January 26, 2013

Konvikti Çamëria

Lame Xhama

Nga viti 1928 e deri në vitin 1941 në Sarandë ka funksionuar rregullisht edhe një konvikt me djem, i emërtuar  “Çamëria”. Këtë emër e mori, sepse në të u strehuan dhe mësuan shumë djem nga Çamëria, si nga fshatrat brenda kufijve tanë, ashtu dhe nga fshatrat e qytetet çame jashtë kufirit të Shqipërisë. Në këtë vështrim, emri i konviktit mbart në vetvete dhe  një kuptim patriotik, për t’i treguar botës se Çamëria ka qenë dhe do të mbetet për jetë të jetëve e shqiptarëve. Fëmijët çamë silleshin në konvikt me interesimin e drejtpërdrejtë të Musa Demit, Qamil Izetit e të patriotëve të tjerë shqiptarë nga treva e Çamërisë. Qamili ka punuar edhe si mësues në Sarandë nga viti 1930-1933.

Nxënës të Konviktit Çamëria
Megjithatë, në këtë konvikt vinin edhe  djem nga disa krahina të tjera të Shqipërisë, kryesisht me bursë shteti. Më kujtohet se kishte konviktorë nga Dibra e Madhe,  nga Gjirokastra, Përmeti, Delvina, Kolonja, Zagoria, Këlcyra e nga shumë fshatra të tjera të Labërisë, të Bregdetit e të minoritetit grek, si nga Bolena, Çatista, Erindi, Fushëbardha, Golëmi, Goranxia, Grapshi, Kakodhiqi, Kuçi, etj.  Preferoheshin më shumë djem jetimë dhe të varfër, por dhe djem  nga familje të kamura e patriote çame, që donin t’i shkollonin fëmijët e tyre në gjuhën shqipe dhe me dashuri për atdheun mëmë, sepse  në zonën e Çamërisë përtej kufirit tonë shtetëror qeveria greke bënte propagandë shumë të keqe dhe denigruese për shqiptarët, deri në kërcënime pushtimi të Shqipërisë së Jugut. Pranoheshin dhe konviktorë me pagesë, të prindërve që ishin në gjendje të mirë ekonomike. Me që konvikti “Çamëria” kishte marrë emër të mirë, kërkesat për në konvikt ishin të mëdha nga shumë krahina të Shqipërisë , por kapaciteti  i konviktit nuk lejonte shtimin e shumë fëmijëve. Aty, deri në fund të periudhës kur u mbyll, më 1941, janë strehuar për çdo vit deri në 100 konviktorë.
Çelja e konviktit “Çamëria” është arritur me shumë përpjekje të intelektualëve e të  banorëve të nënprefekturës së Sarandës, të mbështetur fuqimisht dhe nga autoritetet, si dhe nga burrat patriotë të Çamërisë brenda e jashtë vendit. Për këtë janë bërë edhe protesta me shkrim, sepse edhe kur ishte çelur e vazhdonte punën normalisht, në vitin 1932 u bënë  përpjekje për ta mbyllur konviktin. Puna shkoi deri në pritjen e vendimit të Ministrisë së Arsimit. Shovinizmi grek punoi në mënyrë tinzare për mbylljen e konviktit, kur pa se ai u bë një çerdhe diturie e patriotizmi mbarëshqiptar. Por nuk iu arrit qëllimit dhe jeta e puna në konvikt vazhduan normalisht, sepse, fatmirësisht, edhe organet qendrore të arsimit nuk pranuan që ai të mbyllej.
Një nga arsyet  kryesore pse ky konvikt u çel, vazhdoi dhe përparoi për rreth 12-13 vjet, ka qenë edhe puna e lavdërueshme e personelit mësimor, mësues të shkolluar kryesisht në Normalen e Elbasanit, me përgatitje të gjithanshme shkencore e pedagogjike dhe, mbi të gjitha, patriotë të vendosur, që vinin mbi çdo gjë atdhedashurinë. Dhe po ju kujtoj se edhe mësuesit e kujdestarët e konviktit “Çamëria” nuk qenë vetëm nga rrethi i Sarandës, por vinin nga të gjitha krahinat e Mbretërisë. Një pjesë e mirë e tyre janë nderuar vitet e fundit me titujt “Mësues i Popullit” dhe “Mësues i merituar”.
Le t’u prezantoj me shumicën prej tyre, se ndofta tani nuk i mbaj mend që të gjithë. Dua të nënvizoj se personeli mësimor ka qenë i përbashkët për shkollën e konviktin. Disa nga mësuesit kryenin dhe detyrën e kujdestarit të konviktit, njëkohësisht me punën që bënin në shkollë me klasat përkatëse. Kjo ishte veçori e këtij kuadri mësimor.                                                          
