December 24, 2012

Promovohet libri "Çamëria në rrugën e zgjidhjes"


Akademia Diplomatike Shqiptare promovoi sot në Hotel Tirana Internacional  librin "Çamëria - Në rrugën e zgjidhjes", me autor Prof. Dr. Lisen Bashkurti, President i ADSH.
Në këtë promovim libri, fjalën e morri dhe Kandidati për Doktor Shkencas, Alban Përmeti, ku foli rreth karrierës së Profesor Bashkurtit si dhe bëri një analizë të librit "Çamëria - Në rrugën e zgjidhjes".
Më poshtë do të gjeni referatin e plotë:
Kur dija dhe modestia bashkohen tek një njeri
Me autorin e librit “Çamëria - Në rrugën drejt zgjidhjes”, Prof. Dr. Lisen Bashkurtin, punoj prej vitesh në Akademinë Diplomatike Shqiptare. Prandaj, në këtë pasthënie e kam shumë të vështirë të ndaj mendimet e mija për autorin në vetvete nga ato për librin që sapo ka dalë në shtyp. Aq më shumë, kur puna më ka bërë që të redaktoj e të përgatis për shtyp shumë libra, studime, artikuj, referate, parathënie e analiza të autorit, të cilat përbëjnë në vetvete një korpus voluminoz dhe me shumë diversitet, gjithnjë brenda fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë.
Nuk ka asnjë dyshim që Lisen Bashkurti radhitet ndër personalitetet shkencore më të spikatura të trevave Shqiptare, si Arben Puto dhe Ukshin Hoti në shkencat politike, në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomaci. Madje nga fokusi diplomatik bashkëkohor, Bashkurti zë vendin e një studiuesi fondamental për diplomacinë shqiptare. Me njëzet e dy libra shkencor të botuara në disa gjuhë, që përbëjnë një bibliotekë më vete si dhe me qindra artikuj e studime të botuara dhe referuara brenda Shqipërisë, në Ballkan, në vendet Evropiane, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në Kinë autori Lisen Bashkurti qëndron si urë e lidhje midis klasikëve të studimeve tona mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomaci dhe gjeneratës së re që po lind në kohët tona. Për të luajtur këtë pozicion midis kohëve dhe autorëve klasikë e bashkëkohor Lisen Bashkurtin e ka ndihmuar vetë koha kur ai ka lindur, ku është rritur, edukuar, arsimuar si dhe vetë funksionet e misionet politike, diplomatike dhe akademike që ka pasur prej më shumë se tre dekadash.
Unë pajtohem plotësisht me studiuesin e gazetarin e njohur shqiptar nga Kosova, doktor Qani Mehmedin kur thekson se “Lisen Bashkurti është ndër themeluesit e mendimit diplomatik shqiptar”. Veçori e Bashkurtit është se mendimin e tij shkencor nuk e ka fiksuar vetëm në libra e studime të ndryshme, por e ka shpërndarë edhe te gjeneratat e reja diplomatike dhe akademike si dhe e zhvillon vetë dhe përmes Akademisë Diplomatike Shqiptare në dhjetëra projekte shkencore universitare e pasuniversitare në Shqipëri dhe jashtë. Nuk ka sot universitet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kroaci, Slloveni, madje edhe në disa universitete në Itali, Rusi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjetiu ku të mos gjenden mjaft nga librat e Bashkurtit, përmbajtja e të cilëve referohet nga autorë e studiues të njohur ndërkombëtar të fushës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.
Po të mos e njohësh Lisen Bashkurtin, por ta vlerësosh atë vetëm nga korpusi i hulumtimeve e botimeve, nga diversiteti dhe kualiteti i krijimtarisë si dhe nga veprimtaria e tij, mendja do të shkonte se mund të ketë një moshë shumë të vjetër. Në fakt, është intensiteti i tij krijues, hulumtues dhe veprimtaria politike, diplomatike e akademike tejet aktive që të krijon këtë përshtypje. Faktikisht, autori sapo ka lënë pas pesëdhjetë e pesë vjetorin e datëlindjes së tij.
