January 26, 2013

Konvikti Çamëria

Lame Xhama

Nga viti 1928 e deri në vitin 1941 në Sarandë ka funksionuar rregullisht edhe një konvikt me djem, i emërtuar  “Çamëria”. Këtë emër e mori, sepse në të u strehuan dhe mësuan shumë djem nga Çamëria, si nga fshatrat brenda kufijve tanë, ashtu dhe nga fshatrat e qytetet çame jashtë kufirit të Shqipërisë. Në këtë vështrim, emri i konviktit mbart në vetvete dhe  një kuptim patriotik, për t’i treguar botës se Çamëria ka qenë dhe do të mbetet për jetë të jetëve e shqiptarëve. Fëmijët çamë silleshin në konvikt me interesimin e drejtpërdrejtë të Musa Demit, Qamil Izetit e të patriotëve të tjerë shqiptarë nga treva e Çamërisë. Qamili ka punuar edhe si mësues në Sarandë nga viti 1930-1933.

Nxënës të Konviktit Çamëria
Megjithatë, në këtë konvikt vinin edhe  djem nga disa krahina të tjera të Shqipërisë, kryesisht me bursë shteti. Më kujtohet se kishte konviktorë nga Dibra e Madhe,  nga Gjirokastra, Përmeti, Delvina, Kolonja, Zagoria, Këlcyra e nga shumë fshatra të tjera të Labërisë, të Bregdetit e të minoritetit grek, si nga Bolena, Çatista, Erindi, Fushëbardha, Golëmi, Goranxia, Grapshi, Kakodhiqi, Kuçi, etj.  Preferoheshin më shumë djem jetimë dhe të varfër, por dhe djem  nga familje të kamura e patriote çame, që donin t’i shkollonin fëmijët e tyre në gjuhën shqipe dhe me dashuri për atdheun mëmë, sepse  në zonën e Çamërisë përtej kufirit tonë shtetëror qeveria greke bënte propagandë shumë të keqe dhe denigruese për shqiptarët, deri në kërcënime pushtimi të Shqipërisë së Jugut. Pranoheshin dhe konviktorë me pagesë, të prindërve që ishin në gjendje të mirë ekonomike. Me që konvikti “Çamëria” kishte marrë emër të mirë, kërkesat për në konvikt ishin të mëdha nga shumë krahina të Shqipërisë , por kapaciteti  i konviktit nuk lejonte shtimin e shumë fëmijëve. Aty, deri në fund të periudhës kur u mbyll, më 1941, janë strehuar për çdo vit deri në 100 konviktorë.
Çelja e konviktit “Çamëria” është arritur me shumë përpjekje të intelektualëve e të  banorëve të nënprefekturës së Sarandës, të mbështetur fuqimisht dhe nga autoritetet, si dhe nga burrat patriotë të Çamërisë brenda e jashtë vendit. Për këtë janë bërë edhe protesta me shkrim, sepse edhe kur ishte çelur e vazhdonte punën normalisht, në vitin 1932 u bënë  përpjekje për ta mbyllur konviktin. Puna shkoi deri në pritjen e vendimit të Ministrisë së Arsimit. Shovinizmi grek punoi në mënyrë tinzare për mbylljen e konviktit, kur pa se ai u bë një çerdhe diturie e patriotizmi mbarëshqiptar. Por nuk iu arrit qëllimit dhe jeta e puna në konvikt vazhduan normalisht, sepse, fatmirësisht, edhe organet qendrore të arsimit nuk pranuan që ai të mbyllej.
Një nga arsyet  kryesore pse ky konvikt u çel, vazhdoi dhe përparoi për rreth 12-13 vjet, ka qenë edhe puna e lavdërueshme e personelit mësimor, mësues të shkolluar kryesisht në Normalen e Elbasanit, me përgatitje të gjithanshme shkencore e pedagogjike dhe, mbi të gjitha, patriotë të vendosur, që vinin mbi çdo gjë atdhedashurinë. Dhe po ju kujtoj se edhe mësuesit e kujdestarët e konviktit “Çamëria” nuk qenë vetëm nga rrethi i Sarandës, por vinin nga të gjitha krahinat e Mbretërisë. Një pjesë e mirë e tyre janë nderuar vitet e fundit me titujt “Mësues i Popullit” dhe “Mësues i merituar”.
Le t’u prezantoj me shumicën prej tyre, se ndofta tani nuk i mbaj mend që të gjithë. Dua të nënvizoj se personeli mësimor ka qenë i përbashkët për shkollën e konviktin. Disa nga mësuesit kryenin dhe detyrën e kujdestarit të konviktit, njëkohësisht me punën që bënin në shkollë me klasat përkatëse. Kjo ishte veçori e këtij kuadri mësimor.                                                          
