July 19, 2011

SHPIRTI ÇAM I VIOLINËS

taksisti-300x210.jpg (300×210)
Bexhet Serjani, taksisti me violinë

Pasditeve në Skelë, Vlorë, dera e pasme e një taksie rri hapur dhe në sedile duket një burrë, i zhytur në lojën me violinë. Nuk është klient. Është taksisti yt.
Bexhet Serjani është 47 vjeç, familjar, babai i dy fëmijëve. Ka vite që ushqen familjen me taksinë e vet, dhe shpirtin me ëmbëlsinë e tingujve të violinës.
Nuk është profesionist. Nuk di të shkruajë madje asnjë notë muzike, por kjo nuk e pengon të luajë me violinën e tij, Ndoshta taksia me violinën nuk kanë asnjë lidhje, por ato bashkëjetojnë në mënyrë perfekte në mjetin që gjithmonë parkohet në Skelë, në pritje të klientit të radhës.

-Ke bërë shkollë për violinë?
Jo, asnjëherë. Nuk i njoh notat. Vetëm veshi i kap. Ku kishte shkollë për ne atëherë. Isha vetë i pestë fëmijë dhe punoja në transport në frutore. Gjeta dhe violinë, por më pas, gjatë kohës që isha ushtar mu thye violina. Lekë nuk kisha ta blija më. Më piku ajo violinë. Për 20 vjet nuk kapa violinë me dorë.
-Si ju rikthyet pasionit?
Sa më shumë kohë kalonin, aq më tepër mendoja për të. Kam tre vjet tani që e kam blerë violinën. Kjo që zgjodha, është e ëmbël, ka volum. Tani riushtrohem. Por nuk është e lehtë. Mosha nuk të ndihmon shumë.
-Keni tjetër familjar që ka lidhje me muzikën?
Në shtëpinë time asnjë.
-Si reagojnë klientët kur ju shohin me violinë?
Ka që e kanë vendosur se “do të shkojmë tek violinist”. Ka të tjerë që thonë “ e ke në terezi ti vëlla” dhe shkojnë tek taksia tjetër. Por kjo smë pengon që të vazhdoj të mbaj në taksi violinën time.
-Ju ka qëlluar që pasi keni shërbyer me taksi, t’ju kërkojnë ti bini violinës?
Po më ka ndodhur. Madje jo një herë. Para një jave ishte një rus. Unë nuk njoh pjesë ruse, por luajta “violinën cigane” e më dha 20 euro. Një herë tjetër luajta për një grek një orkestrale çame, të shtruar. Ata janë qejflinj, i shijoi shumë. dhe me pagoi. Kam patur raste, si jo, pasi ka njerëz që nuk janë të pandjeshëm ndaj violinës.
-Nëse mund ta quajmë repertor, cfarë pjesësh ke në të?
Kryesisht pjesët “çamiko”. Më pëlqen muzika e shtruar, luaj dhe pjesë tiranase, por gjithmonë tek popullorja.
-Nëse do të detyronin, mes violinës dhe taksisë, kë do të zgjidhje?
Violinën. Si taksist kam gati 19 vjet, por violina më është lidhur me shpirtin. Do punoja ndonjë roje, se punë tjetër unë s’di të bëj veç kësaj që kam, por kohë do të gjeja për violinën…

Bexhet Serjani
Mosha 47 vjeç
Arsimi 8 vjeçar
Jeta:
I martuar me dy fëmijë. Është i vetëpunësuar prej 19 vitesh si taksist. Është e vetmja punë që di të bëjë… përveç rënies së violinës. Violinën e ka mësuar që në moshë të vogël, por mundësitë financiare nuk e kanë lejuar të blejë violinë. Violina e parë nuk pati jetë të gjatë. Instrumentin e e tanishëm e ka blerë para 3 vjetësh.
“Ne çamërit i kemi preferuar shumë sazet në gëzime familjare dhe në dasma merrnin gjithmonë orkestra ku ishte e pranishme violina. Gjithmonë më ka tërhequr, më ngjasonte me bilbilin. I vogël, u shkoja pas sazexhinjve. Kudo që të ishin, në Kumë, në Lirim, unë u qepesha pas, edhe pse im atë më rrihte atëhere, pse shkoja pas njerëzve me ngjyrë. Në Llonxhë shkoja tek një Adren, që më mësoi edhe violinën. Isha 16 vjeç”
“Kam edhe tre shokë të tjerë me vegla. Më pëlqen të luaj në shoqërinë e gërnetës, viloina e ndjej se shkon mirë me të Ndodh që u marrim leje në ndonjë lokal, të shoqërojmë me muzikë. Më ka ndodhur që të kalojnë këtu shkollarë që studiojnë muzikë e i kanë rënë violinës sime. Ata kanë repertor tjetër dhe të pasur, por më kanë përgëzuar për muzikën që bëj” 

