July 1, 2011

“Çamëria dje dhe sot, sfidat dhe perspektivat demokratike të çështjes çame në shekullin XXI"


Organizata Çamëria zhvillon seminar në New York University

Në kuadër të përkujtimit vjetor të genocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, më datën 25 Qershor 2011, Organizata Shqiptaro Amerikane Çamëria organizoi në ambientet e universitetit të New York-ut një seminar për 27 Qershorin e vitit 1944 ku gjenerali famëkeq Napoleon Zervas ushtroi krime makabre ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare nga krahina e Çamërisë.

Në këtë eveniment që u organizua për çështjen çame dhe sfidat që ka hasur deri në ditët e sotme në arenën ndërkombëtare dhe atë kombëtare, bashkëpunuan Organizata Shqiptaro-Amerikane Çamëria me Forumin Shqiptaro-Amerikan për Demokraci. Gjithashtu kish të ftuar dhe pjesëmarrës nga shumë organizata dhe shoqata shqiptaro-amerikane, intelektualë, patriotë dhe dashamirësqë përbëjnë shoqërinë civile të Komunitetit Shqiptar në Amerikë. Në shenjë respekti u mbajt një minutë heshtje për të përkujtuar ato gra, fëmijë, pleq dhe burra të pafajshëm që u masakruan dhe u dëbuan nga qeveria greke.

Seminarin e hapi sekretari i përgjithshëm i Organizatës z. Sali Bollati, i cili është i mbijetuar këtij genocidi. Ai foli për udhëtimin në kujtesë, historinë dhe kalvaret e komunitetit Çam që nga dëbimi i dhunshëm i qeverisë greke ndaj popullsisë shqiptare nga trojet e tyre e deri në periudhën e regjimit komunist.

Temat që pasuan ishin “Çamëria dje dhe sot, sfidat dhe perspektivat demokratike të çështjes çame në shekullin XXI" dhe “Çamët në politikën shqiptare” ku u diskuta situata aktuale e çështjes çame në vijim të demokracisë nga vitet 90-të deri më sot. Këto tematika u shtjelluan nga zotërinjtë Enkel Daljani dhe Grid Rroji të cilët kanë punuar në organizmat qeveritare të Shqipërisë. Ata diskutuan faktet, problemet dhe arritjet e kësaj çështjeje.

Më pas në këtë tubim fjalën e mbajti kryetari i Organizatës Shqiptaro-Amerikane z. Endri Merxhushi i cili diskutoi qëllimet e kësaj organizate për zgjidhjen e çështjes çame, për ta sensibilizuar atë në publikun Amerikan, dhe në bashkëpunim me organet joqeveritare por edhe me senatorë dhe kongresmenë të ndryshëm që i kanë dhënë interes dhe përkushtim kësaj çështjeje shqiptare si një çështje për të drejtat e mohuara të njeriut. Z. Merxhushi përmendi dhe nevojën për bashkëpunim të plotë me të gjithë organizatat Shqiptaro Amerikane për çështjen kombëtare çame dhe për ta sensibilizuar atë në organizmat Amerikane që të njihet genocidi barbar nga ushtria greke dhe krimet saj por edhe shkeljet e fundit me moslejimin e shtetasve shqiptarë të lindur në Çamëri.

Gjithashtu ai theksoi se seminari u zhvillua në ambiente akademike sepse Organizata Shqiptaro-Amerikane Çamëria ka krijuar një program që ta ngrijë çështjen çame në nivel akademike dhe në organizata hulumtuese për një zgjidhje jokonfliktuale.
Organizata Çamëria ka si parim kryesor të realizojë këto qëllime:
1. Shteti Grek të njohë dhe të japë ndjesë publike ndaj Genocidit barbar të kryer nga Napoleon Zervas në 1944 në krahinën e Çamërisë.
2. Shqiptaret e Çamërisë duhet të gëzojnë të drejtat e njeriut në baze të cilave bazohet me traktatet dhe konventat ndërkombetare e së cilave Greqia është firmëtare.
3. Shqiptarëve në Greqi duhet tu lejohet të hapin shkolla shqipe në Greqi.
4. Shqipëtarëve Çamë duhet tu njihet e drejta e pronësise së tyre në Greqi pa pengesa politiko juridike që i cilëson Çamët si shtetas të padëshiruar.
Këto objektiva si dhe misioni Organizatës Shqiptaro-Amerikane Çamëria janë krijuar për të promovuar dhe ruajtur vlerat e kulturës, historisë, dhe trashëgimisë etnike të Shqiptaro-Amerikanëve nga rajoni i Çamërisë të cilët kërkojnë drejtësi nëpërmjet standarteve demokratike dhe të shtetësisë Amerikane për të dënuar aktet e Genocidit grek të ushtruar ndaj popullit çam dhe të lejojë kthimin e tyre në trojet amtare në Çamëri. Pozicioni kryesor i Organizatës është që me punën që do të bëjnë veprimtarët e saj, do të merret një hap më i madh për zgjidhjen dinjitoze të cështjes çame.
Kjo organizatë zhvilloi edhe tubime të tjera në degët përfaqësuese në shtetet Illinois, Michigan, New Jersey dhe Philadelphia, ku banojnë mijëra pjestarë të këtij komuniteti. Pas 100 vjetë dhune, trysnie, vuajtesh dhe persekutimesh nga qeveria Greke, komuniteti çam mori vetë përsipër fatin dhe çështjen e tij duke krijuar Shoqatën Atdhetare Çamëria, më pas Partinë për Drejtesi Integrim the Unitet që tashmë ka dy përfaqësues në parlamentin shqiptar, dhe organizata të tjera në diasporë. Vlen të theksohet se qeveritë shqiptare paskomuniste e kanë injoruar dhe deri më sot ende nuk kanë ngritur asnjë rezolutë për këtë problem në Parlament.

Organizata Shqiptaro-Amerikane Çamëria

No comments:

Post a Comment