Do të vazhdojmë paraqitjen e personelit nga viti shkollor 1931-32, sepse për vitet e mëparshme kemi shkruar më lart. Në shkollë e në konvikt bëhen 7 fuqi mësimore me rreth 260 nxënës, nga të cilët rreth 70 konviktorë. Vazhdon si drejtor Hiqmet Roshi e si kujdestarë Xhelal Berberi dhe unë. Pra, fillova së pari në Sarandë punën si mësues e njëkohësisht si kujdestar konvikti, detyrë që do ta vazhdoja për afër dhjetë vjet pa ndërprerje. Mësues qenë Safet Gjata, Qamil Izeti dhe vijnë të rinj Muhamet Golemi  me bashkëshorten,  Xhemile Golemin.
Në vitin shkollor 1932-33  mbeten përsëri shtatë fuqi mësimore e me atë personel të një viti më parë, sepse shtimi i nxënësve qe i vogël.
Në vitin shkollor 1933-34  shkolla arriti me rreth 300 nxënës, nga të cilët rreth 80 konviktorë, por personeli ngeli përsëri me shtatë vetë. Drejtor emërohet Xhevdet Kofina.  Kujdestar, veç atyre të vitit të mëparshëm,  shtohet dhe Sh. Islami, ndërsa mësues janë çifti Golemi dhe Halim Hodo.
Në vitin shkollor 1934-35 u shtua numri i nxënësve deri 340 dhe bëhen tetë fuqi mësimore. Drejtor emërohet përsëri Sadi Pejani, kujdestarë konvikti mbeten Xhelal Berberi dhe unë, ndërsa mësues Muhamet Golemi, Xhemile Golemi, Shan Zadrima, Sh.Islami e Mesaret Vlora.
Në vitin shkollor 1935-36 nuk ka ndryshime në pozicionin e kuadrit, veç shtohet si mësues Asim Sokoli.
Në vitin shkollor 1936-37, edhe pse numri i konviktorëve arrin në 90 e numri i nxënësve deri 340, kuadri zbret në shtatë vetë, duke u transferuar Asim Sokoli.
Në vitin shkollor 1937-38 kuadri bëhet përsëri me 8 vetë, numri i konviktorëve arrin deri 95. Po kjo gjendje është edhe në vitin pasardhës.
Nga vitet 1939 e deri sa u mbyll konvikti e shkolla për shkak të Luftës, ka pasur luhatje në numrin e nxënësve, ndaj personeli mësimor ka qenë tre deri gjashtë vetë. Drejtor ka vazhduar Sadi Pejani, ndërsa kujdestarët edhe janë ndërruar. Ritheksoj se në fund të vitit 1939 unë u transferova në Konispol si kryemësues.
Konviktorëve në Konviktin “Çamëria” u sigurohej falas nga shteti fjetja, ushqimi, veshmbathja dhe, kuptohet, mësimi dhe edukimi. Mësimet zhvilloheshin në shkollë, bashkërisht me fëmijët e qytetit.
Konvikti ka qenë i pajisur me shtresa e mbulesa të mira e të mjaftueshme, me veshmbathje e ushqim cilësor e të bollshëm, si dhe me mobilie e orendi të përshtatshme. Është me interes të dihet se në shërbim të fëmijëve konviktorë ka qenë një radio dhe një aparat kinematografik pa zë, ku shfaqeshin kryesisht filma mësimorë  për konkretizimin e disa mësimeve, si për mësim natyre, histori, gjeografi etj. Vinin për të parë këto filma mësimorë edhe nxënës të qytetit. Konvikti kishte në pronësi dhe disa mandolina. Me to  ishte ngritur grupi i mandolinatave me 12 veta, që aktivizoheshin në shfaqjet që jepte konvikti e shkolla.
Konviktorët visheshin me uniforma të veçanta, që dallonin nga ato të nxënësve nga qyteti. Secili kishte nga tre kostume, dy të përditshëm, që i ndërronin çdo javë dhe një uniformë festive, që vishej në raste festash apo aktivitete të veçanta. Çdo të diel fëmijët kishin liridalje, dilnin në qytet dhe mbanin uniforma të dallueshme, ku karakteristike qe dhe kapela me strehë. Banorët vendës i dallonin që nga larg dhe kishin shumë simpati e admirim për ta.