Në korpusin e librave të autorit Lisen Bashkurti bëjnë pjesë tre vëllimet “Historia e Diplomacisë Shqiptare”, monografitë dinjitoze “Identiteti, Imazhi, Diplomacia”, “Krizat Ndërkombëtare”, “Negociatat - Historia, Teoria dhe Praktika”, “Kombet e Bashkuara dhe Rendi i Ri Botëror”, “Organizatat Ndërkombëtare dhe Nismat Rajonale”, “Evropa, Ballkani dhe Sfida e Kosovës”, “Political Dynamics within the Balkan Countries”, “National and European Identity of Albanians”, “Albanian Diplomacy between the Past and the Future”, “Diplomacia Shumëpalëshe dhe Organizatat Ndërkombëtare”, “Mbi të Drejtën Ndërkombëtare dhe Organizatat Ndërkombëtare” etj, të pasuara edhe nga libra, studime e hulumtime për çështje dinamike bashkëkohore.
Në këtë gamë të gjerë krijimtarie shkencore bie në sy integriteti dhe diversiteti njëkohësisht. Integriteti ka të bëjë me fushat e studimeve dhe me ruajtjen e një filozofie dhe metodologjie tërësisht shkencore. Diversiteti ka të bëjë me larminë e tezave që autori hulumton në tërë studimet e tij. E vështruar në tërësi kjo krijimtari shkencore duket si një enciklopedi unike e pandashme dhe njëkohësisht e larmishme. Në këtë enciklopedi zë vend historia, teoria, praktika në mënyrë shumë të pleksur dhe kohezive. Gjithçka duket të jetë pjesë e një axhende personale e Lisen Bashkurtit për ta lënë pas mendimin e tij politik, ndërkombëtar e diplomatik shqiptar për kohët që vijnë.
Duke e njohur nga afër Lisen Bashkurtin mund të them me bindje se është një njeri që preferon dy kualitete të radha në kohën tonë: diturinë dhe modestinë. Bashkurti nuk pranon të bëjë asnjë reklamë, promocion apo promovim formal për librat e tij, në një kohë kur ato janë botuar e ribotuar dhe janë shpërndarë anë e kënd qendrave studimore, akademike e diplomatike kombëtare, Rajonale e ndërkombëtare.
Bashkurti nuk lejon askënd të promovojë dhjetëra tituj e çmime vlerësimi politik, diplomatik dhe akademik nga universitete dhe akademi ndërkombëtare. Ai ka marrë çmimin “Man of the Year” nga ShBA tre vite radhazi, i është dhënë urdhri “International Ambassador” dy vite radhazi, ka marrë urdhrin “American Ambassador”, gëzon çmimin “International Peace Prize” nga Konventa Kulturore Ndërkombëtare, gëzon titullin “Ambassador for Peace” nga Federate Universale e Paqes e OKB, i është dhënë çmimi “Master of Letters”, nga United Cultural Convention, ka marrë çmimin amerikan “President’s Award”, i është dhënë çmimi “Magna Cum Laude”, nga ABI, ShBA, gëzon çmimin “Legion of Honor”, është çmuar me titullin “Leading Professionals of the World”, është zgjedhur “Global Vice President” of Sun Moon Global University - Korea e Jugut, i është dhënë titulli i përjetshëm “akademik” nga Instituti Amerikan i Biografive, Kaliforni, SHBA, foto dhe CV e tij është në Hall of Fame në ShBA si dhe ka edhe shumë çmime e tituj nga shërbimet e tij diplomatike në Hungari, Strasburg e gjetiu.
