Çështja e Çamërisë ishte tema e një tribune të organizuar nga Organizata Shqiptaro-Amerikane Çamëria në Çikago të Illinoisit.
Kryetari i OSHAÇ në Illinois, Safet Rojba në fjalimin e hapjes së tubimit theksoi se kjo organizatë do të jetë zëri i fuqishëm i alarmimit dhe zgjidhjes së çështjes çame në SHBA.
Nënkryetari i OSHAÇ, Ilir Ademi paraqitur programin e takimit dhe vizionin e organizatës e cila do të bashkërendoj aktivitetet në SHBA për çështjen çame.
Veprimtari nga Tetova Jusuf Azemi midis të tjerave tregoi se si më 1963 vizitoi Çamërinë dhe bisedoi edhe me priftin e Gumenicës në gjuhën shqipe dhe e ndihmoi atë për të zëvendësuar veladonin e grisur që mbante në trup duke i blerë një të ri (tradita e mirëkuptimit ndërfetar dhe bujaria e shqiptarit). Ai dhe Iljaz Kadriu folën edhe për padrejtësitë dhe diskriminimin e autoriteteve maqedonase ndaj shqiptarëve dhe për masat e Komunitetit për zgjidhjen e çështjes kombëtare.
Shkrimtari veprimtar i dalluar çam dhe kronist i kohës shqiptare Rasim Bebo tregoi për masakrat e Filatit dhe Tivarit ndaj shqiptarëve të Çamërisë e Kosovës që kërkojnë drejtësinë e munguar deri më sot dhe qe pas 65 vjetëve heshtjeje, përkujtimi i Masakrës së Tivarit nga veprimtarët çamë (në 2010) bëri jehonë deri në atdhe pasi qeveria shqiptare nisi të bëjë hetime rreth kësaj ngjarjeje. Konsulli i Republikës së Maqedonisë në Çikago Muhamed Rakipi përshëndeti e foli për traditat dhe gjuhën e përbashkët që trashëgojmë ne shqiptarët kudo që ndodhemi si edhe për ndihmën e mbështetjen që duhet ti japim njëri tjetrit.
Sekretari i Përgjithshëm i OSHAÇ, Sali Bollati shprehu shqetësimin rreth situatës aktuale në atdhe, me ç`rast sipas tij, fatkeqësisht kohët e fundit ka shqetësime nga manovrat antishqiptare që po kryejnë në Shqipëri nacionalistët grekë si me formularin e regjistrimit ku kërkesa për deklarimin e besimit fetar dhe etnisë është antikushtetuese dhe për më tepër një farë konsulli grek ne Korçë flet për fantazmën “vorioepir”.
“Jemi të preokupuar edhe pse disa grekoamerikanë me dinakërinë e pabesinë karakteristike greke si N. Gaxojanis dhe Xh. Tenet, e në kundërshtim të plotë me ligjet dhe edukatën amerikane, vizitojnë Shqipërinë me qëllime shoviniste mesjetare”, theksoi ai.
Drejtori i SHSHA-së, Skënder Karaçica tha se këto kohë nuk është e qartë pse po qëndron kaq ftohtë subjekti politik shqiptar në Tiranë, Prishtinë, Shkup, kur nga fqinjët “përditë po gjuhen gurë dhe po rrënohet e drejta natyrore dhe kushtetuese e rregullimit tonë të brendshëm”.
“Përditë dëgjojmë zëra që vijnë nga qarqet shoviniste greke për gjoja ekzistimin, e popullit grek në jug të Shqipërisë dhe apetitet tashmë të njohura të tyre. Për këto orë ogurzeza, për çudi, asnjë institucion yni nuk flet”, theksoi ai.
Komuniteti Shqiptar në Amerikë i bashkohet programit kombëtar të PDIU-së dhe nismën e dy deputetëve çamë në Parlamentin Shqiptar që përmes një rezolute çështja e Çamërisë duhet të zgjidhet në Tiranë por edhe me ndihmën e SHBA-ve si ndërmjetës i të drejtave të shqiptarëve.
Në kuadër të këtij takimi u shfaq edhe filmi dokumentar i regjisorit Kujtim Gjonaj me skenarist Enver Kushe “Ëndrra e Çamërisë”. Mbas një kokteji të përgatitur nga dega e organizatës në Illinois, u ngrit një grup pune për një letër drejtuar qeveritarëve në Shqipëri.
Muharrem Mustafaraj/INA
No comments:
Post a Comment