February 15, 2011

Tokat e minoritetit në Sarandë, pronarët gjirokastritë

Nis procesi delikat i regjistrimit të pronave në zonën e Vurgut. Ndërkohë, Komuna minoritare Aliko, nuk pranon të zbatojë një vendim të AKKP-së, që u kthen 280 ha kullota, dy pronarëve të mëdhenj gjirokastritë

Në një kohë që ka nisur procesi i regjistrimit të pronave në zonat minoritare, një projekt i OSBE-së kjo, që prej datës 2 shkurt, në horizont po shfaqet shpërthimi i në një problematike jo të vogël që lidhet me këtë proces, pasi në shumë zona minoritare në rrethin e Sarandës, konkretisht në zonën e Vurgut, tokat e atyshme pretendohen nga pronarë të mëdhenj e me emër, kryesisht gjirokastritë e delvinjotë.

Madje, rasti më i freskët që është shndërruar në një precedent të një problematike të mundshme, tashmë që ka nisur dhe procesi i regjistrimit të pronave të minoritetit, është ai një grupi bashkëpronarësh gjirokastritë, dhe konkretisht Muçove dhe Angonëve, të cilëve Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, u ka kthyer me një vendim të muajit qershor të 2009-ës, 280 ha kullotë në komunën Aliko, por që komuna nuk pranon ta zbatojë si vendim, duke i bërë ankesë AKKP-së, por dhe instancave të tjera të larta shtetërore, deri dhe presidentit e kryeministrit, me pretendimin se është i padrejtë.

Kështu, çështja ka mbetur pezull, por dhe e tensionuar mes dy palëve, ku bashkëpronarët Muço e Angoni, ankohen tashmë se prokuroria e Sarandës nuk po e shqyrton një padi kundrejt kryetarit të komunës Aliko, Ilia Thanasi, për mos zbatim të vendimit të AKKP-së dhe për një vendim tjetër nga ana e tij, sipas tyre të paligjshëm, ku pas vendimit të AKKP-së që u njeh Muçove e Angonëve 280 ha kullota, Thanasi jep me qira shfrytëzimin e këtyre kullotave. Sipas pronarëve gjirokastritë, me këtë veprim që ka bërë kryekomunari i Alikos, prokuroria ka një argument të mjaftueshëm për të provuar shkeljen hapur të ligjit nga ana e tij, por që çuditërisht nuk po vepron dhe duket se e ka pezulluar shqyrtimin e dosjes për të.

Nga ana tjetër, kryekomunari Thanasi, pranon se prokuroria ka pezulluar procesin ndaj tij dhe se është konform ligjit me format që ka zgjedhur për të mos e zbatuar vendimin e AKKP-së.
"Komuna mund t`i kthejë pronat tek pronarët sipas vendimeve që nxjerr AKKP-ja, por kjo vetëm me mirëkuptim.

Ndryshe, komuna nuk ka pse kthen asnjë pronë nëse pretendon se vendimet e AKKP-së janë të padrejta",-është ky qëndrimi i kreut të komunës Aliko, Ilia Thanasi, që pretendon se është në rregull me ligjin dhe se, siç shprehet, duhet zbatuar ligji dhe për mënyrën e kthimit të tokës te pronarët.

Nga ana e tyre, pronarët gjirokastritë të tregojnë një vandak me dokumente të rregullta kadastralë që nga koha e Turqisë e ajo e Zogut, që vërtetojnë pa mëdyshje të qenit të tyre pronarë të ligjshëm.

Ndër dokumentet më unikalë sipas tyre, është me numër 17 marrë në Arkivin e Shtetit, ku tregohet situata e qartë e pronësisë së tokave në zonën e Vurgut. Në krye të dokumentit shkruhet: Lista e çifligjeve që zotnohen prej elementit muhamedan dhe që punohen prej bujqve grekofonë në Delvinë, Sarandë e Konispol.

Nga ana tjetër, një zyrtar minoritar në Sarandë, specialist kadastrash, që për arsye të kuptueshme nuk ka pranuar t`i bëhet publik emri, e pranon këtë fakt. Sipas tij, në gjithë zonën e Vurgut zyrtarisht ekziston vetëm një grua minoritare (që nuk jeton më), pronare tokash, pasi i ka blerë me para ato prej pronarëve të ligjshëm.

Ndërsa, minoriteti në përgjithësi (gjithnjë, vetëm për zonën e Vurgut bëhet fjalë), nuk ka se si të jetë pronar i ligjshëm, sipas gjitha kritereve dhe dokumentacionit që duhet të posedojë për të qenë i tillë, pasi dihet botërisht që ka përfituar toka prej reformës agrare të vitit 1947, që nuk kushtet e reja, nuk mund të sfidojnë pronësinë reale të tyre, që vërtetohet me dokumente unikë kadastralë para reformës.

Ndaj dhe, siç thotë ai, procesi i regjistrimit të pronave të minoritetit, do të ketë shumë probleme. Kjo dhe për arsye sociale e shoqërore, pasi banorët e minoritetit, sot e nuk kanë statusin e bujqve e argatëve, siç ka ndodhur dekada më parë.

Madje, prej ndryshimeve në sferën shoqërore e sociale që prej fillimeve të regjimit komunist e këtej, edhe në toponiminë e madhe janë bërë ndryshime, me emra fshatrash të transformuar si: fshati Hoxhë i shndërruar në Livadhja, Memushbej në Pllakë, apo Kasem Alibej në Neohor. Kjo pohohet nën zë dhe prej vetë një radhe minoritarësh, mes të cilëve është dhe zyrtari në fjalë që shpjegoi situatën reale të pronësisë në zonën e Vurgut, duke u udhëhequr nga parimi se e vërteta është e vërtetë, paçka interesave.

Gazeta Shekulli

No comments:

Post a Comment