December 31, 2017

I PAHARRUARI RASIM BEBO

AGIM SHEHU 

Ka dy javë që na ka lënë pa praninë e tij, po për të mund të shkruash në çdo kohë, pasi ai hyn në njerëzit e shquar që duke u ndarë nga jeta mbi tokë, ka hyrë brënda kohës. Dhe koha do flasë për të, duke thënë dhe vlerësimet më të çmuara që jeta e gjallë ia kurseu. Por ai nuk pyeti kurrë për to, pasi ishte figurë e veçantë me një modesti dhe thjeshtësi që të habiste. Nëse kish gjë që atë e shqetsonte dhe e trondiste, ishte fati i Camërisë. Kur i kujtoje vëndlindjen - Camërinë, qënia e tij merrte psikologjinë e dhëmshur të fëmijës para lodrave të moshës. Në raste të tjera me dhimbje shpirti për vëndlindjen, tragjedia e Camërisë ushqente dramën e shpirtit të tij. Ia njoh mirë këtë gjëndje të dyzuar, pasi me të kam pasur letër këmbim e mesazhe të vazhdueshme herë të fuqishme me tronditje Atdheu, herë të gëzueshme me butësi miku. Flisnim dhe nga një kënd tjetër si përfaqësues, sado modest, të dy krahinave me jetë të madhe në historinë e kombit shqiptar, - njëri nga Camëria tjetri nga Labëria. Ia kujtoja këtë me gjysëm humori të çiltër, e Rasimi qeshte nga larg si fëmijë prej ëngjëlli. Pastaj më kujtonte me adhurim se për Camërinë janë vrarë qindra lebër kundër armikut të përbashkët e të pabesë, grekut shovenist. (për saktësim bindës, i kujtoja se në fshatin tim Progonat, kish fëmijë me emrin Mecovite - në Gugaj apo Lelaj- e më tej, Bezhani...Qenë vëndemrat shqiptare të cilat i mori dhunshëm Greqia, e që luftëtarët e fshatit si betim se ato qenë tonat dhe do t'i merrnim përsëri kur ta binte koha, ua ngjitën emërtim fëmijve si betim, apo ua lanë detyrë atyre kur të rriteshin)...Ne jemi një valle dyshe, apo një ylber me dy skaje - më thoshte nga larg Rasimi, dhe priste përgjigjen time. Unë shtoja - jemi gjithashtu dhe një vetëtimë me dy skaje të mprehta drite që sa të jetë gjallë do kërkojë të drejtën. - E ndjeja se ai, matanë Oqeanit, më përgëzonte me gjithë fuqinë e shpirtit. 

   Herët, kisha lexuar rastësisht diçka të tij, dhe më kish befasuar gjer në adhurim. Por njohjen e plotë e bëra pas takimit me të në Cikago, Me interesimin e poetit Dalan Luzi u bë aty një takim i gjerë letrar e artistik. Në krye, te krahu im u ul qerësisht një njeri i moshuar. U përshëndetëm e këmbyem emrat. Ishte Rasimi. Fytyrën ia lezetonte një gëzim i brendshëm, gati me ëmbëlsim fëmie. Iu përgjigja po ashtu gjëndjes së tij shpirtërore e i fola për pjekurinë dhe bukurinë e shkrimeve të tij, aq sa më kujtoheshin...Befas, me zë të çiltër e të përzemërt më tha ngadalë - jam shumë i lumtur, që këtu Camëria me Labërinë janë ulur krah më krah! - Nuk gjeta fjalë më të mira për t'iu përgjigjur, dhe buzëqesha si miratim...Në fund në mbyllje të tubimit, më futi dorën në xhep dhe më la një tufë dollarësh. Kundërshtova dhe u përpoqa t'ia ktheja. Ai ma preu - janë me urdhër, jo vetëm nga unë e do fyhen, Udhë e gjatë që nga Zvicra, e ke shumë harxhime...- U ulëm për kafe. Biseda e ngjarje të çdo lloji po ngjallnin të kaluarën me bukuri te veçantë historie. Rasimi shkruante në një fletorkë ato tregime që i uleshin në zemër. Sigurisht të Camërisë përpara. Dhe unë atje përqëndrohesha. Tregova sesi një i moshuar çam po përcillej  në banesën e fundit, dhe fytyrën e kish të qeshur. Pandehte se po e çonin në Camëri...-Rasimi buzëqeshi me zemër, pastaj fytyrën ia mbuloi një hije trishtimi për dramën e pazgjidhur ende të vëndlindjes. Pastaj e zbuta rrëfimin. Tregova ngjarjen që ma kish thënë im atë e që e kish parë me sy vetë në fshat kur qe 14 vjeç: Heroi Ismail Lesko Progonati vjen në vëndlindje nga Janina ku qe drejtues garnizoni. Bandat greke sulmojnë si ujqër një grup dasmorësh çamë, u marrin dhe kalin e grivër të nuses për t'i fyer. ...Kalon Ismail Leskua me trimat dhe shpartallon bandën që merr arratinë. Dasmorët përgëzojnë me të gjitha urimet kryetrimin progonatas, dhe i japin si dhuratë kalin e nuses. Bashkëfshatarët u habitën kur e panë me këtë kalë që nuk ia njihnin. Ai u tregoi ngjarjen, që im atë i vogël s'e ndau nga kujtesa. Sigurisht as unë. Rasimi po se po!

    Me Rasimin kam mbajtur vazhdimisht një lidhje të përzemërt. Aq sa i thjeshtë e i ndershëm, në përfytyrimin tim ai ngrihej gjithnjë e më i plotë një figurë personaliteti. Këmbenim krijimet tona. Ai shfaqej denjësisht dhe publicist, dhe studjues, dhe shkrimtar, dhe polemist, dhe historian. M'i dërgonte tërë kënaqësi botimet e tij. Më pëlqyen sidomos ZEUSI dhe DODONA. Më befasoi kultura e tij historike, thellimi në mitologjinë pelazgo-ilire që me Camërinë i lidhin fije ari. Në një rast më shprehu pikëllimin që botuesi çam ia kish nxjerrë librin e dashur të tij me gabime të pafalshme, me mospërfillje, thua ia kish botuar greku! Qesha miqësisht nga larg, duke e ngushëlluar se kjo është dëshmi e bukurisë së veprës. Më tej, shtypi publikoi thëniet e figurave të shquara të BE-së, Hahn e Flekenstajn, thënë veç e veç, se duhet zgjidhur më në fund çështja çame! I shkruaj nga larg Rasimit, të bëjmë gati kostumin e ri shqiptar se do vemi më në fund në Camëri. Ai qeshi me zemër. Jam gati, u përgjegj, do djeg shtëpinë për atë kostum. - Pas ca kohe, i them se ç'bëri me kostumin! Ma ktheu - e porosita, të zezë si shqiponja...Kam dhe këmishën e kuqe. Do vemi si dy flamurë...Po ç'e do! Të keqen e kemi brënda - shtoi me një trishtim të lodhur që na ka zënë për gryke. - E more vesh...Shqipëri zeza! Drejtuesi i Partisë udhëzon publikisht në Dibër, që votën më mirë ta hedhin në Drin se t'ia japin çamëve! Kuje e zezë. Athina udhëzon me gojën e tyre...Me kurthet nga "lart" kryesia e Partisë çame ikën nga Kuvëndi, dhe aty shtohen grekomanët! - Më tej shtoi: - Kryetari ynë, që mos qoftë, ka vetëm një "meritë", flet e flet llafe pa bukë, por asnjë veprim. Heshtje siç do Athina, sikur bën planin e saj...Ajo që s'i falet, u bashkua me kreun grek në Kuvënd, Dulen, që të bënin Fatos Nanon President, armikun e hapur të Camërisë...Ditë e zezë me fat të zi, e mjera Camëri! 25 vjet, dhe nuk u bë një revoltë çame sa të dridhej së pari Tirana...Ku vanë të parët tanë luanë...A do dalë një burrë i gjakut të tyre që të na prijë!...Por doemos do dalë. Camëria ka qënë dhe do mbetet Shqipëri!.. Nuk kam fuqi të shtoj më tej, miku im i dashur, se jam në fund të jetës. Besoj, ç'kam në mëndje e në zemër t'i kam thënë..." 

   Fjalë të tilla prej personaliteti me shkëndia martiri i lexoj e i përsëris në kujtesë, dhe ndjej një dhimbje shpirti ndaj figurës së tij. Ai jetoi gjatë, thua nga shpresa që ta shihte me sy gëzimin për t'u kthyer në vatrat e tyre. E gënjeu jeta me njerzit në tokë, dhe shkoi t'u qajë hallin Zotit dhe ëngjëjve - bëni njerzit njerëz dhe ndihmomani Camërinë! Izraeli nuk ka më shumë vlera e shënjtëri se sa "Pelazgët Hyjnorë" , siç i quan Homeri. Për këtë. unë lashë dëshmi mbi tokë , sado modeste, ZEUSIN dhe DODONËN...-

     Rasim Bebo u largua nga jeta mbi tokë, sepse e kërkoi përjetësia. Thuhet bukur, se artisti o njeriu i shquar kur vdes, fillon të jetojë. Jeta e veprës është shumë më e gjatë dhe më e çmuar në bukuri sesa jeta e rëndomtë. Zyrtarët meskinë dhe shpirtzinj me mjeshtëri të vetme hajdutin, që për figura të tilla si Rasim Bebo nuk u kujtuan për asnjë vlerësim, i kanë hedhur baltë me jetëgjatësi fytyrës së tyre. Emri i tij do vijë duke u rritur sipër veprës së tij në përmasat që i takojnë. Figurave të tilla, jeta dhe vepra ua zbukuron dhe vdekjen.

No comments:

Post a Comment