March 3, 2011

MASHTRIMI MBI “BASHKËPUNIMIN” E ÇAMËVE ME GJERMANËT - ALIBI PËR TË MBULUAR MASAKRËN


Një ndër “faktet” për justifikimin e genocidit të ushtruar nga shovinistët grekë ndaj shqiptarëve të Çamërisë në vitet 1944-1945, që përfundoi me dëbimin masiv të mbi 30.000 banorëve autoktonë nga vatrat e tyre mijëravjeçare, është dhe ngjarja e shtatorit 1943 në Paramithi.
 
Me pushtimin fashist të  Shqipërisë, për të bërë për vete nacionalistët shqiptarë, Italia propagandoi Shqipërinë Etnike. Për këtë qëllim në Kosovë, Dibër e në  teritoret e tjera shqiptare të ish Jugosllavisë, u ngritën administrata shqiptare. Në Greqi pushtuesit gjermanë ngritën qeverinë kuislinge të Ralisit e cila vazhdoi të administroi krahinën shqiptare të  Çamërisë.
 
Pas kapitullimit të Italisë fashiste më 8 shtator 1943, ushtria gjermane u vendos në zonat që më  parë mbaheshin nga italianët.Pikërisht në atë kohë në Paramithi ndodhi një ngjarje, që shkaktoi zemrimin e gjermanëve.Ja se si e ka tregua këtë ngjarje Spiro Muselimi- mësues, historian-kronikan  dhe banor i Paramithisë : “…më 26 shtator, komanda gjermane e Paramithisë dërgon një patrullë prej 5 ushtarësh për të kontrolluar zonën mbi Shkallën e Paramithisë. Gjermanëve, siç duket, u pëlqeu vendi dhe pasi hoqën armët,  u zhveshën dhe u shtrinë për të bërë banjo dielli.  Pikërisht në ato çaste, kaçakë të asaj zone u vërsulën për t’i vjedhur e mbasi u rrëmbyen armët i vranë të 5 gjermanët. Ushtria gjermanët në ato kohra kishte vendosur  ‘ligj’ që për çdo gjerman të vrarë pushkatonte 10 vendas. Kështu ata në bashkëveprim me autoritetet lokale kuislinge, hartuan listat dhe më 29 shtator 1943, me urdhër të komandës gjermane, u pushkatuan në Paramithi 49 veta, kryesisht qytetarë të pafajshëm. Muza popullore me dhimbje e pikëllim vajtoi fatin e të pafajshmëve:
                                  
                                  "Paramithi, Paramithi, pse je veshur me të zeza,
                                  Gjermanët më vranë 49 trima,
                                  Pushkatuan 49, bashkë me priftërinjtë,
                                  Qajnë nënat, gratë, motrat  bashkë me fëmijtë”
 
Kështu pra shkruan vetë një nga të mbijetuarit e asaj ngjarje, i cili në kohë e masakrës ishte i moshës 46 vjeçare. Për të realizuar qëllimet shoviniste greke të spastrimit etnik të shqiptarëve të Çamërisë, krimineli Zerva, në bashkëpunim me gjermanët,  që po tërhiqeshin, më 27 qershor 1944 hyri me bandat e tij në Paramithi dhe në kundërshtim me “premtimet” edhe të dhespotit të qytetit, filloi  masakrën e tmershme mbi popullsinë e  pafajshme. Brenda dy ditësh, masakra çnjerëzore mori jetët e mbi 300 qytetarëve  të pafajshëm, kryesisht gra, fëmijë e  pleq. Gjithë kjo tragjedi e gjeti “justifikimin” si hakmarrje  për “bashkëpunimin” në ngjarjen e shtatorit të1943, që treguam më sipër.
 
Mbas Paramithisë, bandat shoviniste zerviste vazhduan vrasjet e përdhunimet e shqiptarëve deri në mars të 1945 u vranë 2900 shqiptarë, kryesisht fëmijë e pleq dhe mbas plaçkitjeve, dëbuan mbi 30.000 nga vatrat e tyre etnike. Ja kështu e kanë “justifikuar” shovinistat grekë genocidin e ushtruar ndaj popullsisë shqiptare  muslimane të Çamërisë.
 
Por faktikisht, është e vërtetuar se famëkeqi Zerva mbante lidhje të ngushta me qeverinë kuislinge. Shovinistët e komanduar prej tij hynë në shërbim të batalioneve të sigurimit të krijuar nga gjermanët, shkruan anglezi M. Mazower në “Inside Hitler’s Greece 1941-1944”

Zerva vetë i shkruan një bashkëpuntori të tij: “..dua të falenderoj ata që asnjëherë nuk mund të harrohen, se në ato vite të vështira me besë e fanatizëm  spastruan Çamërinë nga shqiptarët që për 500 vjet i kishin hipur në qafë helenizmit.” Deklarata nuk ka nevojë që të komentohet, ajo përmban thelbin e masakrës; spastrim etnik të përgjakshëm. Qeveritë shqiptare që vijnë dhe ikin nga pushteti, më kot rreken që ta marrin me të mirë Athinën duke e quajtur inegzistente çështjen çame si genocid i pastër e duke e konvertuar problemin vetëm si çështje pronash, që u dashkan kërkuar në rrugë gjyqësore! Nëse qeveria greke nuk e njeh si genocid vrasjen e 2900 të pafajshmëve dhe përzënien e dhunshme të 30 mijë çamëve, plagët e Çamërisë do të vazhdojnë të rrjedhin.
 
Bashkëpunimi i çamëve me pushtuesit është një alibi e sajuar enkas për të përligjur masakrën. Kohët e fundit edhe intelektualë grek, historian të çliruar nga ndjenja e shovinizmit, kanë hedhur dritë mbi të vërtetën. Ata kanë dokumentuar, si me shkrime ashtu edhe nëpërmjet dokumentarëve  historikë të shfaqur në në televionin grek, se çamët nuk kanë bashkëpunuar me pushtuesit. Përkundrazi popullsia çame ka marrë pjesë aktive në luftë  bashkë me njësitet atdhetare greke kundër pushtuesit.
 
Me gjithë  këto fakte të pakundërshtueshme që sot kanë dalë në publik, qeveritarët grekë jo vetëm që nuk pranojnë ta njohin genocidin e ushtruar ndaj popullsisë çame, por refuzojnë edhe viza hyrje për ata që kanë lindur në Çamëri, me qëllim që të pengojnë edhe përfitimin e pasurive të patundshme të kësaj popullsie të shpërngulur me dhunë.
 
Është absurde që veprime të tilla i mbajnë qeveritë e një shteti “demokratik” që bën pjesë në B.E. dhe ka firmosur marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Dhe për fatin tonë të keq, as qeveritë e derisotme të Tiranës, nuk po përpiqen  për zgjidhjen legale të këtij problemi mbarëkombëtar Shqiptar.
 
Deri kur do të “besohen” gënjeshtrat  dhe të drejtat të vihen në jetë?! 

Sali Bollati 
N.Y.

No comments:

Post a Comment