July 3, 2013

Përvjetori i masakrës së çamëve - Chameria Genocide Commemoration

Frank Shkreli

Muaji i qershorit është muaji që çamët dhe të gjithë shqiptarët kudo, kujtojnë viktimat e masakrës të vitit 1944, kur forcat e gjeneralit grek Zervës ekzekutuan barbarisht mijëra shqiptarë, kryesisht gra pleq e fëmij, nga Çamëria, pikërisht në qytetin e Paramithisë.
Kjo ishte një prej masakrave më të mëdha dhe më të egra të Luftës së Dytë Botërore, kur forcat greke të gjeneralit Zerva, vetëm brenda një nate, vranë pamëshirshëm shqiptarë të pafajshëm çamë në qytetin e Paramithisë.

A ishte kjo një masakër apo një përpjekje gjenocidi kundër popullësisë shqiptare autoktone çame, është diçka që historianët shqiptarë dhe evropianë duhet të vendosin. Por, ajo që bie në sy, vit pas viti, në lidhje me këtë masakër, është hipokrizia e shtetit grek që mohon si gjithmonë të ketë ndodhur një gjë e tillë, si dhe heshtja e autoriteteve zyrtare shqiptare në lidhje me këtë tragjedi, gjoja për të mos trazuar marrëdhënjet shqiptaro-greke.

Por kujtimi i kësaj masakre, si edhe masakrave të tjera, siç është ajo e Tivarit — është i gjallë anembanë trojeve shqiptare. Këto krime, qartë, janë krime kundër njerëzimit. Si të tilla, ato nuk mund të konsiderohen dhe të harrohen, thjeshtë, vetëm si padrejtësi historike kundër shqiptarëve. Në Evropën e sotme, përgënjeshtrimi i këtyre masakrave dhe mosballafaqimi me të kaluarën, sado e tmershme që të jetë ajo, jo vetëm që pengon demokratizimin e rajonit të Ballkanit, por kërcënon sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe njëkohësisht kërcënon zhvillimin normal të marrëdhënjeve midis shteteve dhe grupeve të ndryshme etnike të rajonit.

Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, zoti Edi Rama, në një intervistë me të përditshmen greke “Kathimerini”, tha se “acari’ në marrëdhëniet tona, mori fund dhe “vera” do vijë përsëri shumë shpejt në marrëdhëniet shqiptaro-greke… Jetojmë në kohë të ndryshme nga disa vjet më parë dhe popujt tanë nuk mund të përfitojnë, nëse nuk ndryshojmë duke ecur me kohën, e cila gjithashtu ecën shumë shpejt”.

Marrëdhëniet greko-shqiptare duhet të bazohen në pranimin e plotë nga ana e Greqisë, të fakteve dhe të pasojave të masakrimit dhe të shpërnguljes me forcë të çamëve nga trojet e tyre autoktone, gjë që do të çonte në një zgjidhje të drejtë dhe të gjithanshme të çështjes çame midis dy vendeve. Kjo duhet të bëhet për hir të marrëdhënjeve të mira fqinjësore dhe duke u bazuar në vlerat dhe marrveshjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, pasi masakra kundër çamëve ishte një përpjekje e tmershme për t’i zhdukur ata nga faqja e dheut, si individë dhe si popull. Kjo është një detyrë solemne e qeverisë së re shqiptare, e të gjithë shqiptarëve kudo, dhe të gjithë atyre që mbështesin drejtësinë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës. Do apo nuk do Tirana zyrtare, shqiptarët kudo në trojet e tyre, jashtë kufijve të Shqipërisë londineze dhe në diasporë, shikojnë tek Tirana zyrtare për mbështetje, si dhe për zbardhjen e masakrave siç është ajo e Çamërisë dhe e Tivarit.

Faktet e kësaj historie, megjithëse të shtrembëruara dhe të mohuara, dihen mirë. Por fatkeqësisht, koha kalon dhe numri i të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të kësaj masakre po pakësohet nga dita në ditë. Prandaj, zgjidhja e kësaj çështjeje nevojitë një ndjenjë të fortë urgjence, si dhe një thirrje të fortë morale për të njohur këtë masakër, pa vonesë.

Greqia dhe Shqipëria janë dy vende me marrëdhënie relativisht të mira. Janë anëtare të NATO-s dhe shpresohet, me anëtarsimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, dy vendet do të jenë pjesë e Evropës së bashkuar, me interesa të përbashkëta ekonomike dhe sigurie. Greqia dhe Shqipëria janë gjithashtu dy vende nënshkruese të konventave ndërkombëtare, të dedikuara ndaj mbështetjes së të drejtave të njeriut dhe ndaj demokracisë dhe stabilitetit rajonal, por mbi të gjitha si anëtare të botës euro-atlantike, Athina dhe Tirana janë gjithashtu të dedikuara ndaj të zbulimit të së vërtetës dhe për të venë në vend të vërtetën.

Ka ardhur koha që Athina të pranojë të vërtetën e masakrës dhe të shpërnguljeve me forcë të popullsisë çame nga trojet e veta. Njohja e së vërtetës çon tek pajtimi dhe së bashku – pajtimi dhe e vërteta – duhet të jenë pjesë integrale e vendosjes së marrëdhënjeve të reja dhe të qendrueshme midis dy vendeve, të bazuara në respektimin e standardeve ndërkombtare për të drejtat e njeriut, si dhe një dinjitetin njerëzor dhe kombëtar, për të cilat u shpreh kryeministri i posa zgjedhur shqiptar.
Pa zgjidhjen dhe përballimin serioz me çështjen çame, deklarata për një gazetë greke e Kryeministrit të ardhëshëm shqiptar Edi Rama — se “acari’ në marrëdhëniet tona, mori fund dhe ‘vera’ do vijë përsëri shumë shpejt në marrëdhëniet shqiptaro-greke…” — nuk besoj se ka ndonjë kuptim. Njohja dhe dënimi zyrtar grek i masakrës kundër çamëve duhet të bëhet me qëllim që të vendoset drejtësia historike, për ata që besojnë në drejtësi dhe për hir të mbarëvajtjes së marrëdhënjeve dy-palëshe. Për më tepër, pasi Shqipëria dhe Greqia janë fqinje dhe dashur pa dashur u duhet të jetojnë së bashku. Ky është realiteti.
Pranimi i masakrës dhe krimeve të tjera kundër popullësisë çame nga ana e Athinës zyrtare, do të ndihmonte në ndërtimin urave të pajtimit midis dy popujve dhe do të forconte paqën, sigurimin dhe begatinë në mbarë rajonin. Angazhimi në një dialog midis dy palëve, mbi këtë çështje, është tepër i rëndësishëm. Mirëpo, që të ndodhë një gjë e tillë, mentaliteti i sotëm grek duhet të ndryshojë, por edhe shqiptarët njëkohsisht duhet të heqin dorë nga amnesia ose humbja e plotë e kujtetesës, me qëllim që harresa të mos bëhet më e keqe se vet krimi.

Në këtë përvjetor të masakrës çame, le të kujtojmë pra kurajon e viktimave si dhe të atyre që mbijetuan atë tragjedi, zëri i të cilëve dëgjohet ende — duke shpresuar që krime të tilla të tmershme kundër njerëzimit të mos ndodhin më kundër shqiptarëve, as nga dora e të huajit, e as nga dora shqiptare, ashtuqë këto krime të tmershme anti-njerzore, racizmi dhe viktimizimi të njerëzve të pafajshëm, të mos harrohen dhe të mos përsëriten më në trojet shqiptare.

No comments:

Post a Comment