April 22, 2011

NJË MARGARITAR PËR ÇAMËRINË SHQIPTARE


Në kundërshtim me deklarimet e qeveritarëve shovinistë grekë që çështja Çame nuk ekziston, kohët e fundit u publikua një vepër e një studiuese të re, Blerina N.Sadiku me titull “Lindja e Çështjes Çame 1820-1943”.Kjo vepër tregon se intelektualët e rinj sot janë të frymëzuar nga idetë e rilindasve me krenarinë e të qenit shqiptarë, për të vënë në vend dinjitetin e Kombit Tonë Shqiptar që është nëpërkëmbur gjatë skëterrës komuniste antikombetare që jetuam dhe që fatkeqësisht ende vazhdon.

Blerina N.Sadiku nuk ka lindur në Çamëri, as i ati i saj, ajo ia dedikon librin gjyshit të saj. Pra brumosjen në familje me kujtimet e mbresat  nga Çamëria, ajo nëpërmjet një pune kolosale studiuese përpiqet ti plotësoi ato me dokumenta të mirëfillta nga arshivat e botimet e huaja për të nxjerrë të vërtetat e mohuara padrejtësisht e të shtrembëruara qëllimisht.

Dhe për të gjetur materialet origjinale të sajesave të shtrembëruara, Blerina N. Sadiku, si studjuese e vërtetë i imponon vehtes, që përveç gjuhëve të huaja që ajo zotëronte, të mësoi edhe gjuhën greke. Pra krahas të dhënave nga korespondencat e konsujve të huaj si edhe dosjeve e librave ne biblotekat ndërkombëtare, këtu na paraqiten edhe shkrime te autorëve grekë. Në këtë mënyrë të dhënat që paraqet në këtë flakadar të Çështjes Çame janë më se të pakontestueshme. Këtu paraqitet edhe më qartë atdhedashuria dhe madhështia e kësaj vepre origjinale të studiueses së re. 

Historiani atdhetar, i mirënjohuri Prof. Dr. Pëllumb Xhufi në parathënien e librit shkruan: “Libri “Lindja e Çështjes Çame: 1820-1943” pasuron në një mënyrë origjinale historiografinë mbi Çamërinë, e cila me gjithë botimet e shumta të këtyre njëzetvjetëve të fundit, vazhdon të mbetet difiçitare në raport me interesimin e lexuesit e të vetë shkencës. Ky libër. që përveçse është një akt i vërtetë dashurie i autores ndaj tokës së të parëve të saj, është gjithashtu një shpalosje të vërtetash historike, nga ato që dikush do të donte të mbeteshin të fshehta e të panjohura përjetë”.

Për ne që kemi lindur në Çamëri është krenari e dyfishtë dhe njëkohësisht mallëngjim i madh se duke lexuar e njohur fakte të paditura deri më sot i bëjnë edhe më të plota dhimbjet për vuajtjet e masakrimet që kemi hequr mbi kurriz, e që nuk mund të na hiqen nga kujtesa, të ushtruara  nga qarqet shoviniste greke; që nga pushtimi i Çamërisë Shqiptare më 1913 e deri në genocidin e ushtruar ndaj nesh më 1944-1945 dhe shpërnguljen me dhunë nga shtepijat dhe pronat tona mijëra vjeçare.

