July 15, 2014

Hajredin Isufi dhe disa studime te tij

Nga Xhevahir Gradica /

Studiuesi Hajredin Isufi u lind në Çamëri më 1935

Ka kryer studimet universitare në Fakultetin Histori-Gjuhë në Tiranë më 1962
Gjatë periudhës 1964-2013 është marrë me studime për historinë e Çamërisë

Ka botuar “Kryengritja e Kurbinit dhe Dom Nikollë Kaçorri” tek “Studime Historike”

“Politika e shtetit grek për dëbimin e popullësisë çame në vitet 1914-1928 dhe qëndresa  shqiptare” tek “Studimet Historike”.

 “Aneksimi i dhunshëm i Çamërisë nga Greqia dhe lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e saj” (Me bashautor Prof. Dr. Pëllumb Xhufi) tek “Studimet Historike”.

Studiuesi i ka dhënë lexuesve shqiptar, studiuesve vendës e të huaj,gjuhëtarëve, studentëve dy libra shumë të vlefshëm “Dom Nikoll Kaçorri, Feja dhe Flamuri” dhe “Çamëria nëpërmjet kronikave të kohës 1902-1940”.

Në periudhën 1965-1990 bashkëpunëtor me të gjitha organet e shtypit shqiptar duke botuar qindra artikuj për ngjarje historike dhe figura të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare si “Një këngë të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, “
Çamëria, fakte të vërteta dhe të stisura”(replikë me historianin grek, Llambros Baliciotis), “Përgjigje greko-amerikanit (Geixh)”, “Musa Demi dhe qëndresa çame 1800-1947”, “Çamëria, studime historike-sociologjike”, “Roli i Nikollë Kaçorrit dhe klerit katolik në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, “Çështja çame dhe integrimi evropian” (bashkautor).

