The Albanian American Organization Chameria (AAOC) blog is maintained by Cham activists who seek to attain a comprehensive and peaceful solution to the Chameria issue.
February 25, 2011
Nënshtrimi i turpshëm i PD-së ndaj ekstremistëve grekë
Nga Arben Llalla
Nuk janë të rastësishme aprovimi i shumë ligjeve antikombëtare dhe antikushtetuese nga ana e qeverisë të drejtuar nga Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha. Me veprimet e tij siç duket është vënë në shërbim të Greqisë. Këto mendime të mia i jap në bazë të lëvizjeve që ai ka bërë dhe po bën nga ardhja në pushtet prej vitit 2005. Pas marrjes së pushtetit Berisha spastroi PD nga eshaloni i tretë, anëtarët që i përkisnin të djathtës së vërtetë. Këta anëtarë kishin shfaqur zemërim ndaj kryetarit të PD kur takoi antishqiptarin Nikolla Geixh, i njohur si lotuesi më ekstremist për aneksimin e jugut të Shqipërisë. Pas atij takimi Lobi shqiptaro-amerikan u distancua për ta përkrahur Sali Berishën sepse tashmë ai kishte bërë aleancë me Lobin greko-amerikan i cili është më i fuqishëm se ai shqiptar. (Pas atij takimi Berisha nuk pranoi asnjëherë më të takojë At Nikoll Markun, i cili njihet si kundërshtari më i fortë i Kryepeshkopit grek Anastas Janullatos).
Të parët që pësuan goditje ishin anëtarët e PD që kishin vepruar prej 10 vitesh në Greqi të cilët kontaktet i kishin pasur drejtpërdrejtë me Sali Berishën, Ridvan Boden, Besnik Mustafain dhe Vili Minarollin. Që nga viti 2005-2009, drejtuesit e PD që vepronin në Greqi u lanë rrugëve pa punë, duke i shkatërruar ekonomikisht dhe njëkohësisht humbën lejen e qëndrimit në Greqi. Fitorja e PD në zgjedhjet më 2005 i dedikohej kontributit të anëtarëve që kanë vepruar në Greqi. Pas kësaj fitore shumë anëtarë të PD pësuan zhgënjim dhe nuk u treguan aktiv në zgjedhjet e vitit 2009. Ata vërejtën se ministritë u mbushën me grek dhe grekofil që punonin në dëm të Shqipërisë. Prandaj është e sigurt që PD i ka humbur zgjedhjet e 2009.
Pse Berisha largoi Blerim Çelën dhe Preç Zogaj?!
Ende Blerim Çela dhe Preç Zogaj nuk e kanë mësuar të vërtetën se pse z. Sali Ram Berisha i largoi me heshtje nga PD ose më saktë nuk i futi në listën për deputet në zgjedhjet e 2009. Për të treguar psenë duhet ti rikthehemi ngjarjeve të vitit 2008 ku qartë do të vërtetojmë se porositësit për mospërfshirjen e këtyre dy figurave kombëtare në listat për deputet mund të jenë grekët.
Ish-Prefekti i Gjirokastër Spiro Ksera, sot ministër i punës dhe i çështjeve sociale më 18 maj 2008 morri pjesë në festimin e 94 vjetorit të shpalljes së Autonomisë së Vorio Epirit. Pjesëmarrja e një përfaqësuesi të lartë të qeverisë shqiptare në aktivitetin antishqiptar ishte një veprim i hapur antikushtetues dhe një injorim që i bëhej Republikës së Shqipërisë për vetë faktin se Spiro Ksera është zyrtar i lartë, dje prefekt sot ministër. Gjatë aktivitetit Spiro Ksera u fotografua me disa personalitete që njihen si aktivistë ekstremistë për aneksimin e jugut të Shqipërisë. (në këtë foto Ksera është afër deputetit të LAOS Athanasios Plefris, i partisë së djathtë ekstremiste të Jorgo Karaxhaferit. Ministri Spiro Kseras buzëqesh pranë flamurëve të Autonomisë së Vorio Epirit).
Për pjesëmarrjen e z. Ksera në tubimin e Dervinaqit-Konicë, nuk kaloi në heshtje. Sekretarja për marrëdhënie me jashtë e PS, znj. Arta Dade kërkoi nga ministri i jashtëm Lulëzim Basha sqarime. Ndërsa dy figurat e lartë të PD në atë vit Blerim Çela dhe Preç Zogaj reaguan ashpër deri te kryeministri Berisha. Preç Zogaj si kryetar i komisionit të punëve të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë u shpreh: “Kjo nuk do të thotë aspak që ne të heshtim. Nuk duhet të kërkojmë të rikthejmë të kaluarën e largët të marrëdhënieve konfliktuoze, të rikthimit të konflikteve në këtë pjesë të vendit, të funksioneve politike siç është kjo e Vorio-Epirit, që as ka ekzistuar, as ekziston kurrkund. Ky prefekt duhet të shkarkohet”. Deputeti i atëhershëm z. Çela kërkoi urgjentisht shkarkimin e Kserës duke deklaruar: “Ky prefekt, për mendimin tim nuk duhet mbajtur më në atë post, se nuk i shërben marrëdhënieve miqësore shqiptaro-greke, por acarimit të tyre. Sa herë grekët të kujtojnë ngjarje të tilla shoviniste, aq herë ne shqiptarët do u kujtojmë masakrat që ata kanë kryer mbi paraardhësit tanë”.