Por, ama, dhe dalja e lirë në qytet bëhej e organizuar,  me grupe e përgjegjës për secilin grup, në mënyrë që të shmangej ndonjë ngatërresë apo ndodhi e papëlqyeshme. Dhe që të dilje në qytet, më parë duhet t’i nënshtroheshe një kontrolli në konvikt, që të ishe krejtësisht i rregullt me veshjen, me këpucë të lustruara dhe i pastër e i krehur me kujdes. Shkurt, në konvikt disiplina e rregulli ngjasonin me ato ushtarake.
Të shtunat pasdite bëhej banjë e detyrueshme për të gjithë, ndërroheshin teshat, ndërroheshin çarçafët etj. Të dielën para dite  konviktorët merreshin edhe me një sistemim më të plotë të krevateve, shkundnin dyshekët e batanijet, bëhej një pastrim i veçantë i dhomave etj. Ndërsa mbas dite organizohej studimi i detyrueshëm për të kryer detyrat mësimore për të nesërmen.
Konviktorët ushqeheshin, si rregull,  në tre vakte, mëngjes, drekë e darkë, por shpesh mbas dite u jepej edhe ndonjë ushqim i thjeshtë. Studimi bëhej në dy faza, në mëngjes para fillimit të mësimeve dhe mbas dite, duke arritur deri në 4 orë studim në ditë.
Siç shihet, në konvikt kishte rregulla të rrepta, një disiplinë të fortë, një kujdes të veçantë në të gjitha aspektet. Ndaj dhe përparimi, disiplina e pastërtia kanë qenë shembullore në tërë kuptimin e fjalës. Kjo edhe për faktin se personeli i konviktit ka qenë i zgjedhur me kujdes, me arsim përkatës dhe me ndërgjegje të lartë në punë.
Konvikti ishte i vendosur në një ndërtesë-barakë. Ajo zinte një sipërfaqe goxha të madhe dhe ka qenë ndërtuar, si dhe shkolla, nga ushtria italiane në vitin 1918. Ishte me themele çimentoje, me mure çatma dhe e mbuluar me eternit. Konvikti, në dy godina, gjendej  në krah të kinoteatrit të sotëm të qytetit,  nënë  sheshin që shtrihet para bibliotekës dhe mbi rrugën që kalon te hotel “Butrinti”, në atë kohë selia e Konsullatës Italiane.
Oborri i konviktit ka qenë i vogël, por me pemë të mëdha për hije. Pjesa e sipërme ishte e rrethuar me rrjetë teli të trashë, ndërsa pjesa e poshtme qe lulishte, rreth 40 metra e gjatë e 4 e gjerë. Pemët dhe sidomos lulet e shumta që mbilleshin në kopshtin e sistemuar tërhiqnin vëmendjen e  banorëve, sepse konviktorët tregonin kujdes të veçantë për mirëmbajtjen e oborrit dhe sistemimin e kopshtit me lule. E, megjithatë, oborri e lulishtja nuk qenë të mjaftueshme për rreth 100 konviktorë që arritën në fund të viteve ’30.
                                                Konvikti Çamëria - Grupi e mandolinatave
Edhe pse konvikti ndodhej në qendër të qytetit dhe pranë rrugëve kryesore, jo vetëm që nuk ka shkaktuar asnjë shqetësim për qytetarët, por, përkundrazi, me sjelljen, disiplinën e rregullin që kishte në konvikt, ai u bë një nga vatrat e arsimit, të kulturës e të patriotizmit.
Konvikti “Çamëria”, veç personelit mësimor-edukativ, ka pasur dhe punonjës të veçantë shërbimi. Drejtori e kujdestarët ishin edhe mësues efektivë të shkollës, ku para dite jepnin mësim në klasat përkatëse. Personeli shërbyes ishte vetëm për konviktin. Kështu, kishte kuzhinier e ndihmës, pastruese, rrobalarëse, arnuese e deri këpucar që jo vetëm meremetonte këpucët e konviktorëve, por ishte i aftë të bënte edhe këpucë të reja me porosi. Numri i personelit edukativ ka qenë 3-5, ndërsa i shërbimit 4-5. Të gjithë kanë qenë të kujdesshëm dhe të vlerësuar në punën e tyre.
Si rregull, konviktorët që nuk kishin familje apo ishin të vobektë, pushimet verore i kalonin në vende malore me klimë më të freskët. Për këtë arsye zakonisht i çonin në konviktin e Kolonjës (Ersekës), ku kishte kushte strehimi dhe ushqimi. Fëmijët shoqëroheshin nga mësuesit kujdestarë, që qëndronin me ta gjer në mbarim të periudhës së pushimeve.
Kolektivi mësimor i vitit 1933

