Reportazh nga Parisi
Ka kohë që kënga e vallja çame ka “pushtuar” Turqinë, Maqedoninë, Italinë Danimarkën, Spanjën, Bullgarinë. E, ja, këto ditë ajo bëri “pushtimin e fundit” atë të Parisit, këtij metropoli botëror edhe të kulturës. Të detyrosh të paktën 2 milionë dëgjues që të ndryshojnë rrjedhën e shijeve të tyre e të ndjekin një program më këngë e valle nga Çamëria që natyrisht shumë prej tyre nuk e dinë se edhe nga bie në këtë kontinent me dhjetëra gjuhë e qindra kultura të ndryshme, nuk është pak. Këta dëgjues e sidomo spektatorët specialistë që e ndoqën drejtpërdrejt nga salla e Radio Francës, panë një muzikë të veçntë, brilante, sa e bukur aq edhe e panjohur për ta. Kur dëgjoja “kapedanët e këtij “pushtimi” këngëtarët e mirënjohur Shaban Zeneli e Refat Sulejmani, m’u kujtua sërish rrëfimi i bashkëkrahinasit tim, piktorit çam Adnan Veseli që ma tregonte para disa vitesh. Një ditë ai kishte dalë në tregun e larmishëm e surprizues të Parisit e kishte gjetur një disk të rrallë më këngë çame që mbante vitin 1935 (70 vjet më parë) të regjistruar nga një Shoqëri Diskografike e Parisit nga më të njohurat e kohës. E mbante si një nga objektet më me vlerë të koleksionit të tij. Në regjistrimin e këtij disku muzikor isos së bukur të burrave i është shtuar edhe nanurima e detit Jon apo fëshfërima e ullinjve shumëshekullorë. Adnani jeton ende në Paris e, kur të ketë marrë vesh këtë regjistrim të ri, padyshim është gëzuar më tepër. Profesor Bernard Lortat-Jakob që ka qenë nismëtari kyesor i kësaj shfaqjeje është një njohës i shkëlqyer i muzikës botërore e mik i profesorit të nderuar e dashamirësit të kulturës çame Ramadan Sokolit Ai punon si specialist në Muzeun e mirënjohur në shkallë botërore, atë të Njeriut në Paris e është si i thonë shqiptarçe parizien e shkuar parizienit. Para gati një viti ai kishte ardhur në Tiranë dhe i kishte takuar të dy këngëtarët. Kishte biseduar gjatë edhe për historinë tragjike të Çamërisë që do ta botonte në një buletin special me rastin e vizitës së këtij grupi në Francë në fundshtatorin e vitit 2005. I kishte dëgjuar edhe disa këngë të kënduara drejpërdrejt me orkestrën e zërit të tyre. Kishte marrë edhe një arkiv filmik e disqe që nga ato të vitit 1978 dhe kishte ikur në Francë. Në këto biseda e takime ka qenë edhe një tjetër dashamirës i kulturës çame si Viktor Sharra. Shabani e kishte takimin e parë me një specialist të këtyre përmasave evropiane. Ditën që ai iku ktheu kokën pas e i tha:
-Të pres në Paris, por nuk do të vish pa Refat Sulejmanin.
Në jo pak raste ai kishte dëgjuar fjalë të mira për këngën çame. Këto fjalë të mira natyrisht i përkisnin mbarë Çamërisë që edhe në atë pak truall kishte krijuar e vazhdon të krijojë vlera të pakrahasueshme kulturore. Për të qenë i sinqertë, nuk besoi se kjo punë do të shkonte më tej.
Gati një vit kënga çame shëtiste sa në një studio aq në tjetrën. Sa nga një specialist në tjetrin, për të ndalur të radioja më prestigjioze e Parisit si është Radio Franca. Padyshim duhej një megafon i fuqishëm që kjo këngë të bëhej e njohur në të gjithë Francën. Dhe ja, si befasisht, në muajin korrik të këtij vitit vjen faksi ku tregohej data e vajtjes në Paris, njerëzit, koha, pjesët e tjera të protokollit. Gjithçka që mund të ketë një punë serioze, e saktë, me syrin e prespektivës.
Sezoni koncertor i vjeshtës në Paris është shumë i ngarkuar. E mbase jo më kot u gjet kjo periudhë ku edhe vemendja e dëgjuesit francez është tepër e lartë. Madje kjo shfaqje hapi sezonin artistik. Bashkë me Shaban Zenelin e Refat Sulejmanin në këtë gup bënte pjesë edhe një orkestër e zgjedhur çame me Bexhet Kasëmin, Adrian Mukën, Llazi Poven, Gëzim Muhon e Fatmir Kapllanin.