Bashkurti ka qenë dekan dhe rektor në disa universitete në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë e Serbi. Ka udhëhequr programe master dhe doktorature në Shkup, në South East European University (Tetovë), në International University of Struga (Maqedoni), në Iliria Royal University (Prishtinë), në FON University (shkup), ka lektoruar në shumë universitete në Shqipëri, Rajon, në disa vende të BE dhe në Chikago - Kent College of Law në ShBA, EMUNI University (Slloveni) etj. Bashkurti është pjesëmarrës në shumë forume akademike e diplomatike ndërkombëtare dhe merr pjesë mesatarisht në katër deri pesë konferenca shkencore në vit në të gjithë kontinentet. Bashkurtin dikush e thërret “ambasador”, dikush tjetër e thërret “profesor”, por ai vetë preferon ta thërrasin thjesht në emër.
Unë për shkak të profesionit njoh mjaft detaje të natyrës e punës së tij. Për Bashkurtin“zyra me bibliotekën personale është kalaja e tij”. Atje ai shpenzon jo më pak se dymbëdhjetë orë në ditë. Kur e pyes Bashkurtin për punën hulumtuese dhe botuese që ka bërë dhe për çmimet e nderimet që i bëhen më së shumti nga jashtë se nga brenda, ai thotë se “ato që më kanë ngelur pa shkruar janë shumë më të mëdha sesa ato që kam përfunduar deri tani” dhe më tutje vazhdon “sado që të bësh për kombin e popullin tënd, sërish i ngelemi borxhlinj”.
Ndërsa lidhur me çmimet që i vijnë kryesisht nga jashtë dhe me “heshtjen” nga brenda, ai nuk preferon të flasë fare. Thjesht, preferon të hesht. Ndofta, një nga mendimet e tij më interesante është konkluzioni që ma përmend thuajse çdo ditë se “studiuesit me grada e tituj shkencor nevojitet të lënë pas vepra të shkruara, përndryshe populli dhe koha do u vërë damkën”.
Nga pikëpamja e metodologjisë individuale, Lisen Bashkurti gjithnjë punon disa libra paralelisht, si dhe bën thyerje me punime referatesh, artikujsh dhe parathëniesh e pasthëniesh për libra autorësh nga më të ndryshmit.  Kur unë e pyes për këtë metodë hulumtimi, Bashkurti më thotë se “kjo më ndihmon për thyerje, për larmi e diversifikim të mendjes, të frymëzimit dhe të stilistikës”. Përveç asaj, “të punuarit paralelisht të disa librave, thekson Bashkurti, më bën që të plotësoj dhe të rikonsiderojë punimet në proces e sipër”. Ai me të drejtë më përsërit shpesh në punën e përditshme se “koha e sotme ka dy tipare në kontekstin e dijeve: ka një fluks të jashtëzakonshëm dijesh dhe informacioni si dhe ka një dinamikë ndryshueshmërie e zhvillimi të pakrahasueshme”. Për këtë arsye, Bashkurti vë në dukje, që “në kohët tona nevojitet tempo ritëm shumë i lartë në punën hulumtuese e botuese, sepse, siç thekson ai, “koha, fluksi dhe dinamika ta zhvlerësojnë studimin akoma pa e parë dritën e botimit”. Në mënyrë metaforike, Bashkurti më thotë shpesh se “ajo që sot duket dije e kohës, nesër në mëngjes është jashtë kohës”.
Duke iu rikthyer librit “Çamëria - Në rrugën drejt zgjidhjes” mund të them me bindje se është nga monografitë shkencore më të mira të autorit dhe padyshim studimi më i plotë dhe më i arrirë për subjektin në fjalë. Libri në fjalë është një studim vertikal që hyn thellë në historinë e popujve të Rajonit tonë dhe në historinë e popullit shqiptar. Bashkurti e nis analizën shkencore në thellësi historike dhe në gjerësi gjeografike, arkeologjike, antropologjike, gjuhësore e kulturore. Dukë pasur parasysh që historia e popujve të Rajonit është shumë komplekse dhe e pleksur në shumë aspekte ndërmjet popujve, Bashkurti me një zhdërvjelltësi shkencore unike depërton në shekuj dhe vjen ngadalë duke konturuar gradualisht elementët e dallimeve dhe të diversifikimeve që ndodhin në Rajon shekuj me radhe nën ndikimin e faktorëve madhor të dinamikave botërore.