Kur konviktorët qëndroni në Sarandë gjatë verës, ose para se të niseshin për në Kolonjë,  shkonin çdo ditë në plazh, në vendin që quhet sot Plazhi i Vjetër. Po dhe aty vendi i pushimit dhe notimit të konviktorëve ishte nën vëzhgimin e mësuesve kujdestarë dhe të nxënësve më të rritur dhe i kufizuar me litarë në gjithë territorin.

Në konviktin “Çamëria” kanë qenë shumë nxënës që më vonë u bënë kuadro të luftës e të punës, disa prej të cilëve ranë dëshmorë, si Ali Demi, Hero i Popullit. Ndër kuadrot kryesore përmendim Adil Çarçanin, Teme Sejkon, Tahir Demin, Hito Çakon, Qamil Buxhelin, Selim Islamin e të tjerë.

January 24, 2013

Greqia që nuk ishte


Nga Ruben Avxhiu - Gazeta Mapo

Rënia e komunizmit në Lindje hapi perspektivën e zgjerimit të Bashkimit Europian. Ëndrra e një Europe të bashkuar, nuk përjashtoi as Ballkanin.

Si i vetmi vend anëtar i BE-së në rajonin tonë, Greqia pritej të ishte udhëheqëse e këtij procesi, një aleat i ri që u ndihmon dhe i mëson fqinjët e saj në udhën e integrimit. Këtë rol, Athina e mori vetë publikisht në disa forma. Nëse e pa hapjen e rajonit edhe si mundësi për të vendosur mbizotërimin e saj politik dhe ekonomik, kjo nuk ka ndonjë gjë të keqe. Çdo shtet do të bëjë maksimumin për përparimin e popullit të tij.

Po iluzioni u zbeh shpejt. Ndryshe nga pjesa tjetër e Europës Lindore, Ballkani u përfshi nga një rizgjim rivalitetesh të vjetra mes fqinjëve dhe nga nacionalizmi me rastin më të skajshëm, një shtet praktikisht fashist, Serbinë. Jugosllavia, e cila mendohej se do ta kishte më të lehtë kalimin në një demokraci europiane, u shemb me dhunë e luftë.

Në këtë realitet që ndryshonte me shpejtësi, Greqia nuk mundi të ofrojë udhëheqje dhe udhëzim apo qoftë edhe një shembull pozitiv. Përkundrazi, u bë palë në konflikte, tregoi se ishte edhe vetë e sëmurë nga virusi i dyshimeve dhe mosbesimeve nacionaliste dhe u akuzua për ndërhyrje në punët e shteteve të tjera.

Një rol jo pak negativ luajti media greke. Pavarësisht se cilat mund të ketë qenë fillimisht planet e qeverisë dhe pikëpamjet e intelektualëve grekë, shumë shpejt kokat në ekran dhe media në tërësi filluan të t’i jepnin formë sjelljes greke të dy dekadave të ardhshme. Nuk ndihmoi që më 1991-shin Greqia dhe Turqia për pak sa nuk hynë në luftë me njëra-tjetrën për shkak të disa ishujve në Egje. Lufta do të ishte e dëmshme për të gjithë në rajon, por më me fat që ajo u anulua ishte sigurisht Greqia. Sipas të gjithë ekspertëve, Turqia ishte shumë më e fortë ushtarakisht.

Me konfliktin me Turqinë tashmë të futur në dosje, media greke filloi të shihte krahasime simbolike në zhvillimet në Jugosllavi. Për shembull, Serbia ishte “Greqia”, myslimanët e Bosnjës ishin “Turqia”.

Papritmas një kor i turpshëm i medias filloi të brohoriste për Millosheviçin, vullnetarë grekë dhe ndihma greke dërgoheshin për serbët në Bosnje, krimet kundër boshnjakëve u injoruan e mohuan. Ata që guxonin të vinin në dyshim këtë mit sulmoheshin pa mëshirë si tradhtarë.

Më mirë se kushdo e ka përshkruar këtë histori libri “Aleanca e Pashenjtë” (Unholy Alliance), i botuar në ShBA më 2002, më shumë se një dekadë më parë dhe që me siguri duhet të jetë përkthyer edhe në shqip. Autori është Taki Michas, një gazetar grek e një intelektual guximtar, që ka ndjekur veç të tjerash praninë e vullnetarëve grekë në masakrën e Srebrenicës.

Në vitin 1999, kur NATO ndërhyri në Kosovë për të shmangur një Srebrenicë të re, qeveria greke nuk guxoi të vinte veton, ndonëse 90% e opinionit grek ishte kundër luftës. Se pse nuk rrëzohet një qeveri që vepron kundër vullnetit të 90% të njerëzve është një nga ato kontradiktat interesante në analizimin e shoqërisë greke. Në një anketim publik të vitit 1999, pyetjes se kush udhëheqës i kohës i ngjante më shumë Hitlerit, vendin e parë e zuri Bill Clinton me 60%. Vetëm 6% e grekëve të pyetur u përgjigjën “Millosheviçi”. Do të ishte më normale që Greqia t’i shpallte luftë Amerikës dhe jo Jugosllavisë së atëhershme.

Greqia ishte edhe një nga arsyet se pse Bashkimi Europian nuk ishte në gjendje të tregonte dhëmbët ndaj Millosheviçit e të kishte mundësinë që të bëhej një negociues i fortë në përpjekjet për të mbyllur luftën në Bosnje. Në vend që, si vendi i vetëm anëtar në BE, të udhëhiqte përpjekjet për paqe e të lehtësonte angazhimin e bllokut në Ballkan, ajo e bëri më të vështirë atë.