… Kur notonin në oqeanin me drita të Parisit ku të binte në sy kryemrekullia e Kullës Ejfel, të gjithëve iu duk se kishin hipur në një anije me ëndrra , me këngë që po ia sillnin nga larg, shumë larg këtyre njerëzve. Shabani nisi të merrte disa fragmente këngësh çame pa patur droje se në avionin shumë komod që vinte nga Budapesti kishte edhe shumë pasagjerë të tjerë. Mbase po bënte një tekst të ri kënge “Ulu kullë, të shoh Parisin” në vend të këngës së famshme ‘Ulu mal, të shoh Kastrinë”, me të cilën shpesh edhe njësohet repertori i tij në skena të ndryshme brenda e jasht vendit.
Rruga nga aeroporti deri te studioja e Radio Francës ishte rreth 20 minuta. Profesor Bernardi e miku i tij Zherari i tregonin diçka nga Parisi ku iu dukej se po humbnin. Në Paris humbin edhe vetë parizienët, thonë banorët e tij. Tepër profesionistë, orgnizatorët iu kërkuan artistëve të ftuar që të krijonin vetë një mikromjedis shqiptar, ku të mos mungonte edhe ndonjë pije simbolike. Ata vetë mund t’ua mbushnin tavolinat me verërat më të mekullueshme të Francës, po nuk kishin pak raki shqiptare që djemtë e kishin marrë me vete e që i pëlqeu kaq shumë edhe vendasve. Provat e përgjithshme u bënë pak të shkurtra. Drejtori i Radios tha: “Kemi një vit që jetojmë profesionalisht dhe emocionalisht me këto këngë. Kur u hap sipari, këngëtarët dhe orkestrantët panë në sallën e shfaqjes rreth 250 specialistë muzikologë më të mirë të Parisit e të mbarë Francës. Mes tyre ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Paris Ferit Hoxha. Një emocion e përgjegjësi e madhe. Kamerat e mikrofonët ndienin ‘uri” për të regjistruar.
- Hë, more Refat, a ia marrim një herë si në Çamëri?- e nis Shabani me zë të lartë. Njëra pas tjetrës perlat çame: “Lule moj”, “Ulu mal, të shoh Kastrinë”, “Kënga e Çelo Mezanit”, “Tanë, moj Tanë”.
Dy kapedanë të këngës përballë një “ushtrie” të vërtetë më profesorë, gazetarë, politikanë… Dy burime ujëkristali që merrnin jetë nga i njëjti burim, ai i Çamërisë. Shabani me epizmin e Refatit, me lirizmin karakteristik, e mahnitën sallën që në fillim. Orkestra bënte edhe punën e isos në këngët polifonike çame. Të gjithë specialistët pjesëmarrës mbase nuk e dinin se ç’kishte shkruar për këtë folklor piktori e studiuesi i njohur anglez që më 1815, rreth 200 vjet më parë.
Unë kurrë nuk kisha parë një shembull kaq pasionant të vlerësimit entuziast të këngës. Kori i tyre mund të thirret këngë, pasi vija melodike kalonte përmes një përsëritjeje të ashpër të korit minor… Çdo strofë e këngës përfundonte duke iu nënështruar ndërthurjes në një zinxhir rrotullues, të shpejtë, duke përforcuar në një kor me Bo,,Bo, Boooooo…
Herë pas here salla ngrihej në këmbë e thërriste: ”Albanie, Albanie!” Ndërsa Shabani shtonte edhe fjalën “Çamëria!”, që e përsërisnin dhe ata. Jashtë prisnin me dhjetëra e dhjetëra miq të tjerë francezë, por edhe shqiptarë. Asnjë nuk u largua deri sa mbaroi programi. Kur programi do të jepej të nesërmen, u formuluan me dhjetëra e dhjetëra kërkesa, për ritransmetimin e shfaqjes. Kur mbaroi programi i këngëve, ia filluan me valle. Morën valle nga krahina të ndryshme sidomos të Jugut, që u pëlqyen më shumë kur dolën të kërcenin edhe nga salla mes tyre edhe ambasadori shqiptar. Në fund e mbyllën me një valle dasme çame. Pas koncertit, të dy palët i shprehin mirënjohjen njëri-tjetrit. Përqafime miqsh. Falënderime për ftesën e mikpritjen. Falënderime për grupin që sollën në Paris. E vetëm ditën e parë të transmetimit në Radio Franca dëgjueshmëria ishte rreth 2 milionë dëgjues. Në rrugën e kthimit kënaqësia u bashkua me krenarinë. Ky “pushtim “ hapi rrugën për bashkëpunime të reja.
Tek linin Senën, Parisin me atë oqean dritash, tingujsh, befasishë, lulesh, pallatesh, me atë nuse shekullore siç ishte Kulla Ejfel, sërish krenaria për foklorin e mrekullueshëm çam i pushtoi të tërë. Ndoshta në atë moment, vetëm për një moment , ata nuk e kishin zili këtë lartësi para monumentit të tingujve të krahinës që i përkisnin. Për ata tinguj që i kishin lënë në Paris, po që edhe i kishin marrë me vete për të “pushtuar “ të tjera skena të Shqipërisë e të mbarë botës.
Namik Selmani
Marrë nga Gazeta Lajmëtari No. 119.
No comments:
Post a Comment