Në këto 20-25 vite të pasrënies së sistemit komunist në Shqipëri çdokush i interesuar ka pasur mundësi të lexojë e të mësojë shumë të dhëna nga historia mes tjerash edhe për figurën e Dom Nikollë Kaçorrit apo edhe për Çamërinë. Kanë folur historianë e studiues, apo edhe personazhe që e kanë jetuar fillimin e shekullit 20. Kanë folur konsuj e klerikë, politikanë e diplomatë. Ndokush e shumëkush ka hyrë në objektet e ndaluara të kultit, në arkivat e klerit, në arkivat e shtetit shqiptar dhe në ato të huaja. Kemi ndenjur me çam e kemi dëgjuar histori të shumta për: figurave të mëdha të patriotizmës shqiptare, ngjarje të vërteta të mbijetesës çame; data historike; krime nga qarqet shoviniste greke; dëbimet e dhunshme masive; histori të dasmave e vajeve, martesave dhe edukimeve; histori luftrash dhe miqësish; këngë, balada, gojëdhëna. Shumë në këto 25 vite. Ndoshta aq shumë sa për një moment kemi besuar se dimë çdo gjë. E vërtetë është gjithçka nëse këtij informacioni i janë bashkëngjitur materialet, studimet, shkrimet, intervistat, replikat, hulumtimet e gazetarit dhe të studiuesit Hajredin Isufi. Plot 50 vite studim për Çamërinë dhe Rilindasin e madh Kaçorri. Aq sa ka bërë vend në bibliotekat e studiuesve dhe akademikëve më në zë shqiptarë, grek, italianë, anglezë, amerikanë. Pedagogë e lektorë shkencorë, historianë dhe akademikë brenda e jashtë Shqipërisë e kanë përfshirë në enciklopeditë e tyre.
Gazetari
Hulumtimet në arkivat e shtetit shqiptar dhe në ato të huaja për të gjetur të dhëna lidhur me jetën dhe aktivitetin e figuarave patriotike të fillimit të shekullit 20 e shtynë Hajredin Isufin drejt një rruge pa kthim. Materialet në hapat e para do i shërbenin për botime në gazetën “Adriatiku” me të cilën bashkëpunoi që nga viti 1965 dhe deri në 1990, kohë e ardhjes së demokracisë në Shëqipëri. Por jo vetëm për kaq pasi Isufi shkon edhe më tej, duke menduar të merrej me studime të mirëfillta sidomos për figurën e Dom Nikollë Kaçorrit dhe Çamërinë. Gazeta asokohe kishte pak gazetarë, rreth 3-4 të tillë, ndërsa bashkëpunimi me studiues, historianë, intelektualë si Skënder Lila, Moikom Zeqo, Sofo Afezolli e të tjerë i bënte mjaft produktive dhe cilësore faqet e saj. Isufi kujton se për një periudhë të gjatë kohe, në disa vite madje, mbulonte faqen 4 të gazetës e cili i kushtohej tërësisht rubrikës patriotike. Durrësi në lëvizjen kombëtare dhe figurat patriotike e intelektuale të kohëve të ndryshme ishin objekt i gazetarit Hajredin Isufi. Kryeredaktori Hamdi Sallaku, për të cilin gazetari e studiuesi Isufi ruan konsideratë shumë të veçantë, i kishte caktuar të kërkonte figuara të lëvizjes kombëtare deri në vitet 1920; S. Afezolli rrokte të njëjtën tematikë për periudhën 1920 e në vijim duke futur edhe epokën e Luftës dhe M. Zeqo mbulonte në gazetë përgjithësisht arkeologjinë dhe herë pas here Lëvizjen Kombëtare. Shkrimet e Isufit ngjallën interesim gjithandej ndaj iu kërkua bashkëpunim nga gazeta e revista si “Studime Historike”, “Monumentet e kulturës”, “Bashkimi”, “Zëri Popullit”, “Oshëtima maleve”, gazeta Krujës, Vlorës… gjithnjë duke shkruar vetëm për figurat e lëvizjes kombëtare. Më shumë se 250 shkrime i janë kushtuar pikërisht këtyre figurave duke i bërë një shërbim shumë të mirë kohës dhe vlerësimit të periudhës së lëvizjes kombëtare në Durrës. Hajredin Isufi pati fatin e veçantë pasi jo vetëm u njoh, por edhe shkëmbente informacione, materiale, studime me personalitete të historisë. Kështu udhëheqës për monografinë që do i shërbente si temë mbrojtjeje kishte Akademikun Kristo Frashërin dhe drejtori Institutit të Historisë Stefanaq Pollo. Ndërkohë do të ketë bashkëpunëtorë emra të mëdhenj të studimeve historike si: Shaban Sinanin, Pëllumb Xhufi, Hamit Boriçi,Kaliopi Naska të gjithë me tituj Prof. Dr. ndërsa kësaj liste do i shtohen edhe studiues e akademikë të huaj të cilët në punimet dhe studimet e tyre i janë referuar disa herë studiuesit Hajredin Isufi. Puna tij është përqendruar në studime për historinë, monografi për Lëvizjen patriotike në Durrës, figurat e Rilindjes Kombëtare çame, kryeqendrat çame, figura e Domë Nikollë Kaçorrit. Duke hyrë në të tilla arkiva gazetari Hajredin Isufi ka vënë re se Durrësi në ato vite ka pasur edhe shumë intelektual që shkruanin në media. “Durrësi ka histori interesante dhe për këtë arsye jam dashuruar shumë pas Durrësit”,-shprehet ai. Duke u ndalur tek emrat e disa publicistëve më të njohur të kohës thotë se ata shkruanin në disa gazeta edhe jashtë vendi duke përdorë disa pseudonime. Konkretisht ka kujtuar emrin e publicistit Agustin Sereqi të Rilindjes Kombëtare Shqiptare që shkroi me pseudonimin “Shqipja”, “Shkambi Durrësit”. Stef Kaçulini, mbështetur në atë që ka nxjerrë nga akrivat gazetari Isufi, rezulton të jetë krahu i djathtë i Dom Nikollë Kaçorrit, figurë e madhe politike dhe me influencë që shkruante me pseudonimin “Qeleshebardhi”. Pas tij rendit Mihal Ramën, vëllanë e Kristaq Ramës shkrimet e të cilit botoheshin në Bukuresht në vitet 1902-1904 me inicialet M.R. Edhe publicisti Sali Nivica ka përdorë shpesh tjetër emër, ndërsa Sulejman Kadiu shkruante duke vënë në vend të emrit pseudonimin “Pellazgu”.