Duke iu afruar kohëve kur posedohen më shumë akte dhe fakte, dokumente e libra të shkruar, Bashkurti analizon në mënyrë shumë të balancuar autorët shqiptar, Ballkanik dhe të huaj për gjithçka që lidhet më zhvillimet në Rajon, e duke u ngushtuar drejt hapësirave që përbëjnë harkun e tezës së monografisë së tij mbi “Çamërinë”.
Është për t’u vlerësuar shumë fakti se autori i librit, Lisen Bashkurti bën përpjekje shumë serioze që të shmangë si mbivlerësimin e autorëve shqiptar ashtu edhe nënvlerësimin e autorëve të huaj. Bashkurti nuk mbiçmon Kombin Shqiptar dhe nuk nënçmon asnjë komb në Ballkan. Sipas tij “asnjë komb nuk mund të ngrejë lumturinë e vet mbi fatkeqësinë e kombeve të tjerë”.
Bashkurti analizon me shumë kujdes autorët grek dhe rajonal si dhe shumë fakte e dokumente që vijnë nga jashtë brenda. Këtë e bën me qëllim që të konsiderojë çdo mendim e analizë lidhur me Çamërinë dhe çamët dhe në një kontekst më të gjerë marrëdhëniet midis shqiptarëve, grekëve, serbëve, turqve, italianëve, austro-hungarezëve dhe fuqive të ndryshme me ndikim të madh ndërkombëtar e Ballkanik. Natyrisht, kërkohet një dije dhe kulturë e gjerë paraprake për të depërtuar në sintezat e deduksionet e ngjeshura që autori arrin herë pas here në librin e tij.
Interes të veçantë paraqesin kapitujt kur Lisen Bashkurti nis të analizojë thellësisht ngritjen e nacionalizmave në Ballkan, Krizën Lindore, evenimentet ndërkombëtare që e pasuan atë, ngritjen e fuqive të reja dhe rënien e shpërbërjen e fuqive tradicionale si dhe impaktet që këto dukuri ndërkombëtare sollën në popujt dhe vendet e Ballkanit. Sipas Bashkurtit, Ballkani mori epitetin “Fuçi Baruti”, jo për shkak të shqiptarëve, të cilët nuk kanë pasur asnjëherë nacionalizëm territorial, nuk kanë aplikuar spastrime etnike, nuk kanë bërë gjenocide e krime masive ndaj popujve fqinj dhe nuk bartin në filozofinë e tyre fobi ndaj popujve përreth.
Bashkurti thekson qartësisht se shqiptarët kanë filozofinë “duaje fqinjin si veten tënde”. Kjo filozofi e vjetër sa populli shqiptar është në akordancë të plotë me parimet e së drejtës e të marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilat theksojnë se politika e jashtme fillon dhe mbaron me politikën fqinjësore. Në këtë dimension të politikës së jashtme krijohen ose limitohen mundësitë e paqes, sigurisë, stabilitetit, demokracisë dhe të vetë zhvillimit ekonomik e social. Problemet, tensionet, krizat dhe konfliktet ndërfqinjësore i bëjnë dëm të jashtëzakonshëm çdo vendi të përfshirë në to dhe gjithë Rajonit që i bart ato.
Ndër konkluzionet që tërheq shumë vëmendjen nga autori është argumenti bazuar në fakte, akte, dokumente dhe autorë shqiptar, grek, italian, francez, anglez etj., që marrëdhëniet ndërfqinjësore shkojnë përpara drejt pajtimit, afrimit, besimit dhe miqësisë vetëm nëse problemet e trashëguara ose të krijuara rishtazi vihen në tryezë për të gjetur zgjidhjen relevante politiko-diplomatike. Shtyrja e problemeve thekson Bashkurti krijon probleme akoma më të komplikuara ndërfqinjësore, sikundër fshehja e tyre prodhon tensione të herë pas hershme me pasoja negative për palët veç e veç dhe për tërë rajonin përreth.