Pas mbarimit të luftrave në Ballkan, kur pati rastin përsëri që të udhëhiqte ndryshimet në rajon, duke lehtësuar njohjen e Kosovës, bëri të kundërtën. Nuk pati asnjë nismë, asnjë ide dhe mbetet një nga vendet që pengojnë një politikë të jashtme unike të BE-së në rajon.

Jo vetëm që mungoi masivisht në Greqi simpatia dhe ndjeshmëria për popujt e tjetër jo-serbë në Jugosllavi, por këto i mohoheshin edhe opozitës demokratike serbe.

Në një intervistë më 2001, Petar Lukoviç, një nga gazetarët më të shquar të opozitës serbe, veç të tjerash, thotë: “Greqia ka luajtur një rol të turpshëm… I mbaj mend mitingjet në Greqi në mbështetje të Millosheviçit… Ishte shumë e vështirë për ne në opozitën demokratike të kuptonim se pse Greqia, jo vetëm qeveritarët por të gjitha partitë, mbështesnin një njeri të cilin ne e njihnim që nga fillimi si një kriminel lufte… Grekët duhet të pyesin veten se pse humbën 10 vite duke mbështetur diçka që dukej që nga fillimi se ishte paranojake, primitive dhe diktatoriale.”

Po problemet me Greqinë nuk kufizoheshin vetëm në raport me Serbinë dhe luftërat e saj. Maqedonia ishte i vetmi vend që Serbia e kishte lënë të dilte nga Jugosllavia, pa luftë. Ndoshta shumëkush në fillim të viteve ‘90 besonte se kishim hyrë në një epokë të re. Por jo Greqia, e cila menjëherë kundërshtoi shfaqjen e këtij shteti në hartën e botës, se pa te Maqedonia vetëm rrezikun se ky shtet nesër mund të kërkonte territore në krahinën e saj me të njëjtin emër. Greqia refuzoi të pranonte shtetin e ri nëse nuk ndryshonte emrin dhe flamurin. Maqedonia në fund pranoi të ndryshonte flamurin, por jo emrin. Ajo ende pranohet në forumet ndërkombëtare si FYROM (Republika Ish-Jugosllave e Maqedonisë). Vetëm me atë emër ka mundur të hyjë në OKB, ndërsa, për shembull në NATO, anëtarësimi i saj gati i sigurt m0ë 2008, u pengua nga një veto e Greqisë.

Qysh atëherë Maqedonia ka filluar të bëjë pikërisht atë së cilës i druhej Greqia, të përvetësojë në mënyrë flagrante lashtësinë maqedonase. Ndonëse maqedonasit janë sllavë dhe dihet se sllavët mbërritën në Ballkan në shekullin VI, Shkupi po stoliset me statuja të kohës së helenizmit të famshëm, ku shquan mbi kalë Aleksandëri i Madh, si simbol i Maqedonisë së re.

Logjika e Athinës nuk është pa argumente, mirëpo fakti që mbetet është se edhe në rastin e Maqedonisë Greqia jo vetëm që nuk udhëhoqi përpjekjet për ta integruar në BE, po me kërcënimin e vazhdueshëm të vetos ka ndikuar në rritjen e mosbesimit të maqedonasve ndaj perspektivës europiane.

Gjatë të njëjtës periudhë, Shqipëria pati përplasjet e saj me Greqinë, duke filluar që nga incidenti i vrasjes së pesë ushtarëve shqiptarë në kufi, tek arrestimi i ish-ushtarakëve nga pakica greke, të akuzuar për spiunazh në shërbim të Greqisë, te çështja e mbylljes së shkollave greke në fshatrat e braktisura prej emigracionit, te dëbimi masiv i emigrantëve shqiptarë, për presion flagrant ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri etj.

Në vitin 1997 një numër analistësh dhe politikanësh shqiptarë akuzuan haptas Greqinë për ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit shqiptar, duke ndihmuar, në mos edhe organizuar, trazirat e rebelimin në Jug, që rrëzoi strukturat e shtetit dhe në fund solli rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhjeve të parakohshme. Madje akuzat nuk kursyen as lobin grek në ShBA e disa miq të tyre në administratën amerikane. Greqia sigurisht i ka hedhur poshtë disa herë këto akuza e hipoteza. Ajo këmbëngul se diplomacia greke është përpjekur vetëm për integrim të Ballkanit në BE, qoftë edhe për Maqedoninë, e të gjitha vendet e tjera ish-jugosllave. Edhe për Kosovën, Athina thotë se do t’ia njihte pavarësinë, por vetëm nëse ka një marrëveshje me Serbinë.