Gazeta Shekulli

July 9, 2011

Gjenocidi grek mbi Çamërinë, pengu i Europës

- Në mungesë të një projekti për drejtësi -

Hyqmet Zane

Çdo vit që kalon nga ai 27 qershor 1944, e bën më të qartë atë çfarë ka ndodhur në tokën e Çamërisë, por edhe qartëson përse u hesht dhe përse vazhdon të mos vihet dorë mbi një padrejtësi çnjerëzore me emrin “gjenocid”. Edhe pse i pranuar nga vetë dëshmitarët okularë dhe komisioni i ngritur miks në atë vit, që dëgjoi rrëfimet dëshpëruese dhe tronditëse të familjeve që vuajtën masakrat fashiste të shovinistëve grekë, por e pranuar edhe nga vetë akademikët grekë para disa vjetësh, Greqia dhe qarqet progreke vazhdojnë të mos flasin dhe ta mohojnë këtë gjenocid që mori mijëra jetë njerëzish. Por krah kësaj heshtjeje ka edhe një Europë që përsëri hesht, edhe pse dihet dhe njihet që në Çamëri u shkelën mizorisht të drejtat e njeriut dhe pati masakra ndaj popullatës së pambrojtur civile çame.
Shpesh violina greke ka pasur vetëm një tel dhe i ka rënë këtij teli të çakorduar, sepse e dinte që, sido të fliste Greqia, ajo kishte Europën në mbështetje dhe krah për të qenë avokate e çdo padrejtësie që mund të bënin grekët, aq më tepër ndaj shqiptarëve. Akuzat pa dëshmitarë dhe pa fakte të grekëve ndaj çamëve janë absurdi që ne shqiptarët e Çamërisë kemi 67 vjet që i dëgjojmë, por i dëgjojnë edhe kanceleritë europiane që gjithnjë e mbajnë peng gjenocidin grek në Çamëri, në mungesë të një projekti për të dhënë drejtësi.
Që nga pushtimi i Shqipërisë nga Greqia pas padrejtësisë së Konferencës së Londrës më 1913-n, që e ndau tokën shqiptare në pesë pjesë, Çamëria është toka europiane që nuk është çliruar asnjëherë deri më sot. Edhe gjatë pushtimit fashisto-nazist të Greqisë 1940-1944, ligjërisht Çamëria nuk është bashkuar me Shqipërinë, siç u bë me Kosovën. Në këtë mënyrë, Ligji i Luftës që ende mbahet nga grekët midis Shqipërisë e Greqisë, nuk ka asnjë lidhje me ne shqiptarët e Çamërisë, sepse edhe në atë kohë ne ishim dhe ligjërisht ende jemi shtetas grekë, sepse Greqia nuk ua ka hequr zyrtarisht çamëve shtetësinë greke. Atë e hoqi arbitrarisht dhe brenda një nate qeveria e Tiranës, ku çamët ishin të vendosur si refugjatë në vitin 1953.
Nga ana tjetër, edhe akuza greke ndaj çamëve është një tjetër absurd dhe një padrejtësi që europianët e dëgjojnë dhe nuk reagojnë, kur arkivat europiane e dinë shumë mirë se cila është e vërteta e asaj që ndodhi në Çamëri 67 vjet më parë. E dinë këtë edhe arkivat e nazistëve gjermanë dhe fashistëve italianë që e bënë këtë luftë, po aq sa edhe arkivat e Aleancës Antifashiste. Se si ka mundësi që të ndodhë një masakër çnjerëzore në mes të Europës dhe të mos kenë dijeni drejtuesit e shteteve, kur ata ishin në Korfuz, ishin në Janinë, ishin në Athinë, ishin në Shqipëri dhe kur vetë forcat e EAM-it e dinin se do të bëhej një gjenocid i tillë spastrimi etnik.
Nga ana tjetër, duhet thënë se gjatë gjithë periudhës së Luftës II Botërore në Greqi ka pasur vazhdimisht qeveri kuislinge greke dhe ata kanë administruar edhe Çamërinë. Ne çamët s’kishim si të ishim bashkëpunëtorë me pushtuesin, kur bashkë me pushtuesit gjermanë ishte vetë "qeveria greke" e Ralisit.
Pikërisht këto fakte dhe këto të vërteta janë një gong i fuqishëm që komuniteti çam në Shqipëri, por edhe në SHBA i bie fort, por që përsëri heshtet, nuk thuhet asnjë fjalë, në një kohë që drejtësia europiane e Hagës e kërkon kriminelin e Serbisë në çdo vrimë ku të ishte futur, ndërsa e di që Napoleon Zerva ishte një ideator dhe zbatues i politikës zyrtare greke me miratimin edhe të kishës greke dhe nuk thotë qoftë edhe një fjalë të vetme se si është e mundur që të ngrihet një monument në Çamëri për një kriminel që ka vrarë foshnjat në bark të nënës, qoftë edhe për një rast të vetëm e jo më për një popullatë të tërë 50 mijë vetëshe. U tronditën europianët në Bruksel në rastin e Griseldës dhe pa u hetuar mirë rasti në fjalë që doli një blof, bërtitën, e bënë problem, kurse komuniteti çam ka 67 vjet që thërret e kërkon drejtësi në emër të ligjit e të Zotit për pafajësinë e mbi 3 mijë shqiptarëve të Çamërisë, të vrarë e therur e po aq të vdekur më pas nga vuajtjet e rrugës e urisë. Nëse ka një shtet që bërtet më shumë në botë për respektimin e të drejtave të shtetasve të tij në botë, ajo është Greqia. Njëherazi e them me gojën plot se nëse ka shtet që shkel me të dyja këmbët të drejtat e njeriut brenda vendit të tij, ajo është Greqia. Çfarë emri i duhet vënë kësaj?
Edhe politika shqiptare diplomatikisht hesht, se kuptohet që ka një hall të madh me fqinjin europian, por më shumë e kam te politikanët e vetë komunitetit çam, nëse janë të tillë, nuk e kanë të qartë orientimin drejt zgjidhjes. E them këtë, sepse shpesh shoh e dëgjoj copëza fabulash sensibilizuese që treten në kohë, por asnjëherë nuk kam parë një platformë të tërë mundësish për zgjidhje që për mua janë politike dhe ligjore. Politike, për të përdorur të gjithë potencialin politik e diplomatik ashtu si Rugova për Kosovën që trokiti dhe diti të trokasë në portat e kancelarive europiane dhe asaj amerikane. Juridike, për të plotësuar me fakte, argumentuar juridikisht dhe përdorur teknikisht ato në shërbim të cilësimit “gjenocid” të një masakre që plotëson të gjitha kushtet për t’u cilësuar si i tillë.
Për mendimin tim, çështja çame është njëra nga më të vjetrat në Europë e pazgjidhur dhe me një problematikë të gjerë. Zgjidhja e kësaj çështjeje kërkon para së gjithave mirëkuptimin bilateral mes Shqipërisë dhe Greqisë përmes komisioneve të përbashkëta që do të merren me trajtimin dhe gjetjen e pikave, ku do të mbështeten për zgjidhjen e problemit.
Para së gjithash në mes dy vendeve duhet të ekzistojë vullneti i mirë për futjen në axhendën zyrtare për zgjidhjen e çështjes çame veçanërisht nga Greqia. Një nga rrugët është edhe hedhja në gjyq e Greqisë për çështjen e pronave të çamëve, të cilat duhet t’u kthehen të zotëve, por që kjo gjë nuk mund të ketë sukses me gjyqe individuale, për shkak të shumë faktorëve që janë në disfavor të çamëve. E rëndësishme është të themi se kërkohet një dënim i gjenocidit të ndodhur në Çamëri në vitet 1944-1945, në fund të Luftës II Botërore dhe pranimi i tij nga shteti grek në mënyrë zyrtare. Por mospranimi nga ana e shtetit grek e këtij gjenocidi e vështirëson zgjidhjen. Hapja e kufijve përmes liberalizimit të vizave dhe hyrjes së Shqipërisë në BE, është një shans që ndihmon në zgjidhjen e këtij problemi tashmë 67-vjeçar.
Duhet thënë gjithashtu se zgjedhja e një partneri ndërkombëtar të fuqishëm si SHBA-ja dhe ndikimi e mbështetja e tij për çështjen çame dhe njëherazi presioni ndaj shtetit grek për të pranuar çështjen në fjalë dhe zgjidhjen e saj, mendohet të jetë një nga rrugët efikase.
Unë e gjej të udhës që të them se iniciativat politike si ajo e Tahir Muhedinit që jo vetëm e çoi komunitetin çam me përfaqësim në Parlamentin shqiptar më 2009-n me PDI, por edhe përpjekjet politike të vetë Shpëtim Idrizit si deputet dhe sot si kryetar i PDIU, por edhe çdo iniciativë e çdo deputeti tjetër si ajo e Dashamir Tahirit në kufi të Qafë-Botës, janë të mirëpritura jo vetëm për komunitetin çam, por edhe për gjithë shqiptarët dhe syrin e Europës.
Por demi duhet kapur prej brirësh dhe kjo do të thotë se ne vetë si komunitet çam kemi nevojë për një gjetje mes vetes, si me thënë duhet të lajmë zemrat para Zotit e me një zë të vetëm duhet t’i themi botës se tani e kemi gjetur çelësin e aksionit politik dhe juridik. Dhe këto janë trokitjet e para si në Departamentin e Shtetit, që shumë mirë e kanë kuptuar si Muhedini e Idrizi, por edhe në hartimin e një memorandumi si ai i 65 vjetëve më parë që Komiteti Antifashist Çam i drejtoi Lidhjes së Kombeve (sot OKB) shoqëruar me dosjen e krimeve dhe aftësimin e personave që do të jenë interlokutorët e saj në Hagë e Strasburg, në Bruksel e në Kongresin Amerikan. Dhe e gjitha kjo kur Rezoluta e parë duhet të dalë nga vetë Parlamenti shqiptar. Këtu më duket se qëndron sekreti i një nisjeje të mbarë në shërbim të zgjidhjes. Nuk është koha më për të qarë në Qafë-Botë, por për të “qarë” nëpër botë te shtetet që kanë zë e fuqi më shumë për të dalë në krahun e drejtësisë së komunitetit çam.

