June 27, 2011

Idrizi në Parlament: Të miratohet një rezolutë për çështjen çame!‏


E nderuar zonja kryetare e parlamentit,

Të nderuar kolegë deputetë,

Sot jam këtu për t’i bërë një thirrje të fortë ndërgjegjes suaj. Ndërgjegjes suaj njerëzore dhe ndërgjegjes suaj kombëtare. Dua t’i bëj thirrje ndërgjegjes suaj njerëzore, sepse dua t’ju kujtoj se 67 vjet më parë rreth 5.000 vetë, të komunitetit shqiptar çam, kryesisht gra, pleq e fëmijë, u masakruan barbarisht vetëm pse ishin shqiptarë. Një pjesë e tyre vdiqën në tokën tonë, e cila e dalë nga lufta nuk kishte mundësi t’u ofronte një prehje çfarëdo.
Dielli i nxehtë ishte i pamëshirshëm me ta; por dhe varfëria e atdheut tone gjithashtu. Por më i pamëshirshëm ishte ai që kishte dhënë urdhër, që ata njerëz të pafuqishëm duhet të vdisnin pse i përkisnin një kombi tjetër. Unë sot dua t’ju pyes juve si njerëz: a do të bëjmë diçka për ta, a do të bëjmë diçka për mbi 300 mijë shqiptarë të Çamërisë të gjallë, që bartin kujtimin e tyre, kujtime e padrejtësi që ka lënë shenjë në jetët e gjithsecilit prej nesh? Ne, do të nderojmë thjesht datën që vetë ne si parlament kemi vendosur të përkujtojmë, apo do të bëjmë diçka thelbësore për të lehtësuar kujtimin e atyre mijëra grave, pleqve dhe fëmijëve që panë një vdekje të tmerrshme? Si njerëz, sot dua t’ju kërkoj të mbajmë një minutë heshtje për kujtimin e tyre. Fëmijët, gratë dhe pleqtë që vdiqën ato ditë nuk kanë bërë krime. Të vdekurit nuk flasin. Ata sot duan thjesht përkujtim. Më lejoni e nderuar kryetare të ftoj kolegët e mi, të bëjmë ritin e përbotshëm të zisë për të rënët e Çamërisë.

