July 2, 2011

GENOCIDI GREK NDAJ POPULLATËS ÇAME

Fjalim nga prof. Mërgim Korça në përkujtimin e 67 vjetorit të Genocidit grek ndaj Shqiptarve të Çamërisë në Michigan. 2011.

Të nderuar bashkatdhetarë, Zonja edhe Zotërinj,

Të mbledhur siç jemi sot për t’a rikujtuar me dhimbje në zemër dhe lot ndër sy atë që me plot të drejtë është quajtur GENOCIDI GREK NDAJ POPULLATËS ÇAME, nuk kam si të mos e filloj fjalën time me falënderimin ndaj organizuesve të këtij tubimi, drejtuesve të Organizatës Shqiptaro-Amerikane Çamëria, të cilët më nderuan duke më ftuar të mbaja edhe unë një fjalë me këtë rast.
Dua t’a filloj këtë bashkëbisedim duke shtruar një pohim madhor të nobelistit indian Rabindrand Tagora i cili ka pohuar se : “Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e kaluara duke e ndërtuar të tashmen, nuk ka se si të ketë të ardhëshme.  Ai ësht’i destinuar të zhduket”.   E nisa fjalën pikërisht me këtë pohim madhor sepse e ndjej të nevojëshme, ndërmjet disa paralelizmave, të vij duke e ngushtuar rrethin e të hedh dritë mbi fakte si edhe të vërteta historike të cilat kombin tonë e kanë goditur herë pas here  e madjé edhe rëndë !
Ësht’e vërtetë që sot jemi tubuar të përkujtojmë genocidin grek ndaj popullatës Çame të ushtruar në mënyrë të skajëshme përgjatë periudhës kohore mes viteve 1913 deri më 1944.  Por unë nuk do të hyj e t’ju rikujtoj fakte e dëshmira të pafundme trashëguar nga bashkëkohësit e atyre viteve gjakatare, të shpëtuar gjallë e që me dëshmit’e tyre emrore si për fshatra të djegur e gjithashtu me lista emrore viktimash të pafundme, e bëjnë sa të trishtë historin’e popullatës çame banuese e atyre trojeve etnike shqiptare, por edhe janë dokumente të pashlyeshme për t’a gjykuar shkencërisht atë periudhë historike të kombit tonë.  Të gjitha këto, të mbledhura e të dokumentuara, përbëjnë arkivin që eventualisht do të duhej t’u paraqitet si organizmave ndërkombëtare e gjithashtu edhe vetë drejtuesve të Greqisë. Mirëpo pikërisht këtu fillon e keqja e madhe:  Shteti Grek, nëpërmjet drejtuesve të tij nuk pranon asnjë ballafaqim historik shkencor lidhur me problemin çam.  Këtu tashti edhe ajo Nyje Gordiane e problemit çam që unë dua të analizoj dhe ku dua sado fluturimthi t’ua paraqis juve, të nderuar bashkatdhetarë gjëndjen, shanset, interesat e ndërsjella si edhe gabimet e vërtetuara e që po vazhdojn’e vërtetohen akoma sot nga ata që u ka rënë për pjesë t’a trajtojnë problemin Çam!  E pikërisht që ata gabime të mos përsëriten më ... po vazhdoj me këtë analizë.
     
