shoqërisë greke nisën të mbjellin farën e përçarjes dhe të urrejtjes ndaj gjithë atyre që nuk ishin grekë; ai ishte i pafuqishëm për ti ndalur për faktin se lufta e grekëve për pavarësi kishte shtruar si përparësi të platformës politike greke krahas përmbysjes së sundimit osman, zgjerimin e kufijve të territorit grek si edhe çrrënjosjen e minoriteteve jogreke.
Kapobandat greke gjatë çdo marshimi drejt krahinave që banoheshin nga etni jogreke për nga feja dhe kombësia, inkurajoheshin me parullën e njohur: “Përpara me kryqin në njërën dorë e në tjetrën thikën”(shkruan I. Lambridhi në Ipirotika meletimata, Athinë 1888)

Kapitulli i dytë, analizon me fakte luftën dhe vendosmërinë e çamëve në Periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mbasi Kongresi i Berlinit me Protokollin nr 13, më 5 korrik 1878, vendosi që Krahina Shqiptare e Çamërisë ti jepej Greqisë, shqiptarët e Çamërisë së bashku me ata të krahinave të tjera të Shqipërisë së Poshtme të revoltuar dhe me armë dore, u ngritën kundër atij vendimi të padrejtë. Më 11 janar 1879 në Prevezë u mblodh Kuvendi me pjesëmarjen e përfaqësuesve të komiteteve të  Lidhjes  Shqiptare të  Shqipërisë së Poshtme. Prezenca e delegatëve dhe i një numri të madh njerëzish të armatosur shqiptarësh nëpër rrugët e Prevezës krijoi shqetësime serioze tek konsujt e huaj në Janinë. Më 28 janar 1879, iu dërgua një Peticion Fuqive të Mëdha që patën nënshkruar Protokollin nr 13, ku me vendosmëri të plotë nënvizohej: “…për ne është më mirë të bëhemi fli për të mbrojtur ekzistencën tonë të sotme dhe të ardhshme, se sa t'i dorëzohemi Greqisë (Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912). Këtu nënvizohet shumë qartë roli i pazëvëndshueshëm  i Çamit, Abedin Pashë Dinos, I cili krahas Abdyl Frashërit si dy nga drejtuesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, luftoi me këmbëngulje si me anën diplomatike ashtu edhe me pajisjen e shqiptarëve me armë që Çamëria të mos  shkëputej nga tokat e tjera shqiptare.
Falë qëndresës ushtarake dhe diplomatike të Lidhjes Shqiptare, krahina e Çamërisë së bashku me rrethinat e Janinës mbetën përsëri brenda kufirit të Perandorisë Osmane, duke mos iu prekur keshtu asnjë pëllëmbë tokë e truallit shqiptar.
Ajo që i frymëzonte Shqiptarët e Çamërisë,shkruan anglezi Çajrëll, për të marrë një vendim të tillë, nuk kishte të bënte me ndonjë fanatizëm fetar, por me besnikërinë ndaj çështjes së tyre kombëtare, e cila tek shqiptarët ishte e fuqishme (V. Chirol, London 1881). Dhe si përfundim të këtyre përpjekjeve diplomatike por edhe ushtarake të Shqiptarëve; në maj të 1881, Fuqitë e Mëdha e anulluan vendimin e tyre të mëparshëm.

Në kapitullin e tretë, studiuesia B. N. Sadiku, na paraqet përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për zgjidhjen e Problemit Çam në Konferencën e Paqes në Paris. Për korigjimin e padrejtësive të mëdha të Konfrencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, që la jashtë kufirit të shtetit amë Krahinën e Çamërisë; adhetarët shqiptarë u përpoqën që Çështja Çame të përfshihej në Konferencën e Parisit (1919-1920). Autoritetet greke që me pushtimin e Çamërisë filluan reprezaliet dhe masakrimet ndaj popullsisë shqiptare (konsujt Austro-hungarez dhe Italian japin të dhëna mbi vrasjet masive).
Greqia me anën e pushtimit dhe politikës që ndoqi u përpoq me anën e genocidit dhe asimilimit të zhdukte popullsinë shqiptare nga trojet etnike mijëra vjeçare.Për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar një rol shumë të rëndësishëm luajti mërgata e shqiptarëve ne Amerikë. Me anë të Peticioneve e letrave të dërguara si Kryetarit të  konferencës ashtu edhe Presidentit Wilson ,Shoqëria Çamëria ju drejtohet:..”Në emrin e parimit të kombësisë për të cilin aqë shumë gjak është derdhur, dhe për dashurin e paqes së pritme në Ballkan, me përulësi i lutemi Shkëlqesisë Tuaj që ti ktheni krahinat tona atdheut tonë Shqipëris se janë të sajat nga etnografia, ndjenjat, gjeografia dhe historia.
Këtu vlen për tu nënvizuar,vazhdimësia e atdhetarizmit  çam, kur e bija e z.Rasih Dino, mbesa e të madhit Abedin Pashë Dinos, Zonjëza Leila Dino i drejtohet Zonjës së Presidentit Wilson, në emër të Komitetit Kombëtar të Zonjave Shqiptare në lutje Presidentit Wilson të përdori influencën e tij në interesin e atdheut tonë të dashur, Shqipërisë. Por fatëkeqësisht Krahina Shqiptare e Çamërisë mbeti nën pushtetin shovinist grek.

Kapitulli i katërt i kësaj vepre historike me vlera të veçanta, i kushtohet luftës për shkollën Shqipe në Çamëri. Çështja e arsimit shqip, e pajisjes së nxënësve me abetare shqip me alfabetin e Stambollit, ishte në qendër të vëmëndjes të adhetarëve shqiptarë të Çamërisë që më 1908. Me këmbëngulje u luftua kundër tendencave xhonturke për të përdorur gërmat arabe në mësimin e gjuhës shqipe.
Por pushtimi grek i Çamërisë më 1913, i mbylli edhe ato pak shkolla shqipe. Megjithë “premtimet” e qeverisë greke për përdorimin dhe mësimin e gjuhës shqipe nga minoriteti shqiptar çam,asnjë shkollë shqipe nuk u hap deri më 1936. Bile edhe atëhere u premtua për tu hapur 5 shkolla shqipe me kusht që më parë të hapeshin shkolla greke në Himarë.
Qeveria greke në anën tjetër, edhe me lejen e autoriteteve turke të kohës, mbasi krahina e                    Çamërisë mbeti e pandarë nga trojet e tjera shqiptare më 1881; filloi hapjen e shkollave greke me qëllim greqëzimin e të krishterve çamë që faktikisht edhe në shërbimet fetare përdornin gjuhën shqipe.
Metropoliti i Paramithise Neofiti më 1910, shpërndan urdhrin: “…çdo vajzë e krishterë duhet të shkojё në shkollë greke, që nesër fëmijve të saj të mos u flasi shqip.”
Këto qëllime shoviniste mesjetare vazhdojnë të përdoren edhe sot nga mbështetësit e Janullatosit duke hapur shkolla greke aty ku nuk ka asnjë grek.
Kjo vepër madhore, mbushur me të vërteta historike të panjohura deri më sot, e atdhetares  studiueses së re z. Blerina N. Sadiku e bën më të plotë luftën kundër shovinizmit grek, kur ende sot në shekullin e XXI, mbas pushtimit të Krahinës Shqiptare të Çamërisë, vazhdon me pretendime absurde për të ashtuquajtur fantazëm vorioepir.

Sali Bollati, New York, Prill 2011.