Unë Ju ftoj të nderuar kolegë deputet ta thyejmë heshtjen dhe intimidimin ju ftoj të vini me ne të shtunën në Qaf-Botë në pelegrinazhin e trëndafilave të paharruar të Çamërisë, ashtu si kanë bërë disa nga Ju duke i bere nder vetes dhe komunitetit tonë – tek të cilët të gjithë bashkë shkojmë kërkojmë votat. Doja të shihja këtu mes jush që të nderonte të rënët e Çamërisë në mënyrë të veçantë përfaqësuesin e minoritetit grek këtu ndryshe nga çfarë ka bërë vitin që shkoi. Do ishte një shenjë paqeje dhe humanizmi. Do tregonte se nuk është bartës i mentalitetit të atyre që bënë krimin mbi shqiptarët, apo që e mbrojnë dhe justifikojnë atë. Dua t’i kujtoj atyre diçka që ka thënë një bashkëkombasi i tyre, historiani Jorgos Margaritis, i cili ka shkruar për Çamërinë: Në ato kohëra të turbullta të Luftës së dytë botërore, Shqipëria nuk bëri me minoritetin tonë atë që ne bëmë në kurriz të çamëve. Mund edhe ta bënte. Kjo i nderon shqiptarët. Luftërat kanë viktimat e tyre, por shqiptarët e Çamerisë nuk ishin viktima lufte. Ata ishin viktima të planeve të çmendura të dikujt që donte të spastronte etnikisht territore që politikisht i takojnë fqinjit, por ku gjithmonë kanë jetuar shqiptarë.
Unë sot dua t’i bëj thirrje ndërgjegjes kombëtare tuajës: A do të strukemi gjithnjë në labirintet e harresës, duke e injoruar një krim kaq të madh si ky që ka ndodhur në kurriz të popullit shqiptar çam, apo do të reagojmë me dinjitet për të kërkuar drejtësi për një krim të shëmtuar për racën njerëzore si ai që u krye mbi gratë, pleqtë dhe fëmijët e Paramithisë, Filatit, Margëllëçit, Gumenicës, Pargës, Artës, etj? Pse vallë ne duhet të heshtim për një krim të tillë mizor? Ne s’jemi në faj, ne s’duhet të kemi frikë, ne duhet të kemi dinjitet përballë fqinjit, i cili jo vetëm që s’pranon të kërkojë ndjesë, por guxon të na kërkojë llogari për atë që kanë bërë gratë, pleqtë dhe fëmijët çamë, duke përbaltur viktimat e duke i denigruar ata për herë të dytë. Ajo që po konsumohet sot në kufijtë e Greqisë, në kufijtë e Evropës së Bashkuar është e pafalshme dhe buron prej harresës, prej tërheqjes sonë të vazhdueshme nga kërkimi i së drejtës. Po refuzohen të hyjnë në tokën fqinjë, burra pleq, që kur ndodhi lufta për të cilën akuzohen ishin kërthinj: po refuzohen vetëm pse kanë lindur në Çamëri. Po refuzohen vetëm pse duan të shohin dhe njëherë para se të vdesin tokën e të parëve të tyre, varret e tyre, të përmbushin një amanet, pa të cilin nuk i tret dheu. Si mundet sot që një pjesë e popullsisë shqiptare, ajo me e martirizuar të diskriminohet përsëri. Si mundet sot pleqve 75- 80 vjeçare t’u mohohen frytet e lirisë dhe demokracisë – lëvizja e lirë e njerëzve, heqja e vizave, sepse në pasaportat e tyre biometrike të lëshuara nga shteti shqiptar është shënuar vend lindja e tyre e vërtetë Çamëri, vendlindja e vërtetë, aty ku i ka vënë Zoti. Çdo të bëjmë ne të nderuar deputete, ministra e dinjitarë të shtetit shqiptar. Do vazhdojmë të strukemi para këtij turpërimi të përditshëm që na bën fqinji ynë, apo do të reagojmë? Unë them të veprojmë. Diplomacia jone te veproje. Ne i jemi drejtuar Presidentit te BE Barrozo, Komisionerit Fyle, Komisionerit të lartë për të drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës Zotit Hamerberg. Shqipëria, shqiptarët sot nuk janë ata të 1945. As të 1997, kur shteti shqiptar ishte i dobët, apo i kapur nga anarkia. Shqipëria sot është anëtar i NATO-s. Shqipëria sot ka ratifikuar shumë konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për institucionet ndërkombëtare të drejtësisë dhe rrugët europiane të vendosjes së kësaj drejtësie janë të hapura. Ne duhet të ecim në to. Unë them të mos harrojmë.
Shqipëria ka bërë shumë për të treguar se është fqinj i mirë i të gjithëve në Ballkan. Por Shqipëria nuk mund të tolerojë vazhdimisht, në emër të objektivave të integrimit. Unë dua t’ju pyes juve: Pse nuk e penguan këto objektiva të bashkëjetesës në Europën e Bashkuar, një fshat grek, i cili e ka çuar shtetin gjerman të sotëm, i cili nuk ka lidhje me Hitlerin, në Gjykatën e Hagës, për një masakër që ka ndodhur në Luftën e Dytë Botërore? Vini re, Gjermania e sotme është vendi që e ka ndihmuar më shumë se të gjithë të tjerët Greqinë. Është vendi që sot po shmang falimentimin e fqinjit tonë në ballë të frontit evropian të shpëtimit. Unë them se sot është koha të mos heshtim. Ne jemi tkurrur vazhdimisht në kërkesat tona si shtet deri në kufijtë e asgjësë. I kam parë arkivat e ministrisë sonë të jashtme të fillim viteve 90. Diplomatët tanë Z. Sereqi, kryeministri Meksi, i kërkonin Greqisë kthimin e komunitetit çam në vatrat e tij, dhe Greqia përpiqej të fitonte kohë, pa e mohuar një të drejtë të tillë për qytetarët çam. Dhe z. Berisha në konferencën e parë për shtyp me rastin e fitores së PD në vitin 1992 kërkonte të njëjten gjë.  