Diku në mesin e viteve ‘90, gjatë rrugës, për në një konferencë ndërkombëtare rinore, trokita në Budapest në zyrën e marrëdhënieve me jashtë të një prej partive kryesore politike hungareze. Punoja vetë në një zyrë të ngjashme në Tiranë dhe kisha kuriozitet për të parë organizimin e saj në Budapest. Për çudinë, por edhe për kënaqësinë time, më priti vetë shefi i marrëdhënieve me jashtë të partisë. Ai dukej se ishte më shumë kurioz sesa unë. Donte të dinte më shumë se çfarë thuhej në Tiranë për Kosovën. Hungaria shihte gjithashtu me shqetësim zhvillimet në Vojvodinë dhe kishte interes të krahasonte përvojat.

Diskutimi ishte në kontekstin e integrimit në BE për të dy vendet. Mbaj mend se kalimthi i përmenda që Shqipëria ka dhe problemin me Greqinë e cila mund të kërcënojë me veto, nëse nuk është e kënaqur nga trajtimi i pakicës së saj në Shqipëri. Përgjigjja e tij ishte se Greqia është pengesa për çdo vend të Europës Lindore. Sipas tij, Greqia kishte gëzuar ndihma bujare e të pakursyera nga Europa për një dekadë, si vendi më i varfër i bllokut. Me hyrjen e vendeve nga Lindja, Greqia tani mund të jetë e detyruar të kontribuojë. Për këtë arsye, sipas tij, vendet lindore janë gjithnjë e më të pakënaqura ndaj përpjekjeve të Greqisë për të vonuar zgjerimin e BE-së.

Nuk isha nisur të denoncoja Greqinë, sesa të formuloja një shqetësim të natyrshëm për të dëgjuar pikëpamjen nga një diplomat i një vendi tjetër, që ka vetë pakica në vendet fqinje e që ashtu si Greqia ndaj Shqipërisë kishte pritshmërinë e tij ndaj vendeve fqinje. Në shkëmbim mora një akuzë shumë më të rëndë ndaj Greqisë sesa ajo që mund të nënkuptohej nga tregimi im.

Sot, Greqia mund të mos pranojë ngurrimin e saj për të zgjeruar BE-në në vitet ‘90. Po kaq shumë akuza nga kaq burime, shumica të pavarur nga njëri-tjetri, nuk mund të mos hedhin një hije serioze dyshimi mbi perceptimin e Greqisë, jo si frymëzuese e udhëheqëse e integrimit në Lindje, por si penguese e tyre.

Në vitin 2004 Hungaria hyri në BE, bashkë me 10 vende të tjera. Me ndihmën e Greqisë, apo pavarësisht prej kundërshtimit të Greqisë, BE-ja u zgjerua. Por jo pa një “incident të vogël”. Greqia këmbënguli se pse nuk anëtarësohej edhe Qiproja. Pati kundërshtime se Qiproja kishte një konflikt me Turqinë dhe se pjesa veriore e vendit kishte shpallur pavarësinë. Analistët e shihnin anëtarësimin në BE si një “karotë” për të detyruar zgjidhjen e konfliktit. U tretën pas kërcënimit me veto të Greqisë se do të bllokonte hyrjen e të gjitha vendeve të tjera në BE. Në mënyrë gati të pabesueshme BE-ja u thye. “Nuk mund të mbajmë më peng gjithë Europën qendrore”, tha një zyrtar europian i kohës.

Ndoshta kokëfortësia e Greqisë u ndihmua nga ndjenjat në rritje antiturke në BE. Sido që të jetë, Qiproja hyri bashkë me vendet ish-komuniste dhe aftësia e BE-së për të detyruar një paqe në konfliktin për Qipron e Veriut mori fund.

Ky gabim historik nën kërcënimin e vetos greke është bërë mësim. Është edhe arsyeja se pse Serbia nuk do të hyjë në BE pa u zgjidhur situata mes saj dhe Kosovës.

Ndërkohë Shqipëria nuk ishte në grupin 10 anëtareve të reja të BE-së, jo prej vetos greke, siç druheshim më 1995, por sepse vende si ky i yni nuk ka nevojë domosdoshmërish që t’i pengojë dikush. Ne bëjmë çmos që të pengojmë veten. Madje në vitet e ndërmjetme, marrëdhëniet mes dy vendeve u përmirësuan shumë. Shqipëria mbajti, veç të tjerash, anën e Greqisë kur ajo kandidoi për anëtarësim në Këshillin e Sigurimit më 1998.

Dekada e re e shekullit shënoi edhe një rritje të zgjerimit të biznesit grek në Ballkan. Duke dominuar në sektorin bankar, në atë të telekomunikacioneve etj., Greqia filloi të zgjerohej në mënyrën që duhej të kishte bërë që nga fillimi i ndryshimeve. Në vend që të investonte në retorikën paranojake historiciste, duke u treguar aspak më e rafinuar se fqinjët ish-jugosllavë, Greqia duhej të kishte përfituar nga përparësitë e saj ekonomike për të imponuar një rol më të madh në rajon.

