October 19, 2010

Nis organizimi i komunitetit shqiptar për zgjidhjen e çështjes kombëtare

Çështja çame, lobim i kordinuar nga komuniteti shqiptar në SHBA

Në kuadër të një vizite intensive dy javore në SHBA, deputetët Idrizi dhe Tahiri para disa ditësh u takuan në Chicago me kongresmenin Mark Kirk dhe i dorëzuan atij dosjen me materiale ligjore dhe historike për çështjen çame dhe e familjarizuan me aktivitetin e PDU në lidhje me këtë çështje. Kongresmeni Kirk, një mik i mirë i shqiptarëve dhe i Shqipërisë, ka qenë pilot dhe ka marrë pjesë aktivisht në konfliktin në Kosovë dhe ish republikat jugosllave. Kështu si një njohës i mirë i situatës politike të Ballkanit, ai diskutoi me z. Idrizi për situatën sot në Ballkan dhe respektimin e të drejtave  të shqiptarëve në Maqedoni me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi. Në materialet e dorëzuara nga kryetari i PDU-së, ishin një sërë dokumentash ligjorë që faktojnë kërkesat e gjithë komunitetit çam të Shqipërisë. Z. Idrizi e ftoi kongresmenin Kirk në një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u prit me shumë kënaqësi.

Në takimin me komunitetin shqiptar në Illinois merrnin pjesë shqiptarë nga të gjithë trojet shqiptare. Të pranishëm ishin përfaqësuesit e të gjitha shoqatave dhe komuniteteve, nga Çamëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria.  Të pranishëm ishin edhe veprimtarë te shoqatës Çamëria nga shteti Michigan.  Deputetët pasi parashtruan punën njëvjetore të PDU për promovimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare folën për planin dhe objektivat konkrete që PDU ka. Tek ky takim u paraqit një prezantim historik i rolit të komunitetit çam në SHBA nga nënkryetari i shoqatës “Chameria Human Rights” që nga krijimi i shoqatës “Chameria” në vitin 1918 në Boston e Connecticut, me rolin kyç të qeverive amerikane për zgjidhjen e çështjes kombëtare tek veprimtaria e Bilal Xhaferrit, Lidhjes çame në SHBA, e deri më sot. 


Tek ky takim, kryetari i Shoqatës së Intelektualëve Skënder Karaçica u shpreh se çështja e dhimbshme kombëtare e çamërisë tashmë e ka rradhën që të lëvizë në të gjitha rrafshet politike, diplomatike edhe nga Tirana zyrtare. Sipas tij, afrimi i dokumentacionit arkivor e historik në Kongresin Amerikan tregon se Çamëria ka marrë pasaportën e vet dhe do të ketë nismat diplomatike në Amerikë dhe në Bashkimin Europian. “Pasaportë” që nënkupton hapjen e çështjes së Çamërisë në hapësirat diplomatike në SHBA e në botë, ndonëse deri tani ajo ka qenë e fshehur dhe mohuar nga qeveritë greke. Z. Isuf Azemi, kryetar i Lidhjes Kosovare në shenjë falenderimi i dhuroi miqve një libër për aktivitetin dhe historinë e Lidhjes  së Kosovës në Amerikë.

Midis të tjerash, z. Idrizi bëri një ekspoze të qartë të punës dhe ecurisë së deritanishme dhe kërkoi të bëhet një kordinim më i mirë nga e gjithë diaspora shqiptare për të lobuar këtë çështje me të gjithë përfaqësuesit në Senat e Kongres. Për të,  mungesa e një ministrie të Diasporës shqiptare është një pengesë e madhe e zgjidhjes së problemeve të mërgimtarëve. Ai shprehu domosdoshmërinë që të krijohet kjo ministri sepse e kërkon koha e sotme integrimin e mërgimtarëve, për t’u kujdesur për potencialin e tyre të madh e për të ndikuar në zhvillimin e vendlindjeve të tyre. Të gjithë të pranishmit shprehën gadishmërinë për t’u mobilizuar edhe njëherë dhe bashkëpunuar për të zgjidhur këtë çështje të fundit të kësaj rëndësie për shqiptarët kudo që janë. Në takim gjithashtu u ra dakord për mbledhje të herë-pas-hershme që do të vijojnë, dhe përgatitjen e një platforme të përbashkët me të gjithë diasporën dhe përfaqësuesit e tyre të të gjitha qyteteve dhe komuniteteve që për herë të parë flasin të gjithë në një zë për këtë çështje.

No comments:

Post a Comment