Në kapitullin e parë jepen të dhëna mbi pabesinë karakteristike dhe ksenofobinë e njohur greke si ndaj shqiptarëve, sllavo-maqedonasve,vllehëve dhe hebrejve; pavarësisht se ata përbënin shumicën në kryengritjen greke për pavarësi më 1821. Në fillim, udhëheqësi   revolucionit grek Dh. Ipsilanti u drejtohej figurave më të spikatura të Çamërisë: “Shumë kurajozë Kryetar Pronjo dhe Çapari dhe gjithë Çamëve, ju përshëndes! Unë dhe atdheu ju falenderojmë . Dhe tani duke u bashkuar me ne për liri, konsideroheni si vëllezërit tanë! (J. Filimennos, Dokimion istoriku peri tis Elenikis epanastaseos 1858-1860). Por kur kisha dhe shtresat e larta të shoqërisë greke nisën të mbjellin farën e përçarjes dhe të urrejtjes ndaj gjithë atyre që nuk ishin grekë; ai ishte i pafuqishëm për ti ndalur për faktin se lufta e grekëve për pavarësi kishte shtruar si përparësi të platformës politike greke krahas përmbysjes së sundimit osman, zgjerimin e kufijve të territorit grek si edhe çrrënjosjen e minoriteteve jogreke.
Kapobandat greke gjatë çdo marshimi drejt krahinave që banoheshin nga etni jogreke për nga feja dhe kombësia, inkurajoheshin me parullën e njohur: “Përpara me kryqin në njërën dorë e në tjetrën thikën”(shkruan I. Lambridhi në Ipirotika meletimata, Athinë 1888)

Kapitulli i dytë, analizon me fakte luftën dhe vendosmërinë e çamëve në Periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mbasi Kongresi i Berlinit me Protokollin nr 13, më 5 korrik 1878, vendosi që Krahina Shqiptare e Çamërisë ti jepej Greqisë, shqiptarët e Çamërisë së bashku me ata të krahinave të tjera të Shqipërisë së Poshtme të revoltuar dhe me armë dore, u ngritën kundër atij vendimi të padrejtë. Më 11 janar 1879 në Prevezë u mblodh Kuvendi me pjesëmarjen e përfaqësuesve të komiteteve të  Lidhjes  Shqiptare të  Shqipërisë së Poshtme. Prezenca e delegatëve dhe i një numri të madh njerëzish të armatosur shqiptarësh nëpër rrugët e Prevezës krijoi shqetësime serioze tek konsujt e huaj në Janinë. Më 28 janar 1879, iu dërgua një Peticion Fuqive të Mëdha që patën nënshkruar Protokollin nr 13, ku me vendosmëri të plotë nënvizohej: “…për ne është më mirë të bëhemi fli për të mbrojtur ekzistencën tonë të sotme dhe të ardhshme, se sa t'i dorëzohemi Greqisë (Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912). Këtu nënvizohet shumë qartë roli i pazëvëndshueshëm  i Çamit, Abedin Pashë Dinos, I cili krahas Abdyl Frashërit si dy nga drejtuesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, luftoi me këmbëngulje si me anën diplomatike ashtu edhe me pajisjen e shqiptarëve me armë që Çamëria të mos  shkëputej nga tokat e tjera shqiptare.
Falë qëndresës ushtarake dhe diplomatike të Lidhjes Shqiptare, krahina e Çamërisë së bashku me rrethinat e Janinës mbetën përsëri brenda kufirit të Perandorisë Osmane, duke mos iu prekur keshtu asnjë pëllëmbë tokë e truallit shqiptar.
Ajo që i frymëzonte Shqiptarët e Çamërisë,shkruan anglezi Çajrëll, për të marrë një vendim të tillë, nuk kishte të bënte me ndonjë fanatizëm fetar, por me besnikërinë ndaj çështjes së tyre kombëtare, e cila tek shqiptarët ishte e fuqishme (V. Chirol, London 1881). Dhe si përfundim të këtyre përpjekjeve diplomatike por edhe ushtarake të Shqiptarëve; në maj të 1881, Fuqitë e Mëdha e anulluan vendimin e tyre të mëparshëm.

Në kapitullin e tretë, studiuesia B. N. Sadiku, na paraqet përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për zgjidhjen e Problemit Çam në Konferencën e Paqes në Paris. Për korigjimin e padrejtësive të mëdha të Konfrencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, që la jashtë kufirit të shtetit amë Krahinën e Çamërisë; adhetarët shqiptarë u përpoqën që Çështja Çame të përfshihej në Konferencën e Parisit (1919-1920). Autoritetet greke që me pushtimin e Çamërisë filluan reprezaliet dhe masakrimet ndaj popullsisë shqiptare (konsujt Austro-hungarez dhe Italian japin të dhëna mbi vrasjet masive).
Greqia me anën e pushtimit dhe politikës që ndoqi u përpoq me anën e genocidit dhe asimilimit të zhdukte popullsinë shqiptare nga trojet etnike mijëra vjeçare.Për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar një rol shumë të rëndësishëm luajti mërgata e shqiptarëve ne Amerikë. Me anë të Peticioneve e letrave të dërguara si Kryetarit të  konferencës ashtu edhe Presidentit Wilson ,Shoqëria Çamëria ju drejtohet:..”Në emrin e parimit të kombësisë për të cilin aqë shumë gjak është derdhur, dhe për dashurin e paqes së pritme në Ballkan, me përulësi i lutemi Shkëlqesisë Tuaj që ti ktheni krahinat tona atdheut tonë Shqipëris se janë të sajat nga etnografia, ndjenjat, gjeografia dhe historia.
Këtu vlen për tu nënvizuar,vazhdimësia e atdhetarizmit  çam, kur e bija e z.Rasih Dino, mbesa e të madhit Abedin Pashë Dinos, Zonjëza Leila Dino i drejtohet Zonjës së Presidentit Wilson, në emër të Komitetit Kombëtar të Zonjave Shqiptare në lutje Presidentit Wilson të përdori influencën e tij në interesin e atdheut tonë të dashur, Shqipërisë. Por fatëkeqësisht Krahina Shqiptare e Çamërisë mbeti nën pushtetin shovinist grek.

Kapitulli i katërt i kësaj vepre historike me vlera të veçanta, i kushtohet luftës për shkollën Shqipe në Çamëri. Çështja e arsimit shqip, e pajisjes së nxënësve me abetare shqip me alfabetin e Stambollit, ishte në qendër të vëmëndjes të adhetarëve shqiptarë të Çamërisë që më 1908. Me këmbëngulje u luftua kundër tendencave xhonturke për të përdorur gërmat arabe në mësimin e gjuhës shqipe.
Por pushtimi grek i Çamërisë më 1913, i mbylli edhe ato pak shkolla shqipe. Megjithë “premtimet” e qeverisë greke për përdorimin dhe mësimin e gjuhës shqipe nga minoriteti shqiptar çam,asnjë shkollë shqipe nuk u hap deri më 1936. Bile edhe atëhere u premtua për tu hapur 5 shkolla shqipe me kusht që më parë të hapeshin shkolla greke në Himarë.
Qeveria greke në anën tjetër, edhe me lejen e autoriteteve turke të kohës, mbasi krahina e                    Çamërisë mbeti e pandarë nga trojet e tjera shqiptare më 1881; filloi hapjen e shkollave greke me qëllim greqëzimin e të krishterve çamë që faktikisht edhe në shërbimet fetare përdornin gjuhën shqipe.
Metropoliti i Paramithise Neofiti më 1910, shpërndan urdhrin: “…çdo vajzë e krishterë duhet të shkojё në shkollë greke, që nesër fëmijve të saj të mos u flasi shqip.”
Këto qëllime shoviniste mesjetare vazhdojnë të përdoren edhe sot nga mbështetësit e Janullatosit duke hapur shkolla greke aty ku nuk ka asnjë grek.
Kjo vepër madhore, mbushur me të vërteta historike të panjohura deri më sot, e atdhetares  studiueses së re z. Blerina N. Sadiku e bën më të plotë luftën kundër shovinizmit grek, kur ende sot në shekullin e XXI, mbas pushtimit të Krahinës Shqiptare të Çamërisë, vazhdon me pretendime absurde për të ashtuquajtur fantazëm vorioepir.

Sali Bollati, New York, Prill 2011.

No comments:

Post a Comment