Lisen Bashkurti, me librin “Çamëria - Në rrugën drejt zgjidhjes” nuk analizon ndonjë tabu tanimë të paprekur në shkencat dhe në politikën shqiptaro - greke. Për Bashkurtin nuk ka tabu të paprekshme, por ka vullnete të munguara për t’i trajtuar ato ose ka subjektivizëm e njëanshmëri në analizën e kërkimin e zgjidhjes së tyre. Çështja e Çamërisë, thotë Bashkurti nuk është çështje e një komuniteti të caktuar dhe aq më pak çështje e disa pronave të caktuara. Në radhë të parë, çështja e Çamërisë është dhe mbetet çështje e vënies në vend të dinjitetit kombëtar shqiptar dhe e zgjidhjes së një problemi kompleks të trashëgimisë historike.
“Nuk ka problem pa zgjidhje në marrëdhëniet ndërkombëtare - thekson si konkluzion përfundimtar të monografisë “Çamëria - Në rrugën e zgjidhjes” autori Lisen Bashkurti.Moszgjidhjet vijnë më së shumti nga mungesa e vullnetit për të adresuar problemet. Ikja nga problemet është rruga më e gabuar sado të vështirë të jenë ato. Shmangia nga parashtrimi e zgjidhja e problemeve krijon probleme të tjera në vetvete dhe mbivendosjen e tyre. Adresimi i problemeve i hapë rrugë progresit të mëtejshëm. Shpresoj që ky libër, të cilin ia kam dedikuar Çamërisë - Në rrugën e zgjidhjes”, të jetë në dobi të adresimit të drejtë politik, diplomatik, juridik, pra me mjete tërësisht demokratike e paqësore të çështjes së popullit shqiptar çam. Kjo zgjidhje do të mbyllë një kapitull të madh problematik të trashëgimisë historike të rajonit tonë dhe do të shënojë hapjen e një faqeje të re në miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy popujve më të vjetër të Ballkanit, Shqiptarëve dhe Grekëve. U takon pikërisht këtyre dy popujve, më shumë se të tjerëve në Rajon që të fshijnë nga almanakët e historisë përcaktimin famëkeq, “Ballkani - fuçi baroti” dhe të shkruajnë me shkronjat e tyre të lashta definicionin e mileniumit të ri, “Ballkani -Lëndina e Paqes”.
Natyrisht, me të drejtë autori Prof. Dr. Lisen Bashkurti thekson se ashtu sikundër historia nuk përsëritet tërësisht, po ashtu edhe problematikat e saj nuk zgjidhen plotësisht. Historia jep mësime për t’u konsideruar, por jo zgjidhje mekanike për t’u zbatuar, vë në dukje Bashkurti. Për konsekuencë, konkludon autori i librit, zgjidhja e problemit të Çamërisë kërkon inovacion dhe kreativitet, bazuar në vullnetin dypalësh. Nëse ka vullnet, ka zgjidhje. E nëse ka zgjidhje, kjo mund të arrihet paqësisht nëpërmjet negociatave, arbitrazheve dhe, nëse lind nevoja, edhe nëpërmjet gjykatave.
Libri “Çamëria - Në rrugën drejt zgjidhjes” është jo vetëm një analizë e gjerë dhe multidisiplinore e kësaj çështje të madhe të trashëgimisë historike shqiptaro-greke, por është njëkohësisht edhe një përpjekje tejet interesante instruktive dhe konstruktive për rrugën në të cilën nevojitet të kaloj procesi i vështirë e kompleks i çështjes Çame. Gjithashtu, libri është një kontribut i vërtetë për mënyrën, procedurat, mekanizmat, mjetet dhe instrumentet që kërkohen nga gjithë aktorët e faktorët lokal, kombëtar e ndërkombëtar, politik, diplomatik e juridik për zgjidhjen optimale dhe paqësore të një prej brengave më të mëdha të historisë së popullit shqiptar.    

PhD Kandidat Alban PËRMETI

No comments:

Post a Comment