Pavarësisht prej akuzave të natyrshme për korrupsion e për favorizim të firmave greke në procesin e privatizimit, e vërteta është se privatizimet në botën ish-komuniste shpesh bëhen poshtë vlerës reale, duke varfëruar popullin dhe të ardhmen për të mbushur xhepat e politikanëve. Po, në fund të fundit, ajo që precipiton është se Shqipëria ka pasur nevojë të madhe për investime të huaja dhe ato nuk është se kanë qenë duke vrapuar drejt saj. Prandaj, investimet greke mbushën një mungesë të rëndësishme, pavarësisht se çfarë paraqet çdo rast i analizuar më vete. Investimet gjithashtu i afrojnë vendet me njëra-tjetrën edhe politikisht, siç dëshmon përvoja e Europës Perëndimore. Investimet greke në Bullgari, Serbi e madje edhe në Maqedoni e Kosovë, japin një portret më rajonal, në të cilin duhet parë edhe rasti i Shqipërisë.

Një kurorëzim i pozicionimit të ri të Greqisë në Ballkan u shënua edhe me ardhjen në fuqi të Papandreut të Ri, vizionar dhe të arsimuar në ShBA. Ai u shqua menjëherë, veç të tjerash, edhe për një vizion mbarëballkanik, duke propozuar që Ballkani, vendi ku më 1914 nisi Lufta e Parë Botërore, të integrohej i gjithi në BE më 2014, me rastin e 100-vjetorit të asaj ngjarjeje të tmerrshme.

Pavarësisht sesa realist ishte ky propozim, ai sinjalizonte një përpjekje të Greqisë për të marrë rol udhëheqës në rajon, ndonëse me gati 20 vjet vonesë. Deklarata frymëzonte besim se ecja me hap të shpejtë e integrimit ishte e mundshme.

Për ironi të fatit, pikërisht këtij udhëheqësi të Greqisë, i plasi në duar “bomba financiare”. Pas vitesh manipulimi të llogarive financiare të deklaruara në BE, Greqia u rrëzua nën peshën e borxheve të marra përtej aftësisë së saj për të paguar. Askush nuk u kursye nga akuzat. U akuzuan qeveritarët që kishin marrë borxhe pafund duke gënjyer huadhënësit për mundësitë reale të Greqisë për t’i shlyer, apo duke gënjyer popullin për gjendjen e vërtetë të arkës së shtetit. U akuzuan ata që i kishin dhënë huatë e borxhet se me siguri e kishin ditur që Greqia nuk i paguante dot, por i dhanë gjithsesi. U akuzuan politikanët që një pjesë të këtyre huave e kishin futur në xhepat e tyre. U akuza kultura greke për traditë mospagimi taksash, vjedhje të shtetit dhe mosdëshirë për të punuar. U akuzuan gjermanët që, sipas disa nacionalistëve e komunistëve grekë, kishin varfëruar Greqinë me pushtimin e tyre nazist (60 vjet më parë), pavarësisht nga dëmshpërblimet e jashtëzakonshme të paguara që atëherë nga Gjermania etj. etj.

Ndërsa Greqia hyri në krizë totale, nacionalizmi latent i shfaqur me një lloj velloje nga politika e jashtme greke, nxori fytyrën e vet të shëmtuar me partinë e Agimit të Artë. Mund të mendohet se në kushtet e sotme shansi që Greqia të gjejë rolin e premtuar të udhëheqjes rajonale ka humbur përfundimisht. Ajo nuk mund t’u prijë fqinjëve drejt Bashkimit Europian, kur duket sikur vetë është duke dalë prej tij.

Sesa domethënës është dështimi i Greqisë për të udhëhequr në Ballkan, e tregon edhe fakti që rregullisht diplomatët sllovenë janë preferuar përmbi ata grekë për të raportuar mbi Ballkanin dhe mbikëqyrur ecurinë e integrimit të tij. Sllovenia e vogël, dikur e ngecur brenda Jugosllavisë, i ka shfrytëzuar shumë më mirë avantazhet e saj, duke treguar një vetëpërmbajtje e drejtpeshim të jashtëzakonshëm, atë që duhej të kishte ardhur e duhej ta kishim mësuar prej Athinës.

Po rënia e palavdishme nuk ka sjellë modesti dhe vetëshqyrtim. Pak javë më parë, ministri i Jashtëm i Greqisë anuloi pjesëmarrjen në festimet e 100-vjetorit të Shqipërisë, për shkak se kryeministri Berisha kishte thënë që tokat shqiptare janë nga Presheva në Prevezë.

Ndoshta kriza ekonomike greke ka sjellë shkurtimin e përkthyesve apo zëvendësimin me përkthyes të dobët, se ndryshe nuk ka si shpjegohet që kryediplomati grek nuk dalloi dot ndërmjet ligjëratës së drejtë dhe asaj të zhdrejtë. Kryeministri shqiptar i ka shtuar notat patriotike në retorikën e tij, por në rastin konkret ishte duke cituar deklaratën e pavarësisë së Shqipërisë.