     ZANAFILLA E PROBLEMIT GENOCIDI GREK NDAJ POPULLATËS ÇAME

Në parim ka edhe studjues grekë si p.sh. zonja Elefteria Manda ose zoti Jorgos Margaritis që krimet e pashëmbullta si edhe çpopullimin e territoreve çame i kanë krahasuar me genocidin nazist ndaj hebrenjëve!  Kjo pak por e saktë.  Ata janë mbështetur në pohimet e tyre duke e marrë zanafillën  tek masakra e pabesë e 72 krerëve të Çamërisë nga famëkeqi kapiten Deli Janaqi tek përroi Selanit në Paramithí, e duke vazhduar me ligjin famëkeq të Reformës Agrare q’e ligjëroi plaçkitjen e trojeve çame nga ana e grekëve !  Si u realizua ai plan djallëzor dhe ato troje shqiptare u bënë pré e tyre ? Plumbi, hanxhari si edhe zjarri qenë faktorët fillestarë si edhe parakushtet vendimtarë q’e sheshuan rrugën për shpërnguljet masive të popullatës Çame në tokat e shkreta të Anadollit ! Vazhdimi nuk qé gjë tjetër veçse zbatimi i t’ashtuquajturës reformë agrare e emërtuar “apallotriosis”, që në shqip do të thotë “TJETËRSIM” !
Po nga ana statistikore si qëndron çështja ?  E theksova që në hyrje se nuk do të hyj në hollësira por veç do të trajtoj parimet si edhe përvojën që duhet nxjerrë, por sa për t’ju dhënë një idé rreth gjakderdhjes shoqëruar me shpërngulje masive të dhunëshme mund të pohoj se, mbështetur në dokumenta historike autorësije greke të P. Aravantinos-it të shekullit XIX-të, raporti i popullsisë Çamërisë paraqitej si vijon:  97.3% popullatë shqiptare dhe 2.7% greke.  Mendoj se vetë shifra e thatë bën që logjika e ftohtë bën të kuptohet pse autoritetet greke si qeveritare, e pastaj mbas tyre edhe shkencëtarët konformistë historikë, kategorikisht i shmangen ballafaqimit !  

EGOIZMI I FUQIVE TË MËDHA DHE RRJEDHOJAT QË KONKRETISHT PASUAN

Ndalemi tashti dhe e shikojmë me mbrapavështrim situatën nisur nga si u krijuan kushtet historike që grekët ndoqën këtë rrugë krimi djallëzore që gjëndja arriti këtu ku është !  Së pari dhe mirëfilli, duhet t’a kemi të qartë se sa herë që të drejtat tona kanë pas qenë nëpërkëmbur, ose edhe kur kemi pas qenë ndihmuar nga Fuqit’e Mëdha, asnjera syresh nuk na e ka pasë blatuar këtë “për hatër tonin”, as edhe mohuar për “inat ndaj nesh”.  Jo, të nderuar bashkatdhetarë.  Gjithmonë ka qenë në mes interesi i secilës fuqi vënë në plan të parë !  Marr shkas me këtë rast t’a sjell në plan të parë pohimin madhor të humanistit mëndjendritur Baba Rexheb-it i cili pohonte se “Kur egoizmi madhor i kalon kufinjtë personalë dhe shtrihet në atë shtetëror, ballafaqohemi me të këqija të pamenduara nga mëndja e njeriut”!   I analizojmë tashti nga ky këndvështrim interesat e ndryshëme shtetërore të asaj kohe që e çuan njerëzimin drejtë Luftës së I-rë Botërore.
   Konferenca e Londrës e 1912-1913-tës vetëm se ballafaqoi e kundërvuri projektet kolonialiste sllavo-greke ndaj projektit etnik shqiptar. Cili ishte qëndrimi i fuqive të mëdha ?  Interesat e fqinjëve tanë territorialë, interesa këto kryekëput grabitqare dhe kriminale të tyre, u mbështetën nga Franca si edhe Rusia.  Lind natyrshëm pyetja përse Franca e mbështeste politikën ruse? Sepse Franca e donte nga ana e saj përkrahjen e Rusisë nga që e kishte si kundërvënje Gjermanisë, (me të cilën ndante pjesë të madhe kufiri territorial të sajin), dhe Austro-Hungarisë.  Po kjo e fundit ç’qëndrim mbante?  Ishte e vetmja që na doli zot sepse interesat kundra-ruse të saja bënë që ajo t’i mbështeste interesat shqiptare.  Kurse Rusia, jo vetëm për interesat e saja pansllaviste që kishte, por për vetë objektivin e saj të kishte mbështetje për të dalë në Mesdhé, automatikisht ishte kundra formimit të një shteti të pavarur shqiptar !  Nuk kam tashti se si mos t’a përqëndroj vëmëndjen tek Anglia, (të cilën, falë politikës së saj, atdhetari i shquar Patër Gjergj Fishta e kishte quajtur, -më falni- KURVA E MOTIT), duke e sjellë këtu pohimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Anglisë Sir Edward Grey, i cili integralisht pohonte: “... Objektivi kryesor i konferencës, (së Londrës – M.K.), ruajtja e marrëveshjes dhe mirëkuptimit mes Fuqive të Mëdha, u arrit ...” !   Simbas opinionit tim modest, pikërisht ajo barazpeshë nuk u arrit !  Ajo konferencë famëkeqe qé zanafilla e atij genocidi barbar grek kundra popullatës etnike Çame si edhe atij sllav kundra etnísë Shqiptare veriore, ku fuqit’e mëdha bënin sehir duarkryq shitjen e interesave shqiptare, ndërlidhur këto me krime e masakra të paimagjinueshme, për t’ashtuquajturën barazpeshë ndërkombëtare në viset ballkanike !
Duke vazhduar tashti i përqëndruar në temën që sot trajtojmë, genocidin grek ndaj popullatës Çame, kërkoj mbështetje edhe tek humanisti si edhe letrari e kritiku i shquar shqiptar, Faik Konica, i cili i qé drejtuar asokohe kryeministrit të Britanisë Madhe duke i thënë qart’edhe shkoqur se “... Ne, shqiptarët, kemi frikë vetëm nga grekët, me qenë se ata kanë një armë të hatashme, shumë të fortë, DINAKËRINË !” 
Po historia çfarë provoi?  Mospërfillja si edhe nëpërkëmbja e interesave shqiptare në Ballkan, jo që nuk solli barazpeshë ndërkombëtare në këto krahina si edhe më gjerë, por vetëm se solli ngatërresa, ndërlikime ndërkombëtare e asgjë më shumë.
    Cili ish themeli i Luftës së Parë Ballkanike ?  Sërbia e Mali i Zi nga Veriu si edhe Greqia nga Jugu, kishin si objektiv ndarjen mes tyre të territoreve etnike banuar historikisht nga shqiptarë !  Ja, kjo e gjitha me pak fjalë !  Edhe vetë shpërthimi në vazhdim i Luftës së I-rë Botërore, si pasoj’e vrasjes Franc Ferdinandit në Sarajevë, e fakton tensionin e krijuar në Ballkan !

