October 19, 2010

Riorganizohet Shoqata Çamëria në Michigan

Nga Omer Murati

Me iniciativën e  disa aktivistëve në shtete të ndryshme, degët e Shoqatës për të Drejtat e Njeriut “Çamëria” po riorganizohen për t’u bërë pjesë e fushatës së gjerë të lobimit për zgjidhjen e çështjes çame në organizmat e SH.B.A., si në Kongres edhe në Departamentin e Shtetit. Të shtunën në ambjentet e qendrës “Balkan American Community Center” në qytetin Troy u mbajt një aktivitet për ristrukturimin e Shoqatës Çamëria për shtetin Michigan.
Në mbledhje morën pjesë shumë aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit çam. Aty u vlerësua rëndësia e mbështetjes së dhënë nga diaspora shqiptare në Amerikë për zgjidhjen e çështjes shqiptare e sidomos atë të Kosovës, ku qeveria e SH.B.A. dha ndihmë tepër të madhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Kryetarja Juliana Spiro theksoi se shoqata Çamëria dhe anëtarët e saj kanë fatin që jetojnë në SH.B.A, një vend shembull i të drejtave të njeriut dhe mbrojtës i madh i popullsive të vogla e të persekutuara nëpër botë. Pasi bëri një bilanc të arritjeve dhe mungesave, ajo shprehu dëshirë për të vazhduar të japë kontributin e saj maksimal edhe në të ardhmen.

I ftuar ish dhe prof. Mërgim Korça, i cili u shpreh se pavarësisht se ku kemi lindur “sot të gjithë jemi çamë”. Ai paraqiti një sërë informatash e detajesh në lidhje me çështjen e genocidit ndaj popullsisë çame nga kërkimet e tij historike e arkivore. Më tej ai dha sugjerime se si të përmirësohet më tej puna për arritjen e synimit madhor të zgjidhjes së problemit të të drejtave të njeriut të komunitetit çam nëpërmjet organizimit të dokumentave historik e ligjor. Të ftuar ishin dhe veprimtarë nga dega simotër e shoqatës Çamëria në Illinois të cilët dhanë mbështetjen e tyre morale e materiale në lidhje me riorganizimin dhe rrritjen e bashkëpunimit të degëve. Gjithashtu në këtë takim u shfaq filmi dokumentar “Ëndrra e Çamërisë”  dhe u recituan poezi të poetit çam Namik Selmani.
Zgjedhjet, si veprim i domosdoshëm demokratik u kurorëzuan me sukses me zgjedhjen një kryesie të re të degës, me kryetar zotin Arjan Rexho, z. Gerti Memko - nënkryetar, z. Minush Veliu – sekretar, dhe znj. Juliana Spiro - këshilltare. Sipas rekomandimeve të anëtarit të nderit, juristit Agron Alibali, disa nga synimet kryesore të kryesisë së re ndër të tjera ishin: aktivitete për ndërgjegjësimin e popullit amerikan, përfshirë bashkëqytetarët me prejardhje greke, për shkeljen e pashembullt e të drejtave të njeriut, për masakrat dhe gjenocidin e zhvilluar ndaj një populli të lashtë, autokton dhe paqedashës çam; Ruajtja dhe përcjellja e traditave dhe kulturës çame; Mbledhja e dëshmive të gjalla të gjenocidit dhe masakrave dhe kontakti konstruktiv me përfaqësues të shtetit grek në SHBA, si dhe me zyrtarë grekë që japin leksione publike në universitete e institucione të tjera, në përputhje të plotë me ligjet amerikane.

I urojmë mbarësi kryesisë së re dhe i përgëzojmë vëllezërit e motrat çame për punën e urtë e të mençur që po bëjnë dhe së bashku të vazhdojmë përpjekjet e pandërprera për zgjidhjen e problemit çam. Mjaft pritën gati 70 vjet sepse nuk ka më kohë për të humbur.

No comments:

Post a Comment