Gazeta Shqip

July 4, 2011

Albanians of Kosova celebrate 4th of July




PRISHTINE- Me rastin e 4 Korrikut, përvjetorit të pavarësisë së SHBA-së, në Kosovë janë paralajmëruar disa aktivitete, me të cilat shënohet kjo datë. Duke i konsideruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleatin më të mirë të Kosovës, institucionet dhe qytetarët në vazhdimësi e shënojnë këtë ditë.
Në mbrëmje, në Sheshin Nëna Terezë në Prishtinë do të mbahet një koncert festiv si dhe do të hapet një ekspozitë  “Faleminderit Amerikë” në Muzeun e Kosovës.
Edhe subjektet politike kanë përgëzuar SHBA-në për përvjetorin e pavarësisë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ua ka përcjellë urimet më të përzemërta ambasadorit amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, stafit diplomatik, ushtarëve amerikanë të KFOR-it, Qeverisë së SHBA-së dhe mbarë popullit amerikan.
Në urim thuhet se Dita e Pavarësisë së SHBA-së është moment i festës jo vetëm për popullin amerikan, por edhe për popullin dhe Republikën e Kosovës dhe të gjithë popujt paqedashës e demokracinë në botë.
“Në këtë ditë, ne, duke ndarë gëzimin me popullin amerikan, përcjellim edhe një herë mirënjohjen dhe falënderimin tonë për të gjithë mbështetjen që SHBA i ka dhënë popullit dhe vendit tonë në rrugën e vështirë për dinjitet, liri dhe pavarësi kombëtare e qytetare”.
“Kosova dhe populli i Kosovës do të jenë përherë përkrah popullit dhe Qeverisë amerikane në projektin dhe vizionin madhor për liri, paqe e demokraci të popujve kudo në botë”, thuhet në urimin e AAK-së.

PANORAMA

HAPPY INDEPENDENCE DAY!

FALEMINDERIT ILLYRIA!

Illyria është një emër i vjetër që na bashkon ne gjithë Shqiptarët siç shprehet i Madhi At Gjergj Fishta 
në fillim të shekullit XX:
Po, por nesër, me ndihmë t’Zotit,
Do ta bajmë prap Shqipni t’lirë
Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,
Prej Tivari në Manastir,
Edhe flamuri Shqipnisë
Si flakë mnijet e Perëndisë
Do t’valvitet në Kaçanik.

 
Dhe vërtetë atdhetari Hajdar “Harry” Bajraktari, para 20 vjetësh i dha këtë emër simbol domethënës gazetes që themeloi. Sot, mbasi festuam 20 vjetorin e themelimit, e kuptoj plotësisht se kjo gazetë shqiptare këtu në NY, nëpërmjet gazetarëve të sotëm z.Ruben Avxhiu së bashku me z.Dalip Greca , që rindezi para disa kohësh DIELLIN dhe të kudo ndodhurin z. Beqir Sina, po paraqet me paanshmëri situatën në të gjitha trojet që këndon Gj.Fishta.

Në çdo numër te sajë do gjesh shkrime,reportazhe dhe artikuj nga të gjitha trojet shqiptare me anët e mira dhe negative, me sukseset dhe dështimet, me përpjekjet për një të ardhme më të sigurtë e mirëqenie më të mirë të shqiptarëve kudo që ndodhen edhe në diasporë.

Ju lutem, mos ma merni për të keq, por mua si Shqiptar, mu mbush zemra me lotë e krenari njëkohësisht, midis brengut dhe mallit për Çamërinë ku kam lindur, kur fillova të lexoj nr. 2063, të dt. 28 Qershor. Në editorialin Për Çamërinë, z. R.Avxhiu, me shumë kurajo, mënçuri dhe
atdhetarizëm, nënvizon:“ Nëse Greqia mendon se e ka mbyllur punën e Çamërisë ngaqë ka trembur e nënshtruar politikanët e të gjitha ngjyrave në Tiranë, ajo gabohet rëndë. Kapaku i asaj tragjedie historike, sapo është ngritur dhe era e rëndë e krimit shumë shpejt do të dalë jashtë kontrollit.. Me mjete publike, botime, dëshmi, lobime, padi legale, marshime përkujtimore etj. Çamët dhe Shqiptarët e shumë trojeve, feve e prejardhjeve po ringjallin kujtimin e viktimave”.

Ne që kemi lindur në Çamëri dhe kemi fatin të kalojmë pleqërinë në këtë vend të madh të demokracisë, atdheu i tretë mbas Shqipërisë, megjithëse pak me vonesë, vitet e fundit jemi riorganizuar në Organizatën Shqiptaro Amerikanët nga Çamëria. Me propozimin e më të vjetërve si z. S.Rojba, z. R.Bebo e tj., kemi zgjedhur në krye të kësaj organizate djem e vajza të reja, të frymëzuar me dashuri dhe krenari për vatanin e prindërve dhe gjyshërve, të edukuar e shkolluarnë institucionet amerikane, në bashkëpunim e bashkëveprim me vëllezërit dhe motrat e tjerë shqiptarë, do të krijojnë lidhje e lobime me personalitete amerikane, për ta vënë në rrugën e zgjidhjes Problemin Çam. Përpjekje të tilla bashkë me Shoqërinë Çamëria dhe me PDIU në Tiranë do ta bëjnë të mundur njohjen, kuptimin dhe zgjidhjen konformë ligjeve ndërkombëtare në fuqi.

Fatëkeqësinë më të madhe e pësoi Camëria më 1913, kur në sajë të politikës antishqiptare të fuqive të Europës se atëhershme ,me gjithë luftën e zhvilluar nga atdhetarët çamë, mbeti jetime, pa nënë. Megjithë përpjekjet konseguente të atdhetarëve dhe Qeverisë Shqiptare, në kohën e Mbretit Zog si brenda ashtu edhe në forumet nderkombetare; mbas luftës e fatëkeqësisht edhe sot, ashtu siç thekson mësipër edhe gazetari atdhetar R.Avxhiu, Çamëria mbetet prapë jetime;
sepse Greqia “mike strategjike” e politikanëve të nënshtruar dhe të trembur të Tiranës, me mohimin e Çamërisë Shqiptare, i shtron qilimin e kuq vehtes, për realizimin e qëllimit shovinist të “megalidesë” për të ashtuquajtur fantazëm “vorioepir”

Jo se ne çamët jemi ndryshe nga shqiptarët e tjerë, shenja më qartë për kombësinë -gjuha ose gluha në dialektin çam është dialekti më i vjetër i mbijetuar edhe sot në arbëreshët e Italisë dhe në mbi 3 milion arvanitasit që fatkeqësisht sot i quajnë te “greqëzuar” Por edhe veshjet si kësula e bardhë, pavarësisht formës, mbetet një nga shenjat me karakteristike të Shqiptarizmës.
Trimëria dhe Dija nuk i janë ndarë shqiptarit.Së bashku me Besën e Bujarinë, Çami është dalluar edhe për dashurinë dhe respektin për punën. Edhe kur i rrëmbyen pasurinë dhe tokat autoritetet greke, Çami vazhdoi të punojë që fëmijët e tij të mos kthehen kurrë në lypësa.

Dhe ky respekt e këmbëngulja në punë duket qartë edhe në një familje karakteristike )çame që pasqyrohet bukur në fq 28-29 me shkrimin e z. Julia Gjika me titull: Një ishull Çam në Dueville të Italisë”. z. J.Gjika na përshkruan me detaje peripecitë e jetës të një familje çame, persekutuar nga shovinstat grekë nga 1925-1944, nëpërkëmbur nga komunizmi enverian shqiptar 1945-1990 dhe ringjalljen në ditët e sotme në Itali. Këtu fillon me mikëpritjen karakteristike çame. Njohja ka nisur më 1979, kur babai i pesë djemve, i paharruari B.Beqiri, jetonte në Shkallnur të Durrësit dhe shkonte në këmbë për të punuar në port, dhe vazhdon ende sot në Itali. Veçse këtu nuk punon asnjë në punë krahu dhe nuk jeton asnjë në shtëpinë e ngritur me purteka. Të gjithë djemtë bashkë me nuset e fëmijtë e tyre, mbasi kanë përfunduar studimet e larta punojnë si ingjinera aeronautike, mjekësi pedagogë fizike, arqitekt e pronarë restaurantesh deri në Gjermani dhe jetojnë në pallate tre katshe të tyre.

Dhe gazeta Illyria që nga faqja e parë udhëzon se në faqet 24-25, Shqiptaret e NY dhe Njy Xhersit, përkujtuan me dhëmbshuri 27 Qershorin -Ditën e Genocidit Grek ndaj Shqiptarëve të Çamërisë .Këtu e vlen për të shtuar se edhe në Detroit, Çikago, Filadelfia e Nju Xhersi, Çamët bashkë me shqiptarët nga të gjitha trojet, nën organizimin e degëve të Organizatës Shqiptaro Amerikanët nga Çamëria u mblodhën dhe përkujtuan kete ditë të Paharrueshme.

Në Shqipërinë Nënë u organizuan shumë manifestime paqësore, kuptimplota për ata që duan ti kuptojnë hallet e Çamërisë Martire. Marshimin vjetor në Qafë Botë-kufirin anti ligjor që ndan Çamërinë nga trojet e tjera Shqiptare, të organizuar e drejtuar nga Shoqata Çamëria dhe PDIU, sivjet e nderoi edhe pjesëmarja e delegacioni të VATRES së Shqiptarizmës, që gjatë 100 vjetëve të sajë , nuk e ka harruar Çamërinë.

Por keto manifestime paqesore pe respekt të të Drejtave Elementare të Njeriut të njohura ndërkombëtarisht, Greqia e pocaqisur, e mbajtur nga ato fuqitë europiane që e krijuan artificialisht para 150 vjetësh, nuk i pranon, megjithëse nuk ka as fuqi të qëndroi në këmbë sot, duke ju lutur ayre që ende nuk i kuptojnë padrejtësitë e shkuara?!

Dhe shëmtimi më i madh i sajë qëndron në faktin se këthen mbrapsht në kufi, ata shqiptarë çamë që kanë lindur në shtëpiat e tyre atje, të dëbuar kur ishin ende 3-4 muaj dhe sot janë 67 vjeçarë. Dhe motivi që i shkruajnë për moslejimin:”qenkan të rrezikshëm për sigurimin ne zonën e Shengenit të Europës”??!!

Ndërsa vjet në shtator, me “këtë 67 vjeçar” u mallëngjyem pamasë kur një shqiptare e krishterë në Pargë, Vasilika, mbante mend se si shoqja e sajë ngushtë Qamileja, qante kur kujtonte të vellain e vrarë nga grekët shovinista më 1944 dhe kishte lënë gjallë një fëmijë 3 muajsh. Ky pra 3 muajsh, që vjet qau bashkë me Vasilikën për tmerrin që ka hequr, sivjet u bëka i rrezikshëm për BE??!! Ky, Dr. Tahsin Demi, i shumë nderuar dhe i ftuar për referime shkencore në të gjitha vendet e Europës!!

Qëndrime të tilla mesjetare janë jo vetëm pakuptim, por bëhen edhe më acarruese kur një rrugaç, palodiplomat grek ulërin në mes të Shqipërisë se Korça është vorioepir, prandaj korçarët duhet të rregjistrohen si grekë, dhe ay nuk kapet për xhele e të shporret jashtë, por organet shqiptare heshtin me paturpësi dhe me mungesë të plotë dinjiteti, heshtin përsëri kur një qytetar shqiptar me të drejtën e vizave shengen(që kakariset qeveria shqiptare), nuk u lejoka te hyj në Greqi ku ka lindur, jo për faj të tijë!!

Nuk më mbetet tjetër, veçse po kujtoj se çfarë është shkruajtur, para disa vitesh, nga analisti i Problemeve Ballkanike, njohës i shkëlqyer i Ballkanit, Prof. James Petifer, në një Studim të Institutit të Krizave pranë Ministrisë së Mbrojtjes Britanike. Midis të tjerave nënvizon:

“.... është më mirë të studjohet një problem kur ka ende mundësi për zgjidhje reformatore paqësore, sesa të presësh deri sa të ketë një konflikt fizik, pastaj duhet të mendosh për planet ushtarake e shumë gjëra të tjera. Dhe sidomos nga pikëpamja ushtarake, një konflikt mbi Çamërinë mund të jetë shumë serioz, pasi është në brigjet e Adriatikut, është pranë Korfuzit që është pjesë e rëndêsishme e ekonomisë greke, një ishull strategjik, dhe sipas disa ekspertave, është një luftë e lehtë për tu zhvilluar. Kjo sepse zona e Çamërisë është shumë e egër si territor dhe do ishte mjaftë e lehtë për grupe të vogla personash të operojnë aty dhe në të kundërt do të ishte shumë e vështirë për operacione ushtarako policore. Vetëm një shenjë e vogël trazirash në Korfuz, do të kishte efekt drastik për industrinë e turizmit në Greqi. Këto janë disa nga arësyet pse një konflikt në Çamëri do të ishte shumë i rrezikshëm dhe i vështirë për tu
kontrolluar.”

S.Bollati, 
New York, 2 Korrik 2011

July 2, 2011

Dëshmi të masakrave ndaj popullsisë Çame

GENOCIDI GREK NDAJ POPULLATËS ÇAME

Fjalim nga prof. Mërgim Korça në përkujtimin e 67 vjetorit të Genocidit grek ndaj Shqiptarve të Çamërisë në Michigan. 2011.

Të nderuar bashkatdhetarë, Zonja edhe Zotërinj,

Të mbledhur siç jemi sot për t’a rikujtuar me dhimbje në zemër dhe lot ndër sy atë që me plot të drejtë është quajtur GENOCIDI GREK NDAJ POPULLATËS ÇAME, nuk kam si të mos e filloj fjalën time me falënderimin ndaj organizuesve të këtij tubimi, drejtuesve të Organizatës Shqiptaro-Amerikane Çamëria, të cilët më nderuan duke më ftuar të mbaja edhe unë një fjalë me këtë rast.
Dua t’a filloj këtë bashkëbisedim duke shtruar një pohim madhor të nobelistit indian Rabindrand Tagora i cili ka pohuar se : “Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e kaluara duke e ndërtuar të tashmen, nuk ka se si të ketë të ardhëshme.  Ai ësht’i destinuar të zhduket”.   E nisa fjalën pikërisht me këtë pohim madhor sepse e ndjej të nevojëshme, ndërmjet disa paralelizmave, të vij duke e ngushtuar rrethin e të hedh dritë mbi fakte si edhe të vërteta historike të cilat kombin tonë e kanë goditur herë pas here  e madjé edhe rëndë !
Ësht’e vërtetë që sot jemi tubuar të përkujtojmë genocidin grek ndaj popullatës Çame të ushtruar në mënyrë të skajëshme përgjatë periudhës kohore mes viteve 1913 deri më 1944.  Por unë nuk do të hyj e t’ju rikujtoj fakte e dëshmira të pafundme trashëguar nga bashkëkohësit e atyre viteve gjakatare, të shpëtuar gjallë e që me dëshmit’e tyre emrore si për fshatra të djegur e gjithashtu me lista emrore viktimash të pafundme, e bëjnë sa të trishtë historin’e popullatës çame banuese e atyre trojeve etnike shqiptare, por edhe janë dokumente të pashlyeshme për t’a gjykuar shkencërisht atë periudhë historike të kombit tonë.  Të gjitha këto, të mbledhura e të dokumentuara, përbëjnë arkivin që eventualisht do të duhej t’u paraqitet si organizmave ndërkombëtare e gjithashtu edhe vetë drejtuesve të Greqisë. Mirëpo pikërisht këtu fillon e keqja e madhe:  Shteti Grek, nëpërmjet drejtuesve të tij nuk pranon asnjë ballafaqim historik shkencor lidhur me problemin çam.  Këtu tashti edhe ajo Nyje Gordiane e problemit çam që unë dua të analizoj dhe ku dua sado fluturimthi t’ua paraqis juve, të nderuar bashkatdhetarë gjëndjen, shanset, interesat e ndërsjella si edhe gabimet e vërtetuara e që po vazhdojn’e vërtetohen akoma sot nga ata që u ka rënë për pjesë t’a trajtojnë problemin Çam!  E pikërisht që ata gabime të mos përsëriten më ... po vazhdoj me këtë analizë.
     
     ZANAFILLA E PROBLEMIT GENOCIDI GREK NDAJ POPULLATËS ÇAME

Në parim ka edhe studjues grekë si p.sh. zonja Elefteria Manda ose zoti Jorgos Margaritis që krimet e pashëmbullta si edhe çpopullimin e territoreve çame i kanë krahasuar me genocidin nazist ndaj hebrenjëve!  Kjo pak por e saktë.  Ata janë mbështetur në pohimet e tyre duke e marrë zanafillën  tek masakra e pabesë e 72 krerëve të Çamërisë nga famëkeqi kapiten Deli Janaqi tek përroi Selanit në Paramithí, e duke vazhduar me ligjin famëkeq të Reformës Agrare q’e ligjëroi plaçkitjen e trojeve çame nga ana e grekëve !  Si u realizua ai plan djallëzor dhe ato troje shqiptare u bënë pré e tyre ? Plumbi, hanxhari si edhe zjarri qenë faktorët fillestarë si edhe parakushtet vendimtarë q’e sheshuan rrugën për shpërnguljet masive të popullatës Çame në tokat e shkreta të Anadollit ! Vazhdimi nuk qé gjë tjetër veçse zbatimi i t’ashtuquajturës reformë agrare e emërtuar “apallotriosis”, që në shqip do të thotë “TJETËRSIM” !
Po nga ana statistikore si qëndron çështja ?  E theksova që në hyrje se nuk do të hyj në hollësira por veç do të trajtoj parimet si edhe përvojën që duhet nxjerrë, por sa për t’ju dhënë një idé rreth gjakderdhjes shoqëruar me shpërngulje masive të dhunëshme mund të pohoj se, mbështetur në dokumenta historike autorësije greke të P. Aravantinos-it të shekullit XIX-të, raporti i popullsisë Çamërisë paraqitej si vijon:  97.3% popullatë shqiptare dhe 2.7% greke.  Mendoj se vetë shifra e thatë bën që logjika e ftohtë bën të kuptohet pse autoritetet greke si qeveritare, e pastaj mbas tyre edhe shkencëtarët konformistë historikë, kategorikisht i shmangen ballafaqimit !  

EGOIZMI I FUQIVE TË MËDHA DHE RRJEDHOJAT QË KONKRETISHT PASUAN

Ndalemi tashti dhe e shikojmë me mbrapavështrim situatën nisur nga si u krijuan kushtet historike që grekët ndoqën këtë rrugë krimi djallëzore që gjëndja arriti këtu ku është !  Së pari dhe mirëfilli, duhet t’a kemi të qartë se sa herë që të drejtat tona kanë pas qenë nëpërkëmbur, ose edhe kur kemi pas qenë ndihmuar nga Fuqit’e Mëdha, asnjera syresh nuk na e ka pasë blatuar këtë “për hatër tonin”, as edhe mohuar për “inat ndaj nesh”.  Jo, të nderuar bashkatdhetarë.  Gjithmonë ka qenë në mes interesi i secilës fuqi vënë në plan të parë !  Marr shkas me këtë rast t’a sjell në plan të parë pohimin madhor të humanistit mëndjendritur Baba Rexheb-it i cili pohonte se “Kur egoizmi madhor i kalon kufinjtë personalë dhe shtrihet në atë shtetëror, ballafaqohemi me të këqija të pamenduara nga mëndja e njeriut”!   I analizojmë tashti nga ky këndvështrim interesat e ndryshëme shtetërore të asaj kohe që e çuan njerëzimin drejtë Luftës së I-rë Botërore.
   Konferenca e Londrës e 1912-1913-tës vetëm se ballafaqoi e kundërvuri projektet kolonialiste sllavo-greke ndaj projektit etnik shqiptar. Cili ishte qëndrimi i fuqive të mëdha ?  Interesat e fqinjëve tanë territorialë, interesa këto kryekëput grabitqare dhe kriminale të tyre, u mbështetën nga Franca si edhe Rusia.  Lind natyrshëm pyetja përse Franca e mbështeste politikën ruse? Sepse Franca e donte nga ana e saj përkrahjen e Rusisë nga që e kishte si kundërvënje Gjermanisë, (me të cilën ndante pjesë të madhe kufiri territorial të sajin), dhe Austro-Hungarisë.  Po kjo e fundit ç’qëndrim mbante?  Ishte e vetmja që na doli zot sepse interesat kundra-ruse të saja bënë që ajo t’i mbështeste interesat shqiptare.  Kurse Rusia, jo vetëm për interesat e saja pansllaviste që kishte, por për vetë objektivin e saj të kishte mbështetje për të dalë në Mesdhé, automatikisht ishte kundra formimit të një shteti të pavarur shqiptar !  Nuk kam tashti se si mos t’a përqëndroj vëmëndjen tek Anglia, (të cilën, falë politikës së saj, atdhetari i shquar Patër Gjergj Fishta e kishte quajtur, -më falni- KURVA E MOTIT), duke e sjellë këtu pohimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Anglisë Sir Edward Grey, i cili integralisht pohonte: “... Objektivi kryesor i konferencës, (së Londrës – M.K.), ruajtja e marrëveshjes dhe mirëkuptimit mes Fuqive të Mëdha, u arrit ...” !   Simbas opinionit tim modest, pikërisht ajo barazpeshë nuk u arrit !  Ajo konferencë famëkeqe qé zanafilla e atij genocidi barbar grek kundra popullatës etnike Çame si edhe atij sllav kundra etnísë Shqiptare veriore, ku fuqit’e mëdha bënin sehir duarkryq shitjen e interesave shqiptare, ndërlidhur këto me krime e masakra të paimagjinueshme, për t’ashtuquajturën barazpeshë ndërkombëtare në viset ballkanike !
Duke vazhduar tashti i përqëndruar në temën që sot trajtojmë, genocidin grek ndaj popullatës Çame, kërkoj mbështetje edhe tek humanisti si edhe letrari e kritiku i shquar shqiptar, Faik Konica, i cili i qé drejtuar asokohe kryeministrit të Britanisë Madhe duke i thënë qart’edhe shkoqur se “... Ne, shqiptarët, kemi frikë vetëm nga grekët, me qenë se ata kanë një armë të hatashme, shumë të fortë, DINAKËRINË !” 
Po historia çfarë provoi?  Mospërfillja si edhe nëpërkëmbja e interesave shqiptare në Ballkan, jo që nuk solli barazpeshë ndërkombëtare në këto krahina si edhe më gjerë, por vetëm se solli ngatërresa, ndërlikime ndërkombëtare e asgjë më shumë.
    Cili ish themeli i Luftës së Parë Ballkanike ?  Sërbia e Mali i Zi nga Veriu si edhe Greqia nga Jugu, kishin si objektiv ndarjen mes tyre të territoreve etnike banuar historikisht nga shqiptarë !  Ja, kjo e gjitha me pak fjalë !  Edhe vetë shpërthimi në vazhdim i Luftës së I-rë Botërore, si pasoj’e vrasjes Franc Ferdinandit në Sarajevë, e fakton tensionin e krijuar në Ballkan !

NJË VËSHTRIM RRETH MJEGULLNAJËS VITEVE 1941-1944 SI EDHE NË VAZHDIM

Nacionalistët shqiptarë “en block”, kishin të njajtat pikëpamje si edhe qëndrime ndaj politikës greke lidhur me popullatën çame.  Edhe kjo pak por e vërtetë si drita e diellit.  Bilé në rezolucionin e Mbledhjes së Mukjes të datës 1 Gusht 1943, pika “2” e vendimeve të marra formulohet si pason:
2: Luftë për një Shqipëri indipendente, për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vendosjes së popujve, për një Shqipëri etnike. 
U hedhim një sy zhvillimeve në dy anët e kufirit shtetëror Shqiptaro-Grek.  Shteti Shqiptar u garantonte të gjithë banorëve "grekofonë” jo vetëm lejimin e përdorimit të gjuhës së tyre por edhe shkollimin në po gjuhën e tyre greke.  Këto doemos mbështetur në konventat ndërkombëtare. Bilé gjatë regjistrimeve të popullatës ata njiheshin si banorë shqiptarë por me kombësí greke.  Kurse nga ana tjetër e kufirit, jo që nuk u lejohej çamëve ORTHODOKSË të flisnin shqip, pa lé të kishin shkollat e tyre në gjuhën shqipe.  Por kulmi është se ata edhe sot as nuk i kanë të drejtat e tjera qytetare si vendasit grekë !(???)  Përgjatë kësaj hullíje nuk kanë se si të mos përmënden dhe qëndrimet e P.K.Sh. gjatë luftës dhe pas saj:  Fillimisht përplasja fytyrës Enver Hoxhës nga ana e Miladin Popoviçit i rezolucionit Konferencës Mukjes dhe mosnjohja në vazhdim, me urdhër të po Enver Hoxhës, të atij rezolucioni.  Vlerësimi fillimisht si heroik i luftës së Batalionit Çamëria në L.N.Çl. i komanduar ky nga komandanti Rexho Plaku, e në vazhdim fillë pas “çlirimit”, dy burgosjet e Rexho Plakut si edhe internimet e tija familjarisht për 27 vite me radhë ! Pa le servilizmi ndaj shtetit grek ku jo vetëm që nga njera anë sajohet e fryhet komploti absolutisht i paqenë i gjoja grupit çam të Teme Sejkos, e nga ana tjetër përfaqësuesja e minoritetit grek Vitori Çuri emërohet zv/kryetare e Kuvendit Popullor.  Kaq, sado fluturimthi, rreth së kaluarës.
Hedhim tashti dritë rreth zhvillimeve të sotme në Greqi sa i takon asaj pakice çame orthodokse krejtësisht e “paqenë dhe e asimiluar”.  As ndihet se ësht’e gjallë, kurse tek ne në Shqipëri jo vetëm që kemi Krye-Peshkopin puro grek, por ai po na ndërton kisha greke orthodokse edhe në Peqin ose Kukës ku historikisht nuk ka patur asnjë herë këmbë orthodoksi !  Pse ?  Fare e thjeshtë.
  Që në të ardhmen, (ç’janë disa dhjetvjeçarë para historisë shekullore), Greqija të ketë “dokumenta arkeologjike” lidhur me etnicitetin e trojeve greke aty ku shqiptarët pretendojnë autoktoní !  Nga ana tjetër refugjatëve u bëjnë trysní dhe vetëm marrja nga ana e tyre e nënshtetësisë greke i bën pastaj të rregullojnë një farë standardi jetese në Greqi.  Pale që brënda Shqipërisë i propozojnë gjithsecilit, mjaft të nënshkruajë, të marrë pensjon pleqërie grek, (pa pasë punuar një ditë për person, pa le institucion, grek !(?)
Po  nga  ana  e  jonë  e  barrikadës çfarë po ngjet?  Një papërgjegjësí e skajëshme sa u takon qëndrimeve me Greqinë si edhe më gjerë.  Jo vetëm që pranohet të hapen shkolla e universitete greke në Shqipëri, por edhe kur Presidenti i Greqisë pati deklaruar publikisht  se nuk ekziston problem çam, si Presidenti Mojsiu edhe Kryeministri Nano:  Heshtën në tribunë në syt’e tij si edhe të popullit që dëgjonte !(?) Nuk mjaftoi kjo por në vijim të kësaj hullíje, ministrja e Jashtëme e Greqisë, zonja Dora Bakojannis bën të pamundurën dhe mundohet t’a ndalojë vizitën e Presidentit Karolos Papulias të shkojë në Shqipëri me rastin e inaugurimit të Kolegjit ARSAKEJO?  Përse?  Sepse u trembej demonstratave eventuale çame!

Po qeveria jonë ?  Në vënd t’u qëndrojë pranë refugjatëve tanë në Greqi, t’i ftojë të votojnë në Atdhe, etj., me mosinteresimin e saj praktikisht i shtyn të marrin kartën e homogjenitetit greke e cila u krijon lehtësira si qytetarë grekë.  Dhe kulmi është kur gjatë vizitës së tij zyrtare në Prishtinë ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë Zoti Edmond Haxhinasto deklaron “... Bashkimi kombëtar i popullit shqiptar, apo lëvizja e kufijve, ësht’e dëmshme si idé për shqiptarët dhe si veprim për rajonin.”

E keqja është se përgjatë diktaturës i u ra fyellit për dyzet’e shtatë vite me radhë lidhur me internacionalizmin proletar e ajo periudhë kohore gjysëmshekullore e shojti krenarínë tonë kombëtare ! Prandaj jam i mendimit se orientimi më i dobishëm i shtetarëve tanë duhet të jetë t’i  nuhasin e pastaj edhe t’i shfrytëzojnë sa më në interes të kombit rrethanat kur interesat tona kombëtare përputhen me ato të më të mëdhenjëve !
     Për këtë qëndrim kanë nevojë sot Shqipëria, Kosova si edhe problemi çam, përbërësit e problemit të përgjithshëm kombëtar !
                                                                                             Mërgim Korça
                                                                                             Detroit – Michigan
                                                                                             26 Qershor 2011

July 1, 2011

ORGANIZATA SHQIPTARO- AMERIKANE CAMERIA, Dega Michigan - 26 Qershor 2011.

Me rastin e 67 vjetorit -dites perkujtimore te genocidit grek ndaj popullsise shqiptare te Camerise, Organizata Shqiptaro-Amerikane Çameria organizoi nje tubim perkujtimor ku moren pjese atdhetare nga te gjitha trevat shqiptare. Takimi u hap nga zonja Entela Kaba e cila recitoi nje vjershe nga poeti Bilal Xhaferri per Çamerine. Me pas te pranishmit i pershendeti imam Shuaib Gerguri. Fjalen e hapjes e mori z. Arjan Rexha kryetari i Organizates Shqiptaro-Amerikane Çamëria ne Michigan ku pershendeti te pranishmit ne kete tubim the theksoi se bashkimi i diaspores per te kontribuar ne zgjidhjen e ceshtjen came eshte vendimtare per te arritur ne sensibilizimin e kesaj ceshtjeje ne nivelet ligjore e politikberese amerikane. Ai permendi se ne homazhet e kryera ne Shqiperi moren pjese shume atdhetare nga te gjithe anet dhe ky eshte mesazhi i yne qe duam te shperndajme edhe ketu ne diaspore. Pra mesazhin per bashkim. Me pas ai ftoi te gjithe te ngrihen ne kembe dhe u mbajt nje minute heshtje per te perkujtuar viktimat e pafajshme te genocidit grek ndaj popullit shqiptar cam nga krahina e Camerise.

Per te pranishmit u shfaq dokumentari “Endrra e Çamerise” dhe recitimi i Mirush Kabashit “Trendafilat e Çamerise” ku u pasqyruan edhe njehere te fresketa ata krime te pashembullta te kryera nga shovinistet greke ndaj popullsise se pambrojtur Shqiptare came.,si dhe dy kronika nga ngjarjet e fundit ne ndalimin e disa pjestareve te komunitetit cam nga ana e policise greke ne kufiMe pas prof. Mërgim Korça pershendeti Organizaten Shqiptaro-Amerikane Çamëria dhe vuri theksin ne aspiratat e kombit Shqiptar ne vite dhe ecurine e ngjarjeve dhe politikes se djeshme dhe te sotme nga ana e fuqive te medha. Gjithashtu veprimtari z. Luigj Gjokaj tha se ata qe sot mendojne dhe punojne per bashkimin kombetar jane njerezit qe e duan me te vertete kombin Shqiptar dhe se ceshtja Came eshte nje nga pjeset me dhimbshme te kombit tone qe sot kullon gjak dhe pret zgjidhje.
Me pas folen, z. Preng Camaj i cili theksoi se duhet punuar nga te gjithe ketu ne Amerike qe te mund te sensibilizojme politiken Amerikane per problemin çam; Dr. Asqeri Guri duke falenderuar Organizaten Çamëria dhe uruar suksese perkujtoi ate tragjedi qe mbahet mend si me e dhimbshmja. Ata bene thirrje te fuqishme per ngritjen e zerit nga diaspora per zgjidhjen e kesaj ceshtjeje. Gjithashtu fjalen ne tubim e mbajten z. Skender Isaku, z. Gani Vila, drejtor i ALBTV ne Michigan, z. Tony Nua Ivanaj, veprimtaret e organizates z. Omer Murati znj. Xhuliana Spiro etj. Te pranishem ishin edhe 3 televizionet shqiptare te Michiganit (ALBTV USA) (ILLYRIA) dhe (ACTV) te cilet kane pasqyruar kronika nga takimet dhe tema për Çamërinë. Prania e bashkeatdhetareve nga te kater anet dhe pjesemarrja e gjere ne kete tubim tregoi edhe njehere se “Cameri eshte ceshtje mbare kombetare” dhe se sot te gjithe jemi Çam.
Pas tubimit, per te pranishmit bashkepatrioti me origjine came, z. Veli Veliu shtroi dhe nje dreke pune ne restorant “Korça” . Ne kete takim mori pjese dhe veprimtari z. Ekrem Bardha ku foli per genocidin ndaj cameve dhe i uroi organizates suksese te metejshme. Ne mes vellezerve dhe motrave u kalua nje pasdite mjaft e bukur. Nuk munguan muzika e mrekullueshme nga krahina e Çamerise dhe gatime tradicionale  Çame.

Organizata Shqiptaro-Amerikane  Çameria

Diaspora Shqiptare në Amerikë përkujton plagët e Çamërisë

Organizata Shqiptaro-Amerikane Çamëria në Çikago përkujtoi 67-vjetorin e orëve vrastare dhe të gjenocidit grek ndaj Çamërisë shqiptare. Në qendrën kulturore shqiptare morën pjesë shumë veprimtarë nga trevat etnike në nderim të kujtimit të orëve ogurëzeza dhe dhunën që ushtruan forcat ushtarake greke dhe politika e egër e kohës kundër Çamërisë.

Tubimin e hapi Safet Rojba, veprimtar i dalluar çam dhe dëshmitar i orëve vrastare të Çamërisë. Ky veprimtar ishte vetëm dhjetë vjeç kur e pa me sytë e tij tërë kalvarin e vdekjes dhe të skenave të masakrës dhe të dëbimit të çamëve nga toka e tyre. Edhe këso kohe, me peshën e emocioneve, ai ngriti zërin e arsyes duke u shprehur se “para syve të Europës demokratike, ata që na vranë dhe na dëbuan, as sot nuk na lejojnë që të vizitojmë tokën tone”. “Ka ardhur koha” tha Rojba “që institucionet e shtetit shqiptar dhe institucionet relevante ndërkombëtare të prira nga SHBA-ja një ditë të vënë pikë zgjidhjes së problemit të Çamërisë”.

Në tubim gjithashtu foli Rasim Bebo, i cili duke elaboruar rrjedhat historike të kohës theksoi se Diaspora Shqiptare në Amerikë po e vë gishtin mbi plagën e Çamërisë. Historia e Çamërisë është plotë me dhimbje ashtu si Kosova dikur nëpër kohën tonë të rëndë. Për situatën aktuale, z. Bebo përmendi dhe falenderoi disa patriotë shqiptarë të diasporës që ende e ngrenë zërin për atdheun si Prof. Dr. Eshref Ymeri, Prof. Vedat Shehu dhe Prof. Dr. Përparim Kapllani. Më tej z. Bebo gjithashtu bëri thirrje të mos heshtet më nga qeveria shqiptare kur Greqia thotë që Çamëria nuk ekziston. Pse lejohet Janullatos të bëjë “politikë ekspansioniste” dhe kaq shumë po e gërryen tokën dhe jetën tonë shqiptare e institucionet tona i kanë mbyllur sytë para tij, pyeti z.Bebo. Këtë njeri shpiun që nuk ka aspak lidhje me fenë shpirtërore ortodokse e solli regjimi i Ramiz Alisë dhe të përkrahur nga sejmenet e tij. E kohës, njeriut ndjellakeq Janullatos duhet ti thuhet shko nga Shqipëria! Ai përmendi planet e errëta greke duke i ilustruar me çfarë shkroi historiani grek Nikola Stavros ku “…futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shekullin e 20-të”.

Më pas Jusuf Azemi,veprimtar tashmë pesëdhjetë vjet në shërbim të kombit kishte sjellë me vete Hartën Etnike Shqiptare dhe kërkoi që saherë flitet për çështjen shqiptare dhe të Çamërisë, të shpaloset harta jonë kombëtare dhe në duart tona tërë rrjedhën e drejtë dhe të argumentuar të historisë. Çështja shqiptare në Ballkan ende nuk është zgjidhur. Me proceset e reja demokratike sikur dikush po bënë sehir para syve tanë por Çamëria po del nga pluhuri i harresës politike të kohës. Ajo tashmë po flet e po thërret me një zë të kombit, prandaj duhet të jemi më afër saj, tha z. Azemi.
Për orët e kujtimit të Çamërisë folën shumë veprimtarë tjerë si Ilaz kadriu, Skënder Karaçica, Ilaz Dragovoja, Ilir Ademi dhe të tjerë. Ndërkaq, aktori i komunitetit shqiptar Pajazit Murtishi recitoi fragmente nga poezitë e poetit Naim Frashëri. Kryetari i organizatës në Illinois vijoi duke parashtruar misionin e organizatës dhe theksoi vazhdimësinë e aktiviteteve deri në vendosjen e drejtësisë për çështjen kombëtare të Çamërisë. Në fund u shfaq një dokumentar i realizuar për Çamërinë shqiptare me temë rikthimin Çam.
Organizata Shqiptaro-Amerikane Çamëria

“Çamëria dje dhe sot, sfidat dhe perspektivat demokratike të çështjes çame në shekullin XXI"


Organizata Çamëria zhvillon seminar në New York University

Në kuadër të përkujtimit vjetor të genocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, më datën 25 Qershor 2011, Organizata Shqiptaro Amerikane Çamëria organizoi në ambientet e universitetit të New York-ut një seminar për 27 Qershorin e vitit 1944 ku gjenerali famëkeq Napoleon Zervas ushtroi krime makabre ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare nga krahina e Çamërisë.

Në këtë eveniment që u organizua për çështjen çame dhe sfidat që ka hasur deri në ditët e sotme në arenën ndërkombëtare dhe atë kombëtare, bashkëpunuan Organizata Shqiptaro-Amerikane Çamëria me Forumin Shqiptaro-Amerikan për Demokraci. Gjithashtu kish të ftuar dhe pjesëmarrës nga shumë organizata dhe shoqata shqiptaro-amerikane, intelektualë, patriotë dhe dashamirësqë përbëjnë shoqërinë civile të Komunitetit Shqiptar në Amerikë. Në shenjë respekti u mbajt një minutë heshtje për të përkujtuar ato gra, fëmijë, pleq dhe burra të pafajshëm që u masakruan dhe u dëbuan nga qeveria greke.

Seminarin e hapi sekretari i përgjithshëm i Organizatës z. Sali Bollati, i cili është i mbijetuar këtij genocidi. Ai foli për udhëtimin në kujtesë, historinë dhe kalvaret e komunitetit Çam që nga dëbimi i dhunshëm i qeverisë greke ndaj popullsisë shqiptare nga trojet e tyre e deri në periudhën e regjimit komunist.

Temat që pasuan ishin “Çamëria dje dhe sot, sfidat dhe perspektivat demokratike të çështjes çame në shekullin XXI" dhe “Çamët në politikën shqiptare” ku u diskuta situata aktuale e çështjes çame në vijim të demokracisë nga vitet 90-të deri më sot. Këto tematika u shtjelluan nga zotërinjtë Enkel Daljani dhe Grid Rroji të cilët kanë punuar në organizmat qeveritare të Shqipërisë. Ata diskutuan faktet, problemet dhe arritjet e kësaj çështjeje.

Më pas në këtë tubim fjalën e mbajti kryetari i Organizatës Shqiptaro-Amerikane z. Endri Merxhushi i cili diskutoi qëllimet e kësaj organizate për zgjidhjen e çështjes çame, për ta sensibilizuar atë në publikun Amerikan, dhe në bashkëpunim me organet joqeveritare por edhe me senatorë dhe kongresmenë të ndryshëm që i kanë dhënë interes dhe përkushtim kësaj çështjeje shqiptare si një çështje për të drejtat e mohuara të njeriut. Z. Merxhushi përmendi dhe nevojën për bashkëpunim të plotë me të gjithë organizatat Shqiptaro Amerikane për çështjen kombëtare çame dhe për ta sensibilizuar atë në organizmat Amerikane që të njihet genocidi barbar nga ushtria greke dhe krimet saj por edhe shkeljet e fundit me moslejimin e shtetasve shqiptarë të lindur në Çamëri.

Gjithashtu ai theksoi se seminari u zhvillua në ambiente akademike sepse Organizata Shqiptaro-Amerikane Çamëria ka krijuar një program që ta ngrijë çështjen çame në nivel akademike dhe në organizata hulumtuese për një zgjidhje jokonfliktuale.
Organizata Çamëria ka si parim kryesor të realizojë këto qëllime:
1. Shteti Grek të njohë dhe të japë ndjesë publike ndaj Genocidit barbar të kryer nga Napoleon Zervas në 1944 në krahinën e Çamërisë.
2. Shqiptaret e Çamërisë duhet të gëzojnë të drejtat e njeriut në baze të cilave bazohet me traktatet dhe konventat ndërkombetare e së cilave Greqia është firmëtare.
3. Shqiptarëve në Greqi duhet tu lejohet të hapin shkolla shqipe në Greqi.
4. Shqipëtarëve Çamë duhet tu njihet e drejta e pronësise së tyre në Greqi pa pengesa politiko juridike që i cilëson Çamët si shtetas të padëshiruar.
Këto objektiva si dhe misioni Organizatës Shqiptaro-Amerikane Çamëria janë krijuar për të promovuar dhe ruajtur vlerat e kulturës, historisë, dhe trashëgimisë etnike të Shqiptaro-Amerikanëve nga rajoni i Çamërisë të cilët kërkojnë drejtësi nëpërmjet standarteve demokratike dhe të shtetësisë Amerikane për të dënuar aktet e Genocidit grek të ushtruar ndaj popullit çam dhe të lejojë kthimin e tyre në trojet amtare në Çamëri. Pozicioni kryesor i Organizatës është që me punën që do të bëjnë veprimtarët e saj, do të merret një hap më i madh për zgjidhjen dinjitoze të cështjes çame.
Kjo organizatë zhvilloi edhe tubime të tjera në degët përfaqësuese në shtetet Illinois, Michigan, New Jersey dhe Philadelphia, ku banojnë mijëra pjestarë të këtij komuniteti. Pas 100 vjetë dhune, trysnie, vuajtesh dhe persekutimesh nga qeveria Greke, komuniteti çam mori vetë përsipër fatin dhe çështjen e tij duke krijuar Shoqatën Atdhetare Çamëria, më pas Partinë për Drejtesi Integrim the Unitet që tashmë ka dy përfaqësues në parlamentin shqiptar, dhe organizata të tjera në diasporë. Vlen të theksohet se qeveritë shqiptare paskomuniste e kanë injoruar dhe deri më sot ende nuk kanë ngritur asnjë rezolutë për këtë problem në Parlament.

Organizata Shqiptaro-Amerikane Çamëria