Tashmë deputeti Blerim Çela me këto deklarata e kishte mbushur kupën për ta izoluar dhe lënien anësh në PD. (Të mos harrojmë se z. Çela është autori i një libri me përmbajtje kombëtare “Shqiptarët Ndër Shekuj”, për të cilën grekët kur u botua në vitin 2001 shfaqën shqetësime sepse për autor kishte një nga figurat e larta të PD).
Këtë ngjarje Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulëzim Basha e kaloi në heshtje. Kjo kishte një arsye të fortë sepse ai ishte kapur mat dikur nga media greke duke flirtuar me deputeten e bukur të Demokracisë së Re Eleni Rapti. Lulëzim Basha kur ishte ministër i Transporteve bashkë me deputeten greke Elena Rapti (Elena e TROJËS) ishin bërë protagonistë të faqeve në gazetat greke. Gazeta “Trafik” e quante flirtin dashuri ndërballkanike, nën tingujt e këngës së Panajot Psomiadhis (prefekt i Selanikut). Ndërsa revista “Proto Thema” që e zbuloi e para skandalin dashuror botonte edhe foto duke e shoqëruar me rreshtat flirtin “ministrit riosh dhe biondes bukuroshe”.
Gazetarja greke, Ollga Gali, për flirtin i referohet momentit kur në Selanik zhvillohej Samiti i vendeve anëtare të Paktit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm, të Kryeministrave dhe të ministrave të Transportit të dhjetë vendeve anëtare. Në fund të shkrimit, revista greke “Proto Thema” shkroi edhe një SMS drejtuar nga vetë redaksia ministrit shqiptar të Transporteve, Lulëzim Basha, ku thuhej: “Dhen tha eqis tin Elena pote`, alvane, alvane!”. (Nuk do ta kesh Elenën kurrë, o shqiptar, o shqiptar!)”.
Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj, jashtë liste për deputet në zgjedhjet e ardhshme
Deputeti Gazmend Oketa me kërkesën që parashtroi për largimin NON GRATA të Konsullit të Përgjithshëm grek Theodhoros Ikonomus përfundimisht i mbushi mendjen Sali Ram Berishës që ta largojë me ashpërsi nga PD. Ndërsa deputeti Aleksandër Biberaj ka kohë që duhet ti mbyllet dera e PD, ashtu siç i është mbyllur shumë përkrahësve të tij që dikur kanë qenë krahu i djathtë i Berishës, por sot japin mësim nëpër disa universitete private andej dhe këtej kufirit Londinez shqiptar.
Çfarë të mirash Berisha u ka bërë grekëve për shpalljen e Autonomisë së Vorio Epirit
Kryeministri Sali Ram Berisha që kur erdhi në pushtet u ka bërë shumë të mira grekëve, ndoshta më shumë se Esat Pash Toptani serbëve.
Në vitin 2006, Berisha legalizoi hapjen e shkollës shtetërore greke për herë të parë duke pranuar që Himara është zonë minoritare. Të hapësh sot një shkollë private greke, turke, italiane, serbe etj., nuk është problem kombëtar. Por kur hapen nga shteti shqiptar shkolla greke aty ku nuk njihet si vend i pakicës greke, kjo gjë është e rrezikshme për të ardhmen.
Në janar të 2007, Kryeministri Sali Ram Berisha, në një intervistë për gazetën greke “To Vima”, tha se ai nuk e shihte çështjen çame si një çështje kombëtare, por si një çështje teknike. “Pretendimet për pasuri të qytetarëve shqiptarë dhe grekë, duhet të shihen si një çështje ligjore. Domethënë, si një çështje teknike e jo kombëtare”.
Kjo ishte një goditje për çamët dhe çështjen e tyre të pazgjidhur.
Më 2008, grekët propozuan ndërtimin e rreth 7 mijë varreve dhe z. Berisha dha amin për ndërtimin e varrezave greke të grekëve të vrarë në luftën e dytë botërore. Pyetja është e thjeshtë në këtë rast. Pse grekët nuk kërkojnë ndërtimin e varrezave të grekëve të vrarë në luftën qytetare të tyre 1946-49? Vetëm në Shqipëri atë periudhë janë vrarë rreth 5 mijë grekë të Ushtrisë Demokratike të udhëhequr nga komunistët grek.
Një javë para mbylljes së Kuvendit në vitin 2009, deputetët e shumicës së PD miratuan ligjin mbi Gjendjen Civile ku shtetasi i Republikës së Shqipërisë të vetë deklarojë kombësinë e tij (sipas interesave ekonomike). Miratimi i këtij ligji në këtë formë është bërë me kërkesë së Greqisë duke parashikuar rritjen artificiale të numrit të pakicës greke.
Në fund të vitit 2009, Kryeministri Berisha i dhuron ujërat territoriale shqiptare Greqisë në emër të “Marrëveshja e përcaktimit të kufijve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë”. Por ky shpërblim i Berishës dështoi fal punës profesionale të Prof. dr. Myslim Pashës i cili denoncoi peshqeshin e ujërave shqiptare Greqisë.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment