October 19, 2010

Partia për Drejtësi dhe Unitet zhvilloi takime me Departamentin e Shtetit, shoqatën Çamëria dhe Komunitetin shqiptar në SHBA

Partia për Drejtësi dhe Unitet (P.D.U.) zhvilloi një vizitë zyrtare në SHBA me çështjen çame në rend të parë të agjendës së saj. Dy deputetët e kësaj force politike, kryetari i PDU-së Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri zhvilluan takime me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Kongresit dhe  Senatit, me qëllim prezantimin e çështjes çame dhe kërkesës për të vepruar për zgjidhjen e kësaj çështjeje. PDU u takua edhe me zyrtarë të Komitetit të Helsinkit, National Democratic Institute dhe kongresmenëve të ndryshëm. Në kuadër të kësaj vizite u zhvilluan edhe takime të shumta me degë të Shoqatës ‘Chameria Human Rights’ dhe organizata shqiptaro-amerikane për të krijuar një rrjet të domosdoshëm mes këtyre, në lidhje me projektin për Këshillin Kombëtar të Diasporës që është në programin e PDU-së. Të gjithë individëve dhe institucioneve iu prezantua dosja informative me dokumenta ligjore dhe historike për ta njohur dhe kuptuar në thelb çështjen çame.
Në ditën e dytë të vizitës në Washington deputetet u takuan edhe me z. Avni Mustafa, drejtor i përgjithshëm i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Ky takim ishte i vlefshëm për informimin mbi aktivitetin e PDU, dhe për te kërkuar bashkëpunim me diasporën shqiptare në përpjekjet për sensibilizimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare dhe ne veçanti asaj çame. Deputeti  Shpetim Idrizi theksoi rëndësinë që ka pasur diaspora shqiptare në mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe se roli i tyre ka qënë vendosës në sensibilizimin e aktorëve ndërkombëtar. Deputeti Dashamir Tahiri foli rreth punës se PDU-së, aktivitetet dhe arritjet e deritanishme. Drejtori i NAAC siguroi bashkëpunimin e mëtejshëm për koordinimin e të gjithë diasporës shqiptare për zgjidhjen përfundimtare të çështjes kombëtare.
Më tej delegacioni i PDU-së mori pjesë edhe në një takim të rëndësishëm me z.Robert Hand dhe z. Ronald McNamara, anëtarë të grupit këshillor pranë Komisionit të Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Europë, pranë Komitetit të Helsinkit. Z. Idrizi i prezantoi aktivitetin e PDU-së, misionin dhe objektivat, dhe i dorëzoi dosjen informative me fakte ligjore mbi genocidin çam dhe të drejtën e mohuar pronësore. Deputeti Dashamir Tahiri kërkoi sygjerime nga ky grup këshillor për rrugën dhe strategjinë që PDU mund të ndjekë në arritjen e objektivave të saj. Të dy deputetët e mundësuan shpjegimin e të gjithë historikut të çështjes çame dhe të sjelljes aktuale të të gjitha shteteve të ndërlidhura në këtë çështje. Në takimin e zhvilluar me kongresmenin Ben Chandler u theksua rëndësia e çështjes çame si nga çështjet e fundit e pazgjidhura të Ballkanit dhe ndërhyrjen e gjithë aktorëve të përgjegjshëm politik për të kërkuar ushtrimin e të drejtave themelore të njeriut dhe të pronës nga çdo shtet europian. Kongresmenit iu kërkua mbështetje dhe këshillim dhe iu kërkuan kontakte të vazhdueshme për të lobuar dhe për ta njohur ndërkombëtarisht këtë çështje.
Në një pritje të veçantë deputetët Idrizi dhe Tahiri u pritën pranë N.D.I., (National Democratic Institute) nga drejtori rajonal për Europën Juglindore, z. Robert Benjamin dhe znj.Catherine Messina Pajic, zëvendës-drejtoreshë për Europën Juglindore. Z. Idrizi falenderoi NDI për presencën e tyre në Shqipëri dhe kërkoi bashkëpunimin në të ardhmen edhe për trajnimin e stafeve politike shqiptare dhe atyre të PDU në veçanti për ndërgjegjësimin e çështjes çame. Edhe në Institutin Amerikan të Paqes, në takimin me z. Daniel Serwer, z. Idrizi theksoi rëndësinë ndërkombëtare që ka ky institut në zgjidhjen dhe promovimin e zgjidhjeve me mjete paqësore.
Ditën e fundit të vizitës në Washington, PDU u takua edhe me kongresmenin Mike Quigley, të cilit iu prezantua historiku i çështjes Çame. Të njëjtën ditë, deputetët morën pjesë në mëngjesin e lutjeve që organizoi kongresmeni Robert B. Aderholt, ku patën mundësinë të njihnim një sërë funksionarësh të niveleve të larta. Edhe në këtë takim PDU pati mundësinë të sensibilizonte të pranishmit për rëndësinë e zgjidhjes përfundimtare te çështjes çame, në rrugë juridike dhe në respektim të plotë të të gjitha konventave europiane. Z.Idrizi theksoi se nuk tërhiqet pa zgjidhur përfundimisht këtë çështje ndaj kërkoi bashkëpunimin e të gjithë aktorëve ndërkombëtarë.