Administrata e Mbretit Zog është ajo që ka mbajtur qëndrimet më të forta dhe që ndaloi shkëmbimin e popullsisë çame drejt Turqisë apo që kërkonte me forcë statusin e minoritetit etnik shqiptar për çamët, hapjen e shkollave shqip, etj. Në ato procesverbale, madje ekziston një thënie e atij që sot është president i Greqisë, i cili është nga këto anë Z. Papulias, i cili ka thënë: Shikoni, kjo është një çështje, për të cilën plagët janë akoma të hapura. Ndoshta pas 20 vjetësh, kur ato të mbyllen ne mund të flasim më qetësisht. Ndaj ne themi: sot kanë kaluar 20 vjet, ne s’kemi ndërmend të heshtim, ne do të flasim më fort se më parë. Askush nuk mund të luajë me teorinë e plagëve të hapura. Ne kemi qenë viktimat e atij gjenocidi dhe askush tjetër. Sot Greqia thotë se ky problem nuk ekziston. Çfarë ka ndodhur që nuk ekziston? Jemi tërhequr ne, jemi tkurrur ne si shtet, nën presionin e atyre programeve megaloidealë të shtetit fqinjë për shkolla, varreza, pensione, priftërinj, që sot po e çojnë atë në faliment.
Unë të dashur kolegë, them se sot është koha të veprojmë, të mos harrojmë, të mos heshtim. Unë jam në krye të një partie të krijuar për të vepruar, për të mos harruar, për të mos heshtur. Kemi pasur dilemat tona, kur ju përkushtuam kësaj kauze së bashku me deputetin Dashamir Tahiri: A do ta shndërronim, kauzën e komunitetit të cilit i përkas me krenari, komunitetit çam, në kauzë të popullit shqiptar? Më duket se diçka kemi mbërritur, ndërsa 65 mijë qytetarë në zgjedhjet e fundit na dhanë të drejtë dhe na thanë: vazhdoni në rrugën e nisur. Para se të vija këtu në këtë sallë u përshëndeta me anëtarët e komunitetit tonë, të cilët në hyrje të kësaj godine presin që ju të mos heshtni, të mos harroni, por të veproni. Parlamenti i 2011, nuk është parlamenti i turpshëm i 2004, i cili nuk guxoi të miratonte një rezolutë e cila vetëm sa i kërkonte drejtësi evropiane fqinjit tonë jugor për gjenocidin e kryer mbi popullsinë çame. Policia që rrethonte parlamentin, sikur ata të mos ishin shqiptarë, mendoi të ngrinte dorë dhe të përgjakte ata pleq që donin drejtësi nga Parlamenti i shqiptarëve. Po ja u kujtoj këtë, sepse sot është ndryshe, sot ne përfaqësuesit e këtij komuniteti jemi në parlament – pjesë e koalicionit për Qytetarin një koalicion vlerash dhe ku ne kemi kontributin tonë –e presim mbështetje nga Ju si shqiptarë dhe partner në koalicion. Rezoluta nuk është ndonjë shpallje lufte, përkundrazi afirmim i një bashkëjetese në paqe që duhet të ekzistojë me fqinjët, bashkëjetesë që kalon nga e drejta. Është afirmim i dinjitetit tonë njerëzor dhe kombëtar. Rezoluta synon të jetë një dokument programatik, një vijë sjellje e pashmangshme nga asnjë qeveri. Ajo do t’i kërkojë qeverisë të ngrejë në takimet me palën greke respektimin e Traktatit të Miqësisë, e Konventave evropiane. Rezoluta nuk do të kërkojë gjyq historie për fqinjin, por kërkim ndjese, për të lehtësuar ndërgjegjen e të gjithëve. Rezoluta nuk kërkon rishikim kufijsh, por restaurim, rikthim të së drejtës tek i zoti. Apeli për një rezolutë dinjitoze të këtij parlamenti të burrave e grave, që duhet të përfaqsojnë me dinjitet popullin që i jep votën, është mënyra ime më e mirë për të përkujtuar masakrën që ndodhi mbi komunitetin të cilit unë i përkas.
Është mënyra më e mirë për t’i lehtësuar babait tim peshën e kujtimeve të dhimbshme mbi tokën nga e cila u largua kur ishte vetëm dy vjeç. Jeta e të vdekurve qëndron në kujtesën e të gjallëve. E vërteta qëndron në buzën e njerëzve që vdesin. Im atë ma ka kaluar mua, të vërtetën e atyre njerëzve që ka parë duke vdekur dhe unë nuk do rresht së kërkuari këtë të vërtetë, nuk do rresht së përhapuri këtë të vërtetë, derisa drejtësia të prehet mbi shpirtin e të vdekurve dhe vuajtjet e të gjallëve. Të nderuar kolegë deputetë, Do ju lutesha që sot të mendonit më gjatë për drejtësinë dhe të vërtetën, për dinjitetin dhe kurajën. Pa to, nuk do të ishim as njerëz dhe as politikanë. 