Zyra e Kryeministrit shqiptar u përgjigj duke thënë se Shqipëria nuk ka ambicie territoriale ndaj askujt dhe se ato ishin fjalë që ishin thënë 100 vjet më parë.

Në një shenjë prapakthimi, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke i dha një tjetër ‘leksion’ falas Berishës, duke u kundërpërgjigjur se do të ishte mirë që të shikohej 100 vite para dhe jo 100 vite mbrapa. Kjo këshillë ishte disi absurde, sepse do të ishte e pamundur të festohej 100-vjetori pa shikuar 100 vite mbrapa dhe përkundrazi një shprehje më e urtë thotë se ata që e harrojnë historinë janë të detyruar ta rijetojnë atë.

Po hipokrizia më e madhe ishte që kjo këshillë vinte nga po ajo ministri që vetë është duke parë jo 100 por gati 2500 vite mbrapa, ndërsa përplaset me Maqedoninë për histori e personazhe gjysmë mitike, e tema absurde, si identiteti kombëtar i Aleksandërit të Madh. Këshilla vjen nga një vend që nuk rresht së imponuari Europës duke iu referuar një trashëgimie që daton nga koha e antikitetit. Po kjo sigurisht nuk është hera e parë që një vend ballkanik i jep fqinjit këshillën që refuzon ta zbatojë vetë.

Ndërsa akuzon Maqedoninë se po rishkruan librat e historisë, Greqia po përpiqet ta bëjë të njëjtën gjë në Shqipëri. Ndoshta para se të kërkojë që nxënësve shqiptarë të mos u flitet për krimet greke të 100 vjetëve më parë, është mirë që nxënësve grekë t’u flitet për rolin e shqiptarëve në çlirimin dhe pavarësimin e Greqisë. Ndoshta para se të kërkohen të drejta të tjera për pakicën greke në Shqipëri, duhet të paktën të njihet minimalisht ekzistenca e pakicës shqiptare në Greqi.

Ndoshta përpara se të kërkohen lapidare për ushtarët grekë që hynë si pushtues në Luftën e Dytë Botërore, duhet një përmendore në Çamëri për ata civilë që u vranë e u shpërngulën, e që sot e kësaj dite nuk u lejohet as t’i thonë emrin vendit ku u lindën e vdiqën të parët e tyre për shekuj, ku lindën vetë e ku panë tmerrin me sy.

Athina kërkon vazhdimisht që t’i kërkojnë falje për çdo deklaratë që nuk i shkon përshtat, por as që ka ndërmend të kërkojë ndonjëherë falje për krimet e të kaluarës.

Sigurisht nëse vërtet do të bënim “të pabërën” e të kthenim vërtet shikimin 100 vite pas, do të shikonim se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë përmirësuar shumë. Më 4 dhjetor, qeveria shqiptare bëri mbledhjen e saj jo në Tiranë, por në Vlorë, për të nderuar mbledhjen e parë të qeverisë së parë shqiptare pas shpalljes së pavarësisë. Ajo që nuk u përmend e nuk u kujtua është se ndërsa Ismail Qemali dhe qeveria e tij filluan punën, qyteti i Vlorës ishte nën bombardim nga deti, prej anijeve greke. Me atë “muzikë” në sfond, filloi historia moderne e Shqipërisë. Jo larg prej andej trupat greke kishin marrë Korçën dhe Gjirokastrën dhe i kërkonin Konferencës së Ambasadorëve Jugun e Shqipërisë. Krahasuar me këtë, raportet tona sot janë një mrekulli.

Po pikërisht për këtë, në vend të bojkotimit dhe leksioneve moraliste, një ministër i Jashtëm i një vendi europian do të kishte marrë pjesë me modesti dhe pendesë në festimet e 100-vjetorit. Thjesht për faktin se festohej lindja e një shteti fqinj të cilin u përpoqën ta mbysin që në djep, me dhunë e diplomaci mashtruese.

Në vend të kësaj erdhi anullimi publik që vetëm se na kujtoi edhe një herë tjetër se në vend që të bëhej vendi europian në Ballkan, Greqia mbeti deri në fund një vend ballkanik në Europë. Një shembull i keq e dekurajues për të gjithë ata idealistë në vendet e tjera ballkanike që besojnë se një proces europianizimi është i nevojshëm jo vetëm për të hyrë në BE, po edhe për të mirën e vetë vendeve tona. Në këtë mision jo të lehtë, vendi që duhej të na frymëzonte e mbështeste është ai që na ka tradhtuar më së shumti e që për më tepër ka tradhtuar premtimin e asaj trashëgimie të famshme të lashtësisë, nën rrënojat e së cilës kemi belbëzuar moskuptimin e mosbesimin në të dy gjuhët tona prej shekujsh.

*Ruben Avxhiu është kryeredaktor i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York.