Pa kthim…
E dinte shumë mirë se mund të shkelte në “bishtin e gjarpërit” siç e thotë vet studiuesi, megjithatë nuk u tërhoq. Arkivi shtetit shqiptar, arkivi Institutit të Historisë ishin të mbushura me detaje e të dhëna lidhur me figurën e Dom Nikollë Kaçorrit. Letërkëmbime me autoritetet kishtare, letërkëmbime me veprimtarë të çështjes kombëtare; shkrime për mbrojtjen e gjuhës shqipe; shkrime për shkollat shqipe; nisma për organizim kryengritjesh popullore për një Shqipëri ta pavarur deri edhe këngë popullore historike të mbledhura e bënin interesant emrin e Dom Nikollë Kaçorrit. Studiuesi Isufi pohon se brenda kësaj figure flinte miti i idesë së atdheut të lirë: iluminist, misionarë, klerik, dijetar, kryengritës, njeri i kuvendeve. Informacione, ditare, letërkëmbime, shkresa e dokumente shumë interesante edhe për ditët tona, e shtynë Isufin të mos i shqitet kësaj figure deri sa të shterrte çdo gjë. Me gojën e kyçur dhe pa rënë në sy të askujt, me kokën ulur mblodhi e mblodhi pambarim. Isufi ishte i bindur se kishte hyrë jo vetëm thellë, por edhe në rrugë të rrezikshme. Emri i Dom Nikollë Kaçorrit, krahut të djathtë të Ismail Qemalit në Pavarësinë e 1912, nënkryetar i Qeverisë së Vlorës, qe fshirë qëllimisht nga doktatori Enver Hoxha. Por tek Hajredin Isufi pushteti i Dom Nikollë Kaçorrit ishte më i fortë se frika e një persekutimi të mundshëm dhe ndëshkimi të pamëshirshëm nga regjimi kohës. “Figura tij sa vinte e më bëhej më interesante: prift tolerant; klerik që hynte e dilte dhe që ndihmonte çdo familje katolike e muslimane në Durrës pa më të voglin diferencim; intelektual me lidhje shumë të forta me figura të mëdha si Dërvish Hima, Toptanët, Ismail Qemalin, Mustafa Krujën, Sali Nivicën, Stef Kaçulini, Miss Durham, Baroneshën Fon Godin e shumë të tjerë. Nuk ndahesha dot prej tij. Isha i bindur se me këtë punë që bëja në fshehtësi po shkelja bishtin e gjarpërit…”,-kujton studiuesi Isufi. Edhe pse nuk ka bërë provë për ta lënë punën në mes, disa herë e ka çuar në mendje dëmin që do i sillte vetes dhe familjes një punë e tillë plot rreziqe. Për të shpëtuar nga tundimet e mëdha, Isufi vendos të konsultohet me Akademikun Kristo Frashëri. Studiuesi shkonte shumë mirë me profesorin e nderuar dhe për shkak të miqësisë dhe besimit të plotë i tregon fije për pe gjithë atë që kishte bërë në fshehtësi brenda në dosjet e arkivit të shtetit dhe të Institutit të Historisë. Ai kishte mundur të depërtonte shumë thellë dhe kjo falë ndihmës së Frashërit e Pollos të cilët kishin dhënë të gjitha garancitë për korrektesën e studiuesit Isufi. Për të nuk kishte asnjë lloj kufizimi. “Pa mik nuk hyje kurrë dot në arkivin e shtetit dhe në atë të Institutit të Historisë. Edhe po të hyje nuk merrje gjë pasi dosja të vinte me 5 faqe më së shumti nga dhjetra e dhjetra që kishte. Unë e pata fatin të kisha mik Akademikun Frashëri dhe drejtorin e Institutit të Historisë, Pollon. Ata morën përsipër të më krijonin privilegjin pa të cilin do e kisha fare të pamundur të zbuloja të pathënat e mëdha dhe interesante”,-kujton ato vite studiuesi Isufi. Në dorën e tij ranë edhe dosje të klasifikuara. Sa më shumë zhytjet, aq më shumë pikëpyetje ngriheshin, përgjigjen e të cilave as që mund ta kërkonte ndokund. Akademiku Frashëri dhe drejtori Studimeve Historike Stefanaq Pollo përmes rrëfimit të studiuesit bëhen dëshmitarë të asaj që kishte ndodhur me dosjet e arkivës. I pari i bën të qartë Isufit se nuk mund të bëhej një monografi e plotë për Durrësin e fillimit të shekullit 20 pa i shkuar deri në fund figurës së klerikut e intelektualit Dom Nikollë Kaçorri, por se në atë periudhë historike e politike nuk duhej guxuar të bëhej publike çdo gjë. Frashëri e këshillon të presë për ta botuar më vonë si libër më vete. Ndërkohë, për të shmangur çdo të papritur, drejtori Institutit Pollo, i sugjeron që nga i gjithë materiali të merrte 20 faqe dhe studimin ta dërgonte për botim tek “Studime Historike” që botohej nga Akademia e Shkencave. Kjo ishte mundësi e mirë për t’i prerë rrugën se keqes.