June 21, 2011

Commemoration Events in Michigan and Chicago

Te nderuar Bashkeatdhetare:

Ju njoftojme se Organizata Shqiptaro-Amerikane Cameria me dege ne Illinois dhe Michigan, zhvillojne perkujtimoren e Genocidit grek ndaj popullsise shqiptare te Camerise diten e Diele paradite ne adresat e meposhtme. Ju ftojme ne keto tubime te bashkesise sone per ceshtjen e pazgjidhur te kombit shqiptar. Prania juaj do te na nderoje. Ju faleminderit.

Me respekte,

Kryesia

Ora 11.30 Paradite
Qendra Shqiptare
5825 St. Charles Road
Berkeley, IL 60103

Ora 1 Pasdite
Xhamia Shqiptare Micigan
19775 Harper Avenue
Harper Woods, MI 48225





--
Albanian American Organization Chameria

Chameria event in New York University

Chameria yesterday and today, challenges and perspectives of the Cham issue in the 21st Century.

The Albanian American Organization Chameria is hosting the 67 Annual Commemoration of the Chameria Genocide from the Greek Army with general Napoleon Zervas who committed crimes against innocent Albanians from the region of Chameria in June 24-27 in 1944. The Albanian American Organization Chameria invites everyone to attend this special event with a diverse program that include special guests, scholars, and survivors of the genocide. Also there will be a documentary presentation on the current affairs how "Greek Democracy" presently treats the Cham issue and what are the policy implications for eventual Balkan economic and political stability.

We hope to see you all there,
Albanian American Organization Chameria

FREE ADMISSION

Feel free to email us at chameriaorganization@gmail.com for RSVP or more information.

www.chameriaorganization.org
http://forumishqiptaroamerikanperdemokraci.org/

Të nderuar bashkëatdhetarë!

Në kuadër të përkujtimit të viktimave të Genocidit grek ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë
Forumi Shqiptaro Amerikan per Demokraci dhe Organizata Shqiptaro Amerikane Çamëria me 25 Qershor 2011, ora 11:30 organizojnë seminarin "ÇAMERIA, DJE DHE SOT, SFIDAT DHE PERSPEKTIVAT E ÇESHTJES ÇAME NE SHEKULLIN  XXI" ne ambjentet e  NYU, Tisch Building dhoma  LC 216. Ora 11:30.

Pjesemarrja juaj na nderon

Ju lutem konfirmoni pjesmarrjen tuaj  me ane te emailit tek adresa iliasejdho@gmail.com  deri te shtunen ne ora 9 00 per te siguruar hyrjen ne ambjentet e NYUs.

