July 9, 2011

Gjenocidi grek mbi Çamërinë, pengu i Europës

- Në mungesë të një projekti për drejtësi -

Hyqmet Zane

Çdo vit që kalon nga ai 27 qershor 1944, e bën më të qartë atë çfarë ka ndodhur në tokën e Çamërisë, por edhe qartëson përse u hesht dhe përse vazhdon të mos vihet dorë mbi një padrejtësi çnjerëzore me emrin “gjenocid”. Edhe pse i pranuar nga vetë dëshmitarët okularë dhe komisioni i ngritur miks në atë vit, që dëgjoi rrëfimet dëshpëruese dhe tronditëse të familjeve që vuajtën masakrat fashiste të shovinistëve grekë, por e pranuar edhe nga vetë akademikët grekë para disa vjetësh, Greqia dhe qarqet progreke vazhdojnë të mos flasin dhe ta mohojnë këtë gjenocid që mori mijëra jetë njerëzish. Por krah kësaj heshtjeje ka edhe një Europë që përsëri hesht, edhe pse dihet dhe njihet që në Çamëri u shkelën mizorisht të drejtat e njeriut dhe pati masakra ndaj popullatës së pambrojtur civile çame.
Shpesh violina greke ka pasur vetëm një tel dhe i ka rënë këtij teli të çakorduar, sepse e dinte që, sido të fliste Greqia, ajo kishte Europën në mbështetje dhe krah për të qenë avokate e çdo padrejtësie që mund të bënin grekët, aq më tepër ndaj shqiptarëve. Akuzat pa dëshmitarë dhe pa fakte të grekëve ndaj çamëve janë absurdi që ne shqiptarët e Çamërisë kemi 67 vjet që i dëgjojmë, por i dëgjojnë edhe kanceleritë europiane që gjithnjë e mbajnë peng gjenocidin grek në Çamëri, në mungesë të një projekti për të dhënë drejtësi.
Që nga pushtimi i Shqipërisë nga Greqia pas padrejtësisë së Konferencës së Londrës më 1913-n, që e ndau tokën shqiptare në pesë pjesë, Çamëria është toka europiane që nuk është çliruar asnjëherë deri më sot. Edhe gjatë pushtimit fashisto-nazist të Greqisë 1940-1944, ligjërisht Çamëria nuk është bashkuar me Shqipërinë, siç u bë me Kosovën. Në këtë mënyrë, Ligji i Luftës që ende mbahet nga grekët midis Shqipërisë e Greqisë, nuk ka asnjë lidhje me ne shqiptarët e Çamërisë, sepse edhe në atë kohë ne ishim dhe ligjërisht ende jemi shtetas grekë, sepse Greqia nuk ua ka hequr zyrtarisht çamëve shtetësinë greke. Atë e hoqi arbitrarisht dhe brenda një nate qeveria e Tiranës, ku çamët ishin të vendosur si refugjatë në vitin 1953.
Nga ana tjetër, edhe akuza greke ndaj çamëve është një tjetër absurd dhe një padrejtësi që europianët e dëgjojnë dhe nuk reagojnë, kur arkivat europiane e dinë shumë mirë se cila është e vërteta e asaj që ndodhi në Çamëri 67 vjet më parë. E dinë këtë edhe arkivat e nazistëve gjermanë dhe fashistëve italianë që e bënë këtë luftë, po aq sa edhe arkivat e Aleancës Antifashiste. Se si ka mundësi që të ndodhë një masakër çnjerëzore në mes të Europës dhe të mos kenë dijeni drejtuesit e shteteve, kur ata ishin në Korfuz, ishin në Janinë, ishin në Athinë, ishin në Shqipëri dhe kur vetë forcat e EAM-it e dinin se do të bëhej një gjenocid i tillë spastrimi etnik.
Nga ana tjetër, duhet thënë se gjatë gjithë periudhës së Luftës II Botërore në Greqi ka pasur vazhdimisht qeveri kuislinge greke dhe ata kanë administruar edhe Çamërinë. Ne çamët s’kishim si të ishim bashkëpunëtorë me pushtuesin, kur bashkë me pushtuesit gjermanë ishte vetë "qeveria greke" e Ralisit.
Pikërisht këto fakte dhe këto të vërteta janë një gong i fuqishëm që komuniteti çam në Shqipëri, por edhe në SHBA i bie fort, por që përsëri heshtet, nuk thuhet asnjë fjalë, në një kohë që drejtësia europiane e Hagës e kërkon kriminelin e Serbisë në çdo vrimë ku të ishte futur, ndërsa e di që Napoleon Zerva ishte një ideator dhe zbatues i politikës zyrtare greke me miratimin edhe të kishës greke dhe nuk thotë qoftë edhe një fjalë të vetme se si është e mundur që të ngrihet një monument në Çamëri për një kriminel që ka vrarë foshnjat në bark të nënës, qoftë edhe për një rast të vetëm e jo më për një popullatë të tërë 50 mijë vetëshe. U tronditën europianët në Bruksel në rastin e Griseldës dhe pa u hetuar mirë rasti në fjalë që doli një blof, bërtitën, e bënë problem, kurse komuniteti çam ka 67 vjet që thërret e kërkon drejtësi në emër të ligjit e të Zotit për pafajësinë e mbi 3 mijë shqiptarëve të Çamërisë, të vrarë e therur e po aq të vdekur më pas nga vuajtjet e rrugës e urisë. Nëse ka një shtet që bërtet më shumë në botë për respektimin e të drejtave të shtetasve të tij në botë, ajo është Greqia. Njëherazi e them me gojën plot se nëse ka shtet që shkel me të dyja këmbët të drejtat e njeriut brenda vendit të tij, ajo është Greqia. Çfarë emri i duhet vënë kësaj?