Do të vazhdojmë paraqitjen e personelit nga viti shkollor 1931-32, sepse për vitet e mëparshme kemi shkruar më lart. Në shkollë e në konvikt bëhen 7 fuqi mësimore me rreth 260 nxënës, nga të cilët rreth 70 konviktorë. Vazhdon si drejtor Hiqmet Roshi e si kujdestarë Xhelal Berberi dhe unë. Pra, fillova së pari në Sarandë punën si mësues e njëkohësisht si kujdestar konvikti, detyrë që do ta vazhdoja për afër dhjetë vjet pa ndërprerje. Mësues qenë Safet Gjata, Qamil Izeti dhe vijnë të rinj Muhamet Golemi  me bashkëshorten,  Xhemile Golemin.
Në vitin shkollor 1932-33  mbeten përsëri shtatë fuqi mësimore e me atë personel të një viti më parë, sepse shtimi i nxënësve qe i vogël.
Në vitin shkollor 1933-34  shkolla arriti me rreth 300 nxënës, nga të cilët rreth 80 konviktorë, por personeli ngeli përsëri me shtatë vetë. Drejtor emërohet Xhevdet Kofina.  Kujdestar, veç atyre të vitit të mëparshëm,  shtohet dhe Sh. Islami, ndërsa mësues janë çifti Golemi dhe Halim Hodo.
Në vitin shkollor 1934-35 u shtua numri i nxënësve deri 340 dhe bëhen tetë fuqi mësimore. Drejtor emërohet përsëri Sadi Pejani, kujdestarë konvikti mbeten Xhelal Berberi dhe unë, ndërsa mësues Muhamet Golemi, Xhemile Golemi, Shan Zadrima, Sh.Islami e Mesaret Vlora.
Në vitin shkollor 1935-36 nuk ka ndryshime në pozicionin e kuadrit, veç shtohet si mësues Asim Sokoli.
Në vitin shkollor 1936-37, edhe pse numri i konviktorëve arrin në 90 e numri i nxënësve deri 340, kuadri zbret në shtatë vetë, duke u transferuar Asim Sokoli.
Në vitin shkollor 1937-38 kuadri bëhet përsëri me 8 vetë, numri i konviktorëve arrin deri 95. Po kjo gjendje është edhe në vitin pasardhës.
Nga vitet 1939 e deri sa u mbyll konvikti e shkolla për shkak të Luftës, ka pasur luhatje në numrin e nxënësve, ndaj personeli mësimor ka qenë tre deri gjashtë vetë. Drejtor ka vazhduar Sadi Pejani, ndërsa kujdestarët edhe janë ndërruar. Ritheksoj se në fund të vitit 1939 unë u transferova në Konispol si kryemësues.
Konviktorëve në Konviktin “Çamëria” u sigurohej falas nga shteti fjetja, ushqimi, veshmbathja dhe, kuptohet, mësimi dhe edukimi. Mësimet zhvilloheshin në shkollë, bashkërisht me fëmijët e qytetit.
Konvikti ka qenë i pajisur me shtresa e mbulesa të mira e të mjaftueshme, me veshmbathje e ushqim cilësor e të bollshëm, si dhe me mobilie e orendi të përshtatshme. Është me interes të dihet se në shërbim të fëmijëve konviktorë ka qenë një radio dhe një aparat kinematografik pa zë, ku shfaqeshin kryesisht filma mësimorë  për konkretizimin e disa mësimeve, si për mësim natyre, histori, gjeografi etj. Vinin për të parë këto filma mësimorë edhe nxënës të qytetit. Konvikti kishte në pronësi dhe disa mandolina. Me to  ishte ngritur grupi i mandolinatave me 12 veta, që aktivizoheshin në shfaqjet që jepte konvikti e shkolla.
Konviktorët visheshin me uniforma të veçanta, që dallonin nga ato të nxënësve nga qyteti. Secili kishte nga tre kostume, dy të përditshëm, që i ndërronin çdo javë dhe një uniformë festive, që vishej në raste festash apo aktivitete të veçanta. Çdo të diel fëmijët kishin liridalje, dilnin në qytet dhe mbanin uniforma të dallueshme, ku karakteristike qe dhe kapela me strehë. Banorët vendës i dallonin që nga larg dhe kishin shumë simpati e admirim për ta.
Por, ama, dhe dalja e lirë në qytet bëhej e organizuar,  me grupe e përgjegjës për secilin grup, në mënyrë që të shmangej ndonjë ngatërresë apo ndodhi e papëlqyeshme. Dhe që të dilje në qytet, më parë duhet t’i nënshtroheshe një kontrolli në konvikt, që të ishe krejtësisht i rregullt me veshjen, me këpucë të lustruara dhe i pastër e i krehur me kujdes. Shkurt, në konvikt disiplina e rregulli ngjasonin me ato ushtarake.