Çelet “Java çame – Trëndafilat e Çamërisë"



Shoqata “Çamëria”, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet çelën sot në mjediset e Hotel Tirana, “Javën çame – Trëndafilat e Çamërisë“. Java përkujtimore, që do të përmbajë një sërë aktivitetesh me kulmim në marshimin tradicional çam, në Qaf-Botë të Sarandës më 25 qershor, u çel me poezinë “Trëndafilat e Çamërisë“ të shkruar nga poeti shqiptar i Kosovës, z. Fatmri Muja dhe të performuar nga artisti i mirënjohur, z. Mirush Kabashi. Fjalën e hapjes së aktivitetit e mbajti kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi, i cili theksoi se çështja çame do të gjej rrugën e zgjidhjes dhe parashtroi hapat e ndërmarra dhe që janë në progres në lidhje me këtë çështje. “Më konkretisht ne na është premtuar nga shumica në pushtet, me të cilën ishim në koalicion, që në përputhje me detyrimet e Traktatit të miqësisë kjo çështje do të trajtohet si duhet. Ky është minimumi që mund të bëjë qeveria dhe ne do ta shtyjmë që ajo të mos i shmanget detyrimit për të cilin është zotuar.” – tha z. Idrizi, duke shtuar se “duhet  të miratojmë një rezolutë në parlament, e cila do të ketë karakter detyrues për qeverinë, pra kjo çështje nuk do të jetë thjesht detyrim mes palësh politike, por detyrim i gjithë klasës politike shqiptare. Ka ardhur koha që kjo rezolutë nuk mund të shtyhet më. Ne sot nuk jemi më një parti e vogël me dy deputetë; ne kemi 65 mijë vota në më pak se një vit  jetë e 2 muaj pas bashkimit. Ne do të jemi shumë shpejt faktor real politik, i cili kushtëzon fitoren e çdo lloj aleance.” Më tej ai shtoi se do të krijohet një mekanizëm institucional, që do të grumbullojë të gjithë të dhënat mbi çështjen çame, duke regjistruar komunitetin, historitë personale, pretendimet pronësore, do t’i asistojë ata për zgjidhjen e  këtij problemi,në planin juridik, etj. “Ne po punojmë me një studio britanike e cila po e studion problemin dhe shumë shpejt do të ofrojë zgjidhjen në detaje, nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare. Cdo angazhim i brendshëm, duhet të koordinohet me angazhimet e jashtme, sepse siç ju thashë kjo çështje nuk është çështje lokale, por është nga çështjet më të rënda ndërkombëtare të trashëguara nga Lufta e dytë botërore. Ne po punojmë për të sensibilizuar SHBA,  Parlamentin evropian, duke lobuar atje për të shkuar tek një rezolutë e tyre në lidhje me këtë çështje. Këtij qëllimi i shërbeu një udhëtim yni në SHBA, dhe shumë shpejt ne do të udhëtojmë përsëri për të shikuar frytet e asaj që mbollëm në vizitën e parë. Ne po ndjekim modelet e atyre komuniteteve që kanë pësuar gjenocid në luftrat botërore. Ne po ndërlidhemi me të gjithë ato komunitete që janë spastruar etnikisht nga Greqia në Luftën e dytë botërore, siç janë hebrenjtë, siç janë maqedonasit.” – tha z. Idrizi. 

Theks të veçantë në fjalimin e tij mbajti vendimi i fundit i qeverisë greke për shitjen e pronave në zonat kufitare, ku me shumë gjasa pronat që do të shiten janë pronat e shqiptarëve të Çamërisë. “Ne po studiojmë dhe rastin e shitjes së pasurive greke në zonat kufitare, si pasojë e krizës ekonomike që po kalon vendi fqinjë.  Ju e keni dëgjuar lajmet se Greqia po lejon shitjen e këtyre pasurive të vendosura në të ashtuquajturat zona kufitare, përfshi Selanikun. Ne kemi dyshime të forta, se këto prona janë prona shtetërore, që shteti grek ja ka dhënë në përdorim privatëve, prona që dikur i takonin jo grekëve. Këto prona me shumë gjasa, janë prona të shqiptarëve të përzënë me forcë, apo të spastruar etnikisht, në fund të luftës së dytë botërore, sepse nuk dimë që shteti grek të ketë prona të tjera në këto zona. Ne nuk dimë prona të tjera që të mund të jenë të bllokuara që nga Lufta e dytë botërore. Nëse është e vërtetë kjo, atëherë ne do të protestojmë fuqimisht në të gjithë instancat ndërkombëtare. Ne nuk do të lejojmë që të shiten pasuritë tona.” – tha kryetari i PDIU-së. Ndërkaq ai theksoi se po bashkëpunohet edhe me shqiptarët e mbetur në Çamëri, duke i sqaruar ata se PDIU nuk ka ndërmend të prish paqen sociale të askujt dhe se shqiptarët e Çamërisë duan prej shtetit grek të kërkohet ndjesë për krimet e mëdha që janë kryer dhe zgjidhje juridike për këto krime.  