Edhe politika shqiptare diplomatikisht hesht, se kuptohet që ka një hall të madh me fqinjin europian, por më shumë e kam te politikanët e vetë komunitetit çam, nëse janë të tillë, nuk e kanë të qartë orientimin drejt zgjidhjes. E them këtë, sepse shpesh shoh e dëgjoj copëza fabulash sensibilizuese që treten në kohë, por asnjëherë nuk kam parë një platformë të tërë mundësish për zgjidhje që për mua janë politike dhe ligjore. Politike, për të përdorur të gjithë potencialin politik e diplomatik ashtu si Rugova për Kosovën që trokiti dhe diti të trokasë në portat e kancelarive europiane dhe asaj amerikane. Juridike, për të plotësuar me fakte, argumentuar juridikisht dhe përdorur teknikisht ato në shërbim të cilësimit “gjenocid” të një masakre që plotëson të gjitha kushtet për t’u cilësuar si i tillë.
Për mendimin tim, çështja çame është njëra nga më të vjetrat në Europë e pazgjidhur dhe me një problematikë të gjerë. Zgjidhja e kësaj çështjeje kërkon para së gjithave mirëkuptimin bilateral mes Shqipërisë dhe Greqisë përmes komisioneve të përbashkëta që do të merren me trajtimin dhe gjetjen e pikave, ku do të mbështeten për zgjidhjen e problemit.
Para së gjithash në mes dy vendeve duhet të ekzistojë vullneti i mirë për futjen në axhendën zyrtare për zgjidhjen e çështjes çame veçanërisht nga Greqia. Një nga rrugët është edhe hedhja në gjyq e Greqisë për çështjen e pronave të çamëve, të cilat duhet t’u kthehen të zotëve, por që kjo gjë nuk mund të ketë sukses me gjyqe individuale, për shkak të shumë faktorëve që janë në disfavor të çamëve. E rëndësishme është të themi se kërkohet një dënim i gjenocidit të ndodhur në Çamëri në vitet 1944-1945, në fund të Luftës II Botërore dhe pranimi i tij nga shteti grek në mënyrë zyrtare. Por mospranimi nga ana e shtetit grek e këtij gjenocidi e vështirëson zgjidhjen. Hapja e kufijve përmes liberalizimit të vizave dhe hyrjes së Shqipërisë në BE, është një shans që ndihmon në zgjidhjen e këtij problemi tashmë 67-vjeçar.
Duhet thënë gjithashtu se zgjedhja e një partneri ndërkombëtar të fuqishëm si SHBA-ja dhe ndikimi e mbështetja e tij për çështjen çame dhe njëherazi presioni ndaj shtetit grek për të pranuar çështjen në fjalë dhe zgjidhjen e saj, mendohet të jetë një nga rrugët efikase.
Unë e gjej të udhës që të them se iniciativat politike si ajo e Tahir Muhedinit që jo vetëm e çoi komunitetin çam me përfaqësim në Parlamentin shqiptar më 2009-n me PDI, por edhe përpjekjet politike të vetë Shpëtim Idrizit si deputet dhe sot si kryetar i PDIU, por edhe çdo iniciativë e çdo deputeti tjetër si ajo e Dashamir Tahirit në kufi të Qafë-Botës, janë të mirëpritura jo vetëm për komunitetin çam, por edhe për gjithë shqiptarët dhe syrin e Europës.
Por demi duhet kapur prej brirësh dhe kjo do të thotë se ne vetë si komunitet çam kemi nevojë për një gjetje mes vetes, si me thënë duhet të lajmë zemrat para Zotit e me një zë të vetëm duhet t’i themi botës se tani e kemi gjetur çelësin e aksionit politik dhe juridik. Dhe këto janë trokitjet e para si në Departamentin e Shtetit, që shumë mirë e kanë kuptuar si Muhedini e Idrizi, por edhe në hartimin e një memorandumi si ai i 65 vjetëve më parë që Komiteti Antifashist Çam i drejtoi Lidhjes së Kombeve (sot OKB) shoqëruar me dosjen e krimeve dhe aftësimin e personave që do të jenë interlokutorët e saj në Hagë e Strasburg, në Bruksel e në Kongresin Amerikan. Dhe e gjitha kjo kur Rezoluta e parë duhet të dalë nga vetë Parlamenti shqiptar. Këtu më duket se qëndron sekreti i një nisjeje të mbarë në shërbim të zgjidhjes. Nuk është koha më për të qarë në Qafë-Botë, por për të “qarë” nëpër botë te shtetet që kanë zë e fuqi më shumë për të dalë në krahun e drejtësisë së komunitetit çam.

Gazeta Shqip

No comments:

Post a Comment