Të shtunat pasdite bëhej banjë e detyrueshme për të gjithë, ndërroheshin teshat, ndërroheshin çarçafët etj. Të dielën para dite  konviktorët merreshin edhe me një sistemim më të plotë të krevateve, shkundnin dyshekët e batanijet, bëhej një pastrim i veçantë i dhomave etj. Ndërsa mbas dite organizohej studimi i detyrueshëm për të kryer detyrat mësimore për të nesërmen.
Konviktorët ushqeheshin, si rregull,  në tre vakte, mëngjes, drekë e darkë, por shpesh mbas dite u jepej edhe ndonjë ushqim i thjeshtë. Studimi bëhej në dy faza, në mëngjes para fillimit të mësimeve dhe mbas dite, duke arritur deri në 4 orë studim në ditë.
Siç shihet, në konvikt kishte rregulla të rrepta, një disiplinë të fortë, një kujdes të veçantë në të gjitha aspektet. Ndaj dhe përparimi, disiplina e pastërtia kanë qenë shembullore në tërë kuptimin e fjalës. Kjo edhe për faktin se personeli i konviktit ka qenë i zgjedhur me kujdes, me arsim përkatës dhe me ndërgjegje të lartë në punë.
Konvikti ishte i vendosur në një ndërtesë-barakë. Ajo zinte një sipërfaqe goxha të madhe dhe ka qenë ndërtuar, si dhe shkolla, nga ushtria italiane në vitin 1918. Ishte me themele çimentoje, me mure çatma dhe e mbuluar me eternit. Konvikti, në dy godina, gjendej  në krah të kinoteatrit të sotëm të qytetit,  nënë  sheshin që shtrihet para bibliotekës dhe mbi rrugën që kalon te hotel “Butrinti”, në atë kohë selia e Konsullatës Italiane.
Oborri i konviktit ka qenë i vogël, por me pemë të mëdha për hije. Pjesa e sipërme ishte e rrethuar me rrjetë teli të trashë, ndërsa pjesa e poshtme qe lulishte, rreth 40 metra e gjatë e 4 e gjerë. Pemët dhe sidomos lulet e shumta që mbilleshin në kopshtin e sistemuar tërhiqnin vëmendjen e  banorëve, sepse konviktorët tregonin kujdes të veçantë për mirëmbajtjen e oborrit dhe sistemimin e kopshtit me lule. E, megjithatë, oborri e lulishtja nuk qenë të mjaftueshme për rreth 100 konviktorë që arritën në fund të viteve ’30.
                                                Konvikti Çamëria - Grupi e mandolinatave
Edhe pse konvikti ndodhej në qendër të qytetit dhe pranë rrugëve kryesore, jo vetëm që nuk ka shkaktuar asnjë shqetësim për qytetarët, por, përkundrazi, me sjelljen, disiplinën e rregullin që kishte në konvikt, ai u bë një nga vatrat e arsimit, të kulturës e të patriotizmit.
Konvikti “Çamëria”, veç personelit mësimor-edukativ, ka pasur dhe punonjës të veçantë shërbimi. Drejtori e kujdestarët ishin edhe mësues efektivë të shkollës, ku para dite jepnin mësim në klasat përkatëse. Personeli shërbyes ishte vetëm për konviktin. Kështu, kishte kuzhinier e ndihmës, pastruese, rrobalarëse, arnuese e deri këpucar që jo vetëm meremetonte këpucët e konviktorëve, por ishte i aftë të bënte edhe këpucë të reja me porosi. Numri i personelit edukativ ka qenë 3-5, ndërsa i shërbimit 4-5. Të gjithë kanë qenë të kujdesshëm dhe të vlerësuar në punën e tyre.
Si rregull, konviktorët që nuk kishin familje apo ishin të vobektë, pushimet verore i kalonin në vende malore me klimë më të freskët. Për këtë arsye zakonisht i çonin në konviktin e Kolonjës (Ersekës), ku kishte kushte strehimi dhe ushqimi. Fëmijët shoqëroheshin nga mësuesit kujdestarë, që qëndronin me ta gjer në mbarim të periudhës së pushimeve.
Kolektivi mësimor i vitit 1933

Kur konviktorët qëndroni në Sarandë gjatë verës, ose para se të niseshin për në Kolonjë,  shkonin çdo ditë në plazh, në vendin që quhet sot Plazhi i Vjetër. Po dhe aty vendi i pushimit dhe notimit të konviktorëve ishte nën vëzhgimin e mësuesve kujdestarë dhe të nxënësve më të rritur dhe i kufizuar me litarë në gjithë territorin.

Në konviktin “Çamëria” kanë qenë shumë nxënës që më vonë u bënë kuadro të luftës e të punës, disa prej të cilëve ranë dëshmorë, si Ali Demi, Hero i Popullit. Ndër kuadrot kryesore përmendim Adil Çarçanin, Teme Sejkon, Tahir Demin, Hito Çakon, Qamil Buxhelin, Selim Islamin e të tjerë.

No comments:

Post a Comment