Presidenti i nderit i PDIU-së, z. Tahir Muhedini vlerësoi rolin që ka pasur shoqata “Çamëria” në mbajtjen gjallë të traditave dhe kulturës çame, sikurse edhe në promovimin brenda dhe jashtë vendit të çështjes çame. “Në vitin 1990, patriotë shqiptarë me origjinë nga Çamëria themeluan shoqatën e parë patriotike politike në vend, me emrin e trevës prej nga u larguan. Ruajtja e trashëgimisë kulturore nga treva jonë e origjinës do të ishte e pamundur pa këtë shoqatë. Por, më tepër se kaq, shoqata “Çamëria” shërbeu për vite me rradhë sin jë levë presioni ndaj qeverive shqiptare që të mos heshtnin për çështjen çame dhe ia arriti misionit të saj në shumë raste. Dëshmitë okulare të këtyre ngjarjeve tronditëse që ishin fshehur nga shteti grek, por edhe nga regjimi komunist për vite me rradhë dolën në pah, fal punës së palodhur të patriotëve që kishte kjo shoqatë. Çështja çame u bë më jo thjesht një çështje individësh të shpërndarë në gjithë Shqipërinë, por u kthye në një grupim të fortë dhe të pandashëm, njerëzish që kanë të drejtën me vete.” – tha z. Muhedini. Kryetari i shoqatës “Çamëria”, z. Ardian Tana vlerësoi rolin që kanë pasur figura të shquara çame në historinë e Çamërisë, të Shqipërisë dhe të mbarë Ballkanit.


 “Kjo tokë sigurisht nuk kish lindur vetëm luftatarë, por edhe dhjetëra dijetarë, njerëz  të shkencës, mendimit artit e letrave shqipe, duke përmendur humanistin e shenjtorin Maksim Artioti, Hasan Tahsinin e madh, Elena Gjikën, Kolë Idromenon, Mitrush Kutelin e dhjetëra të tjerë. Shqiptarët e Çamërisë ishin pjesëmarrës aktivë në Luftën Antifashiste. Në formacionet luftarake në të dy anët e kufirit morën pjesë mbi 1000 bij e bija të Çamërisë dhe një pjesë prej tyre dhanë edhe  jetën , ç’ka hedh poshtë çdo justifikim për barbaritë që hordhitë greke luajtën në shpinë të popullsisë së pambrojtur shqiptare. Në muajt e tmerrit zervistët provuan mbi popullsinë e pafajshme aktet më të tmerrshme të urrejtjes dhe ligësisë njerëzore, për të realizuar atë që ata kishin planifikuar me kohë.” – tha z. Tana. Në aktivitet përshëndeti edhe artisti i mirënjohur nga Kosova, z. Enver Petrovci, i cili deklaroi se tashmë shqiptarët janë të bashkuar për të çuar përpara të drejtat e tyre kombëtare. Java çame do të vijoj nesër paradite në orën 11:00 me çeljen e ekspozitës fotografike jashtë mjediseve të kryesisë së Kuvendit, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Grekët “bllokojnë” çamët në kufi

Një i moshuar nga Vlora, i lindur në Gumenicë në 1937, nuk është lejuar të udhëtojë drejt Greqisë për të parë fëmijet e tij, vetëm për shkakun se ka lindur në Çamëri.
Xhelal Hajrulla, u ndalua dy herë me radhë në Kapshticë dhe Kakavijë, vetëm për prejardhjen e tij.