Studiuesi

Mjafton të kujtojmë për lexuesin se libri “Feja dhe Flamuri: Dom Nikollë Kaçorri” ka recenzent Prof. Dr. Shaban Sinanin dhe redaktor shkencor Prof. Dr. Pëllumb Xhufin, kurse vepra tjetër titulluar “Çamëria ndërmjet kronikave të kohës 1902-1940” ka recenzent Prof. Dr. Shaban Sinani, Prof. Dr. Hamit Borçi dhe Prof. Dr. Gazmend Shpuza. Bëhet fjalë për vepra shterruese dhe që janë mbështetur tërësisht në kritere shkencore gjatë gjithë punës studimore. Për 15-20 vite nuk la dosje arkivi pa kaluar në dorë për të nxjerrë në dritë në mënyrë sa më të plotë figurën e klerikut Dom Nikollë Kaçorri. Zelli dhe disiplina për të bërë studim serioz dhe tërësisht mbështetur në metodologji shkencore e shtynë të zgjidhte edhe problemet. Dom Nikollë Kaçorri në materiale nga shtypi huaj apo burimet e informacionit austriake dhe grek dilte në këndvështrime deri të kundërta. Studiuesi pohon se grekët e shanin si propagandistë në shërbim të austohungarezëve dhe kundër propagandës greke, kurse austrohungarezët ishin të pakënaqur pasi kleriku shqiptar i shërbente lëvizjes kombtare shqiptare dhe austrohungarezët nuk e dëshironin fare kundërshtimin që u bënte kleri katolik propagandës së tyre në vitet 1910-1912. Studiuesi e kishte të pamundur të kërkonte arkivën e famullisë e cila zbardhte shumë pikëpyetje, ndërsa interesimi për një klerik si Dom Nikollë Kaçorri e bënte edhe më të rrezikuar punën e nisur. Kleriku ishte në krye të sanxhakut të Durrësit që kishte 5 kaza: Durrësin, Shijakun, Tiranën, Krujën dhe Kavajën. Materialet për këtë sanxhak i dhanë mundësi të mësonte e të ndante mënjanë shumë dokumente të rëndësishme. Intuita e shtyn për të gjetur e studiuar në arkiv emra të tjerë katolikësh dhe intelektualësh me influencë në Durrës të cilët detyrimisht jepnin informacion të larmishëm për Dom Nikollë Kaçorrin. Njëri ndër ta është edhe patrioti Stef Kaçulini prej të cilit vilet shumë material,një pjesë falë edhe kujtimeve e fotove që janë ruajtur nga Dr. Kaçulini dhe Aurel Kaçulini. I bindur se kishte mbledhur çdo gjë për figurën e klerikut, iluministit dhe dijetarit Dom Nikollë Kaçorri e mbylli dosjen dhe e la mënjanë. Herë pas here vetëm se e shfletonte për ta lexuar e për të rifreskuar apo shtuar diçka pasi nuk bëhej fjalë për botim. Për herë të parë nisi të interesohet për këtë figurë në vitin 1965, ndërsa në vitet 1980-1983, pasi një pune mbi 15-vjeçare, e mbylli këtë histori. Dhjetë vite më pas, në kohën që në Shqipëri ndodhi përmbysja e sistemit, nisur edhe nga këshillat e Akademikut Kristo Frashëri i hyri punës për ta sistemuar dhe për ta botuar. Studiuesi asokohe po merrej me Çamërinë, studimin për të cilën e la përkohësisht mënjanë deri në përfundim të veprës për Kaçorrin.Sot studiuesi po merret itensivisht dhe me shumë zell me çështjen e hebrenjve duke e lokalizuar vështrimin në marrëdhëniet e hebrejve të Korfuzit e të Janinës në shkëmbimet tregtare me krahinat e Çamërisë. Janë të dhëna interesante që sot për sot janë në dorën e rishikimit dhe sistemimit për t’u botuar së afërmi.