NJË VËSHTRIM RRETH MJEGULLNAJËS VITEVE 1941-1944 SI EDHE NË VAZHDIM

Nacionalistët shqiptarë “en block”, kishin të njajtat pikëpamje si edhe qëndrime ndaj politikës greke lidhur me popullatën çame.  Edhe kjo pak por e vërtetë si drita e diellit.  Bilé në rezolucionin e Mbledhjes së Mukjes të datës 1 Gusht 1943, pika “2” e vendimeve të marra formulohet si pason:
2: Luftë për një Shqipëri indipendente, për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vendosjes së popujve, për një Shqipëri etnike. 
U hedhim një sy zhvillimeve në dy anët e kufirit shtetëror Shqiptaro-Grek.  Shteti Shqiptar u garantonte të gjithë banorëve "grekofonë” jo vetëm lejimin e përdorimit të gjuhës së tyre por edhe shkollimin në po gjuhën e tyre greke.  Këto doemos mbështetur në konventat ndërkombëtare. Bilé gjatë regjistrimeve të popullatës ata njiheshin si banorë shqiptarë por me kombësí greke.  Kurse nga ana tjetër e kufirit, jo që nuk u lejohej çamëve ORTHODOKSË të flisnin shqip, pa lé të kishin shkollat e tyre në gjuhën shqipe.  Por kulmi është se ata edhe sot as nuk i kanë të drejtat e tjera qytetare si vendasit grekë !(???)  Përgjatë kësaj hullíje nuk kanë se si të mos përmënden dhe qëndrimet e P.K.Sh. gjatë luftës dhe pas saj:  Fillimisht përplasja fytyrës Enver Hoxhës nga ana e Miladin Popoviçit i rezolucionit Konferencës Mukjes dhe mosnjohja në vazhdim, me urdhër të po Enver Hoxhës, të atij rezolucioni.  Vlerësimi fillimisht si heroik i luftës së Batalionit Çamëria në L.N.Çl. i komanduar ky nga komandanti Rexho Plaku, e në vazhdim fillë pas “çlirimit”, dy burgosjet e Rexho Plakut si edhe internimet e tija familjarisht për 27 vite me radhë ! Pa le servilizmi ndaj shtetit grek ku jo vetëm që nga njera anë sajohet e fryhet komploti absolutisht i paqenë i gjoja grupit çam të Teme Sejkos, e nga ana tjetër përfaqësuesja e minoritetit grek Vitori Çuri emërohet zv/kryetare e Kuvendit Popullor.  Kaq, sado fluturimthi, rreth së kaluarës.
Hedhim tashti dritë rreth zhvillimeve të sotme në Greqi sa i takon asaj pakice çame orthodokse krejtësisht e “paqenë dhe e asimiluar”.  As ndihet se ësht’e gjallë, kurse tek ne në Shqipëri jo vetëm që kemi Krye-Peshkopin puro grek, por ai po na ndërton kisha greke orthodokse edhe në Peqin ose Kukës ku historikisht nuk ka patur asnjë herë këmbë orthodoksi !  Pse ?  Fare e thjeshtë.
  Që në të ardhmen, (ç’janë disa dhjetvjeçarë para historisë shekullore), Greqija të ketë “dokumenta arkeologjike” lidhur me etnicitetin e trojeve greke aty ku shqiptarët pretendojnë autoktoní !  Nga ana tjetër refugjatëve u bëjnë trysní dhe vetëm marrja nga ana e tyre e nënshtetësisë greke i bën pastaj të rregullojnë një farë standardi jetese në Greqi.  Pale që brënda Shqipërisë i propozojnë gjithsecilit, mjaft të nënshkruajë, të marrë pensjon pleqërie grek, (pa pasë punuar një ditë për person, pa le institucion, grek !(?)
Po  nga  ana  e  jonë  e  barrikadës çfarë po ngjet?  Një papërgjegjësí e skajëshme sa u takon qëndrimeve me Greqinë si edhe më gjerë.  Jo vetëm që pranohet të hapen shkolla e universitete greke në Shqipëri, por edhe kur Presidenti i Greqisë pati deklaruar publikisht  se nuk ekziston problem çam, si Presidenti Mojsiu edhe Kryeministri Nano:  Heshtën në tribunë në syt’e tij si edhe të popullit që dëgjonte !(?) Nuk mjaftoi kjo por në vijim të kësaj hullíje, ministrja e Jashtëme e Greqisë, zonja Dora Bakojannis bën të pamundurën dhe mundohet t’a ndalojë vizitën e Presidentit Karolos Papulias të shkojë në Shqipëri me rastin e inaugurimit të Kolegjit ARSAKEJO?  Përse?  Sepse u trembej demonstratave eventuale çame!

Po qeveria jonë ?  Në vënd t’u qëndrojë pranë refugjatëve tanë në Greqi, t’i ftojë të votojnë në Atdhe, etj., me mosinteresimin e saj praktikisht i shtyn të marrin kartën e homogjenitetit greke e cila u krijon lehtësira si qytetarë grekë.  Dhe kulmi është kur gjatë vizitës së tij zyrtare në Prishtinë ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë Zoti Edmond Haxhinasto deklaron “... Bashkimi kombëtar i popullit shqiptar, apo lëvizja e kufijve, ësht’e dëmshme si idé për shqiptarët dhe si veprim për rajonin.”

E keqja është se përgjatë diktaturës i u ra fyellit për dyzet’e shtatë vite me radhë lidhur me internacionalizmin proletar e ajo periudhë kohore gjysëmshekullore e shojti krenarínë tonë kombëtare ! Prandaj jam i mendimit se orientimi më i dobishëm i shtetarëve tanë duhet të jetë t’i  nuhasin e pastaj edhe t’i shfrytëzojnë sa më në interes të kombit rrethanat kur interesat tona kombëtare përputhen me ato të më të mëdhenjëve !
     Për këtë qëndrim kanë nevojë sot Shqipëria, Kosova si edhe problemi çam, përbërësit e problemit të përgjithshëm kombëtar !
                                                                                             Mërgim Korça
                                                                                             Detroit – Michigan
                                                                                             26 Qershor 2011

No comments:

Post a Comment