Gjatë një interviste dhënë Top Channel ai tha se në Kapshticë i thanë se ndalohej me urdhër të qeverisë greke dhe në raportin për kthimin e tij u shtua se ishte i rrezikshëm në disa shtete të BE-së.
“U nisa nga Kapshtica për të vajtur për të takuar fëmijët në Athinë. Kur shkova në Kapshticë dogana greke më tha që kemi dy ditë që e kemi ndaluar me urdhër qeverie për të mos kaluar ata që kanë lindur në Çamëri. I padëshirueshëm për rendin publik në Greqi dhe person i rrezikshëm në disa shtete të Europës, për mua”, thotë për Top Channel, Xhelal Hajrulla.

Ndërsa shefi i doganës greke të Kakavijës e ka shtuar më tepër dozën e urrejtjes duke i thënë se Çamëria ka vdekur.
“Më merr dhe më con tek shefi i doganës greke. U ula në stol. Pasi pa pasaportën më tha hajde këtu. Çamëve më tha do t’u presim kokën se Çamëria më tha ka vdekur”, tregon i moshuari.
I moshuari ka bërë apel Ministrise së Jashtme që të ndërhyjë për të bërë zgjidhje për rastet e shumta ndaj shtetasve shqiptarë me origjinë çame, si dhe i bëri thirje PDIU-së të protestojë në lidhje me këto akte.

June 15, 2011

Keqtrajtohet gjyqtari dhe familja e tij ne kufirin grek

Në cilësinë e Zv. Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë jam shumë i shqetësuar, për ngjarjet të cilat kanë ndodhur në pikën doganore të Kakavijës më datë 10.06.2011 ora 20.00 dhe i përkasin Gjyqtarit Skënder Damini, Gjyqtari Gjykatës së Rrethit Gjyqsor Fier.Në këtë datë Gjyqtari është penguar të kalojë kufirin me shtetin Grek, kur po udhëtonte me bashkëshorten dhe babain e tij shtetasit Lindita dhe Damin Damini, me motivacionin “konsiderohet person i rrezikshëm për rendin dhe sigurinë publike etj.



”Si Zv. Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i cili është organi kushtetues kompetent për mbrojtjen dhe përfaqsimin e gjyqtarëve, kërkoj nga Ministria e Jashtme e vendit tonë të marrë sqarime tek autoritetet kompetente Greke, në lidhje me veprimet e autoriteteve të pikës kufitare Kakavijë.Ne kërkojmë nga këto autoritete të sqarojnë pozicionin e shtetit Grek në lidhje me përcaktimin që i bëhet një Gjyqtari të shtetit shqiptar, i cili udhëton me një pasaportë shërbimi, si edhe bashkëshortes së tij, si persona të “rrezikshëm”.
Ne sqarojmë se Gjyqtari Skënder Damini ka kaluar në shtetin Grek duke respektuar rregullat e këtij shteti dhe pa krijuar asnjëherë incidente që nga viti 1993 duke hyrë dhe dalë rregullisht në këtë vend.Incidenti ka të bëjë me praninë e babait të Gjyqtarit, shtetasit Damin Damini, i cili ka të shënuar në pasaportën biometrike, vendlindjen Mazrek, një krahinë, në Camëri duke bërë kështu që punonjësi i pikës Kufitare të vendosë shënimin që ai nuk disponon një dokument të vlefshëm udhëtimi, pavarësisht se ai udhëtonte me një pasaportë të vlefshme biometrike.Më këtë motivacion, punonjësi i pikës kufitare nuk ka lejuar të hyjë në shtetin Grek, as Gjyqtari Skënder Danimi dhe bashkëshortja e tij, të cilët sipas punonjësit ishin duke shoqëruar një person të padëshiruar.

Në cilësinë e Zv. Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë,  vlerësoj se arsyet e paraqituara nga autoritet kufitare Greke, janë të paarsyeshme dhe diskriminuese, prandaj kërkon nga autoritetet shqiptare të ndërhyjnë.

June 6, 2011

Nje lutje per Shqiperine

At Anton Belushi: 3 Milione Shqiptare e begatojne Greqine. 



http://top-channel.tv/video.php?id=25806