PDU zhvilloi edhe takime në Chicago dhe në New Jersey e New York me diasporën shqiptare, për t’i njohur ata me projektin e PDU - kryesisht krijimin e një institucioni të veçantë në Shqipëri për njohjen, promovimin dhe zgjidhjen e problemeve të diasporës por edhe për të krijuar një rrjet të mirëfilltë për imazhin e Shqipërisë në botë. Janë këto takime që do ti kërkohet të gjithë qytetarëvë shqipëtarë me shtetësi amerikane të kërkojnë pranë përfaqësuesve të tyre në të gjitha nivelet lobimin për çështjen kombëtare dhe në veçanti atë çame.
Me ftesë të Federatës Mbarëshqiptare “Vatra”, kryetari Shpëtim Idrizi dhe deputeti Dashamir Tahiri u pritën në një takim të organizuar nga kryetari i “Vatrës” Dr. Gjon Bucaj dhe anëtari i bordit drejtues, z. Zef Balaj. Gjon Bucaj vlerësoi PDU në  bashkërendim për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Në këtë takim me rëndësi të veçantë ishte njohja e PDU me punën dhe kontributin e Vatrës dhe shoqatës Chameria Human Rights në SHBA dhe prezantimi i punës dhe përpjekjeve të PDU për promovimin e çështjes kombëtare. Me këtë rast PDU dorëzoi një sërë materialesh, librash dhe videosh që tregojnë  në mënyrë kronologjike të gjithë aktivitetin e saj deri tani.

Deputetët kërkuan nisjen e një bashkëpunimi shumëpalësh për të kordinuar të gjitha shoqatat, grupimet dhe individët me influencë të diasporës, asaj të vjetër dhe asaj të viteve të fundit për të organizuar një aktivitet mbarëshqiptar në Tiranë ku të hidheshin themelet e një politike dhe agjende kombëtare shqiptare. Agjendë kjo ku të gjithë faktorët e rëndësishëm do t’ja imponojnë në vazhdimësi të gjitha qeverive shqiptare. Një diskutim tjetër i rëndësishëm ishte rreth kërkesës së PDU drejtuar qeverisë shqiptare për komitetit shtetëror të Diasporës që të ndihmojë në identifikimin, mbledhjen, promovimin dhe zgjidhjen e problematikave të ndryshme të shqiptarëve kudo që jetojnë. Një sërë temash të tjerash rreth një commonwealth-i ekonomik i zonave shqiptare të Ballkanit, njehsimi i gjuhës shqipe e të tjera ishin pjesë e këtij bashkëbisedimi.
Gjithashtu z. Idrizi theksoi se gjëja me e rëndësishme në statutin e Vatrës të shkruar nga vetë Noli kur fliste për çështje kombëtare i referohej vetëm Shqipërisë. “Jo se ai nuk e dinte se Kosova, Çamëria, shqipëtarët e Malit të zi dhe Maqedonisë po jetonin nën regjimet e egra të shteteve fqinje, por se në mendjen e tij kishte vetëm një Shqipëri. Kështu që edhe për ne të nderuar miq, bashkëkombas ka vetëm një Shqipëri kudo që jetojnë shqiptarët. Ajo është Shqipëria e të gjithë shqiptarëve jashtë kuptimeve administrative dhe Vatra e di më mirë se të tjerët këtë fakt.” Vatra vlerësoi punën e kryer nga PDU dhe siguroi që ky do të ishte fillimi i një bashkëpunimi serioz dhe afatgjatë gjithmonë në promovimin dhe zgjidhjen efikase të çështjes kombëtare shqiptare. Takime të tjera të mirëorganizuara do të vijojnë në një kohë të shkurtër.
Fundimisht, PDU me vlerësimin e kontributit të rëndësishëm të diasporës shqiptare kreu një fushatë të gjerë sensibilizimi pranë kongresit dhe senatit për ta nxjerrë nga sirtarët e historisë çështjen çame. Takimet shërbyen jo vetëm për të sensibilizuar qeverinë amerikane por për të organizuar së shpejti takime të niveleve të larta për të dërguar diskutimin për cështjen Çame në nivele të patjetërsueshme politike por edhe akademike. Deputetët njëzërazi theksuan se janë të bindur që kjo vizitë ishte një hap më afër Çamërisë dhe përfundimisht ishte hapi i parë në rrugën e mbarë.

 Duke ditur që tashmë jemi në  prag të votimeve në Dhomën e Përfaqësuesve, sot shqiptarët ndodhen më afër se kurrë për të realizuar diçka që deri tani ka qenë vetëm një ëndërr. Duke votuar për një shqiptar ose mbështetës të papërkulur në do të ndryshojmë pejsazhin politik në lidhje me çështjet sociale dhe ato kombëtare. Fitoret e shqiptarëve në këtë shekull janë në pjesën më të madhe si rezultat i lobimit në sallat e Kongresit. Prania e një kongresmeni shqiptar në Capitol Hill është  një gjë tepër e çmuar, sidomos për kombe të vogla si jona dhe historikisht pa përfaqësues në Washington. Historia e gjallë e  Çamërisë po shkruan faqe të sakta dhe ndihma e Shteteve te Bashkuara të Amerikës është e domosdoshme dhe e pallogaritshme, kështu vizita e delegatëve shënon një moment historik në rrugën drejt zgjidhjes së çështjes kombëtare.

No comments:

Post a Comment