Çamëria

Gjithë jetën është marrë me Çamërinë: trevat, luftëtarët, patriotët, atdhetarët, kulturën,gjuhën, objektet e kultit dhe ato arsimore,fiset e mëdha dhe dyert më në zë, bashkëjetesën fetare, marrëdhëniet me Greqinë…I është dashur të mbajë qëndrim dhe t’u përgjigjet historianëve, gjuhëtarëve, akademikëve të huaj kryesisht grekë që qëllimisht shtrembëronin historinë dhe faktet historike. Kryeqendrat çame janë objekt më vete për studiuesin Hajredin Isufi. Ka përfunduar historikun për Margëlliq e Filat dhe ka në dorë Paramithinë. Në botim gjendet studimi historik me dokumentacion kryesisht të huaj (italian, grek, amerikan, anglez, austrohungarëz) dhe shqiptar për vitet e luftës 1939-1945 në Çamëri dhe rrethinat e saj. Në Çamëri për herë të parë ka shkuar në vitin 1989. I pari studiues dhe i pari çam që kthehej për të parë trojet që nga koha dëbimit të dhunshëm. Hyri me pasaportë, ndryshe nga herët e tjera të mëpasme. Bashkëshortja shuante mallin, kurse studiuesi vëzhgoi, takoi, fotografoi dhe intervistoi sa mundi e ku mundi nëpër Çamëri. E shfrytëzoi këtë vizitë për tre muaj jo vetëm për të shkarkuar tërë atë mall çam të grumbulluar në krahëror, por edhe për t’i bërë një nga shërbimet më serioze historisë çame. E shfrytëzoi shumë mirë ftesën e një të krishteri shqiptar që jetonte në Çamëri dhe që ishte miku të atit të tij. Shkoi gjithandej, fshat më fshat e qytet më qytet, në çdo shtëpi e kullë deri në Sul. Isufi tregon se fshatra të tërë ishin shkretuar nga braktisja e madhe, shtëpitë e vjetra ishin shembur e djegur. Mbi 1000 foto dëshmojnë shumë. Ato e të tjera materiale do i duhen për punën e nisur, për shkrimin e historikut të çdo fshati, për evidentimin e shkatërrimeve të shtëpive, xhamive, puseve, sarajeve, kullave, krojeve. Premton se do të bëjë edhe një album.Këtë shumë shpejt. Është në dorën e fundit të sistemimit. Studiuesi thotë se në shtëpitë e të krishterëve në Çamëri ka gjetur foto e relike interesante, ndër ta ka mësuar vendin ku janë ekzekutuar shumë atdhetarë e patriotë të lëvizjes rilindase çame siç është vrasja e pabesë e figurës së shquar çame e Jasim Sadikut në vitin 1942. Hajredin Isufi tërhoqi vëmendjen e studiuesve vendës e të huaj. Shumë aktiv në sesione shkencore në Tiranë, Durrës, Dibër, Gjirokastër, Arqipeshkvi. Gazeta, revista, radio, televizione të ndryshme brenda e jashtë Shqipërisë kanë qenë shumë të interesuara të dëgjojnë rrëfimet, gjykimet, hulumtimet, konkluzionet e studiuesit Hajredin Isufi. Ndërsa kjo ka bërë mirë dhe ka shëndoshur shumë gjëra të bërë keq në historinë e regjimit të kaluar apo edhe në gjykimet e njëanshme të kancelarive dhe akademive të huaja, për vet studiuesin pati anët e saj jo të mira. Isufi ka shkuar në Çamëri edhe pas vizitës së tij të parë, por me një ndryshim të madh nga ajo e vitit 1989. Studiuesit i është dashur të ndjekë rrugë të fshehta, të udhëtojë drejt Italisë për të marrë lundrimin e gjatë nga Bari drejt Igumenicës dhe që andej për të hyrë në zemër të Çamërisë. Botimet studimore dhe tryezat në radio e televizione si dhe shkrimet reaguese ndaj nacionalizmave greke ia kanë mbyllur portën legale për të hyrë në vendlindje. Hajredin Isufi në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë qe ndër drejtuesit kryesorë të dy sesioneve shkencore për kontributin e Durrësit në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Reagimi

Të gjithë të pakënaqur me studiuesin Hajredin Isufi, ndërsa vet Isufi është e pakënaqur me të gjithë ata që kanë qenë e janë pjesë e superstrukturës. I është dashur t’i japë përgjigje grekoamerikanit Geixh përmes një artikulli të botuar në gazetën “Koha jonë” për shpifjet dhe të pavërtetat e mëdha dhe të qëllimta. Të njëjtën gjë bëri edhe me historianin grek Llambros Baliciotis lidhur me stisjen e historisë për Çamërinë. Gazeta “Koha jonë” në vitin 2002, përmes gazetarëve që kishte në Greqi ndërmjetësoi për një debat publicistik mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe asaj greke për marrëdhëniet greko-shqiptare në shekullin 19-20. Katër figura akademikësh grekë u bënë pjesë e botimit të shkrimeve dhe njëri prej tyre qe Baliciotis me funksion kryetar i Institutit të Minoriteteve në Greqi. Pala shqiptare kishte akademikët dhe studiuesit Arben Puto, Paskal Milo, Hajredin Isufi dhe Koli Xoxe. Balciotis e hapi debatin me temën e një studimi 2.5 faqe gazete për çështjen çame nga lashtësia deri në Luftën e Dytë Botërore. Studiuesi Isufi thotë se në disa aspekte ai i binte ndesh historisë, ndërsa e vlerëson si studiues të moderuar. Përgjigjen për trajtimin e pavërtetë ia jep në gazetë Hajredin Isufi dhe çdo gjë mbështetur në të dhënat serioze dhe të paanshme të historianëve grek. Bashkë me qëndrimet shkencore të tyre Isufi vendos edhe referencat nga akrivat dhe bibliografitë amerikane e angleze. Kaq është dashur dhe studiuesi grek Baliciotis të tërhiqej. Edhe sot, studiuesit grek sa hërë që merren me çështjen çame dhe me Çamërinë mbështeten dhe referohen në studimet e Isufit duke e cituar atë. Akademikja Elefterie Manda në universitetin e Selanikut ka botuar një libër për Çamërinë lidhur me shpronësimin dhe shkëmbimin e popullatës greke me atë turke në vitet 1923-1928. Pedagogia disa herë citon studiuesin shqiptar Isufi duke mos i rënë asnjëherë ndesh. Po ashtu në bibliotekën e Departamentit Amerikan dhe në universitetin e Harvardit studimet e Hajredin Isufit janë prezente sa herë që diskutohet Çamëria. Edhe libri me dokumente angleze për Çamërinë ka referenca të Isufit, ndërsa studiuesi Shaban Sinani bën vlerësime shumë pozitive për të në librin e tij për hebernjtë në Shqipëri. Ndërsa Isufi tashmë ka zënë vend shumë të rëndësishëm për librin kushtuar figurës së madhe të Pavarësisë, Dom Nikollë Kaçorrit dhe çështjes çame, vet studiuesi ka reagimet e tij dhe pakënaqësitë të shprehura në mënyrë publike. Temperamenti i qetë, kultura e gjerë, ndjenja e tolerancës, vetpërmbajtja dhe të tjera cilësi nuk kanë mundur të mbajnë të frenuar shpërthimin e indinjatës së tij lidhur me atë që po ndodh në këto 25 vitet e fundit me emrin e iluministitit, atdhetarit dhe figurës kryesore të Pavarësisë, Dom Nikollë Kaçorri.

Vigjelent në çdo gjë, i ka lënë shije jo të mirë organizimi ceremonisë së varrimit të eshtrave të kësaj figurë kombëtare në një arkë dhe me një karrocë,  “Sikur të ishte peshkatar i vrarë”,- shprehet Isufi. Studiuesi gjykon se edhe sot shoqëria, politika, historiografia shqiptare nuk është ende e shkëputur nga paragjykimet komuniste. Ai kujton se shesheve, rrugëve, bulevardeve, universiteteve u janë vënë edhe emra të njërëzve anonim, ndërkohë që Rilindasi i shquar Dom Nikollë Kaçorri i cili qe nënshkrues i Pavarësisë, nënkryetar i Qeverisë së Vlorës dhe pjesmarrës me armë në dorë në kryengritjen e Kurbinit nuk gjendet askund. “Mjafton që dikush të ketë e të jap pesë lekë atij që është në pushtet dhe bën kë të dojë figurë, i jep titull e grada, emrin e tij e vendos ku të dojë: në shkolla e sheshe, në universitete e bulevarde”-pohon i revoltuar studiuesi Hajredin Isufi. Hulumtuesi i figurës së Rilindasit të madh ka pohuar se Kaçorri kishte dy parime: Fenë dhe Flamurin shqiptar dhe se çështja kombit ishte mbi çdo gjë për të. “Kush më shumë e meriton?”,-pyet studiuesi pa pritur që ndokush të marrë guximin të thotë një tjetër emër, i bindur se gjithçka që ka shkruar e ka thënë për këtë emrët më madh të kombit e ka nxjerrë nga botime e libra, artikuj e kujtime, letra e ditare, burime austriake e osmane, arkiva shqiptare e ato të Vatikanit, nga shtypi kohës dhe letrave të mëvonshme.

No comments:

Post a Comment